back to top
20.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Maj, 2024

Pse njerëzit tanë janë ontologjikisht të pasigurt? – nga Gëzim Tushi

Gazeta

Profesor Gëzim Tushi
Profesor Gëzim Tushi

Pse njerëzit tanë janë ontologjikisht të pasigurt?

nga Gëzim Tushi 

Nuk duhet ndonjë analizë e thelluar apo studim sistematik, për të kuptuar disa patologji të theksuara që kanë mbërthyer shoqërinë dhe njerëzit tanë. Janë të sigurta shenjat sociale të një shoqërie neurotike e përbërë nga shumë njerëz që e kanë të vështirë të administrojnë në mënyrë të qytetëruar veten. Jetojmë të shqetësuar nga që sistematikisht përjetojmë një situatë sociale absurde, të përfshirë në përmasa shqetësuese dhe të agravuar psikologjikisht nga dukuri të tilla si dhuna, krimi, divorci, dembelizmi, vaniteti, përtacia fizike e mendore, ambicia, zilia, xhelozia profesionale, e shumë antivlera të tjera që po bëhen kronike dhe po inondojnë jetën normale të shoqërisë dhe cwnojnë parametrat standarde e të nevojshme të qytetërimit tonë. Në këto situata është përhapur gjerësisht mungesa e besimit, e pasigurisë sociale se gjërat në këtë shoqëri mund të përmirësohen, se njerëzit mund të bëhen qytetarë të sjellshëm dhe marrëdhëniet midis tyre mund të himnizohen.
Po çfarë ka shoqëria shqiptare dhe njerëzit tanë që jetojnë në situata dëshpërimi, vaniteti, mungese besimi social dhe pasigurie ontologjike individuale? Është një kompleks faktorësh historikë, kulturorë, antropologjikë, sociale dhe individual, që e “përligjin” këtë gjendje kalimtare, por që për fat të keq po shfaq një inerci metafizike, zgjatja e së cilës po sjell procese degraduese në shoqërinë tonë. Pa dyshim, shoqëria shqiptare pas ndryshimit të sistemit totalitar dhe shoqërisë me disiplinë kolektiviste e mekaniciste të imponuar, dhe pas braktisjes së menjëhershme të metanarrativës marksiste, që shërbeu si mjet dhune e “busull orientimi” social për shoqërinë, jeta sociale dhe sjelljet individuale kanë marrë trajtë krejt të ndryshuar. Kalimi i përshpejtuar, pa “parapërgatitjen” e duhur të strukturave edukative dhe me mungesa evidente të “kapitalit social” që pritej të “prodhohej” nga shoqëria civile, bënë që shoqëria të bjerë në “situatë vakumi”. Këtë moment me të drejtë sociologët e konsiderojnë adekuat për shfaqjen e fenomeneve të “pasigurisë ontologjike” dhe ose sikurse e quan Zigmunt Bauman, të “modernitetit të lëngët”.
Kjo do të thotë se njerëzit tanë pas kësaj përmbysje akoma vërtiten në kaosin e mungesës së “piketave të orientimit” me parametrat e jetës liberale, individualiste, të qytetëruar. Personalisht mendoj se përveç arsyeve materiale sikurse janë varfëria apo papunësia, shkaku madhor i kësaj situate, është se njerëzit akoma nuk kanë krijuar kuptimin e duhur, se po jetojnë në një shoqëri, në të cilën “gjërat e mëdha” dhe pikat e vjetra të referimit edukativ të sjelljes e kanë humbur kuptimin. Shoqëria jonë, dikur e “ngurtë ideologjikisht” ka hyrë në fazën kur kënaqësitë e jetës personale po dominojnë mbi çdo gjë. “Gjërat e mëdha” e kanë humbur kuptimin, për pasojë vetëm “etja dhe kënaqësia e konsumit po kthehet në të vetmen gjë që orienton jetën e njerëzve”. Shoqëria shqiptare ka marrë nuanca të forta të neurotizmit të përgjithshëm social, duke u bërë refraktare me njeriun nga njëra anë, por edhe individi ka humbur shumë nga siguritë sociale dhe garancitë ekzistenciale.
Për pasojë gjithnjë e më shumë njeriu i ndodhur në situatë të pasigurt dhe i çorientuar ekzistencialist, doemos që do të shfaqë një “dinamikë të brendshme”, të shoqëruar shpesh me kriza të vazhduara të identitetit personal dhe komportimit social. Diagnostikimi psikosocial i situatës tregon agravim të shumë negacioneve në jetën e përgjithshme. E gjitha me pasoja sociale, sepse kjo pasiguri është e thellë në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të cilët shpesh kanë vështirësi për të administruar veten, kuptuar sfidat e kohës dhe përballuar vështirësitë e shumta të saj.
Duke qenë akoma në kufijtë e fundmë të tranzicionit, ka akoma njerëz që jetojnë me iluzione apo kanë përfytyrime utopike për jetën, të cilat nga që nuk realizohen shoqërohen me frika, vanitet e pasiguri individuale. Për fat të keq, kemi njerëz që nuk jetojnë me kohën apo që janë jashtë realitetit dhe nuk kanë krijuar bindjen e duhur përfundimtare, se jetojmë në një shoqëri në të cilën pjesa më e madhe e sfidave dhe përgjegjësive duhen përballur “vetëm”, duke u bazuar fuqimisht tek aftësitë, energjitë, ambiciet dhe vullneti që buron nga “vetja”. Nëse nuk kuptojmë këtë të vërtetë të pandryshuar të realitetit në të cilin jetojmë, atëherë do kemi gjithnjë njerëz të paorientuar, të margjinalizuar, që nuk i mbajnë sytë nga “vetja”, por nga qeveria e qielli, për t’u dhënë zgjidhje për problemet e tyre.
Në të vërtetë, përtej demagogjisë, gënjeshtrave sociale dhe iluzioneve utopike, duhet të krijojmë te njerëzit tanë bindjen se jeta është shtruar në “shinat” që shoqërohen me shumë pasiguri ontologjike të brendshme. Kjo patologji sociale është produkt i sistemit të jetës sociale liberale, e cila favorizon individin vendimmarrës, të vetëmjaftueshëm, i cili për të qenë i suksesshëm në luftën me jetën, për të mos dështuar para saj, e ka për detyrë të harmonizojë të gjithë elementët që përbëjnë strukturën e vullnetit dhe personalitetit të tij. Në këto kushte, nëse njeriu nuk përpiqet të bëjë sinteza të sjelljes personale, për të qenë adekuat me sfidat e jetës materiale, subjektive e sociale, atëherë pasiguria ontologjike bëhet një situatë fatalisht e pashmangshme, me shumë pasoja individuale.
Ne jemi dëshmitarë të rasteve kur shumë njerëz e kanë të pranishme këtë patologji sociale të shfaqur si pasiguri ontologjike të jetës personale, e cila shoqërohet më sjellje të çoroditura, mungesë orientimi të saktë, shfaqje të mangësive individuale përballë sfidës së pashmangshme të orientimit social. Shumë njerëz që ndodhen në këto situate ndihen keq me veten dhe shoqërinë. Madje, ka raste kur “pasiguria ontologjike” u shkakton tension afektiv dhe frustrim të përgjithshëm. Njeriu me pasiguri ontologjike vuan, sepse gjithçka në jetën e tij duket si kundërthënëse, kundërproduktive, e vendosur kundër tij. Në këto kushte humbja e sigurisë te vetja ka pasoja sikurse janë humbja e ndjenjës së identitetit, sigurisë, koherencës sociale, autonomisë personale.
Studimet tregojnë se kjo ndjenjë jo vetëm është në zgjerim, por dhe pasojat e saj janë shumë serioze për cilësinë e jetës. Sepse pasiguria ontologjike në jetën e njeriut shfaqet në shumë forma, sikurse janë paqëndrueshmëria, mungesa e vullnetit për t’u përballur me rreziqet e jetës së përditshme apo paaftësia për të kultivuar vetidentitetin. Jeta e njeriut të kohës sonë është e mbushur me shumë “kundërshti ekzistenciale”, që përbëjnë faktorë tejet dinamikë, me ndikim të fortë në strukturën e personalitetit të njeriut, që në situatë të tillë natyrshëm shfaq pasiguri të dukshme ontologjike.
Ndikimi i tyre mund të jetë pozitiv në zhvillimin dhe forcimin e identitetit dhe personalitetit të individit, por mund të çojnë në rrënimin e tij duke e futur njeriun në një konfuzion ekzistencial. Pasiguria ontologjike në shoqërinë tonë nuk është e lidhur vetëm me aftësinë apo paaftësinë e individit, për të menaxhuar veten dhe administruar shfaqjet e personalitetit të tij. Unë besoj se një pjesë jo e vogël e faktorëve, që po zgjerojnë fenomenin e “pasigurisë ontologjike”, shfaqjen e krizave të identitetit të individit, janë të 
lidhura me një krizë sociale të tejzgjatur, karakterin kompleks të tranzicionit të tejzgjatur.
Nëse do të bënim një diagnostikim të shtresave dhe individëve që përjetojnë këto situata të pasigurisë ontologjike te vetja, ata do t’i gjenim më së shumti te shtresat që jetojnë në margjinalitet, të izoluar nga jeta sociale, pa optimizëm dhe shpresë se një ditë mund ta kapërcejnë, me forcat e tyre në radhë të parë, kufirin e rrezikshëm të “pasigurisë ontologjike”. Sepse kur njeriu është ontologjikisht i pasigurt, do të thotë që është në gjendje të turbullt dhe nuk ka mundësi të perceptojë në mënyrë adekuate “veten”, forcat e tij të heshtura apo të fjetura, ngaqë bëhet i paaftë të kuptojë rrethanat dhe situatat që vërtiten rreth tij. Duhet të bëjmë gjithçka për të përballuar shkaqet dhe pasojat e kësaj krize sociale, që e ka burimin te njeriu i pasigurt ontologjikisht, i “papjekur” psikologjikisht, shoqërisht dhe moralisht. Këto janë rrethana të sigurta kur njeriu humbet identitetin, bëhet i paaftë të menaxhojë jetën, konfliktet e natyrshme të saj…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.