back to top
22.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Pse gënjejnë shqiptarët kur e dinë që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra? nga Genc Hoti

Gazeta

Genc Hoti
Genc Hoti

Pse gënjejnë shqiptarët kur e dinë

që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra?

nga Genc Hoti

FB ka një karakteristikë të çuditshme, përveç një pafundësie veçorish: diskutantët vendosin emra të panjohur dhe fillojnë e mbarojnë me një pafundësi gënjeshtrash nga më diletantet edhe pse e dinë mirë që do të kundërshtohen. Si kundërpërgjigje përdorin ofendimet duke e konsideruar problemin e hedhur për diskutim të zgjidhur përfundimisht.
Kështu një ditë prej ditësh, në kuadrin e diskutimeve alla shqiptarçe, dikush kishte shkruar:
“A di ndonjë personalitet, kryeminister apo president të ndonjë shteti përveç Leninit që denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës, që e fshinte nga faqja e dheut Shtetin shqiptar që shpalli Pavarësinë vetëm një vit më parë?!”
Por diskutanti nuk kishte vënë asnjë referim se ku e kishte marrë këtë informacion, le pastaj për të diskutuar mbi saktësinë e tij.
Në fakt këto fjalë i kanë vënë në gojën e Avni Rustemit, kur Asambleja Kushtetuese ishte mbledhur me 4 shkurt 1924, dhe kërkoi të mbaheshin 5 minuta zi për Leninin (Lefter Dilo, Avni Rustemi, Tiranë 1978, f. 141).
Por, qoftë diskutantit në fb, e qoftë Lefter Dilos, nuk i ka vajtur mendja se dikush, ndonjëherë, mund të zotërojë bisedimet e Kuvendit Kushtetues (botuar nga Shtypshkronja “Nikaj”, Tiranë, me 1924), apo 40 veprat e V. I. Leninit, dhe do të bënte ballafaqimin me to. Atëhere si është e vërteta, qoftë në Kuvendin Kushtetues, e qoftë në veprat e Leninit për këtë problem?
Ballafaqimi me bisedimet në Kuvendin Kushtetues tregon se qoftë diskutanti në fb, e qoftë Lefter Dilo, nuk kanë shkruar të vërtetën e asaj që është biseduar atë ditë të hënë, me 4 Fruer 1924, ora 3 m. dr.
Së pari diskutanti në fb shkruan sikur fjala bëhet për Traktatin e fshehtë të Londrës më 1913, përderisa pranon se ngjarja ka ndodhur një vit pas shpalljes së shtetit shqiptar. Kjo është absolutisht e pasaktë pasi në 29 korrik 1913, ështe mbajtur Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe me 10 prill 1914, në Vlorë, u vendos mbi Kushtetutën në Shqipëri, ku shteti i shqiptarëve u pranua (më hollësisht për këtë shih artikullin: “Komente mbi një dokument dy përmasor”, publikuar në albanovaonline.info dhe www.genchoti.com) duke mos pasur asnjë traktat të fshehtë.
Së dyti edhe pretendimi i Lefter Dilos, sikur propozimin e bëri Avni Rustemi për të mbajtur 5 minuta zi dhe u ngrit një parlament i tërë për të nderuar kujtimin e Leninit, nuk është i saktë; dmth propozimin nuk e ka bërë Avni Rustemi dhe nuk është propozuar për 5 minuta zi.
E vërteta është krejt ndryshe dhe ka këtë përmbajtje (Bisedimet e Kuvendit Kushtetues, Vieti i I, Tiranë 1924, Nr. 5, Mbledhja e VII, f. 78):
.
Konferenca e Londres - mbylli vendimet e saj me 29 korrik 1913
Konferenca e Londres – mbylli vendimet e saj me 29 korrik 1913
“Z. Reuf Fico: Z. Kryetar! Pa hy në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një proponim. Me hidhërim muarmë vesht se ish-kryetari i Shteteve te Bashkuara t’Amerikës W. Wilson-i vdiqë. Duke marrë parasyshë shërbimet e mbëdha që i ka bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi edhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së ndyerit.
Pranohet.
Bahen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mbështjellet prapë.
Z. Jashar Erebara: Para se të hymë në bisedim, proponoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se Wilson-i do të flitetë për të mirën e Shqipnis, ma tepër do të flitetë Lenini për një Shqipni të madhe. (Ilaritet).
Z. Avni Rustemi: Më vjen shumë keq Z. Kryetar, që kur përmendet emëri i Leninit, ndigjohen qeshje nga anë e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk dua qi Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj nuk e don, por për principet e larta njerëzore duhet që me një respekt të zihet në gojë emëri i tij./ E dini fare mirë Zotërinj, se qysh ay mproj principet e larta të njerëzis e se kje i pari qi donencoi traktatin e mëçeft të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dinja që proponimi i bërë prej Z. Erebarës nuk do të pranohej, por neve me gjithë atë e kemi për detyrë të proponojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.”
.
Rauf Fico (1881-1944)
Rauf Fico (1881-1944)

Në vazhdim parlamenti bëri 5 minuta pushim jo sipas propozimit të Jashar Erebarës, por sipas idesë të Eqrem Vlorës për nderin e kaq mij shpirtrave që therri me duart e tij… dhe të Ali Këlcyrës për Vani Cico Kosturin të cilit i kanë vdekë të vrarë i biri nga ana e grekëve dhe i nipi nga ushtria turke.

Së treti, nuk ekziston asnjë traktat mbi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1915, pasi ekzistenca e Shqipërisë ishte pranuar me 29 korrik 1913 në Londër dhe me 10 prill 1914, në Vlorë, ishte firmosur Statuti i Shqipërisë në bashkëpunim me Komisionin Internacional të Kontrollit. I gjej të dy këto dokumenta në librin e Amedeo Gianninit: L’Albania dall’indipedenza all”unione con l’Italia (1913-1939), bot. 4, 1939, kur botimi i parë mban datën 1922, ku nuk ka asnjë fjalë për traktate të tjera dhe të fshehta në dëm të Shqipërisë.
Së katërti, diskutanti as që e ka vrarë mendjen se ku mund t’i gjejë këto pretendime të Leninit dhe sa të sakta janë. Për ta ndihmuar po i them se ekziston një botim që zbërthen tregueshëm veprat e Leninit (bot. i vitit 1971) dhe që ka artikullin: traktatet e fshehta të shteteve kapitaliste (f. 693) ku tregohen veprat dhe faqet e tyre ku Lenini ka folur për këto traktate me këtë inventar, por që nuk ka asnjë lloj donencimi, pasi kanë qenë të botuara fare hapur (normalisht Avni Rustemi ka fantazuar në këtë drejtim):
 
Vepra 15 – f. 208.
Vepra 21 – f. 281.
Vepra 23 – f.110, 148-149, 191, 211-212, 226, 247, 249, 252, 353, 388, 411, 431, 449-450.
Vepra 24 – f. 188, 273-274, 406, 413-415, 416-417, 421, 451-455.
Vepra 25 – f. 24, 30, 123.
Vepra 26 – f.278, 442
Vepra 27 – f. 23, 555-556.
Vepra 28 – f. 54, 75, 88, 150, 160-161
Vepra 30 – f. 512, 569
Vepra 31 – f. 147-148, 245-246.
 
Përfundimisht shtrohet problemi: përse gënjejne shqiptarët, kur e dijnë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra?
E parë në funksion të individit mund të arrihet me lehtësi në përfundimin se kemi të bëjmë me dembelë, me të paaftë, me të keqarsimuar. Por e parë në funksion të politikës, sepse politikanët e kanë shpikur, rezulton se kemi të bëjmë me një përqasje të problemit krejt tjetër për tjetër. Intelektuali dhe politikani shqiptar gënjejnë vetëm për një qëllim: të krijojnë histori për të justifikuar veprimet e veta dhe fillesa e ka burimin me vetë themelimin e shtetit shqiptar më 1912.
Sigla e Genc Hotit
Sigla e Genc Hotit

Kush është Genc Hoti

Ka lindur e 6 dhjetor 1954 në Tiranë. Rrjedh nga një familje e vjetër intelektuale me origjinë nga qyteti i Shkodrës. Babai i tij, Kol Hoti, i diplomuar në Zagreb dhe Sofje për ekonomi, i dha elementet e parë të kulturës njerëzore, dhe sidomos të asaj shqiptare. Duke disponuar një bibliotekë të pasur, pothuajse të gjithë produktin intelektual shqiptar të para 1945, bie në kontakt me veprat e Françeskanëve shqiptare, filozofët grekë të epokave klasike, poetët e mëdhenj të populli italian, autorët klasikë të Europës post feudale, duke marrë prej tyre filozofinë materialiste.
Genci qe, dhe është një studiues autodidakt; fati e desh të merrte kulturën katolike të familje së nënës së tij duke marrë prej tyre pasionin e madh për punë dhe dije. I përket brezit të formuar nga komunizmi shqiptar, çka i dha mundësi kohore të studionte veprat e marksimit, leninizmin, stalinizmin dhe enverizmit përgjat periudhës 1974-1990.
Bashkimi me filozofinë greke të këtyre veprave e çoi në përfundimin se filozofia klasike greke ka një gabim të pafalshëm që i ka shkaktuar njerëzimit një dëm të konsiderueshëm (formula aristoteliane e lëvizjes) dhe një problem të pazgjidhur akoma që kishte çuar në shterpëzimin e tre teorive më të famshme të shekullit të XIX-XX: dialektikës së Hegelit, materializmit të Marksit dhe relativitetit të Ajnshtajnit (çfarë mbetet pa ndryshuar përgjatë dinamikës së zhvillimit të materies? – ishte pyetja pa përgjigje e filozofisë greke).
Nga viti 1977 deri në vitin 1985, u muar me këto dy probleme:
1.me formulimin e ri të procesit të lëvizjes duke arrirë në përfundimin se: gjithmonë lëvizja ndodh për dy grup shkaqesh të lidhura me botën e brendëshme të objektit që lëviz dhe ambientit rrethues. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi, qoftë dhe teorike, të kemi lëvizje vetëm për një arësye shkakësore. Kjo gjë bën të domosdoshëm rishikimin e të gjitha teorive që lidhen me lëvizjen dhe objektet e saj. E thënë me fjalë të tjera, Genci pretendon që tulla e parë e shkencës dhe mendimit filozofik botëror është rrëzuar dhe gjërat duhen riparë nga fillimi pasi fenomeni domino është në proces e sipër.
2. me përgjigjen e mendimit filozofik grek duke arrirë në përfundimin se kishte me të vërtetë diçka që nuk ndryshonte gjatë procesit të zhvillim-transformimit të materies dhe pikërisht: raporti kohor-hapsinor e plotësonte këtë kusht duke hapur një rrugë të re në metodikën e studimit të historisë së njerëzimit.
Keto dy probleme u konkretizuan me përfundimin e studimit të dialektikës së mendimit njerëzor (1977-2014) me titull: “Tjetërsimi i Historisë ose ndërgjegja e ngjarjes”:
 
Vëll. 1 Teoria e absolutizmit analitik (përmbysja e mendimit filozofik helen, shkolla gjermane dhe lindja e Materializmit Filozofik)
Vëll. 2 Feja dhe Intelektualët (fshehja e aktit më të parë civilizues të Racës Njerëzore në Tokë dhe mënyra se si e zbërthen materializmi filozofik Fenë).
Vëll. 3 Lufta dhe Njerëzimi (e fshehta instiktive e zhvillimit të Shoqërisë Njerëzore).
Vëll. 4 Poligjenezë apo Monogjenezë dhe mbi këtë parim natyror gjeneza e popullit më të vjetër të racës së bardhë (midis thënie lidhëse universale për të gjithë specifikat e zhvillimit shoqëror me revolucionin social) – këtë libër shqiptarët bëjnë mirë të mos ta lexojnë, dmth: libër për jo shqiptarët.
Vëll. 5 Interpretimi materialist i filozofisë së Gjuhës Shqipe (vazhdim i argumentit mbi gjenezën historike të shqiptarëve).
Vëll. 6 Marksizmi, leninizmi dhe revolucioni social (përmbysja e një filozofie sa të drejtë në tendencë aq dhe të tjetërsuar në përmbajtje).
Vëll. 7 Historia e PPSh (libër vetëm për shqiptarët, pasi është përmbysja e të gjithë asaj që shqiptarët kujtojnë se dinë saktë dhe politika e sotme botërore nuk le gur pa lëvizur që kjo të mos zbulohet mundësisht kurrë; politika e sotme shqiptare i shërben kësaj fshehje).
Vëll. 8 Artikujt e Lirisë (lajthitja e lirisë shpirtërore të shqiptarëve individë)
Vëll. 9 Si e formatoi saktë Historia Europiano-Otomane shtetin politik të shqiptarëve për 1300 vjet në kuadrin e politikes globale (vazhdim i argumentit mbi gjenezën historike të shqiptarëve). (2011- )
Vëll. 10 Kleri Katolik – Kanunet shqiptare dhe legjislacioni komunist enverist (përplasja e çështjes kombëtare me antishqiptarizmin komunist në fushën e Drejtësisë dhe Pronësisë, vazhdim i argumentit mbi gjenezën historike të shqiptarëve).
Vëll. 11 Shkrimtari – Letërsia dhe Populli Shqiptar (rasti Kadare dhe i të gjithë mendimit letrar shqiptar; – vazhdim i argumentit mbi gjenezën historikë të shqiptarëve) (2014- )
 
Ka në proces shkrimi vëllimin e nëntë dhe të njëmbëdhjetë, të cilët nuk kanë përfunduar akoma. Mund te kontaktoni me të në adresat: genchoti@yahoo.com ose genchoti.@yahoo.com
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.