back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Fëshfërimë hapash mbi shtroje… Cikël poetik nga Rozafa Shpuza

Gazeta

Rozafa Shpuza
Rozafa Shpuza
Kur vihesh per kundruall Rozafa Shpuzës,
ndjehesh si përballë nji Ypsiloni:
S’di nga me marrë: kah poezia apo kah fotografia e saj…!
Kur futesh në botën e fotografive të saj
e kupton se te mundesh me gjetë mjaft abstragim poetik,
mbasi ajo asht mjeshtre e fokusimit të së përkohshmes dhe fluides,
në krejt trajtat e tyne të shfaqjeve…
Ndërsa kur përthithesh ndër lexime të poetikës së saj
e kupton menjiherë se ai shpirti i saj i fotografimit
të shfaqet pllanga pllanga ndër vargje,
dhe ti ndjen se copëza ndjesish dhe mendimesh
alternohen herë mbas here me copëza imazhesh
dhe dritëhijesh tejet provokuese…
Për kët gja s’mundesh me u përcaktue qartë,
se cila materie i jep ma shumë tjetrës në kët dualizëm ndërdyshës
midis gjuhës së fjalës dhe forcës së imazhit.
Ky cikël i Rozafa Shpuzës asht i ndërtuem i tillë,
imazhe dhe fjalë, ku secili mundet me zgjedhë
kahun e vet të pëlqimit në Ypsilonin e autores,
tashma ofrue si dilemë, se kah don me anue cilindo prej nesh…
jozef radi, 3 tetor 2017

Fëshfërimë hapash mbi shtroje…

Cikël poetik nga Rozafa Shpuza

Trille arrnash

Dashnitë qepen në mue
si arrnat në bërrylat e tabares
t’varun harrueshëm në raftin me kanata
që s’puthen ma si dikur. Aty-këtu
kalamendet ndonji vjerrcë vetmitare
që fishkëllon nën za nji kangë t’ndryshkun menteshash.
Arrnat stivohen nji mbi nji
tue xanë pamëshishëm nën vedi
dashninë e mbrame.
Kësisoj, brrylat bahen përherë e ma t’pandishëm
e pejnat që i ildisin përherë e ma idhnakë.
 
Tash, mangët shtriqen përhanshëm përkah askundi
pa mujtë me rrokë mallin tem të mrrolun…
.

Nji vend që pash n’andërr

Atje lulediellit sillen përkah hana
e çarçafat vesojnë prej epsheve natore.
Atje pëshpërimat janë vathë
varun ndër veshë dashnish ikacake
të përshkueme vargevi në fillin e ardhmënive.
Atje xixëllonjat tubohen n’esëllin e agsholeve
teksa i buzëqesh kuturu përgjumjes së recepsionistit.
Atje ngjizen e zhbahen takimet spontane
ku ngutem me mbërritë,
xheloze për parfumin ndjellës që sfion siluetat
ndër shkallët që s’dijnë me sosë.
Atje janë caqet e nji stine
që ka me mbetë e fiksueme ndër selfiet pa blic
kur ekrani djersitë prej orgazmave virtuale
e qiejt tërbohen tue shprazë dufin me shina që teren saora…
.
Dritë ndër Pellgje - (Foto Rozafa Shpuza)
Dritë ndër Pellgje – (Foto Rozafa Shpuza)

Magji kryqesh

Nana i qendiste kryq dimnat
mbi nji thes andrrash
që tash frymon tërthor pragut të shpisë
atje në qytetin me tezgjahe shinash.
Lamshat me fije t’shkepuna prej xhupash t’vjetër
sillen si vërle e më kthejnë rishtaz te prologu,
tue më kryqëzue ndër direkë mëkatesh,
sa herë lamtumirat tubohen solemnisht
e parakalojnë t’ujshme mbi caqe kalendarësh.
 
Më prit te pragu, malli jem
se po vi vrikthi me miklue magjinë e kryqeve
e me ripërtëri fëshfërimën e hapave mbi shtroje…
.

Dritë ndër Pellgje 4 - (Foto Rozafa Shpuza)
Dritë ndër Pellgje 4 – (Foto Rozafa Shpuza)

Sonatë blinesh

Derdhem prore mbi prehna blinesh
t’stivuem solemnisht si sinorë letargë
përgjatë shtegut hollak të fatit…
Tue xhelozue për sho-shoin,
blinet shtrijnë krahët e m’rrokin
me epsh dashnorësh të harruem,
mallue prej distancash fatale
e sfilitë prej takimesh imagjinare…
 
Thonë se luleblinet mbi flokë
janë silueta engjëjsh andrrimtarë,
ndaj thithi deri në zgrip aromën dehëse
e s’guxoj me teshtitë…
.

Dritë ndër Pellgje - (Foto Rozafa Shpuza)
Dritë ndër Pellgje – (Foto Rozafa Shpuza)

Trill ashklash

Ashklat kryeneçe të shpirtit
i përshkoj vargevi n’fillin e dashnive
e i vari si medaljon n’qafën e mrrolun prej tradhtish…
Eci symbyllun
pa ju besue adresave gjysmake të teneqeve
që vringëllijnë maje hunjve,
t’ngulun përdhuni bri takimesh shterpe.
Hyj pa trokitë në ngrehinën teme pa pullaz
tue marrë frymë thellë,
prejse zgripmotet më shkapesin ndër prehna t’malluem
që më ftojnë prej kornizave t’ildisuna me teka tejash…
Me ashkla kujtimesh rrekem me ndezë zjermin e ardhmënisë…
.

Dritë ndër Pellgje 3 - (Foto Rozafa Shpuza)
Dritë ndër Pellgje 3 – (Foto Rozafa Shpuza)

Testament

Pa asnji mëdyshje, i la trashëgim shpirtit
vijat që gërdhishta me gozhdë mbi mur
sa here mata shtatin n’prag përvjetorësh.
Paketën e gjysmueme Lucky Strike bashkë me çakmakun
që don fërkue disa herë derisa t’kallet.
Bllokun e poezive që shkrova ndër autobuzat e çoroditun
nga tallavaja e altoparlantëve t’vumë kithtas me valvitjen e perdeve.
Inicialet e ish-të dashtunve
t’stivuem si teshat që s’u bjen ma rasti me u veshë.
Sirtarin e ndërresave me dy-tri palë mbathje në qoshe
që i ruejta për takimet e pamujtuna.
Ato këpucët me gomë të trashë e lidhse t’bame ny
që mbatha në rrugtimet e mia t’pacake.
Tana netët pa gjumë kur prita agun
cullak apo e pshtjellun me jorganin e pajës.
Fjalëkalimet virtuale t’sajume me emna e data
t’shenjueme trishtas ndër kalendarë t’kahershëm.
Shpirtit i la trashëgim edhe arkivën e imazheve
të gdhenduna ndër retina,
prejse s’mbërrita me i fiksue në aparatin fotografik
t’varun si parku në derën e shpisë me luleborë…
.

Rozafa Shpuza
Rozafa Shpuza

Pak rreshta per Rozafa Shpuzën

Rozafa Shpuza lindi n’Shkodër në nji prej familjeve qytetare ma n’za, me tradita të spikatuna intelektuale dhe shoqnore. Pasi mbaron shkollën e mesme “Jordan Misja” 1982-1986, vazhdon universitetin “Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë-Letërsi dhe e përfundon atë me rezultate të shkëlqyeme në vitin 1990. Punon si mësuese e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në shkollat e rretheve Pukë dhe Shkodër. Ndërkohë, jep kontributin e sajë si bashkëpunëtore letrare në Radio Shkodra, në gazetën lokale “Fletë e re”, jep ndihmesën humanitare në OJF-në daneze “Open House” si dhe në organizatën ndërkombëtare Oxfam. Në vitin 1994, ndjek nji kurs kualifikimi në Helsingor të Damimarkës për shkëmbimin e kulturave ndërmjet popujve të Europës. Në vitin 2003, ndjek një kurs pasuniversitar për bibliotekë dhe arkiva pranë Universitetit Shtetëror, Tiranë. Fillon punë si koordinatore e projektit “Tempus”, pranë Universitetit së Inxhinierisë së Ndërtimit, në Tiranë. Gjithashtu në vitin 2006, bahet pjesë e Web Memorial Trust Scholarship, Angli. Ma vonë jep kontributin e saj ndër institucionet shtetërore, si: Ministria e Ndërtimit dhe Komisioni i Shërbimit Civil. Gjatë periudhës 2005-2007 ndjek studimet pas-universitare në fakultetin Histori-Filologji, departamenti i Gjuhës Shqipe, duke mbrojtw mikrotezën “Patronimet, origjina, struktura dhe përdorimi i tyre”.
Librat e botuar:
2011 – “Kohë ikonash” në prozë,
2013 – “Anipse” poezi,
2016 – “Grishlat”, poezi.
Dy ekspozita personale fotografie, si dhe pjesëmarrje në disa konkurse ndërkombëtare fotografie (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Itali.)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.