back to top
32.5 C
Tirana
E hënë, 22 Korrik, 2024

Portret i Vasenkës nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

Vasenka Ranku
Vasenka Rangu

Portret i Vasenkës

nga Gjergj Jozef Kola

1

Vasenka asht ai gemi i mirë i lules që lëshon rranjë të forta, kudo që ta çojnë fati, në kët kontinent apo në tjetrin, në kët galaksi apo në tjetrën. Ajo rritet aty ngadalë e pazhurmë, si prroni i mirë e i urtë nën degët e pemëve të nalta, e ti e zbulon atë krejt padashtë nën ritmin e palodhun të krijimit.
Në tryezën e saj të punës, në zyrën avokatore, në nji prej rrugëve të Milanos antike dhe të sotme, ndodhen projektet moderne të artistëve dhe artit të vërtetë, atyne që vijnë nga rranjë shqiptare dhe çelin lule erëkandshme; larg atyne që kujtojnë se kanë zbulue botën e kanë shpikë artin, e nuk shohin se u janë tha rranjët kahera.
Në kujtesën teme, Vasenka asht ajo gjimnazistja 15 vjeçe që organizonte shfaqje teatrale, botime revistash, takime me fëmijë në qytetin e lindjes, prandej kur u takuem në Milano Centrale, m’u duk se koha ishte kthye mbrapa dhe nji copë Shkodre kishte dalë me m’pritë.
I ftuem prej saj dhe prej “Il Centro di Cultura Albanese” në Fiera-n prestigjoze të librit në Milano, për romanin “A casa delle lucciole”, mora at ndjesinë e gzueshme që ka njeriu kur shef se njaj fidani i brishtë asht ba nji pemë me rranjë në tokë dhe ka lëshue degë gjithandej.
Geni i Koliqëvë të lavdishëm shkodranë ka te Vasenka, nji prej trashgimtarëve natyrorë, në zhvillim të natyrshëm e plot jetë, anipse prozatori modern jashtë realsocialist par excellence Ernest Koliqi asht autori ma pak i publikuem shqiptar i postkomunizmit. (Nuk asht me u habitë, përderisa shumica e shpive botuese në Shqipni drejtohen nga njerëz të infektuem me komunizëm.) Demokracia shqiptare thuejse e ka harrue atë, ndërsa nji degëz e tij, vazhdon me e mbajtë gjallë kujtimin me anë të veprimtarisë. Nisë prej kësaj Ernesti dhe gegnishtja mbesin dy peshat që Vasenka i mban me vedi kudo në Milanon e madhe.
Kur ajo me flet për artin dhe projektet e saj organizative, sytë i shndrijnë dhe marrin atë ngjyrën jeshile që ka liqeni i Shkodrës në muzgun e parë. Siç thotë nji mik i joni i mirë, Gjon Leka, i cili e njeh Vasenken ma mirë se kushdo:
“Vasenka é quel grande noce che cade sempre sotto i rami verdi!”.
.
Fiera del Libro - Milano 2017
Fiera del Libro – Milano 2017

2

Besimin që Vasenka dhe “Il centro di cultura Albanese” ma ofruen aty në Fiera të Librit, jam përpjeke me ia shpërblye me “diversamente Milano”, nji skicë prozë-poetike mbi qytetin mikpritës.
Goethe në librin e tij Italienreise, thotë se: “…me shkue në Itali e mos me ra në dashni së paku me nji qytet të sajin, asht kundra natyrës njerzore…”, dhe kjo urtësi e poetit gjerman u mishnue në mue. Rashë në dashni “a prima vista” me Milanon.
“Diversamente Milano” i ka të tana kolonat që i duhen nji autori me ndërtue nji vepër skenike; dramën, “kompleksi i Sirenave”. Askush ma mirë se ky kompleks nuk mund me e shpjegue lëvizjen e popujve sot dhe ndeshjen e kulturave në Europë.
Sirenat që këndojnë kangën e ndalueme përpara vendeve dhe popujve që kane hjekë çallmat dhe ndigjojne me vemendje. Uliksi kjan përpara bukurisë së kangës së Sirenave, ndërsa popujt shtetgtarë janë ndalë para dhe ndijnë në heshtje. Ata vazhdojnë me ndi edhe në ktë çast, në stacionin e trenit, Milano Centrale.
E di se kjo dramë për Milanon e botës mund të jetë nji sfidë organizative menaxhimi për Vasenkën, nji dramë me ja afrue nji regjizori apo nji teatri milanez, nji revistë letrare apo nji gazetë të përditshme. Fillimisht si skicë “diversamente Milano”, mandej si dramë “il complesso delle Sirene”. Fillimisht na duhet nji përkthyes i mirë dhe nji fotograf po aq e mirë për personazhet e dramës milaneze.
“Vasenka é il grande Noce di Scutari!”, thotë Gjon Leka, shoku i jetës së saj, ajo i ban të tana, dhe unë i besoj sinqerisht ksaj thanie e kjo më shtyn ma shumë me kapë në dorë skicën teme dhe me e ba dramë, që edhe na shqypot në nji mënyrë apo tjetër me afrue diçka të bukur, me rranjë, në kulturën italiane.
Kur u ndamë, mbas Fierës, i premtova Senkës se kam me u kthye në Milano vetëm si “Kometa e Lirisë”
Sa ka me kenë e vërtetë kjo veç Zoti e di!
Milano, prill 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.