back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Portret i Abaz Kupit nga Baron Julian Amery

Gazeta

 Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh (1919-1996)
Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh (1919-1996)

Abas Kupi, humbje në fitore

Portret i Abaz Kupit

nga Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh

Abaz Kupi (Bazi i Canes)
Abaz Kupi (Bazi i Canes)

Frika po shpërthente kudo nëpër kamp në ato ditë të fundit, por Abas Kupi ruajti qetësinë deri në fund. Mirësia e tij kundrejt nesh ishte e palëkundur; dhe asnjëherë me fjalë apo vepër nuk i shpëtoi ndonjë shenjë inati për trajtimin e tij nga Komanda Britanike. Ai e kuptonte që ne ishim miqtë e tij dhe gjithmonë foli për “humbjen tonë” si për të treguar se ai akoma na identifikonte me kauzën e tij. Ne e kishim njohur mirë përgjatë këtyre shtatë muajve në të cilët thyem bukë së bashku dhe fjetëm nën të njëjtin konak, dhe respekti ynë për të vetëm u rrit me intimitet. Asnjë njeri nuk mund të jetë i madh që nga mëngjesi deri në mbrëmje, por Abas Kupi kishte në vetvete një fuqi udhëheqëse, një urtësi natyrore, dhe një bujari të durimit që u sprovua përditë gjatë detyrave të vështira. Kuraja, dinakëria, energjia dhe durimi janë cilësi të domosdoshme për një udhëheqës gueril, por gjenialiteti i veçantë i Abas Kupit ishte pikërisht aftësia e tij për të manipuluar njerëzit, dhe pragmatizmi natyror i këndvështrimit të tij. Ai e dinte pikërisht se deri në çfarë pike mund ta shtyhej një njeri, dhe kishte distiluar në një art metodën për t’i kthyer të tjerët në shërbim të qëllimit të tij.  Me një intuitë më të fortë se një femër ai mund të kuptonte, çfarë një individ kishte më të dobët apo më të fortë brenda tij, dhe kaq personale ishte metoda e tij për këto punë  sa ai gjithmonë i kryente bisedat tek për tek. Duke besuar rrallë, ai tradhtohej gjithashtu rrallë herë; por nëqoftëse mosbesimi e parandalonte atë për të deleguar autoritetin, arritjet e tij ishin mbase edhe më mbresëlënëse po te kemi parasysh se ai i vetëm ishte zemra e pazëvendësueshme dhe qendra nervore e një lëvizjeje,  që përndryshe do ish krejt e mefshtë.
Ai mund të kuptonte me intuitë, por gjykonte vetëm me vepra; dhe me të vërtetë, shpesh na  dukej se ai ishte i shurdhët kundrejt një argumenti apo i verbët përballë qëllimeve të një njeriu. Kjo lloj paanësie ishte në të njëjtën kohë, një provë kundër tërheqjes sentimentale të një demagogu, hezitimit të ndërgjegjshëm të një moralisti, apo kundërshtive të rafinuara të një politikani profesionist. Kjo ishte mbase sekreti i vërtetë i fuqisë së tij, dhe mund të shpjegojë se si një njeri analfabet dhe udhëheqës fisnor primitiv, mund të komandoje përkrahjen e intelektualeve dhe mund t’i shpëtojë në katër vite të gjatë, kurtheve të Mustafa Krujës dhe përpjekjeve për ta rekrutuar të emisarëve të Kominternit.

Julian Amery - Bijte e Shqipes
Julian Amery – Bijte e Shqipes

Kjo ishte llogaritja më e vlefshme, pavarësisht, ai shkëputet nga kjo analizë e fundit me një akt-besim; dhe besimi tek fuqia Britanike ishte artikulli i parë i kredos së Agës. Situata e tij e dëshpëruar mund të sugjeronte se ai këtë herë kishte gabuar, por ai vazhdonte të besonte se humbja e tij ishte vetëm një hap i përkohshëm mbrapa.
Në orët e gjata të pritjes ne folëm me njeri tjetrin më lirisht se herët e kaluara dhe bisedat tona dolën jashtë temave të përditshme të politikes dhe luftës. Filozofia e Agës ishte e thjeshtë dhe me këmbë në tokë, dhe ai me tha njëherë: “Ne e ndërtojmë vetë në këtë tokë parajsën apo ferrin tonë!”. Ai e konsideronte fuqinë si forcën me e madhe përshkuese të jetës së njeriut: sepse eksperienca i kishte mësuar se përkatësia e fuqisë ishte një kusht i pazëvendësueshëm për lirinë personale dhe për të gjithë veprimet e mira apo te këqija. Në hidhërimin e humbjes ai fajësonte dobësinë e aleateve të tij më shumë se mizorinë e armiqve të tij, por tregonte të njëjtën paanësi në opinionin e tij të njerëzve njësoj si në gjykimin e çështjeve. Një dyshim i thellë ndaj natyrës njerëzore e kishte bërë atë të aftë të vlerësonte përkrahësit dhe kundërshtarët  me të njëjtën paanësi, dhe t’i gjykonte ata vetëm në bazë të veprimeve të provuara apo të cilësive të shoqërore.
Enver Hoxhën e nënçmonte si një “të metë”, por fliste me respekt për Ymer Dishnicën dhe Sejfullah Malëshovën, dhe gjithmonë i referohej Mustafa Gjinishit si “miku im”. Në të njëjtën mënyrë ai fliste me simpati për Mustafa Krujën, njeriu që më parë kishte kërkuar ta vriste, dhe njëherë ngelëm të habitur kur ai cilësoi si një “djalë të mirë” Gjon Marka Gjonin.

Prenk Pervizi & Julian Amery
Prenk Pervizi & Julian Amery

Si udhëheqës ai pikëllohej para pavendosmërisë vdekjeprurëse të shefave të Ballit, por si një njeri i pashkollë përulej përpara erudicionit të tyre. Ai buzëqeshte karshi kryelartësisë  së Muharremit (Muharrem Bajraktarit), dhe megjithëse afeksioni i tij për Ganiun (Gani Kryeziu) ishte disa herë i ngjyrosur me xhelozi, ai shpesh na tregonte për “përzemërsinë vëllazërore” me të cilën Ganiu e kishte pritur në Beograd. 
Mirënjohja është shumë e rrallë në politikë, por Aga në qoftë se nuk e shpërblente dot mirësinë, së paku nuk e harronte kurrë atë. Ai adhuronte mënyrën e jetës të anarkisë fisnore, dhe nënçmonte rritjen e fuqisë të këtyre njerëzve të rinj që nuk e kishin njohur kurrë dhe nuk respektonin lirinë e saj personale por as kodin e lashtë të nderit. Megjithatë edhe keqardhjet e tij ishin të ngjyrosura me një ndjenjë instinktive  të përpjesëtueshmërisë historike; dhe një herë kur ishte thellë në mendime na tha: “E dini që ne gegët e kemi udhëhequr Shqipninë me breza. Mbase është e drejtë që u erdhi radha toskëve që të marrin në dorë drejtimin e vendit!”
Marrë nga Sons of the Eagle, Julian Amery, Macmillan & Co. LTD, 1948 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.