back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pesha e kujtesës – nga Alma N. Lico

Gazeta

Alma N. Liço
Alma N. Liço

Pesha e kujtesës

nga Alma N. Lico

Kërcënimi komunist e përjashtues, drejtuar zotit Agron Tufa, nga ana e prokurorit të zi të diktaturës,
Spartak Braho, më kujtoi një eksperiencë të ngjashme të përjetuar rreth tre vite më parë,
për të cilën përgatita një shkrim të cilin do ta risjell në vijim…
Për sa kohe nuk do dënohen ligjërisht krimet e diktaturës, individë të kalibrit “Braho”
do të vazhdojnë të helmojnë jetët tona.
 
Ishte një mëngjes i kthjellët dhe i freskët marsi. Dielli ndriçonte me tërë shkëlqimin e tij, frymëzues, siç ai di të jetë në stinën e magjishme të pranverës. Kaosi i makinave dhe kalimtarëve në rrugët e qytetit, sikur e zbehnin disi atë magji. Muri me kangjella anash trotuarit, tek i cili po kaloja, më bëri të kuptoj se isha pranë shkollës për ku isha nisur. Teksa po hyja në ambientet e brendshme të saj, seç më pushtoi një emocion i veçantë. Ndonëse, vizita në atë shkollë ishte planifikuar nga një Organizatë që aktivizohej prej vitesh në fushën e kujtesës kolektive të periudhës së komunizmit, nuk mundesha ta shmangia dot refleksionin e një nostalgjie të hidhur. U rrethova nga retrospektiva e mjegulluar, mbuluar me re të purpurta. Ishte kaq prezent një mendim i trishtë, një marrëdhënie e vështirë, një trazim turbullues që kishte në themel të tij fyerjen, flakjen e refuzimin.
Jo pa kureshtje, ndesha fytyrat e shkujdesura të disa të rinjve që rendnin disi të përgjumur, për të mbërritur sa më parë në klasat e tyre. Ndoshta, një natë më parë kishin lundruar për shumë orë në internet, fenomen ky i kthyer tashmë në epidemi. Gjithsesi, edhe për ta, ajo ditë do të ishte disi ndryshe nga të tjerat. Sakaq, koridoret e shkallët gumëzhinin nga zërat e të rinjve që përshëndesnin dhe i uronin mirëmëngjesin njeri tjetrit.
Në pjesën ballore të hollit të shkollës, përbri shkallëve që lidhin katin e parë me të dytin, ishte vendosur një tabelë e madhe. U afrova. Mbi të ishin ekspozuar fotot e nxënësve të dalluar. Djem dhe vajza që shkëlqenin nga vlerësimi dhe suksesi. Po përpiqesha t’i përfytyroja këta të rinj rrezatues në bankat e universiteteve me prestigjioze të botës, dhe kjo ishte mëse e arsyeshme dhe e mundur. Pavarësisht vështirësive që mund të lidheshin me situatën specifike dhe gjendjen ekonomike të familjeve të gjithsecilit, ata djem dhe vajza ishin të lirë të ëndërronin e të fluturonin drejt aspiratave të së ardhmes.
Në mënyrë të natyrshme, u vendosa nën ndikimin relaksues të një pritshmërie të ndritshme për perspektivën e tyre, por për analogji, nuk kisha si të mos kujtoja se dyzet e tre vite më parë, pranë portretit të diktatorit, slloganeve absurde komuniste, e disa fotove të tjera, ishte edhe një foto e trishtuar, pikërisht një foto e imja, e vendosur mbi një tabelë të tillë, që ishte bërë shkak për të më flakur nga shkolla. Dikush që kishte dijeni për internimin e familjes sime, më kishte njohur në atë fotografi. Përpjekja cfilitëse për të qenë e padukshme, larg çdo protagonizmi, kishte rezultuar e padobishme. Unë, vajza e një familjeje të shpallur armike për shtetin komunist, nuk kisha të drejtë të arsimohesha. Duhej të degdisesha pranë familjes sime, për t’u mbytur në baltën e shtypjes dhe mizorisë, ashtu sikurse edhe ndodhi.
Hëmmmm… Vallë, do arrinin të kuptonin këta të rinj që buzëqeshnin hareshëm nga fotot me ngjyra të krenarisë e vlerësimit, se një moshatarja e tyre, dyzet e tre vite më parë, u flak në rrugë vetëm se guxoi të prekte suksesin??? Do mundesha vallë unë, që me dëshmitë e kujtimet e mia, të hidhja dritë mbi mizorinë e viteve të diktaturës, që nuk kurseu nga represioni i saj i përbindshëm as krijesat më të pafajshme, siç janë fëmijët?
Sado e vështirë të dukej, duhej ta bëja. Së paku duhej të përpiqesha. Politika e post-komunizmit kishte mbuluar me pluhurin e harresës gjithë atë terror të përjetuar gjatë viteve të diktaturës. Një mungesë e theksuar vullneti kishte shoqëruar domosdoshmërinë e përballjes me krimet e regjimit komunist. Paradoksalisht, ajo periudhë aq e errët e historisë së Shqipërisë vazhdonte të ofrohej e deformuar dhe e tjetërsuar. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ajo është konceptuar e shkruar nga pseudohistorianë, të dalë nga tunelet e errëta dhe laboratorët e demagogjisë së diktaturës?
Disa minuta më pas, zura vend në rreshtin e parë të Bibliotekës së shkollës, e cila mesa dukej shërbente edhe si sallë mbledhjesh apo eventesh të veçanta. Përbri meje, ishte ulur organizatorja e zbatuesja e projektit, dhe fill pas saj, disa nga mësueset e asaj shkolle. Pas nesh u ulën nxënësit, të cilët përmes pëshpëritjeve dhe disa zhurmave të shkujdesura, përcillnin një lloj padurimi për gjithçka do transmetohej e dëshmohej atë ditë.
Stakimi i dritave lajmëroi se ishte gati të fillonte çfaqja e dokumentarit “Fëmijët e Diktaturës”, me protagonistë katër persona, që përmes dëshmive rrënqethëse, do të sillnin tmerret e përjetuara në kampet e internimit. Kujtime fëminore të pashlyeshme, që kishin shenjuar jetët e tyre me gjurmët e mizorisë, ndoshta nga më të pamëshirshmet dhe të pazakontat e të gjitha kohrave. Fëmijë që u dënuan për bindjet politike të gjyshërve apo baballarëve të tyre. Dhe kjo mynxyrë ndodhi në kohë “paqeje”, në periudhën e “ndritur” të ndërtimit të socializmit. Njera prej personazheve të atij dokumentari, isha unë. Ndonëse me shumë vështirësi ia kisha dalë të ballafaqohesha me kujtimet e përballesha me intervistat, të ndiqja atë dokumentar në cilësinë e spektatores, ishte më shumë se dhimbje. Sa do të përpiqesha ta kontrolloja atë, ndjeja një lëmsh në grykë që gati më merrte frymën e më bënte të lotoja në heshtje. Më dukej kaq e pabesueshme, kaq e pamjaftueshme, që ato minuta të regjistruara në atë film, të përcillnin të pacënuar imazhin e pafajësisë dhe të ofshamave të dëshpëruara e të pazëshme të keqtrajtimit, të mbanin barrën e padrejtësisë, të shtypjes, mohimit e refuzimit, të shtrirë fatkeqësisht në aq shumë vite të jetës së një fëmije… ishte si të thuash, një rikthim i dhimbshëm, por aq i nevojshëm për të ndriçuar sado pak atë të kaluar të tmerrshme, të mbuluar në mënyrë të qëllimshme nga errësira dhe harresa. Ishte një përpjekje modeste për ta sjellë atë në vetëdijen e atyre të rinjve që nuk e kanë jetuar, dhe as e njohin atë epoke me përmbajtje çnjerëzore.
Pesëdhjetë minuta më pas, sigla muzikore dhe titrat lajmëruan përfundimin e dokumentarit. Me duar që më dridheshin u përpoqa të fshija lotët. Ndërkohë, isha e paduruar të mësoja, si i kishin përjetuar të rinjtë ato rrëfime drithëruese, dhe nëse eventualisht kishin dëshirë të drejtonin ndonjë pyetje. Ndryshova pozicion dhe zura vend në një tavolinë tjetër përballë tyre. Paksa e turbulluar, arrita të dalloj vajza të mallëngjyera, djem të emocionuar, por edhe të rinj që me vështrimet e çiltra përcillnin habi, deri në kufijtë e mosbesimit.
.
Fëmijë në Aushvic
Fëmijë në Aushvic
Mjaftuan disa minuta reflektimi që, shumë prej tyre të kërkonin më shumë detaje rreth episodeve të tmerrshme të jetës së fëmijëve të diktaturës, dhe jo vetëm. Ndërkohë, kisha arritur të rivendosja ekuilibrin emocional dhe ndjehesha e gatshme të bashkëbisedoja me ata të rinj për paqartësitë apo perceptimin e tyre rreth dëshmive tronditëse të dokumentarit, ngjarje të panjohura e paimagjinuara për ta.
Çuditërisht, fillova të ndjehesha disi e lehtësuar… të flisja para atyre vajzave e djemve rreth vuajtjeve të jetuara, e paçensuruar, e pashantazhuar, ishte një lloj “hakmarrjeje” e paqtë ndaj mizorive të pësuara. Sa bashkëvuajtës nuk e patën kurrë fatin të ndanin dhimbjen e tyre me persona të tjerë? Sa shumë syresh, mbyllën sytë në kampet e internimit apo prapa hekurave të burgut, pa mundur të shijojnë, qoftë edhe një ditë të vetme, lirinë? Sa fëmijë vdiqën tragjikisht në kapanonet-stalla, rrethuar me tela me gjemba, nga uria apo i ftohti? E pra, isha e privilegjuar. Vërtet, ndjehesha me fat atë moment. Një orientim, një forcë e padukshme, më kishte dhënë të drejtën të dëshmoja dhe në emër të tyre.
Me sinqeritetin karakteristik të moshës, disa prej të rinjve sollën përvojat e vështira të qëndrimit të familjeve të tyre në raport me diktaturën. Dikush ankohej se nuk arrinte të bindte gjyshin komunist për mungesën e lirisë së atij sistemi, dhe dikush tjetër për varfërinë dhe izolimin e tejskajshëm të atyre viteve. Madje, disa syresh, sillnin histori të trishta të persekucionit familjar, të rrëfyera nga prindërit apo gjyshërit e tyre.
Papritmas, bashkëbisedimi emocional me ata të rinj u ndërpre nga një mësuese që ishte ulur në rradhën e parë. E prishur në fytyrë, ajo nuk po duronte dot që nëpërmjet fakteve të pakundërshtueshme, po guxohej të demaskohej sistemi, me të cilin, me sa dukej e lidhte indoktrinimi dhe interesat meskine të familjes së saj. Gjithçka m’u errësua. Në mënyrë të pakuptuar, imazhi i asaj gruaje të mllefosur m’u shfaq në një tjetër sfond. Në sytë e imagjinatës m’u fanitën dhjetra gra e vajza të shfytyruara, të poseduara nga pushteti demoniak i diktatorit, që qanin e ulërinin në funeralin e tij. Disa prej tyre çirrnin fytyrën dhe shkulnin flokët. Sa tragjike, po aq dhe paranojake, ato pamje dhe fytyra të vrara e përçudnuara nga kequshqyerja dhe trajtimi kafshëror. Ajo mësuese që turfullonte, m’u duk njera prej atyre grave mjerane, që ngjasonin me paciente fatkeqe, që sapo kishin braktisur dhunshëm spitalin psikiatrik.
 
…O Zot! …Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vite nga koha kur diktatori ndërroi jetë, a mundet vallë që fantazma e tij të endet e patrazuar, duke vijuar sot e kësaj dite të helmojë jetët tona???
E nxirë kokë e këmbë, ajo mësuese shprehu pakënaqësinë për zhvillimin e atij aktiviteti, duke kërkuar që për ekuilibër eksperiencash të ftoheshin dhe veteranë të luftës që të rrëfenin përvojën e tyre të lumtur e të lavdishme gjatë viteve të diktaturës.
Ajo grua e ekzaltuar, nuk pranonte dot asnjë realitet tjetër, përveç atij të imponuar me dhunë nga idhtarët e saj. Një mësuese, një edukatore që duhej të përcillte dashuri, mirëkuptim, pse jo, dhe keqardhje prej gruaje a nëne, për terrorin e pashembullt që shqiptarët, xhelatë të regjimit, u shkaktuan bashkëkombsave, për më tepër, që në rastin konkret viktimat ishin fëmijë.
Reagimi i asaj mësueseje ishte surprizë e pakëndëshme për mua. Nuk isha aq naive sa të besoja se nostalgjia dhe fanatikët e sistemit komunist nuk ekzistojnë, madje për fat të keq, janë me shumicë dhe prezentë me të gjithë vrerin e tyre, por kisha shpresuar se, së paku ajo ditë e mbushur me rrëfime tronditëse, nuk do të kishte hapësirë për kundërshti të tilla. Dëshmitë e kobshme të asaj dite, ishin mëse të mjaftueshme, që në respekt të atyre dhimbjeve, të fiksuara në vetëdijen e lënduar të katër fëmijëve, në mungesë totale të ndjeshmërisë së asaj mësueseje, së paku të heshtej.
Nuk kisha asnjë shtysë të replikoja me atë zonjë të vrerosur, pasi qëllimi i bashkëbisedimit me të rinjtë, ishte përcjellja me vërtetësi e episodeve të jetuara nën terrorin e atyre viteve. Ajo nuk kishte asnjë dëshirë të zgjohej, madje e refuzonte me kokëfortësi e agresivitet një mundësi të tillë. Ishte e destinuar të qëndronte e palëkundur në letargjinë e intolerancën e saj të pafund, dhe të mos shkëputej kurrë nga indoktrinimi prej skllaveje të bindur.
…E çliruar, por dhe e trishtuar njëkohësisht, dy orë më pas, u larguam nga ajo shkollë, të përcjellë me falenderime të përzemërta nga nxënësit, të cilët nxituan më pas drejt klasave të tyre. Sakaq, dielli kishte vazhduar rrugëtimin e tij të pandalshëm, dhe unë ndjeja të më përshëndeste nga lartësia. Një re e bardhë, vetmitare, nxitonte për t’u larguar sa më parë nga hapësira e kaltër. Ngrohtësia e asaj dite ishte bashkuar me imazhet e qindra mijra viktimave që endeshin të pasigurt në labirintet e harresës dhe të indiferencës. Zërat e tyre në hapësirë, ngjasonin me tingujt e një simfonie qiellore që bashkohej modestisht me rrëfimin e sinqertë e drithërues të personazheve të asaj dite. Nga kullat e kështjellës së neglizhencës përsëritej ngultas refreni i lirisë së mohuar dhe drejtësisë së munguar. Ata tinguj përcillnin thirrjet inkurajuese të zërave të kujtesës…
…Mos harrojmë, kurrë mos harrojmë atë që ka ndodhur. Nuk mund të ecim në drejtim të dritës, pa ndriçuar më parë errësirën, në gërmadhat e së cilës kemi qenë të detyruar të përpëlitemi e zvarritemi për gjysëm shekulli. Ia kemi borxh vetes tonë, ia kemi borxh qindra-mijra viktimave që nuk arritën t’i mbijetojnë tmerreve të diktaturës, i detyrohemi perspektivës, aktualisht të konfuzuar të fëmijëve që lindën dhe po rriten në vitet e postkomunizmit.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.