back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 20 Maj, 2024

Për të qarë… a për të qeshur!? – rrëfim nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine Te statuja e Robert Bernsit
Dine Dine te statuja e Robert Bernsit

Për të qarë… a për të qeshur!?

rrëfim nga Dine Dine

Në këto kohë të vështira pandemie, kisha kohë pa u takuar me ca miq të zemrës, qoftë edhe për një kafe. Por, siç i thonë fjalës, nuk ishte e thënë që mos të takoheshim kurrë…
Javën që kaloi mora një telefonatë prej një miku, që s’ia njoha zërin. “Eh, si kanë ardhur kohët, mund të ikim papritmas nga kjo botë, po të paktën të shihemi për një kafe”.
Dhe vërtet, u takuam në Burger Line, një avenu ku ka shumë restorante dhe bar-kafe. Miku im, që të ma bënte surprizë kishte marrë me vete edhe nja tre shokë të tjerë dhe vërtet m’u bë qejfi. Pasi ishte një ditë e mirë, si ditë pranvere: me diell, u sistemuam jashtë duke u munduar të ruajmë ato të shkreta distanca. Para se të hanim drekë na u servirën kafetë. Dy nga shokët ishin dashamirës të letërsisë e arteve në përgjithësi. Njëri prej tyre kishte botuar edhe një libër me poezi, dhe kishte lexuar e mbante mend aq shumë sa mund të na mbante me orë duke cituar poezitë, siç i quante ai “pikante”, nga letërsia botërore.
Por, fillimisht biseda u përqëndrua tek politika. Dukej disi nervoz, dhe që në batutat e para të bisedës e filloi me Presidentin dhe me të vazhdoi: “E di ti që këto lloj mediash ka thuaj katër vjet që vetëm e sulmojnë Trumpin, me lloj-lloj shpifjesh? Ke dëgjuar ti që ka kaq javë që flitet për manipulime monstruoze të zgjedhjeve. Kanë përdorur edhe teknologjitë e fundit, më modernet për të vjedhur votat! Bile, s’di në e ke dëgjuar edhe për përdorimin e çipsave. Ti voton për Trumpin, i futkan një çips e ajo del për Biden!!!
-Këto që thua ti, janë akuza të pa baza si ato teoritë konspirative: për çipsa nëpër vaksinat që kontrollojnë jetën e njerëzve, bile ndryshojnë edhe genet! Përralla me mbret, kurrë mos u beso!
-Unë, – u hodh tjetri – nuk u besoj teorive konspirative, por vetëm fakteve. Të dhënat për manipulime votash nga më të ndryshmet po faktohen çdo ditë nga dëshmitarë të ndryshëm që janë caktuar të monitorojnë zgjedhjet, një pjesë të të cilëve i kanë nxjerrë jashtë me pretekstin e covidit. Të gjithë të përjashtuarit, pa përjashtim kanë qenë të administratës Trump. Por një pjesë e tyre, për aq pak kohë që kanë qëndruar aty, kanë fotografuar gjithçka. Për këtë shkak edhe janë dhunuar padrejtësisht.
-E di si është puna, – ndërhyri tjetri disi më i zbutur – unë në fakt nuk e kam fort qejf Trumpin, sepse në mund të shprehem kështu, më duket një intelektual mediokër dhe arrogant.
-Dëgjo i dashur – ia priti tjetri me të njëjtin ton, këtu nuk po flasim për simpati apo antipati. Këtu po debatojmë se ç’dobi i sjell Amerikës njëri e ç’dobi tjetri. E ke dëgjuar Trumpin nëpër debate kur thotë se ekonomia në këto katër vjet gjatë presidencës së tij, ka pasur ngritjen më të madhe që nga koha e Linkolnit! Unë me sa kam parë, nuk kam dëgjuar asnjëherë që kundërshtarët e tij t’i kundërvihen këtij fakti. Kjo është edhe pika më e fortë e Trumpit. Qytetarët kërkojnë prosperitet… jo llafe të bukura. Qytetarëve amerikanë u intereson ekonomia, jo cili e ka fytyrën më të bukur dhe cili më të shëmtuar!
.

Dine Dine, Visar Zhiti, Shkëlqim Bylykbashi - 2018
Dine Dine, Visar Zhiti, Shkëlqim Bylykbashi – 2018
-Edhe unë nuk e them atë, por ka ca aspekte të tjera që më bën ta simpatizoj Biden. Ja p.sh. për Kosovën është prononcuar disa herë, ai është miku më i mirë i shqiptarëve, kështu që ne duhet ta reklamojmë si të tillë.
-Dëgjo edhe një herë o mik! Politika amerikane në Ballkan, sidomos me ne shqiptarët, nuk ndryshon sepse amerikanët kanë interesat e tyre, prandaj fli rehat e mos u preokupo kaq shumë. Po të them edhe një gjë tjetër; mos u mërzit shumë kur dëgjon si Trumpi si Pence, kur e akuzojnë Biden se për 47 vite në politikë, dhe nuk ka bërë asgjë. Kjo është thjeshtë propagandë kundërshtarësh. Bëhet vetëm për të fituar pikë. Derisa ka qëndruar në politikë aq gjatë kjo do të thotë se ai di ta vërtisë “sherjanë”, por problemi nuk qëndron këtu.
-Po ja – tha tjetri – gjykoje Trumpin për pandeminë. Që në fillim me atë agresivitetin e mendjemadhësinë e tij, nuk diti ta menaxhojë. Ju kundërvu ekspertëve e specialistëve, ndërsa mijra amerikanë vdisnin çdo ditë ndërsa ai kacangrefej si gjel; “Mos përdorni maskat, ato janë të panevojshme”. Kur e vuri re që ishte një politikë e gabuar e po humbiste edhe simpatinë e atyre që e përkrahnin… menjëherë e ktheu pllakën!
-Kjo që po ndodhi, i dashur është një murtajë globale e s’mund ta ndalonte Trumpi me shkop magjik. Por, tani së fundi edhe disa prej kundërshtarëve po e pranojnë hapur se Trump bëri të pamundurën të përshpejtojë prodhimin e vaksinës, me shpresë t’i japë fund kësaj mënxyre. Edhe ajo që ishte pika më e fortë e Biden, tani ka filluar të zbehet, bile edhe përkrahës të tij nuk duan të dijnë për programin e “hollësishëm” për ta nxjerrë nga situata popullin amerikan.
Unë, në fakt, ndjehem konfuz sepse nuk di kujt t’i besoj më parë. Në një intervistë, pyetën një specialist nëse ka liri të plotë në media. Sepse ka shumë njerëz, gazetarë që vuajnë të thonë të vërtetat. “Për fat të keq, jo!” tha ai dhe dha shpjegime të hollësishme se si dhe pse ndodhin këto gjëra, edhe në vendin më demokratik të botës.
Bëhen protesta, sidomos në qytete ku dominojnë të majtët. Del governatori i New Yorkut dhe deklaron publikisht se protestat janë të qeta e paqësore, ndërsa pamjet bash në ato momente tregojnë krejt ndryshe. Të njëjtën gjë bën edhe majori i New Yorkut. Ndërkohë protestuesit bastisnin dyqane dhe po shkatërronin biznese, thyenin xhama, karrike e tavolina… bëjnë e ç’nuk bëjnë, vetëm e vetëm që të ngjallin panik dhe frikë. Policët kanë frikë të mbajnë rregullin, se kërcënohen me jetë. Shumë prej tyre kanë qenë viktima të këtij terrori të paparë në historinë e zgjedhjeve në vendin më demokratik të botës. Shumë gazetarë pohojnë me keqardhje se po kthehemi në një vend të botës së tretë. Delet me parrulla “Vrisni policët”! Në shtetet ku dominojnë demokratët priten të ardhurat e policisë. Policia trajtohet kaq mizorisht, jo si mbrojtëse e rendit dhe sigurisë, por si prishëse e saj. Policët goditen me çdo mjet të mundshëm e askush nuk mban përgjegjësi! Në protesta shihen grupe kriminelësh që bëjnë fjalë për dhunë e revolucion. Fjalët, socializëm, marksizëm, bolshevizëm po lakohen çdo ditë. Bilioneri Soros përmendet si një nga liderët kryesorë, që i financon këto organizata kriminale. Blumberg dërgoi 100 milion dollarë në Florida, që të ndihmojë demokratët të fitonin zgjedhjet.
Një kushëri më telefonoi një ditë i alarmuar se mos vërtetë po na sjellin socializmin në Amerikë.
-Përralla, – i thashë – është thjesht propagandë për vota. Të paaftët, dembelët ata që nuk e kanë provuar mbi shpinë këtë lloj regjimi, që thuhet se tashmë ka dështuar, që ëndërrojnë se do marrin të ardhura të gjithë njësoj edhe pa punuar. Do të votojnë për demokratët, që premtojnë si dikur tek ne në Shqipëri se: “do të hanë me lugë floriri!!”.
Për ta qetësuar disi, nisa t’i flas për fushatën e Trumpit, ku mblidhen me qindra mijëra përkrahës, ndërsa për kundërshtarin numurohen me kokrra.
-Edhe në Japoni – më thotë ai – mijëra protestues dolën me pankarta të mëdha: “Po humbi Trump, fiton Kina!”
-Sigurisht, – i them – se Kinës i zhvati 24 biljon dollarë me të cilat financoi fermerët. Kështu që Trump ka bërë ca punë të mira, për të cilat meriton lëvdata se i mban premtimet. Qindra dëshmitarë okularë japin çdo ditë dëshmi e fakte se edhe duke qënë të autorizuar të monitorojnë zgjedhjet, janë dhunuar e përjashtuar hapur, duke brohoritur për arritjen e fitores.
I kërkoj ndjesë mikut të tavolinës, që u zgjat si shumë e i bëri të ditur se nuk dëshëronte të fliste për moralin e skandalet seksuale, e gjithashtu allishverishet me Kinën, Ukrahinën etjera, që për një lider të rangut botëror do të ishin krejtësisht të padenja. Miku ynë që po na dëgjonte pa na ndërprerë, duket nuk ishte nga ata tifozët fanatikë që nuk pranojnë asnjë lloj llogjike.
E siguroi se nuk ish ndonjë partizan i flaktë i këtij apo atij kandidati, veçse shtoi se edhe Zëri i Amerikës, ashtu si të majtët ka pohuar, pasi administrata e Presidentit çdo ditë po nxjerr të vërteta që po i denoncon nëpër gjyqe.
-Mos u habit, – i tha tjetri – se po t’i marrim si të vërteta fjalët e një antikomunisti (ai i përmendi emrin) “Zëri i Amerikës” që në fillimet e saj është dominuar nga komunistët. Komunistët janë kudo edhe këtu në vendin më demokratik të botës. Kështuqë mos u habit!
Edhe ata janë gazetarë që paguhen dhe i shërbejnë dikujt.
I treti nga shokët, që deri atëherë vetëm kishte dëgjuar, papritmas ndërhyri: “Unë ndjehem i zhgënjyer nga politika shqiptare e këtij tranzicioni, dhe s’kam më dëshirë as të flas për të. Sidoqoftë Biden ka premtuar që me të marrë fuqinë në dorë do ta zëvëndësojë karriken që Trump e ka lënë bosh në NATO, dhe do ta miqësojë përsëri Amerikën me Kinën, po edhe vendet tjera komuniste, pasi është për unitet e jo për përçarje. Kjo ka bërë që edhe liderët europianë që s’pajtohen me Trump, t’i urojnë mirseardhjen Biden!! Ajo që unë desha shtoj është, se për bindjen time të dyja palët janë të korruptuara. Kush di të gënjejë më shumë do të fitojë. Gënjeshtra është mjeti më efektiv edhe për të shpërlarë trurin e qytetarëve.
Dua të them edhe diçka tjetër. Protestat e dhunëshme dhanë një sinjal të frikëshëm. Nëse njerëzve u kërkohet të zgjedhin midis lirisë e sigurisë, do të preferonin gjithmonë Sigurinë.
Synimi parësor i shtetit borgjez modern ishte arritja e sigurisë dhe stabilitetit, e prosperitetit ekonomik, e mirëqënies sociale dhe barazisë juridike gjë që qytetarët e kanë të garantuar me Kushtetutë, gjë që kësaj radhe u nëpërkëmb si asnjëherë duke mbjellë vetëm panik e frikë tek qytetarët e pambrojtur. Kjo nuk duhet të përsëritet më, ndryshe komunistët do ta dominojnë globin. Shpresoj që Trump të ketë marrë një mësim të mirë së bashku me Biden, që tani në përfundim të zgjedhjeve, po bën thirrje për Unitet.
Zgjedhjet nuk kanë përfunduar akoma zyrtarisht.
Cilido që të jetë rezultati, secili duhet të mësojë nga gabimet, dhe të frymëzojë shpresën tek qytetarët, për një botë më të mirë.
Shkak për kët shkrim u bë një ngjarje në burgun e Qafë-Barit, që e kujtuam në fund të bisedës, të cilën po përpiqem ta tregoj sa më shkurt…
Në dhomën e burgut ku banonim; unë, Fatbardh Kupi, Mois e Lekë Mirakaj dhe Naim Staravecka, na vjen një ditë një mik shkodran, Mark Prendi qysh në pesë të mëngjezit… Mbasi ishte njeri me humor dhe kishim besim tek ne, na tha: “Ndigjoni djema; sapo u zgjova prej gjumit, e se ç’mu shkrep me lshue nji rrenë. U thashë nja 10-15 të burgosunve, se atë mëngjez bana takim me familjarët e mi, dhe m’siguruen se shumë shpejt ka me pasë nji amnisti…!!”
Në mbramje përsëri na u paraqit Marku, i cili na gjeti të gjithëve në dhomë. “A e besoni se nja tridhetë vetë m’kanë kapë e mkanë thanë, e lajmi paska marrë dhenë… M’jan’ betue se kan ba takime me familjet e tyne, e t’gjithë i kan’ sigurue se së shpejti ka me pasë amnisti!! Ndër ta ishin edhe dy-tre shoktë e mi, qi më thanë po të njajtat gjana!
A e besoni ju se tash se edhe unë, vetë po i besoj rrenës seme?!
Rrej sa t’mujsh… se diçka do t’mbetet!
.
West New York, dhjetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.