back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pepja – nga Maks Rakipaj

Gazeta

Perkthyesi Maksim Rakipaj - Tirane Tetor 2016
Perkthyesi Maksim Rakipaj – Tirane, Tetor 2016 

Pepja

nga Maks Rakipaj

Në Spaç kam njohur Islam P., por të gjithë i thërrisnim Pepe. Më kanë thënë se në Berat, me këtë emër, “Pepe” thirren ata që trashëgojnë emrin e gjyshit. 
Xha Pepja kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali bashkë me kryeministrin M. Shehu, me Reshit Çollakun e të tjerë. Në Itali qe martuar me të bijën e një gjenerali të njohur italian, gjeneral P. Kur Italia sulmoi vendin e tij, Pepja, njësoj si Reshiti, u kthye menjëherë në Shqipëri për t’i shërbyer vendit, fundja për të luftuar kishte studiuar. Partizan doli Pepja, arriti të merrte gradën major pas lufte, kurse M. Shehu, shoku i akademisë, ishte bërë ministër i brendshëm… 
“Ishte viti ‘46 a ‘47, tregonte Pepja, na thirrën ne oficerëve madhorë në një mbledhje në kinema “Nacional” në Tiranë. Shkova. Kur shoh Mehmetin, ishte bërë gjeneral, ë po, gjeneral lejtnant. E nderova ushtarakisht… kur po më thotë: 
-Çdo këtu ti more?
Nuk m’u durua dhe ia prita: -Habitem me ty, ti ç’do këtu?! 
Mbas një jave byzykykët mua, që thua ti, më arrestuan. 10 vjet dhe sekuestrim pasurie!”
Dhe që atëhere, sa herë ndërronte aleatët partia komuniste, në burg Pepja. 
U prishëm me sovjetikët në ‘61, Pepja në ‘62 në burg. 10 vjet. 
U prishëm me kinezët në ’78, prapë 10 vjet të tjera Pepes. Dhe gjithmonë dënimi shoqërohej me sekuestrim pasurie, i merrnin edhe lekët që i dërgonte e shoqja dhe të bijtë nga Italia.

 

Petro Marko, Skënder Luarasi, Iliaz Pasha, Mehmet Shehu, luftëtarë të Spanjësj
Petro Marko, Skënder Luarasi, Iliaz Pasha, Mehmet Shehu,
luftëtarë të Spanjësj

-Pse ky inat i Mehmet Shehut me ty, mor Xha Pepe? – e pyeta një ditë. 
-Sepse ia njoh dhëmbë e dhëmballë. E di si e quanim Mehmetin ne shqiptarët në akademi? Kur binte fjala për të thoshim: “Ai që lëpin çizmet e italianëve”, spiun i SIM-it dhe i OVRA-s ishte. Të gjithë i ruheshim, asnjë prej nesh nuk shoqërohej me të… 
Ndodhi “vetvrasja” e Mehmetit dhe e thirrën Pepen në komandë. Kur hyri në kamp turfullonte Pepja… 
-Ç’ke, xha Pepe? Takove njeri nga familja?  
-Jo more djalë, jooo. Ishte një i madh nga Tirana. Hë, më tha, ç’di ti për Mehmetin, na i thuaj të gjitha. Ikë andej nga ke ardhur, i thashë, s’keni punë me mua, edhe ju shokët e Mehmetit jeni. Ja kështu i thashë dhe ika e lashë si mut. Qelbanikët… e vranë dhe tashi duan ta gjejnë sebepin te mua…

Fragment nga libri me kujtime “I mbijetuarI”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.