back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Paulin Ndoja – Legjenda e portës shkodrane! – nga Sokol Parruca

Gazeta

Paulin Ndoja & Avenir Dani
Paulin Ndoja & Avenir Dani

Paulin Ndoja – Legjenda e portës shkodrane!

nga Sokol Parruca

Ishe vetëm 19 vjeç, kur more barrën e randë të mbrojtjes së portës shkodrane.
Asokohe, shumëkush të shihte me dyshim… e nënza nuk mungonin pëshpëritjet: “A do mundje vallë?!”
Ti me me nje trup mesatar, jo të gjatë, imcak, e në pamje dukeshe dhe ma i ri se ç’ishe… e ashtu midis porte zvogëloheshe edhe ma… Po ti e tregove vedin qysh në ndeshjen e parë… Ishe portieri, që Vllaznia lutej e priste t’i vinte! Koha e dëshmoi se ti ishe ma i miri i krejtve! Ishe fenomeni!
Unë, që kam pasë fatin me të ndjekë edhe në stërvitje e kam ditë qysh në krye të herës, se do të ishe i duhuni… Ma i miri i Vllaznisë po e po, ndofta edhe ma i miri i portës shqiptare! Sado ftohtë të ishte, temperaturat fiksonin disa gradë nën zero, në borë, në shi e fortunë ti ishe në stërvitje… ujë n’djersë… Mbaronin të tjerët, ata në dhomat e zhveshjes, e ti vazhdoje derisa s’kishe ma fuqi…
Ky ritual stërvitor përsëritej çdo ditë, edhe dy herë në ditë. Te ti, ishin ba bashkë aq harmonisht dhuntia e talentit me stërvitjen e mundimshme, sfilitëse… Ti ma tepër se askush na tregove, se talenti pa punë, pa djersë, pa seriozitet e përkushtim në stërvitje ishte hiç asgja… E kështu, nuk kishin si të mos vinin rezultatet! Ishe ndër lojtarët ma të randësishëm të Vllaznisë! Falë mjeshterisë, shkëlqimit e kontributit tuaj, populli i Shkodrës të futi të “4 Mosketjerët”: Zani, Sabahi, Dini e Paulini!

Vllaznia e Shkodres 1972 - mes tyre Paulin Ndoja
Vllaznia e Shkodres 1972 – mes tyre Paulin Ndoja

Mundet që në të ardhmen të dalin lojtarë edhe ma të mirë, e portierë edhe ma cilësorë… po kurrë, s’do munden me e zbehë shkëlqimin e “4 Mosketjerëve” tonë… Lavdia edhe emni i tyne do përcillet në vite, si legjenda të nji kohe… e legjendat mbesin, kujtohen e nderohen.
Eh, Paulin Ndoja, mbrojtja me ty ishte ma e qet; ekipi futej në fushë ma i sigurt… e ne në shkallët e stadiumit mendonim vetëm për sulmin, me shënue gol, se merakun për portën ta kishim lanë ty… kishim aq besim, sa ajo portë që dikur dukej sikur të hante ty, tash ishte rrudhë e dukej e vogël, krejt e vogël, para madhështisë tande… çfarë elasticiteti kishe mor Paulin… kambët tua sikur mbështeteshin mbi susta… aq shumë fluturoje në çdo cep të portës, në çdo kand të saj… Hidheshe, bije e ngriheshe! Çfarë refleksesh kishe… Kur me ankth e ndiqnim topin që po përfundonte në rrjetën tonë… befas ti si një akrobat kërceje e ia ndrroje drejtimin topit… e rrjeta e Vllaznisë mbeste e paprekun…Ti ishe si nji rrufepritëse për topin… Pa le në pritjen e penalltive ishe fantastik… Nuk e di me statistikë se sa penallti ke pritë, po kam pa sa shumë ke pritë… Nuk mund të e mos përmend pritjen e penalltisë, në finalen e kupës me Besën e Kavajës… Mbas 7 penalltive të realizueme nga i madhi Zan Rragami… ishte aq drithëruese, e entuziasmi i tifozërisë arriti kulmin… vrapova drejt teje e ti me Zanin të përqafuem me lot ndër sy… e nji stadium që ulërinte… nji stadium që lotonte prej gëzimi! Të gjithë lojtarët të përqafonin, e stadiumi ushëtinte me emnin tand: Paulin… Paulin…
Ti ishe garanci për fitore, me ty fituam kupa e kampionate…
Po të tjerët në Tiranë ua errësonte sytë suksesi yt… aq sa vetë kreu i sigurimit të shtetit urdhëroi: “Pse brohorimat për Paulin Ndojën do dëgjojmë ne!? Kaq u desh… Na i prenë brohoritjet! Na e prenë entuziazmin… Ndërsa ty… Ah ty të vranë… Të vranë bash në kulmin e shkëlqimit tand! Sa i tmerrshëm ai çast, kur skuadra ishte ba gati me shkue me luejtë jashte shtetit… e nji përfaqësues i sigurimit që shoqëronte ekipin jashtë… lexonte listën e emrave që do të shkonin! Të gjithë lojtarët në ankth! Askush nuk ishte i sigurt! Ku i dihej se çfarë luhej në ato zyra të errta të sigurimit!?
Lexoheshin emrat nji nga një… Ne jashtë prisnim! Ah sa kemi pritë të lexohej emni yt… Po jo! Nga zëri i përfaqësuesit të Sigurimit kurrë s’u lexua emni yt… as i të madhit Xhelal Juka… as i të mrekullueshmit Frederik Çapaliku!!!

4 Mosketjeret - Sabah Bizi - Medin Zhega - Ramazan Rragami - Paulin Ndoja
4 Mosketjeret – Sabah Bizi – Medin Zhega – Ramazan Rragami – Paulin Ndoja

Pra, sigurimi kishte ngritë shpatën e ju kishte goditë mu në zemër… Ajo liste ngjante si një vetëtimë, si një rrufe që binte mbi trupat tuaj…
Ishte si një vendim gjykate që shpallte dënimet tuaja me vdekje… Shpirtrat tuaj copë copë, të dërmuar e të sakatuar tashma… Nuk ishte çeshtja se ju privua e drejta kënaqësisë me dalë jashtë shtetit… Po me atë xhest ju vihej njollë e përjetshme, tregohej se ishit të padëshirueshëm… Shkurt, Partia nuk ju donte… çka do të thoshte: nji jetë e jetuar në nji tmerr pafund, nji jetë e pasigurt!
Ndërsa ne, ju donim edhe ma shumë… Ishte nji dashni, ku përzihej mirënjohja për çka dhatë për ne, me keqardhjen, se sa pasdrejtësisht po veprohej me ju!!!
Eh, Paulin i dashtun…
Se si po me bien ndër mend ato ditë, kur Vllaznia ishte jashtë edhe ti në Shkodër… A të kujtohet?! Kena ndejtë bashkë… ty që të lexohej dhimbja mbrenda heshtjes tande… Loti i shpirtit pika gjaku pikonte… Ecnim të dy rrugëve të qytetit… flisnim me heshtjen tonë… Po dhimbjen nuk e shërojnë fjalët. O Zot, pse ishim ndërtuar ashtu… Ti na mrekulloje, na lumturoje… na rueje portën… na e mbroje të paprekun… Ndërsa ne, nuk të ruajtëm ty… nuk të mbrojtëm… të lamë me heshtjen tonë, të bëheshe prè dhe viktimë e sigurimit të shtetit. E tash, ç’ka të themi… të të kërkojmë të falun?! Kjo është fyese për ty, madje cinike… Të të themi, se ashtu ishte koha, ashtu ishte sistemi, është thjesht nji justifikim i paftyrë…
Ishim thjesht dele… Ishim pa dinjitet!!!

Marrë nga muri i Fb i Sokol Parrucës, 20 korrik 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.