back to top
23.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Operativi dhe hiret e Bejanës… – Tregim i vërtetë – nga Hyqmet B Hasko

Gazeta

Hyqmet B. Hasko
Hyqmet B. Hasko

Operativi dhe hiret e Bejanës…

Tregim i vërtetë – nga Hyqmet B Hasko

Bazuar në rrëfimin e një mikut tim.

Pranvera trokiti gëzueshëm në çdo portë, harlisur me lule, me shpresa e ëndrra të mëdha, edhe pse vendi ende i përzhitur nga lufta për çlirim tymonte akoma e plagët dhimbnin.
Ishte viti 1952, dhe plagët e luftës akoma nuk qenë përtharë. Dielli shkëlqente dhe ajri dehej me puhi lulesh e shpresa të mëdha, por kjo pranverë nuk qe e tillë për njëzetenjë vjeçaren e bukur, hirplotën deri në magji Bejanën. Vajza endej në vetmi dhe dilema, që e trazonin jetën e saj të re, në moshën kur ëndrrat ende nuk patën marrë rrugën e tyre të pafajsisë…
Fshati i vogël buzë kufirit, që ndihej i bekuar nga hiret e saj, kishte kohë që ndihej i braktisur nga ajo buzëqeshje ngazëlluese dhe ripërtëritëse, që gazmonte tej e ndanë dhe shpërndante gjithëandej mirazhe drite e drithërimë pritjeje. Vajzës së bukur, me sy të ëmbël e flokë kaçurrela, që dalldisnin nga rinia, kishte ditë që i vardisej një burrë rreth të dyzetave, rondokop, me sytë të skuqur me rremba gjaku, që kërkonte me çdo kusht ta shtinte në dorë. Ai quhej Basho, ishte operativ në atë zonë të largët, ku ditë e natë vigjëlohej se mos “armiku” thyente klonin dhe kapërcente telat me gjëmba, ku ruanin sypafjetur të rinjtë ushtarë, me helmenta në kokë.
Burri me pushtet, e ruante sapo vajza shkonte në punë dhe nuk linte vend pa e përndjekur, kur ujiste, prashiste, lëshonte bagëtitë në kullotë, shkonte për gjeth e të tjera punë, që e shoqërojnë një vajzë fshati në rutinën e përditshme.
Atë ditë e priti rrëzë një ledhi, fshehur pas disa kaçubeve, kur Bejana përcolli motrën e vogël tetëvjecare për në shkollë dhe po kthehej shtegut të tatpjetë, vetmitare.
-Bejana! Vajza shtangu.
Hija e enigmës përgjonte në buzët e tij epshore…
-Ti?! Përsëri ti?! Qërohu! Mos më dil më para syve!…
-Prit! Ti e di se kush jam unë! Kam në dorë edhe gurin e dhe arrrën! Bëhu e imja dhe gjithçka do të shkojë mbarë në familjen tuaj… Nuk do të jeni më “të prekur”… Fjala “të prekur” e qarkoi vajzën e bukur si një makth. Sytë e lëngëzuar iu errën dhe nuk shikonte thuajse asgjë, veç hijes së tij…
Ai iu qas lehtë, por me këmbëngulje, ndërsa tjetra dridhej tej, nën dritëhijet mëngjesore, duke fërgëlluar, e trembur, si sorkadhja kur e ndjek zagari…
-Zhduku! Do të bërtas! Do ta marrin vesh të gjithë fytyrën tënde hipokrite! – klithi Bejana, duke i dhënë një shtyrë me forcën dhe energjinë e trupit të saj të ri, që shpërndante fërgëllima pasioni të ndrydhur…
-Kujt i thua hipokrit ti?! Mua?! Sigurimit?! Partisë?!
.
GBV dhe Sigurimsa te lumtur...
GBV dhe Sigurimsa te lumtur…
-Ti nuk je Partia! Ti je një hijenë që vërtitesh në errësirë, duke kërkuar mish të ngordhur!… Turp të keshë!
E shtyra e saj qe aq e fortë, sa tjetri u hepua fort, iu morën këmbët dhe u përplas me rropamë, duke rënë përtokë si një thes me kripë. Bejana iku nëpër tisin mëngjezor, duke lënë pas klithmat e tij…
Por ai nuk iu nda. E përgjonte kudo që shkonte dhe i shfaqej pëpara si fantazmë. Herë me ledha, herë me kërcënim, duke i tundur para syve hekurat e operativit, që i mbante me sqimë e fodullëk me vete…
Një ditë, aty në të dalë të prillit, iu shfaq kur po shkonte në punë te shoqet, në rrugën e ngushtë që ndante fushat e mbjella me misër me shtëpinë e saj të fshehur midis pemëve…
-Këtë radhë nuk ke shkon! Ja ku kam gati urdhër arrestin për tët atë. Akuzohet për agjitacion e propgandë… E kam kopsitur dosjen e tij… vetëm ti mund ta shpëtosh! Po u bëre e imja, dosja zhduket dhe nuk ekziston më asnjë provë, pasi gjithçka është në dorën time… Unë kam në dorë edhe gurin, edhe arrën!
Dhe ai i zgjati një dosje të mbushur me fletë, ku vagëllimthi asaj i shkuan sytë tek emri dhe fotografia e babait… Babin e donte shumë, më shumë se veten. Punonte ditë e natë, i binte bretku për të rritur fëmijët, atë, motrën e vogël dhe dy vëllezërit në moshë më të vogël se ajo… Ishin të varfër dhe me punën e të atit që punonte në fermë mezi mbaheshin… mezi ngopeshin me bukë…
Sytë iu turbulluan dhe vështrimi iu mjegullua nga lotët, kur përfytyroi babain në burg, nënën të sëmurë, motrën dhe vëllezëruit në shkollë pa përkrahje… familjen të rrënuar…
Operativi e ndieu dobësinë e saj dhe u lëshua mbi të… e shtrëngoi, e puthi, e kafshoi dhe… e plandosi mbi barin e vesuar… Gjithçka ndodhi me shpejtësi, si mendimet e saj, që tashmë patën ngrirë dhe qenë bërë heje akulli…
Ajo nuk shkoi atë ditë në punë te shoqet. Ndihej e lodhur, e dërrmuar, e poshtëruar, e përbaltur kokë e këmbë… Ndihej e huaj për vetveten. Ajo u kthye rrugës e vrarë, e përdhunuar, e përmbysur e gjitha, trup e shpirt…
Dielli pranveror pati rënë dhe spërkaste me rreze të ndritshme atë rrugëz të vetmuar fshati, ku një vajzë e bukur, superënë dhe kokëvarur, me mendime të ngrira dhe fytyrë të kuadratuar nga tmerri dhe dhimbja, më shumë se ecte, çapitej nëpër vesën e mëngjezit, e huaj për të gjithë, por akoma më e huaj për vetveten…
E gjetën në mesditë, në guzhinë, të vetëvarur në trarët e shtëpisë, me sy të fiksuar tej dritareve të hapura, ku rrezitej ëmbël e kotshëm dielli pranveror…
Një ulërimë rrënqethse çau mespërmes horizontin e qiellit dhe hijen e tokës në atë fshat, ku hiret e saj kishin qenë një stoli dhe luks për të gjithë…
“Ka qenë me despresion të thellë”, shkruhej në raportin mjeko-ligjor që shoqëroi aktin e vetëvarjes së vajzës së re.
Operativi e zhduku nga faqja e dheut dosjen në ngarkim të babait të së ndjerës, duke zhdukur bashkë me të dhe çdo provë dyshimi mbi fajsësinë e tij…
Tanimë pranvera, vera, vjeshta dhe dimri në atë fshat kufitar me vetminë do të vinin pa bukurinë e Bejanës, hiret e së cilës për njëzet e një vite kishin qenë për të një stoli admirimi dhe bekimi dhe tani patën ikur bashkë me të në një kohë të pakthyeshme…
.
Marre nga muri i Fb i Hyqmet B. Hasko, 23 nentor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.