back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Oborri i Nondajes sime nga Monika Spahivogli

Gazeta

Kujtime... dhe mall
Kujtime… dhe mall

Oborri i Nondajes sime…

nga Monika Spahivogli

Oborri më i bukur në botë ishte ai i nandajës sime!
Dua të bëj një pikturë të madhe ku ta “përshkruaj” disi por, nuk besoj se i nxë të gjitha detajet. Magjia niste tek porta (e heshtur tashmë)… Kur vendosje dorën tek ajo portë, e dije që brenda do gjeje gëzim. Me kënaqnin gurët që shtronin oborrin (gurë të latuar zalli, të errët dhe simetrike)… kisha gjithmonë dëshirë të ecja zbathur në to por, në atë kohë, mami më vishte corape të bardha dhe, tek nona kishte rregulla. Në të dy anët e oborrit në hyrje, kishte lule: në fillim, poshtë ishin zymbylat (ngjyra dhe aroma të ndryshme që ende i kujtoj) por, unë merakun e kisha me zambakët ngjyrë portokalli me pika të zeza (që ishin mbi luleborat). Mami më shante gjithmonë se bëhesha me njolla por, unë nuk rrija dot pa e futur hundën tek poleni i zi i tyre. Përballë kishte vazo me lulekëmbore dhe lule gojëujku. Djathtas ishin shkallët që të çonin tek veranda.
Veranda kishte gjithmonë karrige dhe ishte e rrethuar (mbuluar) me dru. Aty uleshim të bisedonim kur nuk donim të bashkoheshim me mysafirët që ishin në sallonin e pritjes… Salloni i pritjes kishte një derë të madhe. Ai është vendi që nuk do e harroj , sepse ka ndikuar shumë në formimin tim me ato që kanë ndodhur atje.
Mbaj mend që kishte karrike (kolltuke) shumë të bukura. Detaji që më pëlqente më shumë ishin tavullat e duhanit (goxha investim për diçka që kurrë nuk ndodhte në shtëpinë e nonës, asnjë nuk e pi me sa di unë në të gjithë fisin e mamit)… gjithsesi, tavullat ishin kristali, me koka kuajsh të gdhendur poshtë. Tavullat mbështeteshin mbi tavolina të vogla, tepër elegante (midis karrikeve), të cilat nisnin poshtë të gjëra dhe mblidheshin në një kuadrat sa tavulla sipër. Nëse uleshe në kolltukë, përballë ishin dy dritare të gjata nga tavani gati në dysheme. Ato kishin perde të bardha të qendisura me gjilpërë. Tavani dhe dyshemeja ishin prej druri… Në atë sallon pritjeje, kam dëgjuar të gjitha çuditë e botës.

Nondaja ime
Nondaja ime

Dajat e mi, më të bukurit në botë, tezet e mija, më të ëmblat, më të bukurat dhe më gazmoret në botë, Nona ime…. esenca e dashurisë njerzore… ishin aty. Sikur dashuria të kthehej në para, sot do të isha miliardere…
Në krah të djathtë të sallonit ishte dhoma e Nonës.
Krevatët ishin të lartë dhe me dyshekun më të butë që kam shijuar ndonjëherë. Kishin skelet të metaltë me një prekje të ëmbël bronxi të përpunuar. Çarçafët ishin me qëndisma me gjilpërë. Aty flija si princeshë, me robdeshan fanellate me mëngë të gjata edhe në verë. Duhet të kacaviresha kur isha e vogël që të hipja në krevat (krevati ishte mbretëror – shumë i lartë). Dollapët ishin me dru të zi. Mjë ditë (si kurioze që jam) hapa një prej sirtarëve dhe zbulova rrobat e vdekjes së gjyshes. Fillova të qaj. Nona më qetësoi: “Zemra ime, nuk e sjell fjala vdekjen – më tha – Thjesht jemi të përgatitur… Në krahun e majtë ishte ajo që u bë shtëpia e daj Demit. Nona i kishte menduar të gjitha…
Përballë ishte kuzhina familjare. Kishte një dollap për gjërat që përdoreshin për gatim. Ai ishte si frigorifer. Tek kuzhina, Nona bënte byrek Kosove/ Tirane tek soba e rëndë që ishte shumë e veçantë dhe e vjetër, bënte kafe turke në mangallin e bukur. Anash ishte banja e bukur, me një skaldabanje bakri tepër të madhe dhe me këmbë luani, vaskë të madhe fare dhe pllaka të bardha…
Oborri i nanës sime djathtas kishte një oborr të dytë dhe majtas një të tretë.
Tek oborri djathtas rriteshin pemë (njerën e mbaj mend sepse ishte në lloj kajsie-pjeshkë (pa lesh) që ishte shumë e veçantë. Oborri majtas (rreth 200 m2) niste me një portë prej ristelash druri jeshilë, e cila mbyllte një oborr të vogël që dikur duhej të kishte shërbyer për pula. Më pas vinte një kuzhinë e gjatë ku bëheshin përgatitjet për gatimet e dasmave (këtë mbaj mend). Përpara kuzhinës ishte pusi (nuk mbaj mend ta kemi përdorur sa kohë kam qenë unë në qarkullim). Tek pusi rritej një kumbull e lartë e bardhë që bëntë kokrra të mëdha (sa një mollë). Pas kuzhinës së brendëshme, kishte një tjetër kopësht. Aty ende rritet një portokall i egër të cilit ja shijojmë kokrrat cdo vit sepse i sjell Daj Demi. Me sa mbaj mend unë, aty kishte pula. Kjo duhet të jetë arsyeja pse portokalli ende prodhon.
Nana ishte Tironse, po u martua me një djalë të arratisur nga Peja e Kosovës, gjyshin tim. Ai ishte 19 vjeç kur erdhi këndej dhe, meqenëse ishte djalë i vetëm i një familje fisnike, lindi 9 fëmijë përpara se të na linte. Duhet ta ketë dashur shume Nonën… Nona thoshte: shumë fëmijë, shumë halle. Mos lindni shumë kalamaj!
Gjithsesi, ajo që mbaj mend unë është 9 gëzime të shumëzuara të paktën për 2. Dasma, ditlindje, dashuri pa fund, kërcime si në zemër të Europës. (Shumë prej tyre studiuar jashtë sollën dhe kryqëzuan kulturat)… Teze Teuta dhe Daj Demi kërcenin më gëzuar se të gjithë, Daj Bujari dhe Teta Miranda, ishin më modernë… Babi kërcente Kalinkën dhe i binte sazës si dhe kërcente mrekullisht me mamin (më të bukurën në botë)… Daj Veri ishte më i ëmbëli njëri që kam njohur ndonjëherë, Teze Mira ishte artistja enigmatike dhe e heshtur… Daj Pajtimi – njeriu më modest që kam njohur, i heshtur por, me sy që flasin shumë… (Mami do më shajë që nuk i përmenda të gjithë) Nipat e mbesat (gjyshja ime pati fatin të shihte edhe stërnipat), secili në botën e vet (kryesisht artistike), ndërtonin të ardhmen mbi supet e një tradite tashmë të shkruar e konsoliduar…
Ndjesë miqtë e mij që ju lodh me historinë e familjes sime të bukur por, besoj se të gjithë kemi histori të ngjashme me të cilat duhet të mburremi. Nuk kemi arsye ta mbajmë kokën ulur duke kërkuar përgjigjet nga Perëndimi.
Çdo përgjigje për dilemat tona është tek RRËNJËT!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.