back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Nji natë e jashtzakonshme Janari tregim nga Gjergj Kola

Gazeta

Tank - Parada e vitit 1979
Tank – Parada e vitit 1979

Nji natë e jashtzakonshme Janari

tregim nga Gjergj Kola

“Në sistemet diktatoriale funksionon kompleksi oriental i fshehjes së pluhnit nën qylym. Aty në vend qe neurozat me i shkulë me rranjë dhe në vend të tyne me u rritë lule, pikërisht aty toka mbetet e shkretë dhe kështu mbijetojnë neurozat kolektive, tuj nxjerrë gjithandej therra. Kjo ngjarje e vërtetë e nji janarit të largët kërkon me dhanë të saktë kët fenomen shkatërrues. Idhujt pa krena janë neuroza mbrenda krenave tona e askush nuk merret me to. Letërsia i duhet nji shoqnie të sëmunë për me e paralajmërue dhe me e shërue prej tyne, prandej edhe ky tregim asht ndërtue në formën e nji neuroze. Diktatura lakuriqe si dhe ato me veshje demokratike, mbijetojnë nëpërmjet neurozave kolektive.”

Autori Gjergj Jozef Kola
Autori Gjergj Jozef Kola

Ushtari Kastriot A. po e pret mesnatën për të tretin vit rradhazi mbi tankun nr 676 në korpusin e qytetit. Gjithçka asht e vdekun, tash 30 muej me radhë ai hipë atje natë për natë dhe me grykën e automatikut kruen terrin e natës, tuj mendue se ky tanks ka tash 10 vjet që kur asht prodhue dhe ka ardhë nga Kina dhe kurrë nuk i ka hjedhë dy hapa.
“Ah çfarë jete, vetëm ndezë e fik dy herë në vjetë për me provue gadishmërine!” – pëshpërit ai fatin e lodhun të tankut dhe shoferit. Sapo matet me mbyllë sytë si përnatë kur merr turnin dhe sheh se gjithçka asht në rregull e tanket po flejnë, njashtu me armë në dorë, kur krismat e para e përshkojnë qytetin mespërmes. Dridhet dhe përplas krenë fort për tanks. Tash hap sytë… po sheh t’i vërsulen oficerë të naltë të Korpusit.
“Shpejt se u turpëruam fare”! – thërret komandanti i batalionit, dhe ushtari Kastriot A. kërcen mbi tank, hap kapakun nalt dhe rrëshqet në vendin e shoferit mbi ndenjsen, në dysheme. Provon me e ndezë, porse prej të ftoftit motorri nuk ban za. Qyteti asht ndezë flakë nga krismat, ndërsa tanku nuk e ka ndërmend me u ndezë.
“U turpëruam fare përpara partisë dhe udhëheqësit! – thërret përsëri komandanti. Sikur t’i thërrasim ushtarët e ta shtyjmë? – pyet komisari. Inxhinjerat qeshin nën za: tanku peshon disa ton e duhen tana repartet së bashku me e shtye.
“Nëse nuk e ndezim sonte, nesër do na nxjerrin para gjyqit ushtarak për mungesë gadishmerie! – thërret shefi i shtabit. Inxhinjeri Gj. Fierza, tekniku i batalionit të tankeve kërcen mbrendë dhe i hjekë gjylpanën, topit. Mandej shkon te ndezësi dhe nuk e largon dorën derisa motori kërcen përjetë. Tash nji tym bardhë e zi shpërndahet nëpër natë. Nji minutë ma vonë tanku numër 676 po gërryente rrugët e qytetit dhe ushtari Kastriot B. ndigjon në heshtje bisedën e komandantit dhe komisarit në kufje.
“Një ish ushtar i yni të bëhet armik i pabesë i partisë dhe popullit! – thotë komisari. – E pabesueshme të arrijë të vjedhë armët dhe njëmijë fishekët e repartit të gadishmërisë?”- ja kthen komandanti.
“Kush asht ai ish ushtar?“ – i pshton padashje Kastriot A. “Mustafa Susta!” – i përgjigjen të dy njizani. E pabesueshme, tund krenë Kastriot A, – Cafi tanë kohën në ushtri vetëm te duhani dhe rakija e ka pasë mendjen. Në rrugicën mbas Institutit të qytetit janë bllokue në nji shpi dy katëshe Cafi dhe shoku i tij Sali e vazhdojnë me gjuejte nga tana dritaret. Ata kanë tash dy orë që e mbajnë qytetin peng e qytetarëve që nuk ka pa luftë tash 30 vjet i duket gjithçka si andërr. Tash në linjën e fshehtë të tankut futet edhe nji za tjetër dhe jep urdhën mos me gjuejtë, porse të presin edhe pak. Zhvillohet nji bisedë e shpejtë plot informacion që Kastriot A-së i duket si nji ndodhi krejt absurde dhe e len me gojë haptë. Shefi i sigurimit po kallxon se mbasi kanë vjedhë armët dhe municionin, dy keqbamësit kanë zbritë te sheshi para institutit nga nji karrocë e tipit sharabajkë, dhe kanë nisë të qëllojnë duke thirrë: “Tash i vrasim të gjithë katolikët!” Mandej kanë nisë me ndalë njerzit dhe me i pyetë nga përkatësia fetare. Me të hy në rrugicën Hysaj ju ka dalë përpara nji burrë dhe ata e kanë pyetë mbi përkatësinë fetare dhe ai ju asht përgjigje: Jam shqiptar, ndërsa ata e kanë vra në vend.
“Ne kemi plot 16 vite që kemi mbyllë kisha dhe xhamija, ç’hyn feja këtu!”- habitet komisari. Shefi i sigurimit vazhdon tuj dhanë informacion të situatës dhe thotë se qyteti ishte me fat se ata përfunduan në nji rrugicë të vogël me fund siç asht kjo Hysaj, se sikur të kishin hy në rrugën Gjuhadol do ishte ba kërdija e madhe.
“Policët tanë, kanë që nga ora 6 e mbasdites që kanë nisë shkëmbim zjarrit me dy keqbërësit dhe ata janë strukë në nji shtëpi në fund të ksaj rrugicë dhe qëllojnë çdo gjë që lëvizën, nëpër terr!”
“E pabesueshme, – thotë komnadanti i batalionit të tankeve – Cafi dukej si nji njeri që nuk i ban keq nji pule jo ma me vra njerëz”!
“Ai ka tash nji orë që thërret nga dritarja e shtëpisë ku e kemi rrethue: O Enverhoxha, me lejo të shkoj me vra kryqat”- vazhdon shefi i sigurimit dhe Kastriot A-së i kujtohet se kështu i asht lutë edhe Hamza Kastrioti, Sulltan Mehmetit të II. Tash në linjën e tankut futet nji za tjetër plot buçimë. “Hallo, Tirana këtu. Ky asht urdhën i premë. Të rrafshohen shtëpija e keqbërësve dhe shtëpiat përreth, si mësim për tërë qytetin. Të vihet në përdorim artileri e rëndë” “Qëlloni me top”!- urdhnon komandanti. Për të gjithë asht e kjartë me gjuejtë me top don me thanë, me marrë jetë të pafaj. “Që kur kryemnistri vrau vedin, në Tirane drejton shoqja Nexhmije. Udhëheqësi asht i sëmurë, nervore thojnë, prandaj mbasi të eleminojme Cafin dhe Salin na duhet t’i qëllojmë të 4 predhat në lagjet e qytetit për të tregue forcën tonë.”- vazhdon zani nga ministria e Tiranës. Ushtari Kastriot A., u dridh nga tmerri kur mendoi se predhat do shkatrronin lagje të tana me forcën e tyne shpërthyese. Komisari po e mbush topin e tankut ndërsa komandanti qëllon. “Nuk shkrep, u turpëruam sonte”! – thërret ai. Dalin te dy mbi tank dhe karikojnë mitralozin 7mm. “Po qëlloni ore Shkodra, se do ju vijmë ne u ju pjekim te gjallë!” – dëgjohet zani nga Tirana. Tanku kinez i tipit 676, merr gaz dhe tashma ndodhet vetëm disa metra larg shpisë. Kastriot A. po sheh prej dylbisë së shoferit në dritare, Cafin që ju qesh policëve të mshehun, ndërsa i qëllon me automatik nga dritarja. Ai po mendon se kanë kalue orë të tana që ata të dy aty mbrendë po e mbajnë në ankth tanë qytetin dhe po peshon dyshimet nese kjo ndodhë për paaftesi të policisë apo për vetdashje të saj.
“Shumica e shkodranëve do jetë tuj thanë: Zot bane andërr!” – pëshpërit ai. “Po qëlloni ore sa kanë nisë të përhapen fjalë se na ka sulmuar jugosllavi e po na sulmojnë prej vërteti pastaj!” – ulërin zani nga Tirana. Nga tanku shpërthejnë predhat e para të 7mm tuj shpue mespërmes murin e shpisë. Heshtja zgjat vetëm pak çaste, sepse mandej zani në kufje shpërthen prap tuj dhanë urdhën me harxhue tanë municionin. Mitralozi antiajror prej 7 mm nxjerr nga goja e zjarrtë për minuta ta tana gjithë vdekjen që ka mbrendë. Gëzhoja e fundit shkon e rrëshqet nëpër trupin e tankut dhe mbet diku mbi zinxhirë. Nji heshtje ma e zezë se nata e mbulon rrugicën Hysej. Kastriot A. shkel gazin dhe leva e majtë padashje tërhiqet fort nga nji lëvizje e pakontrollueme e dorës, dhe gryka e topit shkon e ngulet deri në murin nelt tuj e hjedh atë përtokë. Tash nga dylbija e shoferit, ushtari Kastriot A. sheh policët e parë që hyjnë mbrenda dhe mbas pak dalin me trupat e pajetë të dy të vramëve. “Gjithçka përfundoi me sukses, dy armiqtë u asgjesuan!” – raporton komandanti në kanalin sekret. Komisari pyet nëse ka ndonji urdhër tjetër për repartin e tankeve dhe zani nga Tirana u jep urdhën me u kthye në repart e me vazhdue gjendjen e gadishmërisë “deri në nji urdhën të dytë…” Tuj u kthye në repart Kastriot A. mendon se Shkodra sapo ka marrë nji elektroshok mespërmes në zemër, sot në janarin e vitit 1983, dhe ai me kot pret që njerzit të ngrihen e të dalin në rrugë, sepse ajo asht e vdekun me kohë dhe s’ka elektroshok që e çon në kambë me rrëzue diktaturën. Sapo kthehen në repart, kur tekniku Gj. Fierza hyn në tank dhe vendos gjylpanën e topit në vend dhe i ban me shenjë Kastriot A. me e mbajtë sekretin. Të nesërmen në darkë, nji natë mbas ndodhisë Kastriot A. po ndihet krenarë, ndërsa kqyrë se si qytetarët e dy besimeve, shkodranë të ndershëm, kanë dalë në xhiron e bulevardit krah për krah si kurrë ndonjiherë dhe përballe këtij demostrimi, diktatura ateiste që priste diçka tjetër, u drodh për herë të parë deri në kockë. Ushtarin Kastriot A. e shpërblyen me dy jave leje dhe mandej e transferuen në repartin e tankeve në Melgushë ku ai nuk foli kurrë ma për askend dhe me askend, për sa kishte pa dhe  ndigjue at natë të jashtzakonshme janari të vitit 1983.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.