Njeriu dhe miu… – nga Ervina Toptani

0
10
Tortura
Tortura
Tortura
Tortura

Njeriu dhe miu…

nga Ervina Toptani

(Në qelitë e diktaturës…)

…Duhet të kishin kaluar muaj tashmë, ndoshta dhe ndonjë vit, nuk e dija me siguri, e kisha humbur nocionin e kohës. Nuk kisha më një tik tak që ta kundroja ndërsa akrepat lodronin ndër minutat në ikje por më mirë që nuk e kisha, përndryshe do të më duhej të matja kohën, durimin dhe dhimbjen nën goditjet e furishme. Nuk e di kush sjell më shumë dhimbje në vetvete, të matësh durimin apo vetë dhimbjen!
Ishte errësirë gjithnjë, e nuk shihja dot asnjë rreze dielli të depërtonte nga askund. Për mua ishte gjithmonë natë e nuk vinte kurrë mëngjesi. Unë isha në vendin e pakohë, nga ku prisja fundin dhe mezi e prisja, sido që të ishte do të ishte më pak i dhimbshëm sesa pritja nën tortura.
Kisha një mik të veçantë në birucën ku lëngoja i lidhur nga duart, të kapura në mur pas kurrizit dhe nga kërcinjtë e këmbëve jo me pranga por me zinxhirë. Prangat m’i vinin më vonë, kur më zgjidhnin nga zinxhirët dhe më dërgonin në dhomën e tmerrit. E quajnë “dhoma e pyetjeve”, por është zgërku i torturave.
Nga muri përballë ku unë qëndroj i lidhur shihet një vrimë e thellë nga ku hyjnë minjtë gjatë gjithë kohës. Vijnë me shumicë në kohën që më sjellin lëtyrën që supozohet të jetë një lloj supe a lëng fasuleje, nuk e kuptoj dot çfarë mund të jetë, por herë pas here duken krimba që notojnë në të. Tasin ma vënë në tokë, aty ku unë qëndroj i lidhur me zinxhirë nga këmbët e krahët. Nuk e kam asnjëherë mjaftueshëm afër tasin e lëtyrës, të paktën ta lëpija siç bëjnë macet, gjithnjë ma vënë një pëllëmbë larg e unë duhet të zvarritem e të tejzgjatem duke ndjerë si më thërrmohen kërcinjtë e këmbëve e të duarve prej tërheqjes. Dëgjoj gardianët që gajasen ndërsa më shohin të bëj përpjekje për t’u zvarritur drejt tasit me lëtyrë, ndonjëherë venë dhe bast mes tyre nëse do mundem ta arrij. Ka ndodhur që e kam arritur e gardiani që e humbte bastin vinte e ma ngjeshte tasin në fytyrë me një shkelm të fortë aq sa më duheshin orë për t’u përmendur sërish. Më janë thyer pothuaj të gjithë dhëmbët. Jam vetëm 31 vjeç! Djalë i një babai që vdiq në burg e nuk ka një varr, nip i një ministri të viteve kur Shqipëria filloi të bëhej shtet i vërtetë. Faji im është prejardhja ime, mbiemri im, gjaku që më rrjedh në deje. Unë jam shqiptar, kaq mjafton si faj i rëndë për këta që më torturojnë! Kushdo që është shqiptar në shpirt dhe Atdheun e do të lirë, të begatë, të pasur duhet te vdesë! Nuk e di edhe për sa dekada ende duhet të vdesin shqiptarët me shpirt shqiptari!
Po ju thoja se e kam një mik edhe këtu ku jam. Eshtë miu i hirtë, mi arash duhet të jetë nisur nga madhësia e tij trupore. Jemi bërë miq tani pasi ka kaluar kohë që vjen e më viziton çdo ditë e ndërsa shokët e tij i sulen tasit të lëtyrës përpara se unë të mbërrij me zvarritje deri aty, miu i hirtë qëndron përballë meje e më shikon ngultas. Herë-herë ka provuar të më afrohet, por jo aq sa për të më ngulur dhëmbët. E ka kuptuar se kjo gjë në trupin tim është e pamundur tashmë! Çuditërisht ai nuk i vërsulet kurrë tasit të lëtyrës, ndoshta ka ku gjen më mirë se aq. Qëndron në një qoshk e kundrojmë njëri-tjetrin derisa unë i flas i pari. Kam mall ndonjëherë të dëgjoj zërin tim, ka filluar të meket e flas më shumë me frymë sesa më zë. Ai hera herës bën ndonjë ecejake deri pranë meje e më fikson me sytë e tij të zinj.
Një natë, më kishin torturuar aq shumë sa nuk mbaja mend as ku ndodhesha e çuditërisht nuk ndjeja më as dhimbje, mezi mundesha të hapja qepallat e syve. Nuk lëvizja dot asnjë milimetër por ndjeva që brenda qelisë po bëhej luftë. Minjtë ishin sulur drejt meje, duke qenë unë i gjithi i gjakosur. Ndoshta iu solla dëshirën për të provuar gjak, edhe atyre, njësoj si xhelatëve të mi. Por miu i hirtë erdhi rrufeshëm e u ndesh me dy më të fortët e grupit dhe pasi u përlesh keqazi me ta i përzuri nga biruca jonë. Ikën të gjithë, mbetëm vetëm unë e miu i hirtë. Ishte gjakosur edhe ai. Erdhi drejt meje e më vështroi ngultazi. U mbështoll kruspull si një mace e përgjumur dhe fjeti nën këmbët e mia të akullta, në të ftohtin e acartë të birucës.
Duhet të kishte ardhur mëngjesi besoj se ndjeva hapat e rëndë të gardianëve që me siguri sillnin lëtyrën e rradhës. Asnjë mi nuk u duk të futej në birucë nga vrima e thellë në mur. Miun e hirtë nuk e pashë rrotull, edhe pse unë shihja pak vetëm me njërin sy, tjetrin nuk mundesha ta hapja ende. Sapo u hap dera e birucës, dhe gardiani përkulet lehtas për të ma vënë tasin e lëtyrës me preçizion një pëllëmbë larg vendit ku ndodhesha i lidhur, miu i hirtë i hidhet në fytyrë me një kërcim të beftë e tmerrsisht të shpejtë. Aq shumë ia nguli kthetrat e tij të forta në fytyrë gardianit sa ai ulëriti dhimbshëm e 2 të tjerë i erdhën menjëherë në ndihmë. Ishte hera e parë që dhimbjen time e ndjeva të derdhej në ulërimin e tjetërkujt. E tërhoqën miun e hirtë me forcë nga fytyra e gardianit aq sa në kthetra i mbetën copat e lëkurës. E përplasën në mur fuqishëm por nuk e vranë dot. Ai u bë vetëtimë e u fut në vrimën e thellë në mur.
-Ja, ka ndenjur në një birucë me këtë kriminelin antikomunist dhe është bërë dhe miu si ky. Ti e ke mësuar të më hidhet mua në fyt? I ke folur kundër nesh e kundër partisë me siguri por do e shohësh çdo të heqësh ti dhe ai shoku yt që fshihet vrimave!
Këto fjalë me siguri ishin më shumë në adresë të miut të hirtë sepse unë ende nuk isha përmendur mirë nga torturat e një nate më parë dhe kishin muaj që ma tregonin zotësinë e tyre, burrërinë e tyre!
Ndjeja se po hyja sërish në kllapi, ndoshta këtë herë për të mos u zgjuar më. Doja ta përqafoja miun e hirtë e t’i thoja se njeriu shpesh mund të jetë shumë më pak sesa një mi dhe se një mi mund të jetë shumë më tepër sesa një qenie frymore që rëndom mund ta quajnë njeri. Doja t’i lija dhe një amanet për nënën që kishte muaj që qëndronte tek hekurat jashtë burgut në pritje të shihte dhe njëherë djalin e vetëm, dritën e syve. Ndjeja se nuk mund të prisja më gjatë…

Related Images:

Artikulli paraprakZgjedhjet në Filipine dhe rikthimi me sukses i forcave nacionaliste konservatore – nga Klajd Kapinova
Artikulli tjetërPoeti i Herës së Parë dhe i Frymës së Fundit – nga Shaip Beqiri
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.