back to top
31.5 C
Tirana
E martë, 25 Qershor, 2024

Një kujtim, një brengë dhe pyetje pa përgjigje – nga Kristaq Jorgo

Gazeta

Prof. Kristaq Jorgo duke lexuar kumtesën
Prof. Kristaq Jorgo duke lexuar kumtesën

Një kujtim, një brengë dhe pyetje pa përgjigje

nga Kristaq Jorgo

Në Austri. I ftuar në shtëpinë e një shoku, austriak. Shtrohet tryeza e drekës. Gjatë bisedës dëgjoj nga një prej miqve të familjes fjalën ‘Mauthausen’: Njëri nga dy fshatrat ku shtrihej gjatë Luftës II Botërore, kampi i tmerrshëm i shfarosjej qënkej jo më larg se pesë kilometra prej aty. Në një moment, pa asnjë paramendim, thashë se në Mauthausen kishin qenë internuar e patën humbur jetën edhe një varg të rinjsh shqiptarë.
Pllakosi një heshtje. Te të gjithë. I ngrirë pashë se si zonja e shtëpisë u skuq në fytyrë, se si syri po i ndrinte ngadalë: “Ju kërkoj shumë ndjesë, por nuk ndihem mirë.” – tha. Dhe u ngrit nga tryeza, para se loti t’i rrëshqiste në faqe.
Dreka vazhdoi, por siç mund të vazhdojë një drekë pas një ndodhie të tillë. Kisha gabuar! Kisha gabuar rëndë! Po ku ta dija unë se nëna e shokut tim, zonja e shtëpisë, ndër më të shenjtët njerëz që kam njohur në jetë, pa kurrfarë lidhje ajo, natyrisht, e as paraardhësit e saj me tmerret e nazizmit, përkundrazi! Ku ta dija unë se fjalët e mia për gjëma tash të harruara, ngjarë gati gjysmë shekulli më parë, ajo do t’i përjetonte si t’i kishte kryer ato vetë?!
Dhe ndieva një zor, një turp. Dhe më pushtoi një valë nderimi. Dhe më mbuloi një brengë.
Dhe mendova në ato çaste e ditë, po atë çka mendoj tash vite me radhë:
A do të zbresë ndonjëherë e nëse po, kur do të zbrezë në Dheun tonë, në Shqipërinë tonë, në shpirtërat tanë, të kriminelëve, të pasardhësve të tyre, të mëkatarëve, të fajtorëve – të mëdhenj e të vegjël, – të të gjithë të tjerëve, të të gjithëve ne pa përjashtim, vetëdija për krimin, të ligën, të keqen, vetëdija për domosdonë e shpagimit të drejtë? Vetëdija e brerjes së ndërgjegjes, e turpit, e dhimbjes, e ndjesës?
.
Nji nga Muzete e Holokaustit
Nji nga Muzete e Holokaustit
Kampi i Tepelenes - skice nga Lek Pervizi
Kampi i Tepelenes – skice nga Lek Pervizi
A do të vijë një ditë të zbresë në shpirtin e shqiptarit një fije e asaj shenjtërie që sjell brerje, që kërkon ndjesë, që përjeton dhimbje, që ndien turp?
Brerje madje edhe për faje të gjysh-stërgjyshërve, ndjesë madje edhe për atë çka vetë nuk ka bërë; dhimbje edhe kur vetë nuk ka lënduar; turp edhe për atë çka mendja e vet nuk ia rrok?
A do të vijë një ditë që t’u imponojmë të tjerëve të ngrenë mauzole ndjese e përkujtimi për krimet e dhembjet që na kanë shkaktuar?
Dhe, pyetje po aq, në mos më e rëndë: A do të vijë një ditë të ngremë në shpirtërat tanë në radhë të parë, dhe në qytetet e fshatrat tona, pastaj, mauzole të kujtesës e të ndjesës për krimet e dhimbjet e lëndimet që tanëve, që vetes ia kemi shkaktuar, që ia shkaktojmë paprá?
Përgjigjen e këtyre pyetjeve unë nuk e di. Por për një gjë jam i sigurt: Po nuk ndodhi një Shndërrim i tillë, asgjë tjetër e vlefshme nuk do të jetë e mundur të ndodhë!
.
Fotot: Kampi i internimit në Tepelenë. Skicë nga Lek Pervizi, një prej mijëra fëmijëve, tok me mijëra gra e pleq e burra, aty e në të tjera vende tmerri të internuar. Njëri prej muzeve përkujtimorë të Viktimave të Holokaustit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.