back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Një gazetare lufte, një mike që s’është më… – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Fotografja Mika Yamamoto (1967-2012)
Fotografja Mika Yamamoto (1967-2012)

Një gazetare lufte, një mike që s’është më…*

nga Artan Gjyzel Hasani

In Memoriam: Mika Yamamoto

Gjatë ngjarjeve të vitit 1997, për rreth 3 muaj, punova si përkthyes me një grup gazetarësh japonezë të Japan Press International të përbërë nga Sato Kazutaka, bashkëshortja e tij Mika Yamamoto dhe fotografi Keixhi.
Mbuluam ngjarjet e dhunshme dhe luftën civile në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Himarë, Dhërmi, me Prodin e protagonistët e atyre ngjarjeve, e më vonë në Tiranë konferencën për shtyp të general Forlanit, më pas në teatrin e Shkodrës një intervistë me Leka Zogun dhe më pas, për rreth një muaj, në Malësinë e Dukagjinit, në Shalë, duke xhiruar një dokumentar të paparashikuar për Kanunin dhe virgjinat e malsisë.
Për tre muaj me rradhë kemi ndarë bashkë çdo orë e minutë, çdo kafshatë dhe çdo rrezik jete. Pas punës së lodhshme në mbrëmje luanim letra, bisedonim dhe kur ndjenim se nuk kishim fuqi të flisnim na çlodhnin tingujt e muzikës japoneze që luante në organo bukuroshja Mika. E imët, delikate, e ëmbël…
Dukej një paradoks i madh prania e asaj gazetareje trupvogël e ngarkuar në qafe me disa kamera e aparate fotografikë, e në shpinë brenda çantës një organo e vogël elektronike, me mikrofon në dorë duke intervistuar banditë e vrasës, rebelë e ministra, monstra të krimit dhe oficerë të çoroditur… Mika e imtë mes turmave të çartura e të dëshpëruara të viktimave të piramidave të manipuluar në dhimbjen e tyre nga politika.
Më kish lënë pa gojë guximi dhe profesionalizmi i asaj japonezeje që së bashku me bashkëshortin e saj Sato – një reporter i vjetër lufte ai – ishte në kërkim të lajmit të dorës së parë me kamerën e saj si dëshmitare okulare në ngjarje nga më të dhunëshmet, përfshi edhe sulmin me diagaç ndaj bankës në Vlorë, sulmin mbi bazën e Porto Palermos, etj..etj.
Kujtoj shumë episode nga ato tre muaj: Sato, (i dashuri i Mikës, asokohe bashkëjetonin, pa martesë) kishte përvojë shumë të madhe në situata guerriljesh dhe luftërash civile në vende të ndryshme të globit… Ishte trim dhe vërtet nuk i bënte syri terr para banditëve të cilëve ua njihte aq mirë psikologjinë… Jam dëshmitar okular në disa raste i trimërisë së tij në momente kërcënimesh reale ku mund t’i ikte koka atij dhe gjithë grupit, si psh në Pashaliman kur banditët kishin hapur një gropë – rezervuar ku kishte lëndë kimike shumë helmuese i kërkuan para dhe ai ua dha ca dollarë, i kërkuan kamerën por nuk ua dha, i vunë automatikun në gjoks dhe ai i shtyu me përbuzje sikur do rrihej me ta, duke i sharë në gjuhën e tij dhe nuk ua dha kamerën…
.
Mika Yamamoto - Gazetare lufte
Mika Yamamoto – Gazetare lufte
Kishte 18 vjet që bridhte botën me kamera në dorë. Në Japoni rrinte gjithsej dy javë në vit… Thoshte me shaka: “Jam i vetmi japonez që nuk kam makinë”… Kish jetuar në një shpellë dhe çadër me prijësin çeçen Aslan Maskhadov (që më vonë u bë edhe president i Republikës së Çeçenisë) për 5 muaj me rradhë duke dokumentuar nga afër ngjarjet e atjeshme… Pas Shqipërisë iku në Kongo, duke dëshmuar rrëzimin e Mobhutos dhe ardhjen në pushtet të Laurent Kabilës… Nëse mbani mend një video të asaj kohe (1997) nga lufta në Kongo që u transmetua nga Euro News, ca fëmijë te një urë duke luajtur futboll me një kokë të prerë, ka qenë filmim i tij… Nuk harroj kurrë një detaj nga një bisedë me të, ndërsa ishim në Bazën Ushtarake të Porto Palermos, të plaçkitur e të djegur nga banditët: “Artan, kam qënë në Nikaragua, Honduras, etj ku lufta civile ka bërë namin, por kurrë nuk kam parë njerëz më të egër dhe agresivë që jetojnë buzë detit, veç në Shqipëri”…
Sot pra i solla ndërmënd miqtë e mi dhe bëra një kërkim në internet. Ajo që mësova më tronditi pa masë dhe sytë m’u përlotën.
Mika nuk ishte më. Mikën e kishin vrarë. Mika, gazetarja japoneze që ishte vrarë në Aleppo të Sirisë më 20 Gusht të vitit 2012, përkrah Satos, nga një shkëmbim zjarri mes palëve ndërluftuese. Trupi dhe qafa e saj ishin bërë copë nga predhat. U shtanga, pasi e dija si lajm që një gazetare japoneze ishte vrarë në Siri, por kurrë s’e kisha menduar që ajo ishte pikërisht Mika Yamamoto, mikja dhe bashkëpunëtorja e 3 muajve më të vështirë të jetës sime, vajza japoneze që u hyri në zemër të gjithë shqiptarëve që e njohën dhe familjeve që e strehuan në atë periudhë të vitit ’97, që nga Cekodhimat e Vlorës (familja e dr. Altinit që atëhere ishte akoma student), familja e dajës së dr. Ardian Halilit (Ymeraj) në Shkodër, apo edhe në shtëpinë (ish bibliotekë) e dy motrave Çarku në mos gaboj, (Maria njëra nga ato) në Theth (Shalë) të Dukagjinit. Kudo, u hyri në zemër njerëzve me thjeshtësinë dhe mirësinë që rrezatonte.
Kujtoj një moment kur po u tregoja për Ulpianën, qytezën romake në zemër të Kosovës. Sapo dëgjoi emrin e qytezës së lashtë Mika bërtiti: “Ulpiana… Oh sa emër i bukur..” dhe iu kthye të dashurit “Sato, kur të bëjmë fëmijë, nëse do jetë vajzë, do ia vemë Ulpiana!” Sato, shtrembëroi fytyrën duke mbledhur turinjtë dhe unë e pyeta “Sato nuk të pëlqejnë fëmijët?” Dhe ai me hodhi një vështrim të tipit “ç’më çan kokën edhe ti!” dhe pas pak tha: “Dua fëmijë, por nuk dua t’i lë jetimë me këtë punë që bëjmë”… Nuk e kishte keq… Koha i dha të drejtë…
Duke lexuar lajmin për vdekjen e saj u befasova kur pashë që paska qenë një nga gazetaret më të njohura të Japonisë, fituese e çmimeve më të mëdha të gazetarisë në Japoni dhe gjatë 4 viteve të fundit jepte mësime gazetarie në universitetet e Tokios.
T’u prehtë shpirti në parajsë mikja ime, Mika! Nuk do e harroj kurrë të qeshurën tënde, mirësinë e syve dhe ëmbëlsinë e zërit tënd…
Toronto, 2013
*Titulli redaksional, radiandradi
Marrë nga muri i Fb i Artan Gjyzel Hasani, 15 tetor 2018
 
Info rreth Mika Yamamotos mund te gjeni ne linkun e mëposhtem të Wikipedias:

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.