Një Ambasadë e Zulluve në Paris – nga Faik Konica – fragment

0
19
Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Një Ambasadë e Zulluve në Paris

nga Faik Konica – fragment

Fjalët e Plugut ishin këto:
Maesta!
Il popolo dello Zulaland, ammiratore sincerissimo dell’energia, della capacita, dello spirito d’indipendenza dell’Abissinia, chiede il permesso di porgere a Vostra Maesta, il fiero campione della liberta africana, i suoi umilissimi saluti e l’assicurazione d’una devozione illimitata.

(Madhëri!
Populli i Zululandit, admirues i çiltër i energjisë, i aftësisë, i shpirtit të pavarësisë të Abisinisë, kërkon leje t’i drejtojë Madhërisë Tuaj, kampioni krenar i lirisë afrikane, përshëndetjet e tij më të përvuajtura dhe sigurimet e devotshmërisë së pakufishme.)

Teksti i Zgjebos ish ky:
Sacramento Re!
La popolo del Zululand amaro molto molto Abisinia e popola nero tuto fratelo, e mi credo arivare tempa fare uniono tute popoli africana, e te, Sacramento Re, esere nostromo e capofachino a tuti noi per tracidare bianco e Africa libera, e cosi noi dire bongiorno e baciare tuo gambe, Sacramento Re.
(I Shenjti Mbret!
Populli i Zululanditi hidhëruar shumë shumë Abisinia, dhe njerëzit zi qenë gjithë vëllezër, e mendoj erdhi koha bëri bashkim gjithë popuj afrikanë dhe ti, I shenjti Mbret, bëju pris e mësues për gjithë ne për të bardhët e Afrika lirë e kështu ne themi mirëdita e puth këmbët tua, I shenjti Mbret.)

Faik Konica - Katër përralla nga Zululandi
Faik Konica – Katër përralla nga Zululandi

Kur u këndua karta e Plugut, një heshtje prej akulli mbretëroj mi turmë. Po kartën e Zgjebos e pritnë me bërtima dhe brohori. Prapë nisnë vallet dhe pesëdhjetë tepsi u rrahnë nga pesëdhjetë çekanë. Ha-ha-ha! bërtisjin ca. Hu-hu-hu! Ulërijn të tjerë. Kur u qetësua pak manifestata, Plugu, i shtyrë nga një pakicë miqsh besnikë po të trembur, u ngrit të japë një fjale:
“Zotërinj! (se pa dyshim, jeni zotërinj, xhentlemen në kuptimin e fjalës), karta që më shtërnguat të bëj italisht, në një gjuhë që ju thashë se s’jam i zoti ta përdor mirë, nuk është e shkruar bukur; është e mëngjër, si e shkruar shtrembër, jo me lehtësinë e dorës së djathtë; po megjithatë, lajthime s’ka, dhe mund të këndohet pa qeshur. Letra që ka shkruar z. Zgjebo është fare qesharake, dhe do të na çnderojë edhe në sy të abisinasve, ndonëse edhe ata janë negër si ne.
-Teksti i z. Zgjebo ju pëlqeu. Po thomëni, ju lutem, sa prej jush dine italisht? Dhe nga ata që mund të dinë pak, kush është i zoti të zgjedhë cili tekst është më i miri?
-Më vjen shumë keq ta them: po në çdo punë që bëni, në çdo masë që merrni, në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja, shoh shenjën e një barbarie të thellë. Më tepër plakem, dhe më tepër më hyjnë dyshime në do të qytetërohemi dot nonjë ditë. Kam frikë se jeni të mbyllur në një qark veskeq, nga i cili s’dilni dot, dhe është ky: Doni indipendencën që të mundni të mbeteni zullunj; po duhet të mos mbeteni zullunj në daçi të fitoni indipendencen.
Ka dhe një tjatër pikëpamje…
Këtu turma u egërsua. “Hiq-e-fjalën pikëpamje!” britnë disa zëra. “Ki turp!” thirrnin të tjerët. Ca miq iu afruan, dhe i thanë në vesh: “Na prishe punë. Pse përdore një fjalë të poshtër? Kërko ndjesë, dhe vazhdo fjalën.” Po turma sa vente dhe po egërsohej. “Ejani ta vrasim tradhëtorin!” ulërijtin një shumicë. Dhe nxuarnë pallat, dhe nisnë vallen luftare, të kërrusur, dhe duke imituar misërokun e egër.
Plugu, pa humbur kohë, kish bërë planet e tij. Një të hedhur, një të rrëmbyer të dy perënditë prej borige dhe prej dushku, një të ikur: dhe aq shpejt, sa zullutë e dehur nga marrëzia e panë tepër vonë që ta zijin. Të gjithë, menjëherë, u sulnë nga pas: dhe një rendje e çuditshme, një maratonë në mes një njeriu dhe gjashtëmijë njerëzve, nisi nëpër fushat dhe brigjet e Zullulandit. Orë dhe orë, ky gjah tragjik vazhdoi pa mëshirë. Plugu, sado që ish i penguar nga të dy kërcunjtë e vegjël të Palestinës që mbante nën sqetull, përparonte; po dhe turma e zulluve, e tërbuar nga fanatizma, nuk mbetej pas. Më në fund iu afrua një lumi, dhe këtu maratona u ndez më tepër, se ish afër mendsh që plani i Plugut që të arrinte i pari në urë. Vrapojin të gjithë si të marrë ngjat lumit, i cili ish i thellë dhe i rreptë, dhe s’ish punë të kapërcehej me not. Fanatikët hidheshin si leopardë dhe tigra, – kur namëta! U duk ura për së largu. Plugu hodhi menjëherë nga pas perëndinë prej dushku; dhe siç kishte bërë hesap, një minutë më vonë që të gjashtëmijë zullutë qëndruan që ta mbledhin, të shohin se mos qe plagosur, dhe t’i bëjnë një lutje të shkurtër. Plugu shkeli në urë, dhe menjëherë vërviti pas Perëndinë prej borige. Kapërceu më anë tjatër; dhe me forcët e tij të shumësuara nga rreziku, “urën”, e cila s’ish veç se një shelg vigan, i shtënë pa gdhendur, anë e mba’në e luajti dhe e hodhi në lumë, ujërat e të cilit e muarnë me shpejtim tatëpjetë. Dhe pa humbur kohë, Plugu nisi të rendë nga ana tjatër e lumit, se një mal që ngrihej drejt posi një mur prej shkëmbi, e shtërngonte që të vazhdojë ngjat zallit. Turma, e habitur dhe e dëshpëruar, humbi përsëri pak kohë me perëndinë e dytë; pastaj nisi prapë maratonën, me qëllimin që të arrinte në një va më sipër, dhe atje të kapërcente lumin. Marathona tani, në vend që të ish në një vijë, ish në dy vijë paralele, me lumin në mes. Po turma s’ish më aq e tërbuar: se të dy perënditë i gjeti të thyer shumë pakë, vetëm në kokë, vend i cili në Zulluland s’ka nonjë rëndësi; po në vithe e në bark, që për zullutë janë vendet më fisnike të trupit. Perënditë nuk ishin plagosur aspak: dhe turma këtë e mori si një shenjë që perënditë nuk ishin zemëruar kundër Plugut. Ashtu zullutë ishin pak si më të zbutur, po prapë maratona vente përpara. Plugu, i lehtësuar nga kërcunjtë, e ndiente veten e tij më të fortë; dhe ca për të qeshur, ca për të tallur, ca për të ritmuar çapin e tij, nisi të hedhë në erë, me zë të plotë, një vjershë në stil të pëlqyer të Zullulandit:

Ajo vajëzë e huaj
Që u lind pas nëntë muaj
Sikur t’ish lindur pas shtatë
Ndofta s’do t’ish aq’ e gjatë:
Sikur t’ish lindur pas tetë
Mund që s’ish në këtë jetë:
E ëma e kish dështuar,
Dhe prifti e kish mbuluar!
Papo meqë ësht’e gjallë,
Pa dyshim në varr s’e kallë.
E marta kur u mbarua,
E mërkura u fillua.
Ti njeri, do robërinë?
Ahere s’dashke lirinë.
Jo po deshe ligësinë,
Nuk e dashke mirësinë.
Dy e dy na bëjnë katër,
Druri digjet mu në vatër.
Misëri rritet në arë,
S’mbin gjësendi kur s’ka farë.

Një breshër dorëtrokitjesh nga zalli tjatër, i provoi Plugut që “vjershat” e bukura kishin qenë edhe dëgjuar edhe pëlqyer nga zullutë. Mbyti një të qeshur në grykë, dhe vazhdoi kështu:

O njeri, të qofsha falë,
S’është gjarpër, është ngjalë.
Kafsha që ka katër këmbë
Pa dyshim s’ka dy pëllëmbë.
Ç’është m’e bukur në jetë:
Thikë, plumb, apo shigjetë?
Ç’gjë m’e paqme, o tru plaku:
Djersët, morrat, apo gjaku?
Ahere kur bën të ngrohtë
Trupi nuk ndjen të ftohtë.
Këmb’e bufit është thyer,
Kukuvajka ka lëngjyer.
Sillni darën, shpejt, o trima!
Shkula gozhdën, mbeti vrima.
A do qumësht apo dhallë?
Gomarica vjen vërdallë.
Roft’e qoftë Zullulandi!

Dhe meqë s’gjente shpejt një vjershë që t’ujdiste, shtoi pa humbur kohë:

Bandi, dandi, kandi, randi!

Nata tani kish nisur të zbresë përmi tokë. Një qetësi e plotë mbulonte erën e kulluar. Kur u mbarua vjersha, plasi një entuziazmë pa kufi në mes të zulluve. Kishin arritur në va, po në vend që ta kapërcejnë, nisnë të heqin një valle ritmike, duke përpjekur duart e duke kënduar me një zë vjershat e perëndishme:

Gomarica vjen vërdallë:
A do qumësht apo dhallë?
Bandi, dandi, kandi, randi,
Roft’e qoftë Zullulandi!

Ah, vjershëtor! (britnë njëqind zëra), pse s’na the më parë vjersha aq të mira? Pse na mundoje me gjëra që s’na pëlqejnë? Eja, kthehu, mos ik, të gjitha janë të falura e të ndjera: Vetëm të na bësh dhe të tjera vjersha të mbaruara si këtë që dëgjuam, dhe do të të nderojmë masë. Ku ta dijim ne se qenkeshe një vjershëtor aq i madh? Faj s’të kemi, Plug, ke faj ti që na shfaqe vetëm ligësinë tënde, dhe mbajte të fshehura madhësitë që të falnë Boriga dhe Dushku. Eja, se tani të kuptojmë dhe të duam!

.

Related Images:

Artikulli paraprakCikel me Poezi – nga Altin Meçja
Artikulli tjetërTotò… Antonio de Curtis Gagliardi Griffo Focas “Princi i së Qeshurës – Il Principe della risata” (7 Nëntor 1898 – 15 Prill 1967)
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.