Nga Bota Lirike e Poetit Piro Kuqi

0
18
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)
Poeti Piro Kuqi (1942-2006)

Sot  iku një njeri. Iku një poet…

nga Thoma Note

Requiem për Poetin Piro Kuqi

Ndoshta vepra e tij nuk është tepër voluminoze. Megjithatë, ata që kanë në duar dy vëllimet me poezi të tij, “Botë e panjohur” dhe “Blatimi”, sigurisht i kanë radhitur ato te librat e zgjedhur apo ndoshta i mbajnë te koka e shtratit, duke pasur tek ato një shok me të cilin ndajnë brengat e shpirtit. Edhe fëmijët i lexojnë me ëndje poezitë që ai ka shkruar për ta në disa vëllime të ndryshme. Ndërsa kalvarin e burgut politik, apo persekutimin shumëvjeçar të mosbotimit të veprës së tij nuk e gjen gjëkundi. Ai nuk është veçse një ind i brendshëm që përshkon gjithë poezinë e tij.
Disa vlerësime të pakta, aty këtu në shtypin periodik. Asnjë çmim, asnjë shpërblim për punën e tij një jetë të tërë në lëmin e poezisë, përveç ndonjë honorari të mjerë, që megjithatë e bënte të lumtur. Dhe këtë lumturi ai e ndante me shokët. Krijuesit i mbetej vetëm “Lavdia”. Piro Kuqi nuk u radhit kurrë në ndonjë parti. Partia e tij ishte biblioteka ku i kishte miqtë e shumtë. Po! Mund të themi me plot gojën se Piro Kuqi ishte poet. Poet i dhimbjes njerëzore, të cilën e shprehu me lirizëm dhe humanizëm të thellë. Lirizmi i tij nuk ishte i shtirur. Ai buronte nga dashuria për jetën dhe rridhte lirshëm, natyrshëm, siç rrjedhin uji, flladi i pranverës, siç bien rrezet e diellit, të gjitha elementë të poezisë së tij.

Përse kam ardhur unë në botë,
Përse, pra nesër unë do vdes?
Përse kam derdhur kaq lotë,
Përse kam pasur ndonjë shpres’?

Përse askush nuk mund të thotë,
Përse askush s’mund të përgjigjet,
Përse kam ardhur unë në botë,
Pse zemra në vetmi të digjet?!

Me sa duket, Piro Kuqi e parandiente se kohën e kishte të kufizuar, prandaj shëtiste dhe i gëzohej, sa qytetit edhe natyrës, gjatë gjithë ditës dhe shpesh edhe në orët e vona të natës, duke diskutuar me ndonjë mik gjithmonë për letërsinë. Dhe ja, Piro Kuqi u largua, i dënuar nga sistemi diktatorial “sepse i këndoi së bukurës” sikurse u shpreh shoku i tij i vuajtjeve dhe krijimtarisë, Bedri Myftari, në fjalën e lamtumirës, duke lënë prapa mirësi e fisnikëri.
27 dhjetor 2006 Përgatitur nga Thoma Note

Piro Kuqi ne vetmine e tij...
Piro Kuqi ne vetmine e tij…

Nga Bota Lirike e Poetit Piro Kuqi

.

Për ty

(poezi nga vëllimi “Botë e panjohur”)

Në këtë natë, nuk kam gjumë,
Vetëm për ty unë mendoj,
Përse të dua kaqe shumë,
Përse kaq shumë të dashuroj?
Për buzët, faqet, sytë e zes,
Për ty unë rroj, për ty unë vdes!

Mbase s’ke bukuri të rrallë,
Po ke një nur, që s’e ka kush,
Për ty më përvëlon një mall,
Për ty më përvëlon një prush!
Por nuk e di, kush mund ta thotë,
A ka si ty, tjetër në botë?

Oh, nuk kam gjumë në këtë natë,
Oh, natën vallë si ta kaloj?
Pa ty, më duket shumë e gjatë,
Përse kaq shumë të dashuroj?
Po kam dhe frikë, po kam dhe shpres’!
Për ty unë rroj, për ty unë vdes!

Mushka (Variant)

Ndaloi mushka në mes t’urës,
Nguli këmbët në një vend,
E, për shkak të katrahurës
Në gjith’ botën u përmend.

Nga ndalim’i qarkullimit
Ura nisi të lëkundej,
Mushka skllave e vendimit,
Milimetër vendit s’tundej.

Fytyr’ e saj mes katrahurës,
Në ekrane e në fletushka…
Karakoll në mes të urës,
Sa krenare rrinte mushka!

Piro Kuqi në strehën e Mjerimit
Piro Kuqi në strehën e tij Mjerimit

Peisazh pranvere

Ja, po koten një grup vajzash –
Nën diell, buzë lumit,
Disa ulur, disa shtrirë –
Të gjitha në prag të gjumit.

Ah, sikur të isha rreze,
Të lodroja nëpër fushë
Dhe pastaj ato t’i puthja
Nëpër faqe, nëpër gushë!

Ja po fryn një fllad pranvere
Mbi buzëqeshjet plot me hire;
Ah, të isha fllad i lehtë
T’i flladitja nëpër gjire!

E ta ndjeja gjinë e bardhë
Të më fryhej në pëllëmbë!
Por nuk jam as fllad, as rreze,
Ndaj diçka ndjej të më dhembë!

Sonte

Sonte nuk më le të qetë,
Sonte nuk më le të fle,
Një copë letër a një fletë,
Fërmon pas dere, po përse?

E davariti atë era
Dhe rrugëve e lagu shiu;
dhe vjen ajo, troket te dera,
troket te dera, te njeriu.

Oh, ik moj fletë nëpër natë,
Të lutem mos trokit te dera,
Se dimri ishte kaq i gjatë,
Sa frikë kam dhe nga pranvera!

Mendoja…

Mendoja, kur isha i ri,
Se krejt e imja qe bota,
Se frynte veç fllad e puhi,
Jo erëra të forta, si shqota.

Dhe gazi lodronte te buza,
Me gazin vinte dhe muza!

Mendoja, kur isha i ri,
Se njerëzit janë gjithë të mirë,
Se s’kanë urrejtje, as zili,
Ndaj kisha dhe unë dëshirë,

Të isha kudo i sinqertë,
Si pemët me ngjyrë të blertë.

Mendoja, kur isha i ri,
Se krejt të pastra janë femrat,
Të lindurat për dashuri,
Që ndezin zjarrin në zemrat;

Të zgjojnë ëndrra, dëshira,
O, femra të brishta, të dlira!

Mendoja, mendoja, po vitet,
Që erdhën më pas-gijotinë,
Mendimet-koka të prera;
U ndava kështu me rininë!

Si kokë e prerë, rinia,
Rrokulliset në kujtimet e mia!

Më ikën vitet

Më ikën vitet gazmendplot,
Si nëpër pyll rend një drenushë,
Si mëzi hingëllin e lot
Nëpër korie, nëpër fushë,
Më ikën vitet, po ku vallë,
Gjithçka që shkoi, mos qe përrallë?

Më iku mosha më e flirtë,
Më iku koha më e bukur!
I ndjeva unë ato në shpirt,
Si ndjen dhe luleja një flutur.
U tretën ngjyrat e ylberta,
Unë kërrusem erërave të serta!

Portret gruaje
Perse s’u njohem ne te dy…?

Gjithë jetën…

Gjithë jetën un’ të kam kërkuar,
Por nuk të gjeta unë ty,
Dhe pyes veten i menduar,
Përse s’u njohëm ne të dy?

Një ditë vdekja do më marri,
Se ikën koha, le të ikë!
Jo, nuk kam frikë unë nga varri,
Porse nga jeta paskam frikë!

Ashtu si të kam ëndërruar,
Përse në jetë nuk të njoha?
Dhe mbeta unë i vetmuar.
Dhe ikën koha, ikën koha…

Bushtra

Një bushtër me barkun e fryrë,
Rrugëve sillet më nge;
Një brengë e vrenjt në fytyrë,
Një brengë që dot nuk e fsheh.

Dhe njerëzit kudo e përzënë,
Bushtrën me barkun e fryrë,
Një çast të qetë s’e lenë;
Largohu, bushtër e ndyrë!

Fëmijët e gjuajnë me gurë,
Përse, e gjuajnë, përse?
Me barkun e fryrë, e sëmurë,
Bushtra, rrugëve leh!

Në zabel

Këta tinguj melodie, si stërkalat e burimit,
Oh, sa herë m’i kanë falur flatrat e frymëzimit!
Shpirti im i thith i etur dhe si lule shpirti çel,
Si dhe buza e zhuritur te burimi në zabel.
Edhe mu në cep të buzës shndrin stërkala e burimit
Dhe rrëshqet ashtu ngadalë mu në fund të frymëzimit.
Edhe flatrat përpëliten dhe më fort, edhe më fort,
Mbi një fushë, ku një vajzë, po mbledh lule në një shportë.
Ata krahë aq të hajthëm, ato lule aq të njoma,
Edhe unë, në marramendje, nga aroma, nga aroma.
Shpirti im i thith tingujt dhe si lule shpirti çel,
Mblidhi vajzë këto lule, edhe prehu në zabel!

Më kujton një tjetër

O, ky mal i lartë,
që më ka flladitur,
Më kujton një tjetër,
që nuk e kam ngjitur;

Ky zabel i dendur,
plot me bar të njomë,
Më kujton një tjetër,
ku s’thitha aromë;

O, ky qiell me yje,
që ndrin këtë tokë,
Më kujton një tjetër,
që mu err mbi kokë!

Ky lumë i begatë,
me rrjedhë të shpejt,
Më kujton një tjetër,
që shteroi krejt.

Kjo femër që njoha,
tani që jam burrë,
Më kujton një tjetër,
që s’e njoha kurrë!

Zajet 3 - Pashk Pervathi
Vetmi – Pashk Pervathi

Moj e njoma

Ti më ngjan me një petale,
Kaq e brishtë e kaq e njomë,
Unë afrohem dalngadale,
Ta thëthij atë aromë.

U përkule si një lule,
Tunde flokët kaçurrela,
Pranë meje kur u ule,
I mahnitur unë ngela!

Asgjë tjetër nuk mbaj mend,
Se u deha nga aroma,
Nuk mbaj mend as kohë, as vend,
Moj e vogla, moj e njoma!

Një vajze

Si vallë ndrojtjen ta mund,
Pse gjuha më lidhet kështu?
Kush vallë, kështu më lëkund,
Mos sytë e kaltër të tu?

Sa herë ne jemi parë
Në horizontin blu,
Mbi mua i derdh ujvarë,
Ti, sytë e kaltër të tu!

Mendime

Veç frymëmarrjes time
Nuk ndihet asgjë tjetër,
Në botën kaq të re,
Në botën kaq të vjetër;
Kur duhet që të fle,
Buisin plot mendime.

Mendime për ç’ka ikën,
Po edhe për ç’ka vjen,
Si jeta me ne tallet,
Si fati na gënjen;
Me ne kush përrallet,
Për kohrat që u fikën?

Herë, herë ikën larg,
Herë, shumë afër vjen;
Na ngulet dhe si thikë,
Po fryn dhe si refren;
Më shumë na kallin frikë
Mendimet varg e varg…
http://albania.bestgoo.com

Related Images:

Artikulli paraprakFaik Konica (1875-1942) – Lutje
Artikulli tjetër“…Duke i kujtuar, më dridhet zemra” – Neriman Hoxha – Fragment
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.