back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Nexhmije Pagarusha – Legjenda e gjallë e Këngës Shqiptare

Gazeta

Nexhmije Pagarusha - Bilbili i Kosovës
Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës 

Nexhmije Pagarusha –

Legjenda e gjallë e Këngës Shqiptare

Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë. Babai i Nexhmijes Veseli, mësues, – siç thotë Nexhmija, – është më meritori që nuk e la këtë yll të shuhet, po na e dhuroi të gjithëve deri në shkallë krenarie.
Dikush e quajti Bilbili i Kosovës, dikush Mbretëresha e Këngës Shqipe, dikush tjetër Primadona e Melosit Popullor, Ema Sumak Shqiptare, Madam Baterflaj, Fyti i Kristaltë, e të tjera, e të tjera.
Të gjitha këto epitete janë bërë sinonim për emrin e Nexhmije Pagarushës dhe mbase të gjithë kanë të drejtë sepse të gjithë gjejnë diçka të veçantë në zërin e saj magjik. Nuk pretendojmë t’i themi të gjitha në një intervistë, me hapësirë të kufizuar, kur bëhet fjalë për një kolos siç është Nexhmija. Rëndësia dhe vlera e veprës së Nexhmijes është çmuar e vlerësuar nga kompetentët dhe njohësit e artit dhe kjo siç e dimë është bërë në superlativ.
Nexhmija dhe kënga ishin një, këtu mbase e ka shpjegimin fakti se ajo as që ka mbajtur ndonjë evidencë për koncertet as për këngët e kënduara.
Opusi i këngëve të Nexhmijes ishte shumë i gjerë dhe ajo ka shkëlqyer në të gjitha zhanret. Shumë artdashës edhe sot e kujtojnë një koncert të Nexhmijes me ariet operistike të Bethovenit, të Puçinit, Verdit… të përkthyera shqip. Është për të ardhur keq që ky koncert nuk është regjistruar. Majat më të larta Nexhmija i arriti me “Bareshën”, kështu mendojmë ne, ndërsa ajo mendon ndryshe.
Nexhmije Pagarusha, me sukses e provoi veten edhe si aktore filmi e teatri. “Dasma e përgjakur”; “Tre vetë kapërcejnë malin” ; ”E kafshoja terrin” ; ”Lepuri me pesë këmbë” ; ”Fluturimi i Micakut” ; ”Daullet e të çmendurve”, ”Rexha i nënës në grazhd të kalit”, etj., etj., janë disa nga projektet ku ajo interpretoi rolet kryesore.
Në jetën artistike Nexhmija mori shumë çmime të cilat ajo nuk mund t’i veçojë. Ne po e veçojmë çmimin – titullin “Këngëtare e Shekullit “ e këtë e meriton padyshim. Nexhmije Pagarusha vulosi me emrin e saj shekullin e XX-të.

Nexhmije Pagarusha - Primadona e Melosit Popullor
Nexhmije Pagarusha – Primadona e Melosit Popullor

Pak rreshta për Pagarushën… 

nga Jozef Radi

Ideja e kësaj faqeje në nderim të Artistes Nexhmije Pagarusha është e hershme… po ajo që u bë edhe nxitëse qe shkëmbimi i mendimeve me miken time “ende të panjoftun”, nji tjetër Nexhmije: Nexhi Islami, me të cilën kemi biseduar gjatë për adhurimin e përbashkët ndaj kësaj artisteje të rrallë e aq të dashur për të gjithë ne, edhe sot e kësaj dite…
Nexhi, kishte mjaft kujtime për raportin e saj me Artisten, por u rezervua, sepse këmbnguli se çka mund të thoshte ajo ishte tejet modeste, mbasi për Nexhmije Pagarushën “…kanë folë e kanë shkrue shumë ma të zotë, e shumë ma profesionista se ajo…!” E megjithatë ajo qe e gatshme të sjellë materiale fotografike e shkrime, me të cilat u nis dhe u plotësua kjo faqe… Gjë për të cilën unë e falenderoj shumë.
Gjithashtu mundem të shtoj se Pagarusha ka qenë gjithnji e pranishme edhe ndër ne, jo vetëm për cilësitë profesionale të interpretimit muzikor, po edhe për dendësinë e emocioneve me të cilat ajo futesh ndër shpirtra dhe gjurmët që ajo linte mbasi dëgjoje interpretimet e saj magjike. Mandej mund të shtoj se ajo bëhej edhe më e dashur e më familjare ndër ne me këngën e saj “Zambaku i Prizrenit”, e cila e emociononte aq shumë tim atë, se e çonte deri në kufijtë e përlotjes…!! Asokohe unë s’arrija ta konceptoja, se si mundej nji këngë të emociononte deri në përlotje nji burrë të fortë si Ai… dhe vetëm kohë ma vonë arrita ta besoj… Nexhmije Pagarusha e kishte dhe ende e ka kët pushtet!
Nexhmije Pagarusha mbetet nji zë i rrallë e i papërsëritshëm i melosit shqiptar, nji amalgamë ngjyrash e tonalitetesh që i afrohet herë ylberit e herë ngjyrave të qendisura në kostumet tradicionale shqiptare… nji zë që ka krejt natyrën shqiptare prej ashpërsisë së maleve e luginave, deri te flladi i gjetheve e barit; nga aroma e luleve të bjeshkëve e deri te gurgullima e krojeve dhe ujvarave; nga timbri i ambel e ledhatuese te klithma e dhimbjes së madhe… Në zërin e saj lirika dhe epika shqiptare bëhen nji nyje e pazgjithshme… Ndaj duhet falenderuar Zoti dhe kjo Tokë e stërlashtë, që krijoi e na dhuroi nji artiste aq të lartë e aq fisnike si Nexhmije Pagarusha…
6 maj 2015

Nexhmije Pagarusha, Minire Fetahu, Shpresa Gashi, Nexhi Islami
Nexhmije Pagarusha, Minire Fetahu, Shpresa Gashi, Nexhi Islami

Këngës i dolën flatrat

poezi nga Din Mehmeti

(Nexhmije Pagarushës)

këndoi e këndoi
derisa u shndërrua në këngë

dashuria për jetë
ia mori zërin

këndoi e këndoi
derisa shkundi shkrumbin
e shpirtit të vet
derisa bulëzuan pranverat
në zemrat e njerëzve

këngës i dolën flatrat
ajo tash fluturon
mbi të gjitha fatkeqësitë

e vdekja s’ka ç’t’i bëjë…

Nexhmije Pagarusha – Biografia

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera .
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.
Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Aktualisht është këshilltare e lartë për muzikë në Radio Kosovë dhe në Radio Blue Sky.

Disa nga këngët e saj:

“Baresha”
”Ani mori nuse”
”Mora testin”
“Kur më shkon si zog n’hava”
“Kur më del në derë”
”Ke selvitë”
“E dehun jam”
“Ç’u ngrit lulja në mëngjes”
“Çil njat zemër plot kujtime”
“Dallëndyshe”
“Një lule”
“Zambaku i Prizrenit”

Interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrore

“Dasma e përgjakur”, (1967)
“Jugovizioni” (1973)
“Gëzuar viti i ri” (1976)
“E kafshoja terrin” (1977)
“I ikuri”. (1980)
“Tre vetë kapërcejnë malin” (1981)
“Lepuri me pesë këmbë”
“Fluturimi i Micakut”
“Daullet e të çmendurve”,
“Rexha i nënës në grazhd të kalit”
“Vrasësit bëjnë dasmë natën” (1997)
(Marrë nga Wikipedia)

Nexhmije Pagarusha - Mbretëresha e Këngës Shqipe
Nexhmije Pagarusha – Mbretëresha e Këngës Shqipe

Thanë për Nexhmije Pagarushën…

***
…Kosovën, të cilën duhet ta dish e ta ndjesh me tërë qenien…
Pse ai që njëherë e njeh, do të mbetet në zemër përherë, edhe natyrën e saj, edhe njerëzit e saj, edhe vallet, këngët e saj që mahnisin gjithkënd që i sheh edhe i dëgjon. Në këtë bukuri, në atë vrer edhe në këtë gazmend lindi dhe u rrit këngëtarja … Ajo që këndoi me gjuhën e shpirtit e të gjithë neve për fushat pjellore dhe malet tona flladitëse, pikëllimin e thellë për kurbetçinj që s’kthehen më, për dashurinë që askund si këtu, në këngën e saj, të çon peshë, të lartëson…
Sepse Nexhmija është kjo, moti thuhet: Bilbili i Kosovës, bilbili i këngës sonë.
(Fragment nga proza poetike e Esad Mekulit)

***
Nexhmije Pagarusha për së gjalli po i përjeton dy jetesa: atë derisa ishte në skenën e këngës dhe muzikës dhe atë pasur ndërprerjes së këndimit aktiv. Ajo i përjetoi dy kënaqësi që janë privilegj i ruajtur vetëm për njerëzit e mëdhenj. Sa këndonte e adhuruan! Kur pushoi së kënduari nuk e harruan!
Për dhjetë vitet e fundit ata që e çmuan ia kthyen publikut që gjeneratat që erdhën pasur jetës muzikore aktive të saj ta njohin më mirë një këngëtare që vështirë do të jetë të përsëritet në skenat shqiptare. Ajo duhet të jetë e gëzuar për këtë. E besojmë se vështirë do ta ketë dikush ta imitojë. Vështirë të përsëritet një cilësi zëri e dhunti muzikore që pati ajo. Edhe pse fjalët e fjalitë për te, mund të sillen në rreth e rrethi nuk shkëputet, fjalët gjenden sepse si duket për të do të ketë gjithmonë shumëçka të thuhet. Për një gjysmë shekulli ishin të kënaqur të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e dëgjuan, ata që patën miqësi me të dhe të lumtur janë ata që i takuan kohës së saj, kohës së shënuar me zërin e Nexhmije Pagarushës.
Prof. dr. Rexhep Munishi – etnomuzikolog

***
Nexhmijen e njoh më se gjysmë shekulli. Kam pasur fatin të punoj me të më se 40 vjet. E kemi quajt “Bilbili i Kosovës”, por ajo në të vërtetë ishte Kosova vetë!
I falënderohem zotit që kam punuar me të, se prej saj kam mësuar shumë.
Nexhmija është Nexhmije! Është këngëtare që lind veç një herë.
Kristë Lekaj-kompozitor

Fisnikja Nexhmije Pagarusha
Fisnikja Nexhmije Pagarusha

***
E kam njohur Nexhmije Pagarushën që herët kur erdhi për herë të parë në Shqipëri. Përpara se të vinte në Shqipëri unë kisha një rekomandim nga Zehra Mula, shoqja e saj që punonin bashkë dhe më thotë: është një zonjushë me emrin Nexhmije Pagarusha, e cila këndon shumë mirë dhe ka dëshirë që ta dëgjoni. Unë për kuriozitetin tim, pata fatin e madh dhe ajo erdhi në Shqipëri, ishte diku muaji maj. E prezantova para artistëve shqiptarë. Kur ata e dëgjuan këngën elbasanase “Të kam dashtë dhe të dua moj ije” dhe “O moj bukuroshe”, shpejt e shpejt krijuan një koncert apostafat për te, brendapërbrenda koncertit. Ai koncert la mbresë të jashtëzakonshme. La mbresë të jashtëzakonshme, jo vetëm pse këndoi mirë, po iu tregoi edhe atyre artistëve tanë shqiptarë, të Tiranës, të Shkodrës dhe të gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë, iu dha një mësim se si duhet të këndohet kënga popullore, si duhet të interpretohet kënga popullore, çfarë koloriti duhet të ketë kënga popullore. Unë ato ditë që e dëgjova mbeta i mahnitur dhe u dashurova me të kënduarin e saj, në interpretimin e saj dhe me zërin e saj të mrekullueshëm i cili ishte jo vetëm një zë i rastit po ishte këngëtare e cila e kishte mbaru atë shkollë dhe kishte ruajt traditën kryesore. Ne jemi borxhli ndaj saj, këto fjalët e mia janë fukarallëk, është e vështirë të gjenden fjalë për të. Ajo mbetet një ndër këngëtaret më të mira më të shkëlqyeshme të mbarë Shqipërisë jo vetëm të Kosovës.
Avni Mula – kompozitor

***
Kam hequr shumë, jam munduar shumë për ta bindur për të ardhur në Shqipëri për të kënduar pas një kohe shumë të gjatë, për të ardhur edhe si presidente jurie e Festivalit “Kënga Magjike” dhe më në fund u lumturova kur ajo pranoi dhe është një ndër kujtimet më të bukura të jetës time dueti që kam kënduar me Nexhmijen. Po të mos jesh njeri i madh nuk mund të jesh artiste e madhe. Ka shumë artistë nëpër botë, por ka shumë pak artistë nëpër botë. Them se janë pak ata artistë që janë vërtet artistë dhe që e meritojnë këtë fjalë. Nuk është thjesht artiste e skenës, është artiste njeri, është artiste në shpirt. Në të gjitha kontaktet që kam pasur me të kam gjetur artisten me klas, artisten me elegancë, kam gjetur artisten fëmijë, kam gjetur artisten e përkëdhelur, lozonjare. Kam gjetur një njeri vërtet kompleks të cilën unë tashmë e adhuroj. Të gjithë ne shqiptarët duhet të jemi të lumtur që ekziston fenomeni Nexhmije Pagarusha.
Ardit Gjebrea – kantautor

***
Kur bëhet fjalë për Nexhmije Pagarushën është shumë vështirë të gjenden fjalë dhe të themi atë që duam të themi. Posaçërisht kur sot fjalët kanë filluar ta humbin kuptimin e vet, me që shumë artistë shumë këngëtarë, shumë prezantues prezantojnë vetveten dhe kolegët e tyre me fjalë shumë të mëdha pompoze siç janë: I madhi ky dhe e madhja ajo, i madhërishmi ky… Fjalët kuptim të njëmendët kanë vetëm atëherë kur flasim për Nexhmije Pagarushën.
Ajo ishte dhe do të mbetet Bilbili i Këngës Shqipe. Një bilbil që zoti ia dhuroi zërin më të bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Unë për veten time kur kam dëgjuar këngët e Nexhmijës, kam qenë fare i vogël dhe jam rritur me këngën e saj. Tani kur merrem me muzikë në mënyrë profesionale, kur kam mundësi që të analizoj punën dhe veprën e Nexhmijës, mrekullohem me aftësitë e saja interpretuese, me shpirtin e saj artistik. Kam pasur kënaqësinë dhe nderin para 15 vjetësh të kompozoj një këngë. Ishte kjo një dhuratë e vogël të cilën unë kam mundë t’ia dhuroj Nexhmijes. Ka qenë kjo kënga “Nexhi” e kompozuar me tekst të Hivzi Krasniqit. Do të kalojnë edhe shumë vite e dekada që të lindë përsëri një këngëtare e kalibrit të Nexhmijes. Këngëtarët e kanë idol Nexhmijen dhe kënaqësia më e madhe për ta është kur dikush u thotë se “po kënduake si Nexhmija…” Kurse për ata që i japin vetes detyrë që të shkojnë rrugës së Nexhmijes do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë nivelin e saj. Kjo, sepse Nexhmija është e pazëvendësueshme.
Naim Krasniqi – kantautor

***
E kam thënë edhe disa herë përpara se Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Hysni Zela etj., kanë qenë shkollë e pashmangshme për këngëtarët e gjeneratës time. Është kënaqësi për mua dhe gjeneratat që vijnë që kanë pasur një udhërrëfyes, një zë të mrekullueshëm prej të cilit në çdo kohë dhe në çdo moment njeriu mund të mësojë gjithçka në rrugën artistike që do ta ndjekë më pasur. Unë kam mësuar shumë nga Nexhmije Pagarusha dhe kam çka të mësoj akoma.
Ilir Shaqiri – kantautor

***
Kosova e ka Mbretëreshën e saj të Këngës shqipe, e ajo është artistja dhe zonja e madhe Nexhmije Pagarusha e cila këtë e ka mbërri me zërin e saj të jashtëzakonshëm shumë të ngrohtë, të ndjeshëm dhe që ka bërë zemrat të dridhen kur është dëgjuar zëri i saj. Ajo ka ditur si t’i qaset publikut.
Sanije Matoshi – soprano

***
Nexhmije Pagarusha është institucioni ynë i lartë muzikor, akademia jonë e vetme muzikore, opera jonë e vetme e themeluar para 27 vjetësh, muzeu ynë i vetëm etnografik, monumenti ynë i vetëm folklorik – e megjithatë nuk ishte dhe nuk është nën mbrojtjen e shoqërisë si disa kisha e xhamia.
Na, tek e fundit, në mungesë të tempullit të kulturës, e kemi Nexhmijen, në mungesë të filharmonisë kemi Nexhmijen, në mungesë të galerisë e kemi Nexhmijen, në mungesë të… e kemi Nexhmijen. Por, shpesh, edhe në mungesë të Nexhmijes kemi dëshiruar ta kemi Nexhmijen. E, nuk bën! Nexhmija është një! Kjo, që prej ditës së sotme, do të vendoset në “Olimp”, kështu që juve do të ju ngelë vetëm zëri i saj nga disqet e gramafonit dhe shiritat e manjetofonit.
Ymer Shkreli, 1985

Nexhmije Pagarusha - Nderi i Kombit
Nexhmije Pagarusha – Nderi i Kombit

***
Është e vështirë të gjesh ndonjë njeri që mos të ketë dëgjuar emrin e Nexhmije Pagarushës dhe të mos ushqejë dashuri për të. Nexhmija është nga ato këngëtare që komponentin kohë asnjëherë nuk e shikoi si element bazë të krijimit, ajo përmes metaforës “arrestoi kohën”dhe përmes dritës artistike ndriçoi brendshëm visarin e pashtershëm tradicional. Në mënyrë spontane Nexhmija bën përpjekje “orfeane” për të mishëruar këngën e vet me traditën gjithë-shqiptare. Ajo gjithmonë do të mbetet artiste e madhe e pajisur me një kulturë të gjerë dhe vokal për t’u admiruar. Çdo interpretim i saj është lirikë me kadencë të qetë, që rrëfen përjetësimin artistik, që rrjedh pa pushuar nga burimi i vet…”.
Lutfi Turkeshi

***
Nexhmijen, Bilbilin e Kosovës, e njoh që i ri përmes këngës së saj të bukur. Jam shoqëruar gjatë me të. E angazhova në filmin “Tre vetë kapërcejnë malin”, në një rol episodik, kam qenë shumë i kënaqur me interpretimin e saj. Më vjen keq që nuk kam pasur më shumë role se ajo i ka merituar gjithsesi, ka pasur afinitet edhe për këtë fushë. Më vjen shumë mirë që iu kujtua dikujt të më pyes për të, se unë e kam shoqe, si të gjithë të tjerët që merren me art. Unë kam këtë bindje sepse është person që rrezaton mirësi, ngrohtësi të pa shpjegueshme, ndriçon një dritë që tërheq të gjithë rreth vetes, me një shpirt të pasur që krijon një atmosferë dhe sens të pabesueshëm të dashurisë, mirësisë me paraqitjen e saj në ekran ose mediat tjera e aq më tepër kur je drejtpërdrejtë me të dhe shkëmben shoqërinë me të. Jam i lumtur që kam pasur fatin të shoqërohem dhe të punoj me të.
Besim Sahatçiu – regjisor

 

Nexhmije Pagarusha - Madam Baterflaj
Nexhmije Pagarusha – Madam Baterflaj shqiptare

Nexhmije Pagarusha ka thënë:

***
“Falenderoj Zotin që i takoj këtij populli me një kulturë të lashtë, të madhe e të mirë. Unë me çfarë kam punuar, e ndjej veten si një pikë uji në oqeanin e të mëdhenjve…”

***
“E kam dashur shumë dhe kam përjetuar diçka shumë të madhe nga populli im, si në Kosovë, si në Shqipëri, si në diasporë… Kur kam filluar të këndoj kam qenë e vetme. Më parë tek ne ka pasur botëkuptime të tjera. Edhe atëherë ka pasur zëra të bukur. Tani kur po i shoh këta këngëtarë të rinj që janë shumë, them sikur të isha e re e të udhëtoja me ta. Dikur kam udhëtuar unë vetëm, me veshjen e bukur kombëtare dhe me këngën shumë artistike të kombit shqiptar…”.

***

“… Le të kthehemi pak mbrapa në histori dhe të mendojmë se sa e kemi dashur dhe e kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Tani kjo nuk ekziston më dhe mbetet brenga ime. Do Zoti ndryshojmë, ndoshta ndryshojmë edhe këtu, edhe atje. Dëshiroj që të jemi prapë ai populli që kemi vuajtur shumë po e kemi përballuar çdo lloj vështirësie…”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.