back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Neço (Nestor) Muko (H)marjoti – Korifeu Lirik, Protagonisti i Këngës Himariote nga Pirro Fotiadhi

Gazeta

Neço Muka (H)Marioti (1899 -1934)
Neço Muka (H)Marioti (1899 -1934)
120 Vjetori i Ditëlindjes së Neço (Nestor) Mukos
një jete të ngjizur me tinguj dhe nota brilante,
që rrezatojnë ndër shekuj.
Artist i madh shqiptar
promovues i polifonisë shqiptare në Francë dhe në botë

Neço (Nestor) Muko (H)marjoti –

Korifeu Lirik, Protagonisti i Këngës Himariote

nga Pirro Fotiadhi

Kënga Polifonike Himariote, një këngë mbresëlënëse në përmasat dhe hapësirat e ekzistencës së saj. Korifeu lirik, Neço (Nestor) Muko përbën në thelb, një rast krejt të veçantë, një simbol Protagonist në Këngën brilante polifonike himariote, duke krijuar këngë të jashtëzakonshme, ku dëshmon me një mënyrë mjeshtërore brengat dhe gëzimet, ngazëllimet dhe dhimbjet e jetës së njerëzve të thjeshtë të dashurisë së tij pasionante, Himarës, krijime autentike që mishërojnë ngërçet dhe tallazet e botës së brendshme shpirtërore,si rrëfime të zemrave të njerëzve krejt të zakonshëm.
Neço (Nestor) Muko, virtuozi bohem, si një artist me shkëlqim, me dhuntitë dhe talentin e tij, si një Kalorës Bilbil sqimatar, me një mjeshtëri mahnitëse, “predikoi” përmes shpirtit të tij, me bukurinë magjike të melodive dhe këngës polifonike.
Neço (Nestor) Muko si një fisnik legjendar kulmor i majave të larta të këngës polifonike himariote, bartës i një zëri të këndshëm plot shkëlqim, një zëri të përjetshëm e krejt të papërsëritshëm, brenda një periudhe të shkurtër kohore, guxoi dhe realizoi një karrierë madhore e tejet të trazuar. Por që fatkeqësisht, u shua në një moshë të re duke u larguar shumë herët prej Himarës dhe këngëve të tija thesar.
Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti, erdhi në jetë si sot shumë mote më parë,në Himarë më 21 tetor 1899, në një familje të thjeshtë por me tradita. Bëhet fjalë për një periudhë historike ku edhe në trevën e Himarës sundonte varfëria e tejskajshme, e për rrjedhojë shumica dërrmuese e popullsisë jetonte nën trysninë e analfabetizmit të plotë. Vitet e para të fëmijërisë dhe startin e shkollimit fillestar e realizon në Himarë, mandej shkëputet së bashku me familjen duke u zhvendosur në Greqi, e më konkretisht fare pranë Portit të Pireut, në lagjen e Faliros ku vijoi rregullisht proceset e shkollimit të tij, ku ndiqte mësimet pranë një shkolle ku përgatiteshin mekanikë për trenat. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore më 28 Korrik 1914, e imponon të ndërpresë shkollimin dhe të rikthehet në Himarë, ku angazhohet si nëpunës në administratën e Nënprefekturës së Himarës. Pikërisht në këtë periudhë startojnë sprovat fillestare të shkëndijave rrezatuese të shfaqjes së gjurmëve të talentit të tij në fushën e muzikës popullore e saktësisht në këngën polifonike, ku bota artistike e Neço (Nestor) Mukos, tanimë shpaloset dhe shfaqet edhe si autor i tekstit, por edhe si kompozitor, duke krijuar grupin polifonik të këngës himariote, me marrësin e jashtëzakonshëm emocional Koço Çakalli, dhe si kthyes Andrea Bala dhe duke evidentuar dhe promovuar një element krejt të ri për kohën, duke pasur si hedhës Pano Kokaveshi e duke evidentuar një stil novator dhe një mënyrë të re në mënyrën e të kënduarit të polifonisë autentike himariote.
Përfundimi i kësaj Lufte, i krijon mundësitë Neço (Nestor) Mukos, tek i cili gëlonte dëshira dhe pasioni për dijet, që të rikthehet në Pire, ku vijon duke punuar paralelisht për të mundësuar përballimin e shpenzimeve financiare, e përfunduar me sukses, ciklin e mësimeve të ndërprera. Njëherazi të ndodhej në kontakte të afërta me artin dhe kulturën helene, me thesarin e këngëve greke, prej të cilave motivohet dhe ravijëzon hapat e para në krijimet e tij individuale, duke shpalosur me nje stil krejt te veçante gjithçka të ngjizur në shpirtin e tij, dhe interpretuar këngë si në gjuhën shqipe, po ashtu edhe në atë greke, një margaritar me rëndësi madhore vlerësuar në aspektin e konceptimit dhe origjinalitetit që ato rrezatojnë gjerësisht.
.
Personeli i Konviktit "Camëria" sëbashku me Neço Mukën
Personeli i Konviktit “Camëria” sëbashku me Neço Mukën
Përmasat e madhështisë dhe fantazisë krijuese të këngëve të Neço (Nestor) Mukos, kapërcejnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme kufijtë e Ballkanit dhe promovohen në Itali e mandej në Francë si një prej qendrat më kryesore të Evropës për arësimin dhe artet fillimisht në rajonin e Saint Etien-it e mandej kryesisht në atë të “La Ville Lumiere” – “Qyteti i dritës”, siç promovohej Parisi,i cili përjetonte zhvillimin e tij më të madh që nga fundi i “Belle Époque” ose Epokës së Bukur në vitin 1914. Duke u ndeshur dhe hulumtuar jetën kulturore artistike të kryeqytetit francez, që njihej tanimë edhe për komunitetet e tij kulturore dhe artistike dhe kryesisht për jetën tij të natës, jo rastësisht aty ishin grumbulluar e përqëndruar artistë dhe krijues nga e gjithë bota, duke përmendur kompozitorin azilant rus Stravinski, apo piktorët spanjollë Piccaso dhe Salvador Dali e deri tek shkrimtari amerikan Hemingway. Njëherazi në këto mjedise, ai njihet me figura të talentuara të artit shqiptar e jo vetëm atij, duke kontaktuar me personalitete artistike si Tefta Tashko, Dhimitër Rambo, Llambi Turtulli, Tulla Paleollogu, Kleo Georga, etj.
Fenomenali talent, zërralli brilant, bilbili himariot Neço (Nestor) Muko, bëhet nismëtar për krijimin e një grupi artistik, i cili brenda një periudhe të shkurtër kohore do të evidentohej dhe spikaste me interpretimin e magjishëm të këngëve himariote ashtu sikundër përpos tyre duke promovuar e ravijëzuar këngët e stilit qytetar. Si një artist i kompletuar me vizione dhe dëshira të shumta, Neço (Nestor) Muko përpos rolit të tij primar si violinist, ai shpalos talentin e tij krijues duke kompozuar këngë të tilla si “O moj Korçare…”, “Sarandjotja”, “Gjirokastritja” etj, duke u promovuar në rolin e protagonistit krijues të melodive të këngës së kultivuar qytetare.
Me atë origjinalitetin e zërit të tij kumbues e tepër melodioz, me sensin e stilin e frazimit me një bukuri të papërsëritshme të këngës, me impresionin rrezatues të syve dhe pranisë së tij, me talentin e tij origjinal, i pranishëm nëpër skena dhe studio, Neço (Nestor) Muko shndërrohet në një Gjigand dhe Kolos Legjendar si krijues dhe interpretues i këngëve polifonike himariote e atyre të ahengut qytetar, duke e bërë të njohur dhe me fame jo vetëm në Paris por edhe në vendlindjen e tij Himarë e thuajse gjithë Jugun e Shqipërisë.
.
Neço Muko dhe grupi iso polifonik
Neço Muko dhe grupi iso polifonik
Neço (Nestor) Muko si një qenie me shpirt të ndjeshëm dhe botë të trazuar, përpos sukseseve dhe shkëlqimit nuk ishin të pakta rastet që hidhërohej prej zhgënjimeve të fatit të një ikanaku në dhe të huaj. Kësisoj, ecejaket e tij teksa largohej prej metropoleve europiane rrezatues duke u kthyer në prehjen e tij shpirtërore, Himarë, e për t’u vendosur përkohësisht në qytetin e Sarandës, prej nga i cili tërhiqet prej Pireut ku rishtaz shkon dhe kthehet sërish në Sarandë ku inicion krijimin e një shoqërie muzikore-teatrale në vitin 1929, të emërtuar “Pif-Paf”, ku për një periudhe kohore ishte aktive edhe Tefta Tashko, ndonëse ende ishte nxënëse në Monpelje të Francës. Kjo shoqëri e nxitur prej pasioneve vizionare të krijuesit të saj, Neço (Nestor) Muko,u angazhua veçanërisht në nxitjen dhe gjallërimin e jetës kulturore-artistike si edhe në promovimin e talenteve të reja në gjininë e këngës dhe fushave të tjera të artit. Mbështetur në traditën popullore kombëtare, e cila shpalosi gjerësisht një repertor me përmbajtje këngë polifonike himariote, si edhe këngë të muzikës së lehtë, si krijime autentike të Neço Mukës dhe anëtarëve të tjerë të kësaj shoqërie.
Neço (Nestor) Muko si një artist i shkëlqyeshëm dhe i shquar, si një Kolos Gjigand i këngës polifonike himariote,duke siguruar sponsorizimin prej bashkëpatriotëve dhërmias të familjes Papa, që jetonin në Durrës, si një interpretues i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm, me origjinalitetin e zërit kreativ po aq edhe ekspresiv e plot ëmbëlsi, mundësoi rregjistrimin e 12 pllakave – disqe gramafoni të emërtuara “Pathe”, si arritje të jashtëzakonshme për kohën me krijime dhe këngë himariote magjike të interpretuara prej grupit të tij, ku përfshiheshin këngët brilante “Vajza e valëve”, “Hyri prilli u shkri bora”, “Moj Katina nina-nina”, “Doli hëna dritëegjënda”, “Ç’u nise për kurbet”, “Moj nëpërka pika-pika”, etj, krijime lirike si kryevepra të pashembullta e krejt të papërsëritshme, me nota dhe melodi të mahnitshme, si perla të vërteta të visareve të thesarit kulturor të vyer të trevës së Himarës. Madje krijimi lirik “Moj nëpërka pika-pika”, është pikënisja e pasionit të zjarrtë të dashurisë së tij, si përkushtim lapidar për këngëtaren Tefta Tashko.
.
Neço Muka dhe disqet e regjistruara ne France
Neço Muka dhe disqet e regjistruara ne France
Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti në rrugëtimin e tij të shkurtër jetësor, dëshmoi se kurrsesi nuk ishte një individ monoton krejt i rastësishëm, por një artist poliglot pasionant, një Kalorës zëbilbil tepër origjinal, në krijimet dhe këngët e të cilit spikaste dhe veçonte, identiteti, bukuria artistike, freskia, dinamizmi dhe romantizmi admirues. Jo rastësisht, falë madhështisë tij, falë origjinalitetit krijues, falë figuracionit artistik, falë vizioneve autentike, Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti mundi të Përjetësohet përmes këngëve të tij perla të mbushura me magji dhe hijeshi.
Legjenda virtuoze madhështore Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti, si një korife frymëzues e sugjestionues, si krijues, si talent, si zëmargaritar shpengues, si Protagonist lirik, përmes melodive origjinale dhe brilante të tija gdhendi dhe formatoi një thesar vlerash artistike, që paçka kohës dhe viteve që rrjedhin, ndonëse kapërceu përmasat shekullore, vijon me një magji krejt të veçantë të na frymëzojë, të na emocionojw, të na gëzoj e ndihemi krenar.
Falenderim dhe Mirënjohje të pakufishme ndër Mote për këtë Legjendë Kalorsiake Himariote siç ishte dhe mbetet Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti.
Himara dhe himariotët, sot lipset të Festonin me madhështi Përvjetorin e Ditëlindjes së një Personaliteti Korife, një biri himariot siç është Neço (Nestor) Muko (H)Marjoti.
Por fatkeqësisht Himara aktualisht, vuan nga mungesa e një Drejtuesi Vendor dinjitoz dhe kontributdhënës për gjithë trevën. Kësisoj, Himara sot përjeton shurdhmemecërinë e kaosit neveritës dhe vlerësimi dhe respekti ndaj personaliteteve dhe figurave të shquara Himariote, të jetë një dëshirë dhe ëndërr imagjinare hipotetike krejt e parealizueshme.
Athinë, 21.10.2019
.
Burime arkivore
Shih Wikipedia – Neço Muka
.
Marrë nga faja ne Fb Palasa dhe palasikotët, 22 tetor 2019
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.