back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Në përvjetorin e lindjes së Mbretit Zog I – rrëfim në dy kohë nga Tomor Cerova

Gazeta

Ahmet Zogu (1895-1961)
Ahmet Zogu (1895-1961)

Në përvjetorin e lindjes së Mbretit Zog I

rrëfim në dy kohë nga Tomor Cerova

Prof. Tomorr Cerova ishte i biri i Riza Cerovës (vrarë pas kryengritjes së oficerëve në vitin 1935, e njohur si Kryengritja e Fierit).
Ai kishte studjuar 8 vite në Moskë për ekonomi nafte. Ishte antar i PPSH dhe disa kohë kishte qënë Sekretari i parë i Rajonit 4 të PPSH, për Tiranën.
Prof. Cerova ishte një profesor praktik, trim dhe kishte kuptuar me kohë që sistemi nuk funksiononte siç predikohej dhe burokracia komuniste po e mbyste në çdo pore shoqërinë shqiptare.
Shpesh leksionet i lidhte me case-study reale që ai kishte kaluar gjatë eksperiencës së tij të gjatë profesionale dhe jetësore. Me pak fjalë ishte një profesor simpatik…
Për të treguar burokracinë e viteve ’80, një herë na rrëfeu një histori personale…
“Ishte mbrëmje… Po shikoja lajmet në TV kur bie zilja e telefonit: ‘Jam Sulo Gradeci!” – me thotë zëri nga ana tjetër e telefonit…
Kujtova se dikush po tallej me mua dhe iu përgjigja: ‘Kohë dhe emër për shaka paske gjetur!’
Sulua ishte skraparlli si unë, njiheshim por nuk kishim ndonjë miqësi të ngushtë.
Ai e kuptoi habinë time dhe vijoi ‘Mos u shqetëso, do të të vijë makina për 5 minuta. Ju kërkon shoku Ramiz!’
Pas 5 minutash erdhi vërtet makina dhe për disa minuta ishim tek Vila e Ramiz Alisë, në Bllok.
Pasi më përshëndeti miqësisht me shpjegoi për çfarë na kishte thirrur. E shoqja e Presidentit Alia kishte vdekur disa kohë më parë dhe ai po bënte një album me fotografitë e saj. Më pyeti për disa foto në Moskë ku përveç meje dhe znj. Semiramis ishin edhe disa shokë të tjerë. Qëllimi i pyetjes ishte nëse këta shokë vazhdonin të ishin korrektë me vijën e partisë.
I dhashë informacionin, për të cilin më falenderoi. Më pas më pyeti miqësisht për ndonjë nevojë personale apo familjare. Çfarë t’i kërkoja Presidentit…!
Po e hedh një gurë njëherë mendova… ‘Shoku Ramiz, nëna ime Ruzoja, i kaloi të tetëdhjetat, por nuk del dot nga shtëpia. Banojmë në katin e tretë në një pallat përballë Institutit të Kulturës Fizike.

Riza Cerova
Riza Cerova

A është e mundur ndonjë kat i parë në ndërtesat dykatëshe afër qendrës që kanë edhe pak oborr?!’
‘Patjetër! – më tha ai – Do të flas me shokët Pirro dhe Llambi!’
Sinqerisht u gëzova…
Pas tre javësh vajta në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, ku kisha disa miq dhe i tregova premtimin e numrit 1 të shtetit.
Ata buzëqeshën… Nuk kuptova gjë.
Vajta disa herë të tjera në Komitet, asnjë nuk takoja dot dhe përfundimisht iu gëzova apartamentit që kisha.
Paralelisht me këtë histori ju rrëfej një tjetër histori…!
Babanë tim, Riza Cerovën, e vranë forcat e Zogut, me 22 gusht 1935, pas shtypjes së Kryengritjes së Fierit.
Isha vetëm 5 vjeç… dhe mbeta jetim me nënën time.
Një vit me pas duhet të shkoja në shkollë…
Disa miq të babait u interesuan për mua dhe vajtën dhe takuan ministrin e Arsimit, z. Mirash Ivanaj… për të ndihmuar jetimin Tomor Riza Cerova…
Ai menjëherë dha urdhërin që të regjistrohesha në një shkollë me konvikt në Elbasan.
Por miqtë e babait i bënë edhe një kërkesë tjetër ministrit… Eshtë i vogël dhe javët e para do e shoqërojë nëna e tij. Por nuk kanë kokërr leku!
I menjëhershëm qe reagimi i ministrit human… Dha urdhër për paradhënie si dhe nxorri nga xhepi disa monedha për një dhuratë për mua.
Në mbrëmje arritëm në Elbasan, drejt në konvikt bashkë me nënën time… Të nesërmen fillova shkollën.
“Unë isha i biri i Riza Cerovës. Ata ishin njerëzit e Ahmet Zogut.
Ata më kishin vrarë babanë…!”
Marrë nga muri i Fb i Saimir Kadiut, 8 tetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.