back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

…në Mumajes, te rrënjët e të parëve… – nga Fatmira Allmuça

Gazeta

Mumajesi majë Kodre
Mumajesi majë Kodre

…në Mumajes, te rrënjët e të parëve…

nga Fatmira Allmuça

Një të shtunë, herët ra telefoni dhe një zë i njohur me kujtoi që mund të niseshim në orën 9.30. Isha me temperaturë dhe një zë i brendshëm më thoshte: “…Shko… do të ndihesh mirë…!” Ashtu bëra. Nuk jam supersticioze por i besoj “zërit të brendshëm”. Sapo mbrritëm në Baldushk, në “tregun e gjelit të detit” treg mëse i thjeshtë, me gardh të improvizuar, na telefonoi Lomi që na priste me makinën e tij. Sa e pashë ju drejtova: “Si e ke mbiemrin? Mos më thuaj që mban mbiemrin tim…!” Sapo u përgjigj qeshëm të gjithë… Nuk kishte dyshim që mbante mbiemrin tim… Në Baldushk dhe zonat përreth, ky është ndoshta mbiemri më i përhapur. Në fakt nuk lidhet me mbiemrin e familjes. Mbiemri i familjes është Mumajesi, dhe se të parët tanë, të paktën që nga gjyshi, janë gjendur në Tiranë shumë vite më parë se të shpallej Tirana kryeqytet në vitin 1920… Shumë vite para këtij viti kishin pronat e tyre në qytet dhe në fshat, ku janë edhe sot e kësaj dite…

Fatmira Allmuça me njerëzit e rrënjeve të saj
Fatmira Allmuça me njerëzit e rrënjeve të saj

Mbiemri është ndryshuar pas një dekreti që nxorri Mbreti Zog, që nuk lejohej që familjet të mbanin mbiemrat e zonës nga origjinonin.
Nejse, pavarësisht këtij fakti, shumë nga Baldushku, kur i pyesin thonë se janë kushërinjtë tanë. Nëse ndihen mirë me këtë, nuk ka asgjë të keqe…
Lomi, pa na pyetë fare, ktheu makinën dhe na drejtoi për “kafe” tek shtëpia e vet. Një grua që kishte larë shtëpinë e bërë “dritë” na priti me buzëqeshje, gjë që nuk e bëri qeni i lidhur para një kolibeje dhe që lehte pa pushim. I afrohem qenit, ndërsa gruaja më thoshte: “Mos u afro, se është i egër!” Vazhdova t’i afrohem dhe e preka qenin që çuditërisht u miqësua menjëherë me mua. I drejtohem gruas: “Ku është ena e ujit te qenit?! Qeni i lidhur nuk duhet kurrëe të rrijë pa ujë!” Si e zënë në faj, më tha se do e sillte menjëherë. Pastaj shtoi; “…çudi si të la me e prekë se, ky qen i ha të gjithë…!” Ngjisim shkallët dhe aty na uroi mirseardhjen nëna e Lomit. Një grua me sy të qeshur, e veshur me të zeza dhe me shami të bardhë. Si të gjitha gratë që jetojnë në fshat, seç kanë një buzëqeshje të dlirët që nuk i shqitet për asnjë moment. “…Nuse, na bjer kafet…!” dhe vazhdoi bisedën me ne. Erdhën gotat e rakisë dhe për mua si e vetmja femër, vetëm kafe. Duke qeshur me ton konfidencial i them: “…nuse, po rakia ime?!” 

Elezi 92 vjeçar, gjithnjë aktiv
Elezi 94 vjeçar, gjithnjë aktiv

Nuk mund ta përshkruaj habinë dhe naivitetin në shprehjen e fytyrës. Pamje dhe takime të tilla të ngjallin një kanaqësi që ti nuk e provon me në qytet… Pasi shijuam rakinë dhe kafen, më thotë Lomi; “…e shof që dashke me shku n’Mumajes. Të çoj unë se i njof të gjithë…” U nisëm drejt Mumajesit. Gjelbërim ngado të hidhje sytë dhe kodra të kuruara që më lanë mbresë të paparë. Ishin mbjellë ullinj kudo. Pasi përshkruam një rrugë gjarpëruese përqark kodrave, mbrritëm në një vend me shtëpia të vjetra dhe ullinj shekullorë… “Ky është Mumajesi…” – më tha Lomi. U emocionova dhe kërkova të shikoj shtëpitë nga afër. Ndaluam makinën dhe u futëm në ambjentet e shtëpiave të braktisura. Në njerën prej tyre gjetëm pjesë të një mulliri të vjetër vaji. M’u kujtua që babai më kishte thënë që dhe gjyshi kishte patur Mulli Vaji… Papritur, siç ndodh në fshatrat shqiptare, që edhe në atë vend që ti mendo se është i shkretë, të del ndonjë person apo kafshë shtëpiake që të “lajmëron” se i zoti është diku rrotull. Fillimisht na u afrua një qen që luante bishtin i kënaqur si për të na shprehur miqësinë e tij dhe mirseardhjen. Ndoqëm qenin dhe në oborrin e një shtëpie dykatëshe të braktisur pamë një gomar të lidhur. “Aha… – tha Lomi, – qenka Elezi… – o Elez!” – piskati Lomi dhe në sekondë u shfaq një burrë i moshuar me sy dhe fytyrë të qeshur që na mbyti me pyetje sapo na dha dorën. Na ofroi shishen e rakisë dhe ne që e uronim me një “hurdh” njeri pas tjetrit. E pyetëm për moshën dhe na tha që ishte plot 94 vjeç. U drodha… nëse do të jetonte, po kaq do të ishte edhe im atë. E pyes për të parët e mi dhe më befason duke më thënë se e kishte njohur gjyshin tim, Sali Mumajesi. Më përqafoi dhe me tha: “O goc, ishim shumë të vorfën dhe në vitet e luftës edhe më shumë. Nuk kishim asgjo në shpi dhe unë u nisa me ca dru për të zbrit n’qytet me i shit. Njeriu i parë që m’u kujtu ishte gjyshi jot dhe nisem me gjithë dru n’Tironë. Tuj pytë m’rrij në shpine tuj. Aty m’ del nji çun i ri vërsnik me mu. Ishte bjond me sy boj’qill dhe me pyti se çfar’ kërkoja. I thashë që kërkoja fillonin dhe ai më tha: “…fatkeqsisht nuk jeton mo, por po pate gjo, ma thuj mu se jom çuni i vet!” I qava hallin dhe ai me futi mrena me dha me hongër e m’i bleu të gjitha çar kisha… E falenderova me gjithë zemër se më hoqi i barr’ t’modhe…!” U përlota, se e njihja zemrën e babait tim dhe nuk kisha pikë dyshimi që do të ishte ai! “A të kujtohet si e kishte emrin?! – i thashë. “Vallahi kanë kalu shumë vite, qysh para çlirimit, por me duket se Hamit…” 
Mendoni emocionet e mia. 

Ambientet e lashta që mbeten të patrazuara nga koha e re...
Ambientet e lashta që mbeten të patrazuara nga koha e re…

Ju luta të “pozonte” para një ulliri për një foto dhe u larguam me premtimin që do të ktheheshim përsëri…
Në kthim, u ndalem në një restotant të thjeshtë me një pamje të mrekullueshme përballë, hiç më shumë e hiç me pak, fanitej Kalaja e Petrelës… Pamje madhështore…!
Më thoni Miq, a mund të rezistojë njeriu e të mos kthehet në këto vende që përveç rrënjëve të veta, të ofrojnë Mikpritje, Dashuri dhe Relaks, për t’u fshehur nga rutina mbytëse e qytetit?
Ju uroj ditë të mbarë…
14 shkurt 2018

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.