10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Mars, 2024

Mbeshtet RadiandRadi

spot_img

Në kërkim të së Tashmes së Përjetshme… nga Hans-Joachim Lanksch

on

|

views

and

comments

Kasem Trebeshina (2004)
Kasem Trebeshina (2004)

Në kërkim të së Tashmes së Përjetshme…

nga Hans-Joachim Lanksch

Kur Kasëm Trebeshina mbushte 70 vitet
(Ky shkrim është i 20 viteve më parë)

Hans-Joachim Lanksch
Hans-Joachim Lanksch

Sivjet, më 8 gusht, u mbushën 70 vjet prej lindjes së Kasëm Hysen Trebeshinës – nonkonformist i pakompromis, luftëtar i përhershëm për mendimin dhe krijimin e lirë, mbrojtës i pamëshirshëm i së vërtetës dhe i sinqeritetit të pakursyer, monument i rezistencës intelektuale, morale dhe artistike. E përgëzojmë 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit shqiptar, të cilin kritika letrare në Gjermani dhe Austri e barazon me figurën e madhe të letërsisë europiane të groteskes, Eugène Ionesco.
Në qarqet intelektuale e pseudo-intelektuale shqiptare, shumëkush s’e pëlqen figurën e Kasëm Trebeshinës. Përse? Në radhë të parë, siç duket, në bazë të thashethemeve si pasojë e mosnjohjes. Dihet se si krijohen e etikohen “armiq” a “tradhtarë” intelektualët a krijonjësit veprën dhe veprimtarinë e të cilëve thjesht nuk e njohin dot përgojonjësit përkatës. Prej më shumë se 100 titujve autori i të cilëve është, Trebeshinës iu botuan deri më tash, 5 libra në Shqipëri dhe 3 në Kosovë, gjë që s’do koment tjetër. Përveç kësaj, autori Trebeshina e prish komoditetin e lexonjësit të përciptë, respektivisht të konsumonjësit të leximit e mendimit të cekët. Shpartallonjësi i kalitur i klisheve të pareflektuara, dramaturgu, poeti dhe prozatori Trebeshina e lufton patetiken duke iu kundërvënë mitomanisë dhe frazomanisë, çdo gjëje pra me të cilën mësoheshin aq bukur mediokrët. Mediokrët që s’kanë qejf për të lënë meranë e përtesës së tyre të mëndjes e të mendimit. Trebeshina ka respekt të pashlyeshëm ndaj vlerave që shkeleshin gjatë territ e ferrit të diktaturës në Shqipëri (“nuk ka fuqi në botë që të më ndajë nga kultura europiane” u shpreh në intervistë dhënë televizionit bavarez, dhe: “as nuk do të ketë fuqi që më heqin nga Sofokliu, Shekspiri apo Goetheja, Cervantesi…” ndërsa nuk ka skrupuj t’i mohojë haptas pseudovlerat e krijuara në “artin” glorifikonjës të diktaturës çnjerëzore e çnjerëzonjëse antishqiptare të “Nënës Parti”, duke u tallur me ironi të vrazhdë e të hidhur për shkrimtarët e socrealizmit shqiptar (në intervistë dhënë revistës gjermane “Neue Sirene”): “Shkrimtarët e asaj shkolle tashti, po të duan, le t’ia japin të qarit në Shqipëri dhe në të gjithë Europën. Për mua ata vëndin e kanë në komeditë e mia”.
Trebeshina është shembull eksepcional prej shkrimtari të cilit i shkojnë fjalët e z. Fatos Lubonja se “letërsia nuk mund të ndahet nga morali…”. Në rastin e Kasëm Trebeshinës, letërsia, jeta dhe morali janë një. Një tërësi e pandashme. Dhe, nga ana tjetër, rasti i Trebeshinës na e dëshmon gjithashtu dhe faktin që letërsia, letërsi e vërtetë, nuk ka nevojë që të mbrohet me anë të kritereve jashtëletrare, qofshin ato morale, biografike, përmbajtësore a çfarëdoqofshin. Në intervistën e përmëndur më lart, autori dëshmoi: “Për mua letërsia është gjithçka!” dhe: “…jetën time ia kam sakrifikuar letërsisë”. Autori që shkruante dhe shkruan si i obsesionuar, letërsisë, respektivisht ëndrrës së tij për dinjitetin dhe pavarësinë e krijimit të lirë letrar ia sakrifikoi, siç dihet, jetën familjare, 17 vjet të mbylljes nëpër burgjet e psikiatritë e shtetit totalitar, botimin e veprës letrare, e cila pra e paraqiste kryeqëllimin e jetës së tij. Përderisa njerëz të tjerë të penës ndershmërinë dhe moralin e sakrifikonin për karrierën prej shkrimtari duke e banuar, ashtu, karakatinë e letërsisë që karkaste në kor koreje, Trebeshina nuk pinte dhe nuk hante nga korita e regjimit, nuk komprometohej me shkrime konfirmonjëse për ideologjinë e regjimit, por hante koriçka në birucë, duke krijuar botën e tij letrare si kundërshtar i prerë i çdo kompromisi me cilëndo ideologji dhe duke ruajtur asisoj dinjitetin e tij njerëzor dhe lirinë e mendimit e të shkruarit. Ashtu e përjetonte, tekstualisht, letërsinë. Nuk përdorej për hir të veprës së tij letrare, nuk përkulej përpara dhunës së pushtetit, por mbetej me pavarësi të brëndshme të pandëgjuar ku deklaroi në televizionin e Munihut: “Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë nuk kam qenë as në burg as i izoluar… Nuk kam qenë kurrë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mëndjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë…”. Ç’fjalë dinjitoze! Përderisa tjerët merrnin “qëndrim parimor” – në letër, si fjalë goje, dhe e përletërsonin jetën në letërsinë e tyre, z. Trebeshina nuk e letrarizonte jetën, por u ballafaqua me banalitetin mizor të terrorit të një pushteti të çoroditur dhe mori qëndrim në mënyrë parimore dhe ballëhapët – me jetën e tij duke rënë në burg dy herë gjatë pushtimit të fashistëve italianë, duke u plagosur pesë herë në luftë kundër fashistëve gjermanë, duke u futur në burg tri herë nga fashistët e kuq shqiptarë ku, bile-biles, herën e tretë, 1980-shin, refuzoi të shpëtohej nga burgimi i gjatë por shkoi në burg – “nga inati”.

Më përtej kohëve - Kasem Trebeshina
Më përtej kohëve – Kasem Trebeshina

Siç u përmënd më lart, veprës së Kasëm Trebeshinës nuk i duhet çfarëdoqoftë mbështetjeje a justifikimi me anë të kategorive joletrare. Dramat, poezitë, romanet, novelat e tregimet e tij shquhen nga një mvehtësi e rrallë stilistike, nga një individualitet i madh kompozicional, struktural dhe formal, nga një imagjinatë e stërpasur krijonjëse, nga një ironi e stërholluar dhe një humor sarkastik, nga një larmi motivesh, një llojllojshmëri e jashtëzakonshme tematike. Veprat e tij janë shumë larg çdo shabllonizimi të letërsisë së “tipikës”, veprat e tij priren kah universalja, e përshkruajnë botën shqiptare si dhe realitetin e vendit të shtypur nga diktatura dhe njëkohësisht mund të lexohen edhe si vepër me tematikë mbikombëtare, universale, kështu që në përgjithësi ato dallohen për shumështresmërinë, e cila karakterizon çdo vepër të vërtetë artistike. Krijimet e Kasëm Trebeshinës mund të lexohen si në nivel njerëzor, psikologjik, filozofik ashtu dhe në nivel politik. Rrallëkush në letrat e sotme shqipe ka depërtuar aq thellë te brëndesia dhe thelbësorja ekzistenciale e njeriut dhe e letërsisë sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Koliqit depërtoi te thellësitë e psikës së njeriut sa Trebeshina, rrallëkush pas Kutelit depërtoi aq thellë te fantastikja e mendjes njerëzore sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Camajt depërtoi në thellësi filozofike sa Trebeshina, rrallëkush në letrat shqipe pas Lasgushit e Zef Zorbës shquhet nga një shije e përkryer estetike sa Trebeshina, rrallëkush në letërsinë bashkëkohore shqipe krahas Camajt e Primo Shllakut e zbuloi të vërtetën prapa realitetit të dukshëm sa Trebeshina. Dhe, askush në letërsinë e re të Shqipërisë s’është guxuar që fëmijve të çmëndur të nënave të urta t’ua vinte përpara pasqyrën aq haptas, bile edhe pllakativ, sa Kasëm Trebeshina:

Fëmij’ të çmëndur nënash t’urta,/ ju gjurmë pune s’lini pas.
As pamja juaj hijerëndë,/ as çantat varur si këmborë,
as plehu që keni në kokë,/ as kurvëria që vadisni,
as servilizmi që ushtroni,/ fisnikëri nuk na tregojnë.
Në mos i shkrofsha këto unë,/ një tjetër botës do t’ia thotë.
Fëmij’ të çmëndur nënash t’urta,/ ju kohët gjith’ do t’u përçmojnë!  

90 Vjetori i Kasem Trebeshines
90 Vjetori i Kasem Trebeshines

Duke jetuar në kohë plot kontradikta, Trebeshina nuk shkruante dhe nuk shkruan letërsi konstatonjëse a afirmonjëse, por kërkonjëse dhe hulumtonjëse e cila, përpos refleksionit e meditimit, e merr rrugën drejt udhëtimit shtigjeve të parrahura ku përpiqet të zbulojë fshehtësinë e sendërtimit të një synimi kontradiktor, domethënë ta zbulojë përjetësinë në të tashmen dhe të tashmën në përjetësinë, kohë-hapësirën konkrete në kohë-hapësirë abstrakte, abstrakten në realen … Ose, me fjalët e vet shkrimtarit: “Duke kërkuar të tashmen e përjetshme, kërkimi ishte në drejtim të universales, unë arrita – më konkretisht – në përfundimin që në një vepër letrare ekzistojnë: një kohë abstrakte edhe një hapësirë abstrakte. Në të njëjtën kohë në atë vepër letrare ekziston një kohë reale edhe një hapësirë reale. Pika ku priten të dy boshtet e këtyre… është prezenti i përjetshëm ose prezenti absolut, e tashmja absolute…”. Kështu, autori duket se është në kërkim të pandërprerë dhe vazhdimisht në rrugë zbulimi për të gjetur se si ta zgjidhë çështjen e përkimit të kontradiktave në jetë dhe në art, në art të cilin e definoi, në intervistë te “Neue Sirene”, siç vijon: “Unë mendoj se letërsia është një udhëtim drejt së panjohurës për të zbuluar botën e brëndëshme të njeriut. Po të shprehesha në mënyrë më simbolike, do të thosha se letërsia është një udhëtim për të zbuluar hapësirat më të panjohura dhe çdo shkrimtar që është me të vërtetë i tillë, zbulon jetë të reja, të veçanta në pafundësinë e tmerrshme që nuk mund të njihet. Në këtë udhëtim rëndësi nuk ka zbulimi, por dëshira për të zbuluar, duke kërkuar të pamundurën. Ajo dëshirë duhet të jetë e sinqertë dhe në atë sinqeritet qëndron vlera e krijimtarisë”.
Zoti Kasëm – rrofshi sa malet e Shqipërisë! Ndërkaq, veprës letrare nuk duhet t’ia urojmë jetë të gjatë pasi jemi të bindur që ajo jeton dhe do të jetojë përherë si dëshmi e vyer dhe e rrallë e shpirtit të palëkundshëm, e mëndjes së patundur e të lirë, e substancës së pacenueshme të njeriut.

Related Images:

Jozef Radi
Jozef Radihttps://www.radiandradi.com
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...
Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.