back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Ndahet nga jeta aktoria Patricia Millardet – Bëri të pavdekshme Silvia Contin tek filmi “La Piovra” – nga Ndue Lazri

Gazeta

Patricia Millardet (1959-2023)
Patricia Millardet (1959-2020)

Ndahet nga jeta aktoria Patricia Millardet

Bëri të pavdekshme Silvia Contin tek filmi “La Piovra”

nga Ndue Lazri

Pikërisht më 24 mars, në ditëlindjen e saj, ishte shtruar në spitalin “San Camillo” të Romës. Nuk bëhen të ditura arsyet e shtrimit të saj në spital, veç dihet që më 13 prill 2020, ajo ndahet nga jeta nga një infarkt i papritur.
E lindur në Francë, në vitin 1959, në moshën 30-vjeçare ishte bërë si të thuash, italiane e adoptuar, sepse që atëherë jetonte në Itali dhe merrte pjesë në filma kinematografikë e televizivë italianë. Debutimet e saj të para në fushën e kinematografisë qenë me një rol të vogël në vitin 1982, në filmin shumë të suksesshëm francez “Il tempo delle mele” .
Por suksesin e vërtetë do ta gjente në Itali.

Komisar Catani e Silvia Conti  - Michele Placido e Patricia Millardet
Komisar Catani e Silvia Conti – Michele Placido e Patricia Millardet

Në vitin 1987, interpretoi në filmin “Asicuracion mbi jetën” të regjisorit Carlo Lizzani. E po në atë vit u fut në cast-in e serialit me famë botërore: “La Piovra”, në rolin e gjykatëses Silvia Conti, përkrah komisarit Corrado Cattani, interpretuar nga Michele Placido. Një dyshe rolesh e interpretuesish, që bashkë me simbolin e së keqes, Tano Caridi, interpretuar nga Remo Girone, do të përbënin ato figura që kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e miliona e miliona spektatorësh në të tëra anët e globit. Të gjithë e dimë se si boshatiseshin rrugët nëpër qytetet shqiptare kur transmetohej “Komisar Katani”, siç njihej në gjuhën popullore.
Ishte 30 vjeçe kur iu besua roli i Silvia Contit tek “La Piovra 4” në 1989 e pastaj interpretoi edhe në La Piovra 10 në vitin 2010. Gazetari Valerio Cappelli, që e ka ndjekur gjatë gjithë regjistrimeve të filmit, si i ngarkuar i gazetës “Corriere della sera”, kujton: “Ishte e brishtë e ironike. Kishte flokë lishio të lëshuar mbi supe. Gjatë regjistrimeve i mbante gjithmonë të lidhur bisht kali, për të sjellë figurën e rreptë të një gjykatëseje. Një ditë më tregoi se kishte një raport të komplikuar me Silvia Contin, personazhin që interpretonte, thonte që i duhej të ishte përherë jo e lumtur dhe kjo e torturonte. Deklaronte se personazhi nuk i ngjante hiç natyrës së saj. Gjithashtu deklaronte se nuk e gjente veten gjatë intervistave. Nuk ndahej kurrë nga kufjet, nëpërmjet të cilave dëgjonte muzikë rock…”.
Ndërsa vetë Patricia, në një intervistë të saj lidhur me rolin e Silvia Contit deklaronte: “Për të bërë të vërtetë një personazh, duhet të besosh thellësisht në të, unë jam përpjekur ta bëj, duke menduar e vepruar si ajo. Jam zbavitur duke e interpretuar. Është kaq e sigurtë në vetvete. Skenaristët Rulli e Petraglia kanë shkruar një rol perfekt”. Ndërsa kolegu i saj, Michele Placido, thoshte: “Mendoj që Silvia i pëlqen publikut sepse është shumë e moralshme, e pastër dhe disponibile”.

Patricia Millardet midis Remo Girones dhe Raul Bovas
Patricia Millardet midis Remo Girones dhe Raul Bovas

Mendoj që kjo dyshe i ka dhënë maksimunin kinemasë italiane në këto dy role.
Duke folur më tej për figurën e aktores Patricia Millardet, gazetari Valeroi kujton periudhën kur pas komisarit Cattani hyn Vittorio Mezzogiorno në rolin e Davide Licata. Ai shkruan: “Zbritëm nga avioni në Mynih të Bavarisë. Pastaj morëm një auto bashkë me të dy protagonistët për të shkuar tek vendi i regjistrimit të filmit. Ishte dita e parë e punës së bashku për ata të dy. Befas Patrizia filloi ta provokonte Vittorio Mezzogiornon në mënyrë të rëndë, aq sa të dy përdorën duart për t’u goditur. Shoferi, që ishte i habitur, më shikonte nga pasqyra e nuk dinte çfarë të bënte. Pastaj e ndali makinën dhe të dy aktorët e mblodhën veten. Në mbrëmje, për të kërkuar falje, aktorja më ftoi në barin e hotelit. Më tha që ajo kishte insistuar që gjykatësja të mos kishte një relacion me komisarin Cattani e të njëjtën gjë edhe për rolin që kishte Vittorio Mezzogiorno. Polici Licata, i shtrënguar në dhunën që duhej të vuante si i infiltruar, nuk ka kohë të mendojë për gratë, me personazhin e tij ka shumë gjëra të tjera për të bërë e jo të mendojë për relacione me gra. Regjizori Luigi Perelli ishte dakort me të… Pastaj, duke kujtuar gjithnjë natyrën e saj shton: Kishte një ndjeshmëri ekstreme, të menjëhershme, dinte të depërtonte në shpirtin njerëzor, ishte e aftë të të plagoste duke thënë gjëra të tmerrshme, urrente konvencionet borgjeze, bënte skena të paimagjinueshme. Në kulmin e popullaritetit u përzie në një rrahje në një klub nate me një gazetar kronist.
Ai tregon se ishin bërë miq. Thotë se më 24 mars e kishte marrë në telefon që ta uronte për ta uruar për ditëlindjen. Përgjigja e saj lakonike me një “faleminderit” të thjeshtë duhej të më kishte bërë të kuptoja që diçka nuk shkonte mirë.
Në vitin 1990, Patrizia Millardet interpreton në filmin “Dielli edhe natën” me regjisorë Paolo e Vittorio Taviani dhe në vitin 2002, në serialin e suksesshëm televiziv “Il bello delle donne” përkrah aktoreve të mirënjohura italiane si Stefania Sandrelli, Virna Lisi, Giuliana De Sio, Luneta Savina etj.
Në vitin 2004, u përhap një lajm i rremë, sikur aktorja kishte dashur të vriste veten duke marrë një dozë të ekzagjeruar ilaçesh. Por këtë lajm ajo e ka përgënjeshtruar kategorikisht dhe në fakt rezultoi që nuk ishte e vërtetë.
Për ndarjen e saj nga jeta kanë shprehur ngushëllime dhe konsiderata për karrierën e saj artistike mjaft personalitete të kinematografisë, televizionit e botës artistike italiane, si dhe mijëra artdashës.
13. 04.2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.