back to top
15.5 C
Tirana
E martë, 16 Prill, 2024

Momente nga i paharruemi Amik Kasoruho – nga Tasim Mlloja

Gazeta

Amik Kasoruho (1932-2014)
Amik Kasoruho (1932-2014)

Momente nga i paharruemi Amik Kasoruho

nga Tasim Mlloja

“U a dhamë!” – ishin fjalët e fundit që i kam të ruejtuna në kujtesë prej Amik Kasoruhos, nji ditë mbas rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2013, mbasi e parkoi makinën te Presidenca e Republikës.
Ishim të dy të mërzitur dhe folëm pak, krejt pak! E kjo ishte kafja e fundit që pimë bashkë…!
Fisi Kasoruho asht i vogël në numër, por me njerëz të dashur dhe mjaft të lidhun mes tyne po edhe me shoqninë.
Në Gjirokastër, ishin familja e Nuriut, gjyshi i Amikut dhe familja e Hiqmetit, gjyshi i nanës time, Lirisë. Nana dhe vllai i saj Bashkimi, ishin shumë të lidhun me Qemalin dhe Amikun, prandaj edhe unë qysh i vogël kam shumë mbresa si nipi ma i madh i fisit.
Familja e gjyshit tim, erdhi në Tiranë mbasi u burgos Amiku, dhe siç shkruan ai “i ndejtën shumë afër prindve të mi, kur të tjerët u frikeshin edhe ta përshëndetnin”.
Ndonse i vogël, mbaj mend që darkave vinte Qemali dhe qanin hallet sëbashku deri në orët e vona.
Veçan i paharruem më asht daja im Bashkimi, i lidhun shumë me Qemalin dhe Amikun, dhe siç shkruan edhe Amiku: “Bashkimi ishte partizan, student i normales së Elbasanit, trim dhe i ndershëm. Pjesmarrjen në luftën partizane e kishte konsiderue si nji detyrë, dhe jo si nji mënyrë për me fitue padrejtësisht privilegje…”. Gjyshi im, ishte shef hipoteke në Delvinë, kurse im atë gjykatës! Kur i folën kundra komunizmit dhe Stalinit, ai u tha: “Mos shani ma, se…!”
.
Tasim Mlloja në Sibenik të Kroacisë
Tasim Mlloja në Sibenik të Kroacisë
Ishte i ri dhe naiv si shumë të tjerë, dhe zhgënjimi erdhi menjiherë mbas çlirimit të vendit, mbasi po e quejmë çlirim, edhe pse s’qe i tillë..
Ai, ndaloi njenin nga udhëheqja e atëhershme dhe i thotë: “Pse luftuam ne!? Apo që ti të shkosh me makinë dhe unë me këpucë të vjetra…!?” E përndoqën, derisa e çuen mësues në fshatrat e thella të Burrelit. Vdiq i ri, 46 vjeç dhe tejet i dëshpëruem…
Kur u lirue nga burgu Amiku, me interesimin e Bashkimit, u fut përkthyes dhe u strehua tek ne në familje. Aty vinte dhe Robert Shvarci me të cilin përkthenin bashkë. Po bashkë, diskutonin gjatë edhe për hallet e kohës së diktaturës. Ishin tre shokë po që shkonin si vllazën mes tyne.
Periudha e demokracisë e solli Amikun shpesh tek nana ime dhe tek unë, e shpesh në bisedat familjare, në dreka apo promovime librash, kujtonim me mall kohët para luftës, kur ishim si nji familje e madhe e shkonim e vinim me njeni-tjetrin.
Mbresa të paharrueme kam edhe nga promovimi i librit, ku përmendeshin mjaft të afërm të pjesëmarrësve në sallë si edhe vuejtjet e tyne të pafundme. Emocione dhe lotë e përcollën atë përshkrim të autorit, Amikut.
I tregova për grupin tonë në Shkodër, ku u dënuen tre shokë dhe bujën e madhe të gjyqit të tyne që u shndërrue në nji tribunë kundra diktaturës ma të egër të lindjes.
E kisha vërejtë se Amiku nuk ndjehesh i qetë dhe e mundonte fakti që s’u arrit ajo çka ishte dashtë. “Pse asht prishë kaq fort zemra, pse ka kaq shumë ligësi?” Këto shqetësime i ndiqnin shpesh edhe bisedat tona. Ai ishte njeri i thellë, dhe sado që ndejtëm bashkë nuk hymë dot aq mbrenda trazimeve të tij shpirtnore.
Mandej iku shpejt, edhe pse meritonte ditë shumë ma të mira…!
.
maj 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.