back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 23 Maj, 2024

Miza(n)skenë Agron Tufa (fb – 2013)

Gazeta

Agron Tufa 2013
Agron Tufa 2013

Miza(n)skenë Agron Tufa (fb)

Në sallën e Kakademisë së Shkencave kakademikët ishin mbledhë me përkujtu dy jubile njëherësh: të Kryekakademik Leksit (i dekun) dhe të kakademik Ndroqlit (gjithashtu i dekun). Në mungesë të veprave të Kryekakademik Leksit dhe kakademik Ndroqlit (që përkon dhe me mungesën e viteve që u duhej me mbarue një universitet), ish-studentët e, mandej, shokët e kolegët e tyre të organizatës-bazë të partisë së Kakademisë kishin botuar, respektivisht, për secilin, nga 1 vëllim të trashë me… kujtime të zgjedhura nga koha e mbledhjeve. Në to rrëfehej se si të gjithë së bashku rreth Leksit e Ndroqlit (gjysma me tesera të kuqe e të tjerë me tesera të Bashkimeve Profesionale), kishin linçue me sukses gjuhëtarët borgjezë si Selman Riza me shokë. Për këto trimërira në dobi të shkencës shqiptare flisnin hollësisht kujtimet e kakademikëve të nderuar Taqua, Maqua, Gaqua, Naqua, Laqua dhe Knaqua. Në seancën e dytë referuan kakademikët e nderuar Jorgjua, Jorgua, Lafua, Janqi, Thomai, Jorgjina, Andromaqi, Harrilla, Kostaqi. Seanca e tretë u shty padreke. Në seancën e tretë duhej të referonin kakademikët e nderuar Gjovua, Vangjua, Uçua, Jorgaqua, Kristua dhe Sotiraqi. Duhej, por ndodhi diç e papritur në sallë, që i detyroi të gjithë kakademikët të shmangeshin nga misioni kryesor i përkujtimit. Ndodhi kjo more miq, në mes të ligjëratës së Jorgaqos, pikërisht kur ky kakademik i zellshëm i mbyllte paragrafet e ligjëratës me konstatimin e trishtë që përsëritej: “Po vuan gjuha tonë, more shokëni, po vuan!”, pas së cilës kokat e kakademikëve në sallë miratonin në kor: “Po vuan gjuha tonë, po vuan!”. E shi n’ato çaste, se nga u dha një mickonjë e tërbuar borgjeze (a ndoshta dy?), që filloi t’i pickonte kakademikët e pafajshëm, si me qenë miza cece. I pari u ngrit Harallambi, duke e ndjekur mickonjën me pëllëmbët e hapur dhe “praf”, i përplasi herën e parë. Hiç. “Praf” herën e dytë – hiç. Provoi dhe të tretën, por pa sukses: mickonja endej fare pranë me lëvizje të larmishme elipsore. Atëherë u ngrit Koço “praf!”, po as ai… Andrea nuk e la në baltë shokun, por as ai. Për një moment u duk se aq e pat mickonja. “E vrarava!” – shpalli Andrea triumfueshëm, por ia preu vrullin Aristidhi: “Mos lëviz!” Andrea ngriu një grimë e fill pas saj ndjeu t’i flakërojë faqja me gjithë një copë veshi nga pëllëmba e tjetrit. “Ah, më fal, po e vrava me duket!”. “Jo, jo”, shpallën të tjerët, dhe si në kohërat e ra – të gjithë për një e një për të gjithë, u ngritën me shuplaka në ajër në ndjekje të mickonjës. Dikush iu lut çunave të televizioneve të mos filmojnë, por u harrua. Gjithë e më dendur dëgjoheshin disa të rrahura shuplakash në ajër. Kumbonte salla. Miza bënte përpara, gjithnjë shumë afër, ndërsa kakademikët e ndiqnin hë-hë ta vrisnin përgjatë gjithë sallës. Ata që ishin jo në krye të ndjekjes u jepnin kurajë shokëve me të rrahurat e shuplakave. Kështu me këto ovacione shuplakash ndiqej miza tutje-tëhu, aq sa i hyri, si duket, në qejf kjo lojë dhe bënte spërdredhje spektakolare e ndjekur nga duartrokitje të nxehta si të ishte Udhëheqësi në sallën e Kongreseve. Në atë sallë, kurrë nuk ishte përcjellë me nderim e duartrokitje aq të nxehta ndonjë personalitet i madh, sa ç’e përcollën kakademikët tanë atë mickonjë, sipas të gjitha gjasave, borgjeze…

a.t 23 korrik, 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.