back to top
23.5 C
Tirana
E diel, 23 Qershor, 2024

Mirënjohje për Roger Scruton – nga Albert Bikaj

Gazeta

Sër Roger Scruton
Sër Roger Scruton

Mirënjohje për Roger Scruton*

nga Albert Bikaj

Në kujtim të Sër Roger Scruton, filozofit, shkrimtarit dhe artistit të thellë anglez, i cili, ndryshe nga kolegët e tij bashkëkohorë ishte po aq veprues sa edhe mendimtar. Për më tepër, për mua ishte profesor dhe mentor të cilin nuk pata rastin ta takoja kurrë në jetën reale, por vetëm përmes shkrimeve dhe leksioneve të tij virtuale. Lajmi për ndarjen nga jeta të tij tre vite më parë më preku dhe më pikëlloi edhe mua mes shumë njerëzve të tjerë të cilët e vlerësuan atë, kauzën dhe mendimin e tij. Ndaj sot po shkruaj një reflektim të shkurtër, për të nderuar kujtimin e tij në shenjë mirënjohjeje.
Shkrimet e Sër Roger Scruton fillova t’i lexoj për herë të parë në 2016; ishin tekste për lëndën e ideologjiveë politike në universitet. Më duhet të them se në atë kohë pikëpamjet e mia ishin shumë të ndryshme nga ato tani. Pak a shumë, kish prirje liberale të majta, si shumica e studentëve të shkencave shoqërore. Asajkohe teksa mora një libër të tij ca mi më paralajmëruan të bëja kujdes, ndonëse dhe vet kisha rezervat e mia jo vetëm ndaj tij, por në përgjithësi edhe paragjykime ndaj filozofisë konservatore. Por si dikush që i pëlqejnë sfidat dhe kërkon këndvështrime të ndryshme, më bëri përshtypje dhe fillova të lexoja artikujt dhe librat e tij. Më duhet të them se me ngadalë i sfidoi pikëpamjet dhe paragyjkimet e mia. Ky ishte fillimi i rrugës sime drejt konservatorizmit.

Konservatorizmi sipas Scruton

Siç mendohet dhe thuhet shpesh nga kritikët, se “është e lehtë të jesh konservator” dhe se “mendimtarët konservatorë janë njerëz intelektualisht modestë” të cilëve u mungon imagjinata dhe preferojnë të mbajnë status quo-në sesa të guxojnë të kërkojnë dhe promovojnë risitë ose përparimin.
Por a është vertetë kështu?
Mund të jetë në disa raste, por sigurisht që nuk është kështu dhe ka një shpjegim të mirë për këtë. Para së gjithash ka të bëjë me qëndrimet, vlerat dhe filozofinë e konservatorizmit. Me pak fjalë, sigurisht, konservatorizmi nënkupton se maturia është më e mirë sesa pamaturia; se parapelqen rendin dhe jo kaosin; arsyejen dhe jo emocionalizmin; mbi të gjitha preferon urtësinë e pervojës së kaluarës (traditën) dhe jo shpresa të pasigurta (utopinë). Dhe sigurisht, siç e nënkupton vetë emri, parim kyç është ruajtja e asaj që dikush e çmon si vlerë, të mirë dhe të paçmuar, duke perfshirë kulturën, komunitetin, mjedisin, institucionet, qytetërimin, etj. E thënë shkurt është një dëshirë për të lënë trashëgim urtësinë dhe kulturën që na është trashëguar edhe ne dikur. Dhe kjo asesi nuk do të thotë të shikosh apo kthehesh prapa, por nënkupton të ecësh përpara me maturi. Thënë kjo, konservatorët duan përparim, por jo si ideologji, thjesht për hir të përparimit. Përkundrazi, me përparim, ne konservatorët nënkuptojmë ecjën përpara, por nëse merret rruga e gabuar, atëherë, ne jemi të vetëdishëm se po shkohet në drejtimin tejet të kundërt. Prandaj, vlera e një mendimtari konservator ka të bëjë shumë me vlerat që ai promovon, mbron dhe dëshiron të ruhen.

Gjiganti modest

Le të fillojmë me akuzën se jemi “modest intelektualisht”.
Filozofi konservator, siç ishte Sër Roger Scruton, është modest në gjithçka përveç intelektit. Si individ, ai nuk e mbivlerësoi njohuritë e tij, por mbeti mjaft modest. Dhe ka shumë madhështi në këtë. Ai e vlerësonte traditën, të cilën shpesh e quante ‘urtësi e mbledhur gjatë historisë’, por nuk e adhuronte dhe as e trajtonte atë si të pagabueshme – siç pretendojnë disa kritikë. Ai kishte një vizion, natyrisht edhe kritikat e një reformatori, por asnjëherë ato të të qenit revolucionar. Arsyeja pas tij nuk është e vështirë të kuptohet. Ai shpesh thoshte: “Gjërat e mira shkatërrohen lehtësisht, por nuk krijohen lehtë “. Mësuesja e tij ishte historia e kaluar njerëzore, e cila me të drejtë quhet Nëna e Urtësisë. Nga ana tjetër, ‘udhëheqja’ tjetër e tij, e cila mund të mos ishte theksuar shumë në shkrimet e tij, ishte krishterimi. Edhe pse anglikan, kurrë nuk e fshehu skepticizmin e tij, megjithatë e konsideronte fenë dhe teologjinë si të rëndësishme dhe pranoi rolin dhe mençurinë e tyre. Kjo duke përfshirë edhe tradita të tjera fetare, të cilat i çmonte. Prandaj, shumë herë shprehte keqardhjen për humbjen e besimit të Evropës dhe theksoi se zëvendësimi i saj me ideologji nuk na shpëtoi nga të qenit dogmatik dhe ky si rezultat përfundoi duke shkaktuar dëme të mëdha…
Duke pasur parasyshë pasojat e tmerrshme të filozofive dhe ideologjive radikale gjatë historisë njerëzore, qoftë majtas apo djathtas, ai qendroi ashtu siç bëjnë konservatorët: i matur. Ai e perjetoi me sytë e tij ferrin e komunizmit dhe trimërisht rrezikoi jetën e tij duke dhënë leksione filozofie në shkollat ilegale nëntokësore në vendet e Evropës Lindore. Pikërisht, ai jetoi dhe punoi me polakët dhe çeko-sllovakët e shtypur nga komunizmi. Scruton kishte luftuar intelektualisht kundër diktaturës, ndërkohë, kolegët e tij perëndimorë të së majtës së asaj kohe shpesh ëndërronin dhe predikonin krejt të kundërtën. Si konservator që u ndiqte parimet e moralit të krishterë, ai nuk mund ta bënte këtë asnjëherë. Do të ishte e paimagjinueshme. Pasi për të jeta njerëzore ishte e shenjtë. Ideja e thjeshtë e inxhinieringut shoqërorë dhe eksperimenti me krijimin e Njeriut të Ri, për të ishte marrëzi e rrezikshme dhe do të thoja blasfemi. Ai e konsideronte atë budallallëk dhe gjë të rrezikshëm, pasi ai e kishte pranuar realitetin e natyrës njerëzore; ndërsa si blasfemi e konsideronte për shkak të profecisë së saj të rreme dhe përfundimeve çnjerëzore. Tendenca të tilla tregojnë se revolucionarët radikalë të të dy ekstremeve, për fat të keq, edhe disa progresistë, tundohen të “imitojnë” Zotin dhe synojnë t’i japin formë njerëzimit dhe botës sipas imazheve dhe ideve të tyre. Historia e ka vërtetuar se ato ide janë katastrofike, por ende shumë nga ata këmbëngulin në ide të tilla si ndryshimi i natyrës njerëzore – të cilën Sir Scruton e quan një shpresë e rrezikshme dhe të rreme.

Miku i njerëzimit dhe mbrojtësi i qytetërimit

Duke marrë parasysh çështjet e sipërpërmendura dhe duke pasur parasysh sfidat e kohës së sotme, jemi dëshmitarë të formave të reja të totalitarizmit. Domethënë, shumë prej tyre janë ide të mirëmenduara përgjatë revolucionit kulturor të viteve ’68, për të cilat Scruton ishte kritik elokuent që nga fillimi. Në epokën që me të drejtë mund të përkufizohet si ‘kulti i shëmtisë’, Sër Roger Scruton mbrojti dhe promovoi bukurinë – si një simbol të Zotit dhe madje edhe të shelbimit. Në epokën e diktaturës së relativizmit dhe profanizmit, ai fliste dhe mbronte të vërtetën dhe nevojën për të shenjtën – pa të cilat argumentonte, se bota shndërrohet në vend të padurueshëm ndërsa jeta humbet kuptimin e saj. Ai mbronte qytetërimin dhe dashurinë për shtëpinë e vet, në epokën e relativizmit kulturor, globalizmit, i cili promovon shoqërinë pa rrënjë, që duket se ushqehet nga ndjenja e fajit apo urrejtjes ndaj kulturës perëndimore, të cilën Scruton e përcaktoi si oikofobi, si një lloj i ri barbarizmi.
Mbi të gjitha, ndër gjërat më fisnike, ai mbrojti mjedisin, jetën e komunitetit dhe të mirën e përbashkët. Scruton theksonte vazhdimisht se disa gjëra janë të shenjta dhe që nuk mund të hidhen në treg dhe as që ne mund të përballojmë t’i vëmë në rrezik. Kështu, nuk i kurseu kritikat e tij as për kapitalizmin dhe industrializimin e pamatur. Ai i dilte në mbrojtje njeriut të zakonshëm e të thjeshtë; ishte apologjet për bukurinë e jetës së thjeshtë rurale – e cila, për ironi, shpesh nënçmohet, përqeshet dhe madje përbuzet nga disa që e quajnë veten “përparimtarë” e “mëndjendritur”. Ai pa bukuri dhe strehë në fshat, i rrethuar nga njerëzit e thjeshtë që janë të lirë nga stili i jetesës mekanike të qyteteve të hiper-industrializuar dhe të mbuluar nga tymi.
Sir Roger Scruton ishte, siç do të thoshte Shën Papa Piu X, mik i vërtetë i njerëzimit, pasi që miqtë e vërtetë të njerëzimit nuk janë as revolucionarë, as inovatorë, por tradicionalistë. Është e qartë se ai ishte njeri me vlera të larta dhe bindje të forta, për të cilat pagoi një çmim të lartë, por që nuk u pendua kurrë. Scruton ishte intelektual me integritet që në kohët bashkëkohore rrallë mund të gjendet, pasi e jetonte atë që predikonte dhe besonte. Për një zotëri të tillë, mund të kem vetëm respekt dhe mirënjohje.
Requiem aeternam et requiescat in pacem Domini!

*Artikulli është botuar fillimisht nga Research Institute for Politics and Government (National University of Public Service, Budapest).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.