back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Mirash Ivanaj – Personalitet i shquar i universit shqiptar” – nga Iljaz Gogaj

Gazeta

Iliaz Gogaj - Mirash Ivanaj Personalitet i shquar i Universit Shqiptar
Iliaz Gogaj – Mirash Ivanaj
– Personalitet i shquar i Universit Shqiptar

“Mirash Ivanaj – Personalitet i shquar i universit shqiptar”

nga Iljaz Gogaj

Marrë nga Libri me të njejtin titull

Pasi mbylli vitin shkollor 1929/1923 në Gjimnazin e Shkodrës, në të vërtetë për Ivanajn, edhe pse punoi edhe nja dy tre muaj në Shkodër, çdo gjë fliste për largimin e tij nga Shkodra.
Transferimi i Ivanajt nuk mund të kalonte pa jehonë në qarqet intelektuale të vendit. Në fund të fundit, të gjithë të interesuarit donin të dinin psenë e ikjes së Ivanajt nga Shkodra. Në shtyp u tha se ai nuk duroi dot ambientin e atjeshëm dhe diku tjetër u pohua se ai e bëri këtë hap për arsye shëndetësore. Në përgënjeshtrimin publik që ai bëri në shtyp, deklaroi se transferimin e kërkoi për arsye familjare dhe se shëndetin e kishte aq të mirë saqë kishte punuar gjithnjë mbi normën e orëve të mësimit dhe se kishte punuar shumë për përmirësimin e gjendjes së gjimnazit të Shkodrës. Veç këtyre Mirashin e tërhiqte një forcë shumë e madhe në Tiranë: ishte i vëllai Martini.
.
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930
Dr. Mirash & Prof. Martin Ivanaj 1930

Martini: vëllai, miku dhe shoku

Sikundër edhe Mirashi, i vëllai Martini kreu me suksese të dalluara ciklin e shkollave së bashku me fakultetin e drejtësisë.
Teza e laurës ështe zgjedhur nga e drejta doksore shqiptare, pra nga Kanuni i maleve. Si banor i atyre anëve, ku kishte lindur Kanuni dhe ku ai kishte gjetur zbatim, falë edhe kulturës solide që kishte fituar si student i dalluar, në drejtësi, shtjellimin e lëndës së kësaj teme, Martini e ka bërë me nivel që ruan vlera të mirëfillta shkencore. Në disa dokumente të fondit dokumentar të trashëgimisë së tij, ai e korigjon me guxim shkencor Shtjefën Gjeçovin për pasaktësi të vrejtura te “Kanuni i Lekë Dukagjinit” të botuar prej tij më 1914 në revistën “Hylli i Dritës”. Duke lënë mënjanë intransigjencën e stilit të rreptë kritik të lvanajt, puna e tij për Kanunin, për vlerën shkencore e historike meriton vëmendjen e specialistëve.
I laururar pra për drejtësi në vitin 1921, sikundër edhe Mirashi, Martini erdhi menjëherë në atdhe dhe nisi punën si avokat në Shkodër. Në dhjetor 1922, emërohet anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, deri në prill 1924. Jetesa dhe puna në atë qendër të rëndësishme te vendit, ishte përvojë e rëndësishme e Martinit. Pastaj pas dy vjetësh sërishmi gjendet në Shkodër, ku ndërkohë kishte ardhur me punë edhe Mirashi. Atje u shqua si avokat jo vetëm për aftësitë e jashtëzakonshme, por edhe për drejtësinë e tij të palëkundur përpara ligjit dhe moralit të kthjellët njerëzor. Meritat e veçanta të penalistit dhe të njeriut bënë që ai të emërohet anëtar i Gjyqit të Diktimit në kryeqytet. Në vitet 30’ të shekullit XX deri në vitin 1939, Martini punoi si anëtar i Këshillit të Shtetit, ku dha një kontribut shumë të rëndësishëm në ngritjen dhe konsolidimin e legjislacionit të shtetit shqiptar.
Duke parë punën e tij në Këshillin e Shtetit na tërheq vëmendjen qëndrimi që mbajti në vitin 1930, për ligjin arsimor fillor, ku Martini shfaq mendimin se shkolla fillore duhet të jetë tagër vetëm i shtetit.
Martini pohon se shkolla fillore ka atë mision historik ku “unjisohen të gjitha forcat morale dhe politike që ka kombi”. Por këto forca shtonte ai nuk njësohen vetëm me “organizimin e vehtjeve që banojnë mbrenda kufijve të caktuem të njij kontrollit të përbashkët, por nji afrim mendimesh e ndërgjegjesh të gjithë popullit mbarë”.
Studiuesi Iljaz Gogaj
Studiuesi Iljaz Gogaj
Në punën e vyer të Martinit që i përket kësaj periudhe janë disa fjalorë të vegjël terminologjikë si juridikë edhe enciklopedikë, të cilët ishin një ndihmë e vyer për juristë fillestarë të kohës, por që koha nuk i premtoi për t’i botuar.
Me Martinin, Mirashi, kishte marrëdhënie shumë të mirëkuptimta dhe pra kishte nevoja shpirtërore të ishte sa më afër tij.
Në atë vetminë e njohur të Mirashit, Martini mbeti njeriu më i afërt. Ata kishin një përputhje çuditërisht të madhe në mendime. Ishin si të thuash dy trupa me një mendje dhe një shpirt. Po pika më e madhe e takimit ishte bota e librit. Të dy ishin dashurues të librave, ata sakrifikonin gjithçka për të blerë libra dhe i mirëmbanin ato në mënyrë shëmbullore.
Mirashi e kishte Martinin më shumë se vëlla, e kishte shok mendimi e veprimi. Asgjë nuk bënte Mirashi me kokën e tij pa pyetur e pa u këshilluar më parë me vëllanë e madh, Martinin. Edhe kur vinte puna për çështje shtetërore, që nga ato më të rëndësishmet e deri tek ato të dorës së dytë, kur kishte probleme për t’u zgjidhur, ata këshilloheshin dhe i zgjidhnin së bashku ato. Dëshmia më e mirë për këtë të vërtetë është letërkëmbimi aq i dendur dhe aq i gjerë midis tyre. Pothuaj çdo ditë i shkruanin letra njëri-tjetrit, veçanërisht Mirashi, që, siç thuhet, i hanin duart për të shkruar. Ndiente një nevojë jashtëzakonisht të madhe që të vinte në dijeni Martinin për gjithçka të rëndësishme që vështronte e dëgjonte.
Në këto marrëdhënie, është me interes të dihet se Mirashi më i vogël në vite, kuptohet që i linte gjithnjë pozitën dhe vendin e nderit Martinit, megjithatë, në këto marrëdhënie për zgjidhjen e shumë problemeve dhe shkoqitjen e mjaft çështjeve, udhëhiqte shpesh Mirashi. Mbas martesës së Martinit me zonjushën italiane Gjyzepina Polioti, (Giuseppina Pogliotti) detyrimet bashkëshortore natyrshëm e tërhoqën disi vëllanë e madh, megjithatë, e shoqja e Martinit ruante një respekt të veçantë për kunatin. Ajo, me punën e saj të kualifikuar pedagogjike, bëri tërë kujdesin që e bija, Drita të ushqente dashuri dhe respekt për të ungjin. Me urtësinë dhe kulturën e saj pedagogjike, për ta bërë sa më të afërt të bijën me xhaxhanë e saj, kur ishte për të bujtur te prindërit në Itali i merrte dorën vajzës së vogël dhe Drita, ende foshnjë, i “shkruante” me dorën e “saj” Mirashit përshëndetje nga Italia.
Deri në vitin 1940, kur Martini nuk jetonte më, ata të dy mbetën gjithnjë shok e miq të mirë, ku respekti, dashuria e ndërsjellë, mbetën.
.
Drita Ivanaj - te varri i Vëllezërve Ivanaj
Drita Ivanaj – te varri i Vëllezërve Ivanaj

Drita – mbesa e adhuruar

Duke mos pasur vetë fëmijë, tërë kujdesi i Mirashit u përqëndrua te Drita. Gjatë pesë vjetëve të para të jetës së saj në Tiranë, ajo u rrethua nga përgëzime e kujdesje të shumanshme prej Mirashit. Drita u bë preokupimi dhe qëllimi i jetës së tij, sidomos, pas humbjes së Martinit.
Mbas pushtimit të Shqipërisë më 1939, Drita dhe nëna e saj u strehuan te gjyshërit nga ana e nënës në një qyetet të ltalisë së Veriut, nga e kishte origjinën Gjyzepina. Ato atje kaluan 12 vjet duke përfshirë kohën e gjatë të Luftës së Dytë Botërore dhe që andej emigruan në SHBA nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara.
Mbasi mori maturën respektivisht në Itali dhe në SHBA, përkatësisht në Shkencë dhe Ekonomi, Drita vazhdoi arsimimin e saj ne SHBA te lnstituti i Shkencave IBM dhe në institucione të tjera akademike, duke marrë diplomë specializimi në “Drejtim Biznesi”, “Sisteme lnformacioni”, “Operacione në Kompjuter”, “Planifikim taktik dhe strategjik”. Ajo mori gradën e C.C.P. (Certified Computer Profesional). Profesioniste kumpjuteri e çertifikuar ajo punonte me kohë të plotë në dy specialitete të ndryshme:
Në drejtim biznesi dhe administratë të madhe kontraktuale për konglomeratin ndërkombëtar të FIAT për mëse një dhjetvjeçar. Në sisteme informacione dhe operacione të mëdha kompjuteri te institucioni i Lidhjes Ivy të Universitetit të Kolumbias, ku ajo mbajti disa poste të nivelit të lartë, për më se 20 vjet.
Në të dy karrierat, ajo u mor me një fushë të gjerë të hardware dhe software (programe kompjuteri) me riorganizime, me sisteme teknike dhe informacioni dhe me përgjegjësi buxheti, për projekte shumë të mëdha me vlerë miliona dollarësh, të cilat ajo i drejtoi dhe i çoi deri në përfundim të suksesshëm. Ajo, gjithashtu, ka bërë konsultime teknike e menaxhimi në universitet, ka drejtuar seminare si në fushën e biznesit dhe në atë të kompjuterit, ka mbajtur leksione në planifikimin, e mjaft punë të tjera të këtyre niveleve.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.