back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Prill, 2024

“Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”- Një Përmendore nga Prof. Lazër Radi – nga Pertefe Leka

Gazeta

Lazer Radi - "Ministri i Hekurt - Mirash Ivanaj"
Lazër Radi – “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj”

“Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”-

Një Përmendore nga Prof. Lazër Radi

nga Pertefe Leka

Prof. Lazër Radi i ngre një përmendore,
Mësuesit tij të nderuar dhe Reformatorit të Shquar
të Arsimit Shqiptar, në librin “Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”
 
“Mirash Ivanajn (1891-1953)
e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtëzakonshëm,
qoftë kur e pata profesor në gjimnaz, qoftë kur u shfaq
si Ministri ma reformator i Arsimit Shqiptar, qoftë në kohën e dhunës,
kur e pata shok vuajtjesh e sakrificash, po edhe përkthimesh në burgun e Tiranës.”
Lazër Radi
.
Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018

Kam pasë fatin ta takoj z. Lazër me fisnikën e tij, Zonjën Vitore, pasi ishin kthyer nga internimet, kur i vizituam me Dritën Ivanaj në vitin 1993.

Kam përjetuar emocione të papërshkrueme. Isha prezent kur z. Lazër mbas një bisede të çiltër e me shumë urti, i dorëzoi Dritës sendet e ruajtuna në burg të Axhës saj, Mirash.
Mënyra se si ia dha, të jepte përshtypjen se Ai ndrydhte një ndjesi të brendshme, por i përmbajtur, u shfaq natyrshëm përpara Dritës për të mos e lënduar Atë.
Me pamjen e tij si burrë i qëndresës dhe me një krenari prej zotnije i transmetoi Dritës fillin e lidhjes me familjen e saj, duke hapur para thesarin e kujtimeve.
Nuk mund ta harroj kënaqësinë, që ndjeu z. Lazër, kur i dha Dritës me dorën e vet, torbën me beze të bardhë, të ruajtur me fanatizëm ndër vite, nga Axha i saj në emigracion dhe në burg, dhe më vonë amanetin të ruajtur nga z. Lazër në internimet drithëruese. I lehtësuar nga ky detyrim moral dhe i plotësuar se kishte respektuar me devocion misionin e Besës, që profesori dhe miku i tij, Mirash e kishte aq për zemër, u përqaf me Dritën dhe shprehja e fytyrës tij foli, “vazhdo në rrugën e xhaxhait.”
Këte ngrohtësi që mori Drita në këte familje ishte si zjarri i Zeusit, që i duhej Dritës për ta shpërndarë në vijimësi, si trashigimtare e denjë e Ivanajve.
 
Shkrimtari dhe publicisti i shquar Prof. Lazër Radi në librin “Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj” (është libri i tretë që botohet për M. I. pas “Misteret e një Ministri” Lazër Radi 1995, “Epopeja e Njeriut” Përkthim i poezive të vëllezerve Ivanaj nga L. Radi e shumë artikuj) ka përshkruar ngjarje e fakte reale nga jeta e tij si student i Profesor Mirashit, nga Reforma Arsimore Ivanaj dhe jeta e përbashkët në burg, të dy si dijetarë e përkthyes. E kam lexuar me lehtësi librin, pasi kisha pak a shumë dijeni për të dy personalitetet. Epiteti i hekurt të jep përshtypjen fillimisht se do të ketë një përmbajtje të ftohtë, të trishtë, por hekurin e librit e shkrinte fjala e ngrohtë e plot dashuri e Prof. Radit për Mësuesin dhe mikun e zemrës, Mirash. Pastërtia e gjuhës në gegnishte, fjalitë e goditura dhe dialogjet e sinqertë rrëshqitnin me shpejtësi në lexim, të jepnin kënaqësi për ta asimiluar shpejt mendimin.
Jam përqëndruar më shumë në tregimin nga jeta në burg, nga ku kam nxjerrë detaje që i shërbenin kërkeses sime për shkrimin në fjalë.
Prof. Iljaz Gogaj në librin e tij “Mirash Ivanaj” e ka nxjerrë të përkryer figurën morale dhe intelektuale të Ivanajt duke i dhenë përmasat e një gjeniu shkencëtar, me një përkushtim ndaj kultit të Punës dhe me idetë e tij antikonformiste të palëkundura. Gogaj e ka realizuar çdo gjë nepërmjet dokumenteve, korrespondencave, nga bisedat me njerëzit që ruanin kujtimet për mesuesin, drejtorin, juristin, publicistin, humanistin etj. Ndërsa Prof. Radi, i ka sanksionuar superlativat e kolegëve duke e përshkuar karakterin e tij, nëpërmjet filtrave të vuajtjeve dhe vështirësive të njohura nga afër, aty, kur ishin në izolim, ku shkruan: “Mirash Ivanaj, ishte nga ata që në vështirësitë më të egra dhe mungesash të mëdha, shkëlqente si të ishte fitimtar në ndonjë betejë të rëndësishme.” Lazër Radi
.
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Nga kjo shprehje e Prof. Radit mora një nxitje për të argumentuar historikisht, betejat e rëndësishme jo vetëm të Mirashit, por edhe të paraardhësve të fisit Ivanaj që kontribuan me armë në dorë apo me rrugë diplomatike për Lirinë, Pavarësinë dhe në përgatitjen e njeriut të ndërgjegjshëm me dashuri dhe sakrificë për Atdheun.
Fisi i Ivanajve asht i dokumentuar që nga viti 1444. Prof. Radi e përmend origjinen e tyre nga Bëkaj e Trieshit, Malësi e Madhe. Njihen si njerëz me kontribute për qeverisjen e vendit, për ruajtjen e zakoneve të mira e të gjuhës shqipe edhe pse te rrethuar prej elementit të huaj etnik. Kanë mbetur në histori të njohur për trimëri e mençuri, si pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të Malësisë Madhe. Babai i Martinit e Mirashit, Doda, ishte dënuar tri herë me vdekje nga pushtuesit otoman, xhaxhai, Leka ishte përfaqësues i Malësisë në “Lidhjen e Prizrenit”. Me 4 Prill 1880, Krerët e Maleve në marrëveshje me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër, i drejtuan ambasadorëve të fuqive të mëdha një protestë për mbrojtjen e trojeve shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi. Midis nënshkrimeve ishte edhe ai, i Lekë Ivanajt. Si aktiv në çështjen kombëtare, Lekën e vranë malazezët në pabesi në Shkodër, më 1884. Ai ishte i përmendur jo vetëm për trimëri, zgjuarësi e humanizëm por edhe si veprimtar i dalluar në pajtim gjaqesh. Për të gjitha meritat populli e thërriste Kapedan dhe për marrëdhëniet e mira vëllazërore në Triesh e Grudë përmenden si “Leka e Doda” ashtu si edhe sot “Martini e Mirashi”
Edhe Nikë Bardh Ivanaj ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje. Si luftëtar i njohur në luftë kundër malazezve, për të, ka shumë episode se si i ka shpëtuar ndjekjeve të tyre në pabesi.
Në faqen 65, të librit në fjalë, prof. Radi ia kushton edhe një figure tjetër të rëndësishme të Ivanajve, Nikollës edhe ky, nga Bëkaj e Trieshit. I lindur në Grudë, i rritur në Pdgoricë, i shkolluar në Beograd, Vjenë, Zagreb…
Me gamën e veprimeve të tij, si pjesëmarrës në kuvendin e Greçës, mund të konsiderohet ambasador i kryengritësve shqiptarë, në rrethet Evropiane, në prag të shpalljes së Pavarësisë. Merr pjesë në shumë konferenca të organizuara në Romë, Paris, Londër, Boston e tjerë… Duke qenë aktiv në lëvizjen ilegale italiane të Mazzinit, u përpoq të ndikonte në Shqipëri me idetë e tij, duke marrë drejtimin e një lideri të lëvizjes Nacional Shqiptare.
Fillimet e këtij ndikimi u dukën në Shkodër me 1905, ku ishin ngritur disa komuna sociale të vogla, por qe ranë në sy të qeverisë turke, të cilat i shkatërruan që në embrion. Për t’i dhënë më shumë forcë këtij ndikimi, Nikollë Ivanaj, botoi në Raguzë, Trieste e Romë, gazetën “Shpnesa e Shqypnisë” ku propagandoheshin idetë e Mazzinit, të përshtatura për Shqipërinë e tre besimeve me divizën e Pashko Vasës, një mazzinian i fjalës dhe i aksionit, “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria.”
Ka mbetur në histori fjalimi i zjarrtë i N. Ivanajt, me 26 Janar 1911, përpara shoqatës së shtypit italian në Romë, në prag të kryengritjeve të mëdha të veriut dhe të një aktiviteti të dendur politik e diplomatik. Atehere kur Kristo Dako, kishte ardhur në Shqipëri me Charles Richard Crane, i cili lobonte për Shqipërinë në Qeverinë Amerikane gjatë Konferencës së Londrës 1912-13.(Crane i njohur si sponsorues i Robert Kolegjit në Turqi, ku studiuan shumë studentë shqiptarë me sponsorizimet e tij, si motrat Qirjazi po ashtu edhe sponsor i shkollës së Dakës. Crane, duke qenë këshilltar i Woodrow Wilson, bëhej ndërlidhës i shqiptarëve me Presidentin Amerikan, për çështjen e mbrojtjes së Pavarësisë.)
Me oratorinë që e karakterizonte, N. Ivanaj bënte thirrje në ndihmë të Atdheut: “Po ju sjell, o njerëz të lirë, jehonën e thirrjeve kryengritëse të Atdheut tim të robëruar…” Fjalimi u botua në Romë pas një viti, kur Shqipëria fitoi Pavarësinë.
Me 10 Nëntor 1999, Fondacionet Ivanaj, me insistimin e Drita Ivanajt, e botuan këte dokument të rëndësishem “An Albanian Revival” në përputhje me kërkesat e kohës, kur Kosova me Luftën e saj të drejtë, po shkonte drejt Lirisë e Pavarësisë.
Për këte aktivitet, Nikollën, së bashku me shumë arbëreshë dhe patriotë të tjerë të aktivizuar për çështjen shqiptare, i dëbuan nga Italia. Atëhere u vendos në Francë, ku takoi me bashkëluftëtarë të Garibaldit dhe me Leninin, një takim shumë i përfolur dhe i publikuar gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri, sepse me 1917, Lenini kishte denocuar traktatin e fshehtë të Londrës, ku likujdohej Pavarësia e Shqipërisë”.
Në gusht të vitit 1912, merr pjesë në një konferencë të rëndësishme në Sofje për të cilën shkruan gazeta franceze “La Temps” deklaratën e N. Ivanajt me dy qëllime kryesore: Aktivizimin e ndërgjegjës Kombëtare në mes të popullit dhe paraqitjen e problemit shqiptar përpara Europës me rrugë diplomatike (një dokument i përkthyer dhe i publikuar nga Aurenc Bebja)
Me rëndësi është pjesëmarrja e tij në Kongresin Shqiptar të Triestës, 1913, të organizuar nga Faik Konica dhe Sotir Kolea… për njohjen politike dhe ekonomike të Pavarësisë së Shqipërisë drejtuar fuqive të mëdha.(e dokumentuar edhe në librin “Shpresa e Shqypnisë”, “Shpnesa e Shqypennis” me autor Paolo Muner, simbol i shqiparizmës)…
I pandarë nga qyteti i Shkodrës, Nikolla, organizon atje klubin “Lidhja Kombëtare” dhe gazetën me të njejtin emër, ku shtronte pikëpamjet e vetëqeverimit shqiptar, në mbrojtje të drejtave të popullit tonë. Mirashi nga ana tjetër edhe pse më i ri në moshë së Nikolla, po me këte vrull dhe kurajo civile, organizon protesten me studentët e Romës në Shkurt të 1917. Kur profesori i Universitetit të Romës Dr. Oracio Pedroci, kishte mbajtur një konferencë historike në sallën e Universitetit, për të mbrojtur të drejtat Italiane në Dalmaci dhe ndër të tjera kishte mbështetur pretendimet e Serbëve për dalje në Detin Adriatik me anën e Bunës, Shëngjinit e Durrësit. Mirashi, si studiusi i historisë së lashtë të popullit shqiptar, nuk mund ta kalonte lehtë këte incident, ndaj mblodhi studentët më aktiv, si Demir Vila, Lef Nosi, Teofik Mborja, etj. në një protestë kolektive për ta botuar në një gazetë të Romës ku shprehte indinjatën, kundër pikëpamjeve të padrejta që iu servirën opinionit publik. Ky qëndrim i studentit atdhetar përforcohet në korespondencën me Ideologun e Lëvizjes Kombëtare, Mit’hat Frashëri.
.
Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt - Tiranё, shtator 1992
Lazёr Radi, Drita Ivanaj e L. Leka te varri i Mirash Ivanajt
– Tiranё, shtator 1992
Më 1919, N. Ivanaj si delegat i “Partisë Politike” shqiptaro-amerikane merr pjesë në “Konferencën e Paqës në Paris” së bashku me Kristo Dakon, i cili e drejtonte atë Parti dhe kishte kontaktuar dy herë me Presidentin Wilson për t’i spjeguar aspiratat e popullit shqiptar.
Letrat e N. Ivanajt, dërguar Kristo Dakos më 1920, pas Konferencës së Paqës në Paris, ishin urgjente, sepse Italia vazhdonte pretendimet për Vlorën dhe Greqia për Shqipërinë e jugut “Popullin Shqiptar nuk duhet ta komandojë as Italia, as Greqia dhe as cilido mandat tjetër kushdo qoftë”. Atëhere duhej nxitur opinioni i diasporës dhe fuqia e një autoriteti siç ishte Presidenti ëilson,të cilit i drejtohet me letër: “Unë apeloj në të mirë të popullit tim shqiptar, përfaqësues i të cilit jam në të drejtat e mija të njeriut dhe në principe që përfshihen në 14 Pika të Pres. ëilson duke u lutur se shqiptarët nuk mund të lëshojnë shtetin e vet, kërkesave të Italisë e Greqisë”
Viti 1923, ishte viti i një pune intensive, për Mirashin. Ai po përgatiste tezën e Laurës së dytë, kur lajmërohet prej Nikollës se kishte blerë një shtypshkronjë. Pa asnjë hezitim, iu përvesh punës dhe me 24 Tetor 1923, doli në Shkodër numri i parë i gazetës javore “Republika” me termin e së cilës shikonte fillimin e një lëvizjeje për një trajtë regjimi që rridhte nga idetë demokratike, sipas shprehjes se M. Ivanajt: “Të të gjitha klasave që përbajnë nji shtet!” Artikujt që shumica dilnin nga Mirashi por edhe nga Nikolla e Martini shpalosnin idetë e Lirisë, Demokracisë dhe te Shqiptarizmit.
Zgjodhën publicistikën, si fusha më e përshtatshme për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare, ku shfaqeshim mendimet politike e shoqërore. Edhe gazeta “Bashkimi” e përditshme në Shkodër, e drejtuar prej tyre, ishte për të ndihmuar shtetin e asaj kohe për të zgjidhur problemet që i përkisnin popullit, sidomos arsimimi në shkolla shtetërore të kontrollueme prej qeverisë. “Besimet do të hyjnë vetëm sa i përkasin historisë e jo të marruna si bazë ekskluzive të një morali të caktuar.”
Kur ishte drejtor shkolle në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, Prof. Mirashi, përveç punëve organizative, edukative, mësimore, kulturore, në normalizimin e anarshisë dhe në strukturën e shkollës (kur krijoi degën normale), përsëri shikonte se faktorët e jashtëm ishin pengues e dëmtues për gjimnazin e shtetit.Për këte evidentonte shkollat private, propagandën klerikale dhe atë të shteteve fqinj. Synimi ishte të nxirrte qytetar të devotshëm me mendim të njësuar nacional. Në programin mësimor përveç kërkesave shkencore pedagogjike i dha prioritet formimit kombëtar mbi themele shqiptare për ecurinë e përparimit të shkollës në dobi të vendit. Ngjarja e demostratës në Shkodër, në festën e Flamurit 1927, është një provë e mirëfilltë për qëndrimin patriotik të Prof. Mirashit. Flamuri shqiptar në Bankën e Shtetit, ishte vendosur në të majtë, ndërsa flamuri italian në të djathtë. Studentët duke parë këte nënvleftësim, të flamurit shqiptar, demonstruan të bashkuar për këte qëllim, ndërsa grupi i studentëve që ishin në prag të maturës, (Jahja Domnori, Jup Kazazi, Jahja Baçe, Agustin Shestani… marrë nga libri M. Ivanaj i Iljaz Gogajt) u përpoqën, me anë të një shkalle, ta hiqnin flamurin italian, por nuk arritën sepse i arrestoi policia. Pas këtij aksioni, Drejtori i mblodhi studentët, i këshilloi ëmbëlsisht dhe ndër të tjera u tha: “Ju tashmë jeni të rritur dhe dini vetë si të veproni” Kjo këshillë sipas Dr. Milajt ishte më shumë se aprovim. Prof. Radi këte moment e ka paraqitur, në f.165, por personi M. T. i shkruar në libër, s’është në dokumentin historik të shkollës.
Pyetjes së prof. Radit, drejtuar Mirashit (f. 209) në lidhje me studentët i përgjigjet: M. I. – “Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës që edhe sot i kujtoj me respekt” (Ata janë: Qamil Golemi, Jahja Domnori, Rexhep Berdica, Xhemal Lopçi, Refik Shpuza, Ahmet Ashikja, janë edhe në foton e vitit 1928 ku mes tyre hijeshon, Drejtori Mirash Ivanaj, P. Leka) Në bisedë e sipër, përveç atyre evidenton edhe shumë të tjerë, si Abaz Ermenji, Vasil Konomi, Gafurr Çomo e sidomos Jakov Milajn të cilin e konsideronte si inisiatorin e “Shoqnisë Besa”. Kanë mbetur edhe sot emblematike në këte Gjimnaz, fjalët shpresëplote të Drejtorit Ivanaj, kur po përgatiteshin për provimet e maturës së parë në gjuhë shqipe: “Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë, indipendenca në fushën arsimore të kombit”
Një vend të rëndësishem në libër (67-91) Prof. Radi ia kushtoi rëndësisë së Reformës Arsimore të Ivanajt për të cilën thotë se mori dimensionet e një shkolle kombëtare. Në Gjimnazin e Shkodrës ishin regjistruar nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë edhe nga Kosova e Çamëria. Reforma ishte për forcimin e shtetit shqiptar, sepse ndërhyrjet e huaja, qoftë nëpërmjet shkollave apo kulturat e ndryshme politiko-ekonomike, realizonin synimet lakmuese të fqinjëve. Në shkollat e minoritetit thekson Prof. Radi këndohej “Flamur me kryq, me kryq,/ Një dy, një dy Vra shqiptar, Vra Shqiptarë/” Nga Ana tjetër Fashistët italianë nuk e kishin harruar disfatën e Vlorës 1920, siç shkruan Radi, Musolini donte La Rivinta (hakmarrje) situatë të cilën edhe të huajt, miq të Shqipërisë, e kishin nuhatur se ku po shkonte vendi me kreditë e shumta të Italisë. Vepra e Telford Erickson “Little kingdom, what next” (“Mbretëria e vogël, por më pas çfarë do të ndodhë”) një ndër pesë veprat të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit” Parashikon katastrofën që do të sjellin kreditë e shumta dhënë Italisë. Në këto kushte, reforma për mbylljen e shkollave të huaja, nepërmjet tyre dhe të influencave të huaja u mirëprit nga elementi patriotik përparimtar. Mund të themi se Dr. Martini i kishte paraprirë i këtij vendimi i cili, që me 1930 kishte shfaqur mendimin se shkolla fillore duhet të jetë tagër vetëm e shtetit: “Shkolla fillore ka ate mision historik ku unjisohen të gjitha forcat morale dhe politike që ka kombi” Ajo që pritej erdhi, Viti 1939. Prof. Radi i ka përshkruar vëllezërit si djemtë e traditës në mbrojtje të Atdheut me armë në dorë. “Ditët e fundit të Mbretërisë shqiptare, vëllezerit Ivanaj e në mënyrë të veçantë Mirashi, bënë përpjekje për të organizuar një repart ushtarak në mbrojtje të kufijëve të Atdheut. Me nji karabinë në krah, i kishte ra kryq e tërthor Tiranës, por në rrugët e boshatisura nuk kishte takuar asnji grupim të organizuar të armatosur.” f. 263 Për ta përforcuar këte mendim, shton edhe përshkrimin e Dr. Milajt “Shokët e mij më kanë thënë se janë çuditur, kur me 5-6 Prill kanë parë Profesor Mirashin me të vëllanë, që kishin lënë zyrat dhe bashkë me turmen, brohorisnin rrugëve, “Duam pushkë, Duam pushkë”, duke shkuar para M.P.B., Komandës së Mbrojtjes dhe Pallatit Mbretëror “Të ndodhur në këto rrethana, si antifashistë dhe nëpunës të lartë të shtetit u larguan nga Shqipëria. Pohimet e Mirashit në hetuesi dhe në bisedat me Radin në burg f. 140 “Në Stamboll nuk kemi formuar ndonji organizatë… Kemi ba disa akte dhe mbledhje kur ka filluar Lufta Italo-Greke, kemi ba nji protestë në lidhje me fjalimin e Çurçillit dhe nji herë tjetër kundër Greqisë, kur kërkonte viset tona të Korçës dhe të Gjirokastrës. Nuk kam pasë lidhje me asnji organizatë jashtë Shqipnisë, sa për Sterling-un, unë nuk e kam takuar kurrë…” Duke u nisur nga gjithë ky aktivitet, me një patriotizëm të shkallës më të lartë, po të mos i ndërpritesh hovi i punës, të vazhdonte me ate guxim qytetar, me atë kulturë të pasur, me atë karakter të fuqishëm, Mirash Ivanaj do të ishte një lider që do ta çonte vendin në udhën e përparimit evropian.
.
Mirash Ivanaj - Ministër i Arsimit - në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli
Mirash Ivanaj – Ministër i Arsimit – në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli
Prof. Radi, i përkushtuar që të nxirrte në dritë, se Ivanajt e donin Atdhenë duke u përballë me të vërteten, i jep vlerë universale betimit të Malësorëve: “Për Qiell e për Dhe”, mbi çdo gjë Dheu dhe Liria. Mbi bazën e kësaj filozofie popullore janë ngritur shtyllat e kontributit tyre së bashku me mendimin e veprimin si mazzinian, të cilët e mbajtën të gjallë thënien profetike të Mazzinit, kampioni i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento” (Ripertëritja) me frazën e tij Apostolike: “Patriotizmi si një detyrë, dashuria për Atdhe si një mision hyjnor.” Gjithë ky ndikim patriotik e filozofik është pasqyruar edhe në veprat e Ivanajve, edhe pse studiuan nëpër shkolla të huaja, ata e shkruanin gjuhën shqipe perfekt, pa barbarizma, bile gjuhë shqipe të të gjitha krahinave, që kërkon një vëmendje të veçantë. Studimi i teorisë Pellazgjike nga Mirashi, për të pasuruar sa më shumë historinë e lashtë të popullit tonë apo tema e Laurës: “Historia e gjuhës shqipe në marrëdhënie me gjuhët e vjetra”, Temat e hartimeve që jepte në shkollë: “Atdheu nuk madhnohet me fjalë por me vepra”, “Secili shtetar në çdo situatë që të ndodhet mund t’i shërbejë Atdheut…” Ato pasohen me tezën e Laurës së Martinit nga Kanuni i maleve dhe me vepren e Nikollës “Historia e Shqypnisë së Re”, duke shtuar publicistikën, fjalimet, veprat letrare, që bëjnë së bashku një monument atdhetarie dhe fashisin çdo insinuatë apo thashemnajë ndaj tyre, si bolshevikë, masonë, antifetarë, etj. Për këtë Prof. Radi e ka evidentuar me një dialog Mirash dhe Gjergj Bubani f. 205 Gjergji: A keni ardhur nga mërgimi vetëm për hatër të librave? M. Ivanaj: Jo o Gjergj, nuk asht ashtu! Librat mund të jenë nji nga arsyet, por jo kryesorja. Unë erdha në Shqipni, në Atdheun tim, Zani i këtij Atdheu asnjëherë nuk rreshti së thirruri, këtij Zani iu binda!” Ndër të tjera thekson: “Midis dorëshkrimeve kam pasë dokumente origjinale dhe një korrespondencë të bollshme, po të gjenden do të sqarojnë disa momente të rëndësishme të historisë së Shqipnisë. Kam një shpresë të zbehtë mos ndoshta një pjesë e këtyre materialeve i janë dorëzuar arkivit të shtetit, po të jenë atje, diçka e mirë prej tyre do të dalë në dritë.” Me keqardhje mund të shprehem, se gjithmonë pushtuesit, kanë synuar të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të një populli, kanë djegur bibliotekat. Kur e bënë atë edhe vetë shqiptarët komunistë me bibliotekat e Ivanajt, Lef Nosit, apo biliotekën dhuratë të Konteshës Carnarvon me 1928 “Biblioteka për Djelmërinë” që ia kushtoi birit të saj, mikut të madh të shqiptarëve, mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Abrey Herbert 1880-1923, e sa e sa të tjera kjo është fatale. Këtu qëndron merita e Dritës, mbesa e Prof. Mirashit, e cila sapo ka vënë këmbën në Shqipëri, interesimi më i madh për të ishte, për të kërkuar trashëgiminë kuturore të familjes Ivanaj, dokumente dhe studime historike të tyre, për t’ia lënë trashëgimi një Instituti studimesh për Rininë Shqiptare të cilën e realizoi pas një maratone të gjatë me themelimin e Fondacioneve “Martin e Mirash Ivanaj – Institut” në Tiranë e N.Y. Ky institucion është sot një qendër kulturore, ku realizohen projekte bashkëkohore, Konferenca Jubilare, Promovime Librash, (siç u realizue edhe libri në fjalë), aktivitete shkencore për rininë ku janë bashkuar shumë të rinj Vullnetarë të etur për dije.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.