back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Menajt e Lurës në istikamet e Atdheut nga Enver Kaloshi

Gazeta

Bajraktari i Lurës Hakik Ali Mena (1890-1942)
Bajraktari i Lurës Hakik Ali Mena (1890-1942)

Menajt e Lurës në istikamet e Atdheut

nga Enver Kaloshi

Është e pamundur të flasësh e të shkruash për Menaj-t e Lurës pa sqaruar se ç’është Bajraku, dhe pse Menajt e shquar njiheshin dhe njihen si bajraktarë të asaj treve aq të përmendur e të begatë?!
Në gjuhën shqipe fjala “bajrak” ka si kuptim të parë fjalën “flamur”, dhe me të nënkuptohej flamuri që mbahej nga flamurtari (bajraktari), që printe bashkëkombasit e bashkëkrahinarët në luftërat për liri. Por ka edhe kuptimin e dytë të një zone administrative të kohës së perandorisë Osmane, me doke e tradita të njëjta, që prihej nga dera e Bajraktarit të saj.
Që këtej rrjedhin edhe stilemat “me bajrak në ballë”, “ngriti bajrakun”, “shpirtin jepe e shko, bajrakun mos e dorëzo” – që aq bukur i sintetizon urtësia popullore.
Dhe shembujt për bajrakët dhe bajraktarët vijnë nga historia me gjëmim të rëndë.
Në betejën e Kakarriqit të Lezhës, dhe në luftën heroike nën rrethim të qytetit të Shkodrës dhe jashtë tij, kundër malazezëve e serbëve, në periudhën tetor 1912 – maj 1913, lanë namë edhe dibranët.
Secila prej krahinave të Dibrës kishte flamurmbajtësin e vet.
Flamurin e Katër Grykëve e mbante trimi nga Qafë Murra, Ismail Nika. Atë të Lurës e mbante trimi i Menajve… Por lufta ishte e ashpër dhe s’kurseu as flamurtarët. U vra bajraktari i Lurës e i krahinës së Prellit.
Trimi i Katër Grykëve vërsulet e i kap dy flamurët e bajraqeve të tjerë, dhe i valëvit me krenari.
Dibrës nuk i kanë munguar kreshnikët.
I lexoj e i rilexoj shënimet, “Reliktet…” e Babës tim, Mehmetit. Kujtoj e rikujtoj bisedat e zhvilluara me të, përpiqem e ripërpiqem të mos mbetet asgjë me vlerë pa u evidentuar dhe, së fundmi, bashkë me kujtimet e miqve e shokëve të tij, të bashkëluftëtarëve e bashkëvuajtësve të tij, përpiqem të kompozoj shënimet e tij perla, në faqen 3, të të cilave shkruan: “Kalvari i Menajve vazhdon. Ka edhe shumë për të ba”, çka ilustron atë që shkrova më lart.
Në shënimet për të rënët në altarin e atdheut, Babë Mehmeti shprehet: “Sa herë që shqiptarëve u asht dashtë me përballue situata të padëshirueshme për Kombin, Dibrës (si në të gjithë trevat e tjera) nuk i kanë mungu kreshnikët. Do të përpiqem me sa të mundem me evidentu aktin e heroizmit të tyne”.
Lura: Piktoreske e strategjike. Lura e foleve të atdhetarëve dibranë në luftë për liri. Lura e kuvendeve kombëtare për Beslidhje, organizim e mobilizim në mbrojtje të Atdheut.
Lura e fiseve të nderuar Mena, Doçi, Xhoçi, Nezha, Kaci, Hoti e të tjerë, por unë ma së pari do të përqendrohem tek fisi Mena, i cili i dhuroi kombit tetë dëshmorë.
Fisi Mena, kohë mbas kohe kanë nxjerrë njerëz të dëgjuar, në krahinë dhe në mbarë Shqiptarinë. Prandaj dhe krahina e Lurës, e përbërë prej gjashtë katundesh, i pat dhënë titullin e nderit të kohës: Bajraktar i Lurës.
Kjo derë e shquar kishte ndikim jo vetëm në Lurë, por në të gjithë krahinat malore të Dibrës, Matit, Lumës e Mirditës.
Toponomia e bajrakut të Lurës është e pasur dhe me shumë kuptim. Dikur me gjashtë katunde, me treqind shtëpi, 1100 metër mbi nivelin e detit, me dy mijë banorë.
Kurora e Lurës, Maja e Gjaraqinës, Liqeni i Luleve, Guri i Kuq – sa të mahnitshme, aq edhe të rralla.
Lurasit përmenden në dokumentet zyrtare qysh në kohën e Skënderbeut. Përgatisnin armë për ushtrinë e pathyeshme të Heroit tonë.
Përtej majës së Gjashtëgjishtit gjendet një vend që quhet Shkëmbi i Skënderbeut, afër të cilit është Fusha e Pelave, ku gërshetohen të vërtetat historike me legjendat e magjishme.
Banorët e kësaj treve, nga natyra janë të fortë e u qëndrojnë vështirësive pa u lëkundur. Treqind shtëpitë e Lurës së dikurshme kanë rrjedhur prej gjashtë vllaznish.
Menajt, thuhet se rrjedhin nga Tollajt.

Ali Hakik Mena (1923-1960)
Ali Hakik Mena (1923-1960)

Histori nga e kaluara

Tahir Mena (Bajraktari) i parë është vrarë në More të Lumës, si prijës në luftë kundër turqve, rreth vitit 1850.
Sali Mena Bajraktari, nipi i Tahirit, u ka pri lurasve në luftën e Karadakut. Ka luftuar si hero e ka rënë në fushën e luftës ashtu siç binin burrat e hershëm.
I biri i Sali Bajraktarit, Ali Mena, ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Vritet në Lezhë më 1913, në luftën e Kakarriqit.
Hakik Mena me të vëllanë Selmanin, udhëhoqën luftën kundër serbëve në Dri.
Kullat e Menajve janë djegur e rrënuar tri herë. Austrohungarezët dhe serbët kanë kryer në Lurë masakra të përbindshme. Deri në Dhjetor 1924, çfarë nuk kanë provuar trimat, banorët e Lurës. Menajt të dalluar e të veçuar.
Nga Dhjetori 1924 e deri në Prill 1939, Menaj-t ishin mbështetja e fortë e Ahmet Zogut.
Menajt ishin oficerë trima të Ushtrisë Kombëtare: Tahiri – akademik, Hakiku e Bajrami – oficerë aktivë nën uniformë. Selmani, oficer kreshnik në rezervë.
Pas agresionit fashist italian, Tahiri, Hakik Mena (Bajraktari) me të vëllanë Selmanin, u mobilizuan në rezistencën kundër pushtimit dhe luftuan deri në fishekun e fundit.
Të tmerruar nga frika se të lirë në trojet e tyre në Lurë, tashma pa burrat kryesorë të fisit, Menaj-t sërish do të mbeteshin problem për pushtuesit, fashistët i internojnë familjarisht në Berat.
Atje në internim, i pamposhtur, Bajraktari Hakik Mena ndërroi jetë, por nuk u thye dhe nuk e tradhtoi besën e të parëve.
Pas peripecive të panumërta, burrat e Menajve mezi shpëtuan nga ishulli i shkretë Ventotene në mes të detit Tirren, ku vuajtën internimin e rëndë bashkë me qindra e mijëra antifashistë shqiptarë, e nga vende të tjera.
“Qe i pari Bajraktari Hakik Mena që hapi grykën e thesit të të rënëve nga kjo familje sojnike të viktimave të mëpastajshme: vëllai, nipat e djemtë e vet”, – shkruan Babë Mehmeti.
“Në vitet 1943-1944, pjesëmarrja e meshkujve të Menajve në luftë qe aktive. Në të u angazhuan të gjithë burrat, qoftë dhe të rinjtë pa lëshue briskun në faqe, siç qenë Lami, Bajrami e Hasan Mena. Edhe më të rinjtë si Aliu, Mexhiti, Isaja e Ramizi, luftuan me vendosmëri”.
Në Korrik të vitit 1943, Menajt me shumë luras e katërgrykas iu përgjigjën thirrjes së parisë së Matit për të sulmuar garnizonin fashist në Burrel. Siç dihet ajo qe një kryengritje e madhe popullore me pjesëmarrje të gjerë, qe një sulm i furishëm. Ajo luftë qe një vepër e madhe e masave, e udhëhequr nga prijësit nacionalistë të Bajrakut të Prellit, Bajrakut të Lurës, Katër Grykëve.
Menajt e Lurës me Llan Destan Ndregjonin e Lukanit të Katër Grykëve, u dalluan në këtë luftë të madhe, krahas matjanëve me Sulëkurtajt, Vatëdodajt, Kolajt e Macukullit e të tjerë.
Babë Mehmeti kumton në shkrimet e tij relikte: “Edhe pas vendosjes së diktaturës sllavokomuniste në Shqipëri, burrat dhe djemtë e familjes së nderueme të Menajve nuk i dorëzojnë armët, por si shumë nacionalistë të tjerë dibranë e mbarë shqiptarë, i drejtohen malit. Në këtë familje ka edhe një veçori: Të gjithë meshkujt mbi 15 vjeç braktisën shtëpitë dhe morën malet për liri. Braktisi shtëpinë edhe plaku 70-vjeçar, kreshniku i nderuem, i titulluari Bajraktari i Lurës, Selman Mena, i cili nuk ia lejoi vetes të nëpërkambej nga sllavokomunistët, duke e mbajtur të pastër prejardhjen e familjes e historinë e saj të lavdishme. Pra Selman Mena rrok pushkën dhe ndjek nga pas 8 sokolat e tij, tu e çue në 9 numrin e luftëtarëve për liri. Malet kreshnike të Lurës nuk heshtën së gjëmuemi nga grykët e pushkëve të këtyre martirëve, për 3 vjet rresht”.
Të gjitha shpresat e nacionalistëve të vërtetë janë lidhura me lirinë. Lufta për liri i superon moshat! Kështu si me Selman Menën, ndodhi edhe me gjyshin tim, Llan Destan Ndregjonin.
Babë Mehmeti ka shkruar: “Ora ogurzezë”! Ora! Kohë e përcaktuar me përpikmëri, zakonisht e shkurtër, gjatë së cilës ngjet diçka, kryhet diçka. Ora zezë! Që ndjell e sjell fatkeqësi.
Ora ogurzezë erdhi
Në fundvitin 1945, plaku Selman Mena bashkë me katër djemtë rrethohet keqas dhe mbas një luftimi prej gjashtë orësh vriten që të pestë në fushën e betejës. Në fushën e nderit. Duke u përplasur gjoks për gjoks me komunistët.
Në vitin 1946, në Lis të Matit ranë në pritë. Një pjesë çanë rrethimin. Tre u vranë në vendin e ngjarjes dhe Lami u plagos rëndë e vdiq në Burrel. Qazimit e Lamit s’u dihen varret.
Përpjekja tjetër në Pllajë të Lurës. Në Gjurin e Bijes. Më 3 Maj 1947, forcat e shumta komuniste, rreth 150 vetë, i rrethojnë dhe pas një lufte të pabarabartë u vranë Tahiri dhe Bajrami. Të dy plagët i kishin marrë në gjoks.
Më pas, u gjykuan në Peshkopi dhe u dënuan: Aliu me burg të përjetshëm, Mexhiti me 15 vjet, dhe Isaja e Ramizi me nga 10 vjet.
Nis jeta në burgje. Burgu i burgjeve, Kalaja e Gjirokastrës. Nëntë të vrarë në përpjekje, tre të vdekur në internim.
“Fatkeqësisht, – shkruan Babë Mehmeti, – vuajtjet e Menajve vazhdojnë. Kanë dhe shumë rrugë për të ba. Ali Mena një i ri rreth 25 vjeç, një gjimnazist me perspektivë, një trashëgimtar i denjë i Bajrakut të Lurës, sëmuret keqas nga pleviti i marrë në arrati dhe nga keqtrajtimet e torturat në hetuesi.
Administrata komuniste e burgut 313 në Tiranë, me gjithë lutjet e vazhdueshme të shokëve, që e deshën aq shumë, s’e dërgoi Aliun në spital.
“Ali Mena i dënuar me aq vjet burg, s’duhet të jetonte. Dhe ashtu ndodhi. Mbas tridhjetë ditëve lëngatë, vdes në krah të shokëve”.
Babë Mehmeti bën portrete me dy-tre penelata: “Isa Mena, vëllai i Aliut, një i ri dinamik, që vetëm fletët për të fluturuar i mungonin… Guximtar i papërmbajtur. I lindur për pushkë. I sprovuar në sa e sa beteja. Mbasi kryen burgun i drejtohet Korabit, po s’është e thënë që ky djalosh 22-vjeçar të jetonte: Vritet në vijën kufitare, në përpjekje për të shpëtuar një shokun e tij. E çon në 8 numrin e martirëve të fisit Mena.

Vellezer... dhe bashkvuejtes te perjetshem Ramiz dhe Men Mena
Vellezer… dhe bashkvuejtes te perjetshem Ramiz dhe Men Mena

***
Kur populli të ngre kangë, eshtrat dhe emri nuk treten kurrë!
Baba im i shtrenjtë Mehmet Avdi Kaloshi, u përpoq të shkruante për Menajt, Bajraktarët e Lurës.
Unë takova edhe Ramiz Menën dhe bisedova jo pak me të. Kishte qenë me babën tim në burgun e tmerrshëm të Gjirokastrës.
Zotni Ramizi, pinjoll i shquar i Menajve, një nga të paktët që mbijetoi nga brezi i vjetër, i mirëpriti dorëshkrimet e Mehmet Kaloshit, të cilat kërkoi t’ia lexoja dhe i dëgjoi me kënaqësi.
-Si e gjykoni, zotni Ramiz, ç’mund të shtoni? Mos i ka shpëtuar ndonjë gjë Babë Mehmetit? Ndonjë pasaktësi, ndonjë shtesë…?
-Jo, bir. Gjykoj se s’i luan as topi i karadakut! – më tha trimi i Menajve, me lot në sy.
Ishte takimi ynë i fundit. Ai u tret dhe shkoi i heshtur, pranë etërve të tij, për t’u takuar me ta në Xhenet, aty ku e kanë vendin ata që derdhin gjakun për atdheun, ata që ruajnë traditat dhe nderin e të parëve.
Humbja e tij na dhembi ne të gjithëve, që e kishim për nder të ishim miq e bashkëluftëtarë të anëtarit të përjetshëm të Senatit të Veteranëve të PLL. Këtij burri fjalëpak, fisnik e gojambël. Burrë i vërtetë tradite, zakoni e Kuvendi…, tamam prijës Bajraktar.

***
Sot vendi i Menajve në istikamin e luftës politike e në Kuvendin e burrave të mençur nuk mbetet bosh. Sepse ata janë sërish aty, ku ishin të parët e tyre, pranë Ahmet Zogut dhe Abaz Kupit. Ata sot militojnë dhe drejtojnë në PLL.
I tillë është Hakiku i Ri, që drejton me aftësi Degën e madhe të PLL në SHBA-të, atë të Nju Jorkut.
I tillë është edhe juristi i ri Lurian Mena, anëtar i Kryesisë së PLL, që ka marrë shumë nga gjyshi Ramiz dhe të parët e tij…, që ka vendosur të ndjekë rrugën e të parëve.
Kësisoj fisi i Menajve rron e mbijeton, me nder e krenari, si gjithmonë në shekuj…, në kangë e në kronikat e kohës…
(Gazeta Atdheu, 23 qershor 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.