“Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes… – nga Alma N. Liço

0
16
Alma N. Liço
Alma N. Liço
Alma N. Liço
Alma N. Liço

“Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes…

nga Alma N. Lico

Postimi lidhur me reflektimin e Bedri Spahiut rreth krimeve të tij dhe të regjimit
që i shërbeu me zell më nxiti të sjell një shkrim timin të disa muajve më parë:
“Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes..”
Teksa po lexoja librin “Lulja e Diellit” të Simon Vizental-it, ndjeva një shtysë të brendshme të reagoja dhe jepja opinionin tim mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes, trajtuar aq gjerësisht në këtë episod të jetës së autorit.
Historia e vuajtjeve të tmerrshme në kampet naziste të përqëndrimit, ma solli të gjallë terrorin dhe genocidin ndaj hebrejve, gjatë asaj periudhe të shëmtuar të historisë së njerëzimit. Ngjarja e përjetuar nga autori është e shkruar mjaft bukur dhe me origjiinalitet, me një gjuhë të thjeshtë, të rrjedhshme e të kuptueshme. Simon Vizental është një nga të mbijetuarit e paktë të atij kampi. Histori të tilla kemi lexuar e njohur me qindra. Por, ajo që e bën të veçantë këtë rrëfim të dhimbshëm, është raporti dhe dilema që autori çfaq në lidhje me ndjesën e kërkuar prej tij nga një kriminel, Oficer SS-ë , që po ndërronte jetë, në ato ambiente ku mbizotëronte terrori dhe vdekja. Mes plagëve dhe fashove që kullonin gjak e qelb, SS-i njëzet e ca vjeçar, kishte dëshmuar krimet e tij të tmerrshme dhe thellësisht i penduar, kishte kërkuar që hebreu i burgosur, ta falte atë. Nën peshën e terrorit dhe të çfarosjes në masë, autori ishte i obliguar ta dëgjonte deri në fund rrëfimin e të riut që po vdiste, dhe më pas ishte larguar në heshtje, duke refuzuar në mënyrë të pazëshme të mbante qëndrim ndaj lutjes së tij. Disa orë më pas, oficeri SS, kishte mbyllur sytë . Kjo ngjarje u skalit në ndërgjegjen e Simonit dhe shumë vite më pas ai kërkoi nga lexuesit e këtij episodi, si do kishin vepruar ata në të njejtat rrethana. Natyrshëm, paqartësia e autorit, dhe deri diku brerja e ndërgjegjes, ka ndezur mjaft opinione të ndryshme, të botuara së bashku me këtë libër.
Në opinionin e saj lidhur me mundësinë dhe kufijtë e faljes, Meri Gordon, profesoreshë e anglishtes në kolegjin “Barnard”, autore e katër novelave bestseller, ndër të tjera shkruan: Falja afërmendsh mund të jetë e mirë për të dy palët, por nuk mund të jetë kurrë e mirë harresa; së pari sepse ajo është një formë mohimi, dhe së dyti sepse vetëm njohja e fajit nga të dy palët mund të fillojë të pengojë përsëritjen e veprave të shëmtuara. Duke damkosur mëkatarin në mënyrë të sigurt, ritualet publike të pendesës sigurojnë që vepra të mos harrohet.
Ndërsa Hans Habe, kryeredaktor i Gazetës “Die neue Zeitung”, në Mynihun e pas luftës së dytë botërore, shkruan: Falja është çështje shpirtërore, ndëshkimi është çështje ligjore… Amnistia që i jepet një vrasësi i cili nuk ndëshkohet, është një formë bashkëpunimi në krim. Ajo nuk nxit falje, ajo e përjashton atë… nuk mund të pranoj justifikim se sistemi e çliron individin nga përgjegjësia… Të falësh pa drejtësi është një dobësi e vetkënaqësisë .
Cinthya Ozick, anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letërsisë, fituese e disa çmimeve për novela dhe tregime, shkruan: Shpesh na kërkohet të arsyetojmë në këtë mënyrë. Hakmarrja brutalizon, falja fisnikëron. Por mund të jetë e vërtetë dhe e kundërta. Rabinët kanë thënë: Kushdo që mëshiron një mizor, do të përfundojë si indiferent ndaj të pafajshmit. Edhe falja mund të brutalizojë… falja është e pamëshirë, ajo harron viktimën. Ajo i mohon të drejtën viktimës për jetën e vet. Ajo sfumon vuajtjen dhe vdekjen. Ajo mbyt të shkuarën. Ajo kultivon ndjeshmëri ndaj vrasësit dhe pandjeshmëri ndaj viktimës… Falja është e pamëshirshme. Fytyra e faljes është e butë, por shumë e ashpër për viktimën.
E megjithatë, ky episod i jetës së Vizental-it, nuk e pengoi atë të luftonte për dënimin e krimit nazist. Qendra e dokumentacionit e krijuar prej tij, e cila ndjek kriminelët nazistë, ka ndihmuar të çohen para drejtësisë 1100 persona që prej mbarimit të luftës së dytë botërore, kontribut për të cilin ai është nderuar nga qeveritë e disa shteteve, si SHBA, Holandë, Itali, Izrael.
…Pa pretenduar ta rendis veten ndër figurat e spikatura dhe me përvojë, që nisur nga dilema e autorit kanë dhënë opinionet e tyre rreth mundësisë së faljes, nuk mundem të mos shpreh qëndrimin tim për raportin çnjerëzor, të palëkundur të kriminelëve komunistë, me viktimat e tyre, të përjetuar nga qindra mijëra shqiptarë.
Brez pas brezi, viktimat e pafajshme kanë provuar dhe provojnë ende në kurriz barbarinë e atyre që jo vetëm nuk çfaqin shenjat më të vogla të pendesës për krimet e tyre pesëdhjetë vjeçare, por përkundrazi, e vazhdojnë atë luftë kriminale me të njejtin zell. Sigurisht, me format e reja që u mundëson koha… flakjet nga vendet e punës e hedhja në rrugë të madhe, talljet me të drejtën e të qenit të dëmshpërblyer për dënimet kriminale dhe abuzive të pësuara, sorollatjet e padenja në proçese të pafundme gjyqësore në kërkim të dëshpëruar të të drejtave të dhunuara… rigrabitjen e pronave të sekuestruara nga etërit e tyre… etj.
Në vlerësimin tim, pendesa është një proçes i gjatë i një brerjeje të ndërgjegjes së individit që ka mëkatuar apo ka kryer krime, i cili duhet të pasohet nga përpjekjet e tij për të shlyer disi dëmet e shkaktuara. Ndaj të njejtin mendim me disa nga personalitetet që kanë shprehur qëndrimet e tyre, se ndjesa nuk mund dhe nuk duhet të kërkohet. Ajo mund të jepet nga viktima, nëse vërtet e ndjen se pendesa e mëkatarit është e sinqertë dhe se ai, mëkatari, ka dhënë gjithë shpirtin dhe energjinë e tij për të minimizuar dëmet e shkaktuara. Pra, ndjesa sipas meje, nuk kërkohet, ajo meritohet. Ky hap aspak i lehtë i shërben paqtimit të shpirtit të lënduar të viktimave, si dhe një paqeje sociale aq të dëshiruar.
Por opinioni im nuk ka lidhje fare me realitetin e raportit krim-viktimë, në Shqipëri. Për fatin tonë të hidhur, komunistët, e veçanërisht këta tanët, mbeten kriminelët me të pamëshirshëm në historinë e komunizmit të vendeve të Europës lindore, që masakruan brez pas brezi bashkë qytetarët e tyre. Nuk ka asnjë gjasë që ata të pendohen, aq më pak të kërkojnë ndjesë. Mungon tërësisht edhe vullneti shtetëror e ai juridik që ata të dënohen sipas ligjeve dhe të drejtës ndërkombëtare. Personat e përfshirë në krimin komunist, të cilët arritën të shfaqin një lloj pendese dhe keqardhje për viktimat e tyre, mund të numërohen me gishtat e njerës dorë, dhe për fat të keq pendesa e tyre ka ardhur pasi dhe ata vetë, në një moment të caktuar të jetës, kontributeve dhe bashkëkzistencës me terrorin e ideologjisë komuniste, kanë provuar krimin dhe ndëshkimin mizor të luftës brenda llojit. Ata u dënuan prej atyre të cilëve u kishin besuar, dhe mbështetur në drejtimin e pushtetit të përgjakur, të dalë nga lufta vëllavrasëse, si dhe kolaboracionizmi me armiqtë më të egër dhe atavistë të Shqipërisë, ruso-jugosllavët.
Madje, në Shqipërinë tonë të vogël, ende ndodh e paimagjinueshmja. E pabesueshmja. Disa ditë më parë, një anëtar i qeverisë aktuale, një neokomunist, me cinizëm dhe paturpësi, u kërkoi viktimave të diktaturës komuniste, t’u kërkojnë falje xhelatëve të tyre, për qëndrimin që kanë mbajtur disa figura të nacionalizmit shqiptar gjatë luftës së dytë botërore, (si Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, etj), të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me fashizmin e nazizmin në dëm të interesave kombëtare. Dhe për këtë i referohet historisë së shkruar dhe manipuluar nga historianë që dolën nga laboratorët e komunizmit, periudhë ende e patrajtuar në mënyrë objektive dhe të paanshme.
Ndonëse në opinionet dhe qëndrimet ndaj dilemës së Simon Vizental-it u njoha me krime nga më të ndryshmet, (si Holokausti, Aparteidi, etj), askund nuk hasa absurdin e kërkesës që xhelatët u drejtojnë viktimave, sipas së cilës ata, viktimat duhet t’u kërkojnë ndjesë kriminelëve dhe torturonjësve të tyre të pesëdhjetë viteve???
Kam lexuar për “Teorinë e Pafuqisë” të elaboruar nga një shkencëtar i quajtur Martin Seligman, sipas të cilës nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar nga persona që kanë pësuar e vuajtur pasojat e saj për një periudhë relativisht të gjatë. Dëshpërimisht ndjehem viktimë e lodhur e saj. Me dhimbje dhe trishtim përfundoj se ndonëse pendesa dhe falja janë proçese të mahnitshme ringjalljeje, ne, viktimat e komunizmit, kurrë nuk do mundemi t’i provojmë. Jo, në Shqipërinë e dominuar ende nga trashëgimia dhe barbaria komuniste.

Related Images:

Artikulli paraprakVeç legjendës së murimit, një legjendë tjetër, lag me lot e gjak muret e Rozafës – nga Ndoc Selimi
Artikulli tjetërSkandali i gjykatës së Durrësit, pse heshtin të gjithë – nga Neritan Sejamini
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.