back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mbi gjuhën maqedonase – nga Giuseppe Crispi (Zef Krispi)

Gazeta

Giuseppe Crispi (1781-1859)
Giuseppe Crispi (1781-1859)

Mbi gjuhën maqedonase

nga Giuseppe Crispi (Zef Krispi)

Giuseppe Crispi – Zef Krispi – (30 korrik 1781 – 10 shtator 1859)
ishte një filolog italian dhe prift me origjinë arbëreshe.
Një nga figurat kryesore të komunitetit arbëresh të Siçilisë së asaj epoke,
ai shkroi një numër punimesh mbi gjuhën shqipe.
Nipi i tij, Francesco Crispi – ishte Kryeministri i Italisë në fund të shekullit të 19-të.
.
Nga Plutarku1] mësojmë se Kliti, kur ndodhej njëherë në një festë në Babiloni, u grind me Aleksandrin i cili, në inat e sipër, e gjuajti gjeneralin me një mollë që e mori nga frutat e vendosura mbi tryezë dhe pastaj, i tërbuar, zuri të kërkonte shpatën që ta godiste, kërceu dhe u kërkoi ushtarëve në gjuhën maqedonase armët. Kjo ishte shenjë e një turbullimi të madh. Kjo tregon që gjuha maqedonase ishte ajo që përdorej në ushtrinë maqedonase për nevoja më të ngutëshme dhe në raste ngjarjesh të papritura, kur kërkohej ndihme e luftëtarëve më besnikë të popullit, por që të mos kuptohej nga të huajt. Këtë do të thotë edhe shprehja ishte shenjë e turbullimit të madh, sepse ai kishte përdorur gjuë vulgare në një çështje me rëndësi të madhe dhe për një nevojë të ngutëshme që kërkonte besimin kombëtar.
Te Kurciusi2] lexojmë se Aleksandri e pyeti Filotën3] nëse ai, sikur të bëhej fjalë për dënimin e tij, donte ta bënte mbrojtjen në gjuhën e nënës, para ushtrisë së përbërë nga grekë, maqedonas dhe ilirë. Atëherë Filota u përgjigj: përveç maqedonasve shumë të tjerë janë të pranishëm këtu, të cilët, siç besoj unë, do të më kuptojnë më lehtë nëse përdor atë gjuhë që ke përdorur edhe ti, dhe nuk e përdor për asnjë qëllim tjetër përveçse që fjalët e tua të kuptohen nga sa më shumë njerëz.
Edhe pse, siç thotë Krofi4], Kurciusi nuk e përmend emrin e gjuhës në të cilën kishte folur në atë rast Aleksandri, ka shumë të ngjarë që, për t’u kuptuar nga të gjithë grekët, e jo vetëm nga maqedonasit të ketë folur në gjuhën greke.
.
Shqipja - Nena e Gjuheve - Giuseppe Crispi
Shqipja – Nena e Gjuheve – Giuseppe Crispi
Neoptolemi, sipas tregimit të Plutarkut, i thotë Eumenesit se maqedonasit e donin në mënyrë të jashtëzakonëshme Kraterin5] aq shumë saqë, vetëm po t’i shihnin përkrenaren dhe t’i dëgjonin zërin, kalonin me vrap, me gjithë armë në anën e tij. Eumenesi i bindur për këtë dhe meqë mbahej si njeri finok, kishte urdhëruar që në ushtrinë e tij të mos përmendej kurrë emri i gjeneralit kundër të cilit duhej luftuar. Për këtë meritonte të lëvdohej deri në qiell nga biografi i njohur grek. Është e vërtetë se fjala τήν φωνήν (tin fonin), të cilën përdor Plutarku, do të thotë zëri, megjithatë, nga i gjithë konteksti, del se duhet marrë më shumë si gjuhë, duke aluduar për vetë të folurën maqedonase.
Por le ta lëmë këtë pjesë që duket sikur ka ndonjë ekuivok, dhe të kalojmë në një më të qartë, e cila mund të lexohet po në “Jetën e Eumenesit”. Ky gjeneral u sëmur rëndë. Ushtria e tij, e rënë moralisht, nuk donte të përballej me armikun. Kur mori vesh këtë, Eumenesi urdhëroi ta ngrinin me lektigë6], nga e cila nxori kokën dhe u shfaq ndërsa u përshëndet në gjuhën maqedonase nga maqedonasit që ngritën mburojat dhe u përëlasën në tokë heshtat duke lëshuar thirrje ngadhënjimi, nga që aty ishte i pranishëm gjenerali, dhe pastaj sulmuan armikun.
Tek “Athinasi” lexojmë për gjuhën maqedonase: Kam njohur, – thotë Cinulkusi7] – disa athinas që, nga që bisedojnë me maqedonasit, pastaj nuk heqin më dorë nga përdorimi i fjalëve maqedonase dhe nga format e të folurës së atij populli. Dhe Straboni duke numëruar popujt që u ishin nënshtruar maqedonasve, pohon se jo pak prej tyre flisnin dy gjuhë, pra maqedonisht dhe greqisht, se maqedonasit, epirotët dhe popullësi të tjera të asaj pjese të vendit, ngjanin nga qethja e flokëve, nga gjuha, nga mantelet dhe nga zakone të tjera të përafërta.
Nga Plutarku dimë se Aleksandri përdorte Hefestionin8] për t’u dhënë përgjigjet ose mesazhet mbretërore barbarëve dhe Kraterin, njohës e ndjekës i rreptë i zakoneve të vendit, për të komunikuar me grekët dhe maqedonasit. Nga teksti shohim qartë dallimi që bën Plutarku mes helenëve dhe maqedonasve: τοίς Ελλησι και Μακεδόσι (tis elisi ke tis makedosi), dhe aq më tepër që flitet për Kraterin si për një burrë të zellshëm për gjërat e atdheut të vet, pra ato maqedonase, mes të cilave spikaste edhe zelli për gjuhën.
Kështu që, me plot të drejtë, Krofi dhe Volfgangu arrijnë në përfundimin se gjuha maqedonase ishte krejt ndryshe nga gjuhët e tjera të Greqisë. Me kaq ndryshim, nuk mund të thuhet se ajo përbënte një lloj dialekti, aq sa ndryshonin mes tyre, për shembull, dialektet athinas, dorik, jonik dhe eloik që, në fund të fundit, përbënin, të gjithë bashkë, të folurën greke dhe që kuptoheshin nga të gjithë helenët; në një kohë që maqedonishtja, siç e treguam më lart, nuk kuptohej nga helenët dhe maqedonasit përbënin një popull shumë të ndryshëm nga grekët. Kjo nuk është e vështirë të tregohet përmes shumë argumentave.
Aleksandri duke nëmur kundër Klitit, i revoltuar kundër Senodokut nga Kardia dhe ndaj Artemios nga Kolofoneja, thotë i zemëruar: “A nuk ju duket se këtyre helenëve u është rritur mendja dhe shëtisin mes maqedonasve si gjysëmzota mes kafshëve? Grekët e vërtetë mbaheshin tërë madhështi për shkak të kulturës greke dhe i shihnin maqedonasit si barbarë, për shembull athinasit ose peleponezasit, edhe kur këta ishin me origjinë nga fiset dorike, po kështu, as tebanët apo lokrët, as ata nga Eubea dhe, duhet thënë se, të gjithë, edhe pse kishin dialekte të ndryshme, megjithatë quheshin grekë.”
Përkundrazi, Demosteni, në “Harengën” e tij kundër Filipit, dhe pikërisht në pjesën e tretë, e quan më shumë se barbar këtë mbret i cili, sipas oratorit, jo vetëm që nuk është fare grek dhe nuk u përket grekëve në asnjë lloj gjëje, por nuk u përket as barbarëve që kanë ndonjë emër. E megjithatë, Demosteni e dinte mire se Filipi e kishte origjinën nga heraklidët sepse, nga Plutarku, kemi si fakt të pakundërshtueshëm se Aleksandri ishte pasardhës i eraklidëve nga Karanoja nga ana e babait ndërsa, nga ana e nënës, rridhte prej fisit të eacidëve, sipas Neoptolemit. Kështu që mjaftonte vetëm emri maqedonas, që oratori grek ta vinte në lojë në atë mënyrë sovranin e Maqedonisë, vend ku kishin mbetur zakonet e lashta barbare bashkë me gjuhën, ndërsa helenët tashmë të qytetëruar i kishin braktisur dhe e kishin pastruar gjuhën prej tyre. Që ndonjëherë, në lashtësi, maqedonasit quheshin ende me emrin e përgjithshëm grekë, kjo mund të ketë ndodhur sepse, pasi kapërcyen kulmin e fuqisë së tyre, sidomos nga kohët e Aleksandrit e më pas, në mbretërinë e tyre u fut greqizimi dhe vetë grekët nisën ta mburrin e lëvdojnë Perandorinë maqedonase, duke e parë atë si të ishte greke. Ndërsa Demarati nga Korinti9], i afërm i Aleksandrit, kur pa këtë pushtues në fronin mbretëror të Darios, nën baldakinin e praruar, qau i mallëngjyer, siç bëjnë pleqtë, dhe tha se grekët që kishin vdekur para se të shihnin Aleksandrin në fronin e Darios, i kishin hequr vetes një kënaqësi të madhe.
Kështu që nuk mund të kundërshtohet fakti se Maqedonia ka qenë e ndryshme nga Greqia dhe se ka pasur një gjuhë të vetën; një gjuhë primitive dhe barbare të lidhur me frigjen dhe me pellazgjishten, e cila, sipas të gjitha provave që kemi mbledhur, është shqipja që ka lidhje me maqedonishten e atëherëshme.
.
Giuseppe Crispi- Memoria della Lingua Albanese (1831)
Giuseppe Crispi – Memoria della Lingua Albanese (1831)

Referenca

1] Vita Alex.
2] Quintus Curtius Rufus, historian romak i shek I para Krishtit, shënim i përkthyesit.
3] Greq. Filotas, djali i Parmenionit, gjeneral dhe komandant i kalorësisë së Aleksandrit. Shënim i përkthyesit.
4] Joh. Bapt. Crophii, antiqui. Maced. Lib. 2. Cap. 5 apud Jacob. Gronov. Vol. 6.
5] Greq. Krateros, gjeneral maqedonas. Shënim i përkthyesit.
6] Barrelë e mbuluar. Shënim i përkthyesit.
7] Theodorus Cynulkos, filozof grek. Shënim i përkthyesit.
8] Mik i Aleksandrit dhe gjeneral. Shënim i përkthyesit.
9] Qytetar i pasur, familja e të cilit pretendente se rridhte prej Herkulit, i ati i Tarkuino Priskos, mbretit të pestë të Romës. Shënim i përkthyesit.

Marrë nga libri Shqipja nëna e gjuhëve i autorit Giuseppe Crispi
Përktheu nga italishtja Taulant Hatia
Link versioni italisht: Giuseppe Crispi sulla lingua macedone
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.