back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Martin Camaj dhe magjia e bukurisë të krijimtarisë të dialektit të veriut – nga Vera Camaj

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj dhe magjia e bukurisë të krijimtarisë të dialektit të veriut
nga Vera Camaj
31 vjet nga largimi i axhës tim të mrekullueshëm e të dashur

Një mallëngjim i veçantë për pamundësinë e takimit me të. Edhe pse nuk e pata luksin ta përqafoja e ta shtrëngoja kurrë fort, sikundër do të desha, ndjehem se çdo qelizë e trupit tim, është pjesë e tij, dhe anasjelltas.
Tragjedia e jetës së tij ishte tragjedi e gjithë kombit, e gjithë fisit, e të gjithë familjes dhe veçanërisht e imja, pasi, për shkak të pasojave, ëndrrat e mija për të ardhmen u prenë në mes.
Regjimi barbar komunist, nuk nginjej së shtypuri edhe fëmijët e atyre që i quante kundërshtarë, madje edhe genin e genit të tyre, ndaj dhe damkoset si regjim genocidist.
Martini, si një intelekt i rrallë, atdhetar deri në frymim, ngjizur në familje dhe në kolegjin françeskan me harbën e atdhedashurisë, nuk u puq kurrë me regjimin sllavokomunist, gjë që bastardët e tij e pikasën derisa në 9 maj 1948, pas një plani terrorist e rrëmbyen për ta detyruar që të bashkëpunonte me ta në një ditë të trajnimeve të mësuesve që organizohej në seksionin e arsimit në Shkodër.
Sapo iu dha mundësia, 3 muaj pas rrëmbimit nga spiunët dhe kriminelët e Sigurimit famëkeq të shtetit, ai u arratis fillimisht në Malin e Zi ku punoi pak kohë si mësues dhe më pas arsimohet në Universitetin e Beogradit.
Pas fakultetit për filologjinë romane, vazhdon studimet akademike për albanologji, në fakultetin filozofik të Sarajevës, ku zgjedh si temë mbrojtje doktorature “Gjuha e Gjon Buzukut”.
Për t’iu shmangur aleancës së komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, tentakulat e të cilave i kishte mbi krye në çdo kohë, largohet që andej dhe fillon doktoraturën në Romë, ndihmuar edhe nga intelektuali – mentori i tij prestigjioz, Ernest Koliqi, mbron doktoraturën me veprën “Meshari” të Gjon Buzukut, gjë që nuk ishte e rastësishme, pas gjithë asaj vlage atdhedashurie që i vlonte për gjuhën shqipe dhe bashkëatdhetarët e folësit e tij kudo që ndodheshin.

Gjama e Poetit Martin Camaj
Gjama e Poetit Martin Camaj

Talenti i rrallë në linguistikë i mundësoi edhe pozicionin e lektorit në universitetin e Romës, ku, paralel, vizitonte me kasetofon në dorë çdo fshat e ngulim arbëror në Itali e Greqi, për të mbledhur të gjitha shprehjet dhe ideomat e gjuhës së bukur e të pasur shqipe, dialektet e saj të pasura. Ai drejtoi edhe botimet e revistës “Shejzat”, nën drejtimin e Koliqit, revistë që, nga agonia dhe falimentimi, e fuqizoi, me zgjerimin në shumë vende si në Europë, Kosovë, Amerikë, Turqi dhe deri në Egjipt.
Në vitin 1960 vendoset në Gjermani, në Bavari, në vendin me reliev dhe tradita të përafërta me vendlindjen e tij aq të dëshiruar.
Pasi kryen edhe aty studime në albanologji, iu besua drejtimi i katedrës së albanologjisë në atë Universitet. Po kështu, drejtonte edhe katedrën albanologjike të Vjenës e tentoi të hapte këtë katedër në Amerikë.
Duke arritur majat e karrierës së tij, ai vazhdoi krijimtarinë letrare në gjininë e poezisë, në Kosovë, vazhdoi me prozën, romanin, vepra të botuara në Gjermani, Kosovë, New Jork, Angli etj.
Martini ishte autori postmodernist i letërsisë shqipe, gjithë jetën e kaloi në mërgim, pasi regjimi diktatorial i trembej figurës, personalitetit dhe aftësive të tij dhe nuk iu nda këmba-këmbës nëpërmjet spiunëve kudo që banonte, të cilët paguheshin nga pagat modeste të ditëve të punës të kooperativistëve dhe puntorëve të vendit të tij.
Një ushtri e madhe ishte në ndjekje të tij deri në vitin 1992, kur ai mbylli sytë me mallin për vendlindjen dhe të afërmit, që nuk i pa më kurrë.
Pikërisht, kur ai po largohej nga jeta, pushoi së plotësuari dosja e tij e Sigurimit kriminal të shtetit me rreth 500 faqe.
Korbat e zinj që duan të nxjerrin edhe sot ndonjë privilegj apo të fitojnë ndonjë famë, nuk përtojnë së damkosuri burrin e madh shqiptar të fundshekullit.
Lavdia e jetës dhe veprës së Martin Camajt, nuk zbehet as venitet dot nga ca miza të vockla kali që janë mësuar të jetojnë në bajgat e fisnikëve.
Vera Camaj

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.