back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Marash Mërnaçaj i Kelmendit – nga Zef Naçaj marrë nga libri “Forca e Kelmendit”

Gazeta

Marash Mernaçaj, me portretin e te birit Nick
Marash Mernaçaj, me portretin e te birit Nick

Marash Mërnaçaj i Kelmendit

nga Zef Naçaj

marrë nga libri “Forca e Kelmendit”

Nga bisedat me Marashin, kanë ardhë e janë sistemue, fjalë pas fjale, shumica e atyne ngjarjeve e gjithçka ndodhi në ato vite të vështira, që në rininë e tij e deri tek arratisja për në Jugosllavi.
Nisun nga shumë rrëfime të marruna prej tij, mbase nuk do të ishte e nevojshme të shkruhej në mënyrë të veçantë për të, sepse edhe ai vetë nuk e ka kërkue nji gja të tillë.
Por, po të marrim parasysh pozitën e tij në vllazninë Mernaçaj të Pshtanit, përgjegjësitë dhe drejtimin e familjes së madhe prej tij, nga ferri drejt parajsës, nuk mundem aspak me anashkalue Marash Mernaçajn.
Kur Nikolla qe kthye prej përfundimit të ushtrisë në Romë, Itali, të dy bashkë iu vunë punës, me të gjithë pjestarët e familjes, për ndërtimin e rritjen e ekonomisë familjare. Ato vite, për familjen Mernaçaj, shënuan rritje të dukshme, falë vullnetit të mirë dhe punës së madhe që banin të gjithë bashkarisht.
Arrestimi i Nikollës, në mënyrë aq të papritun, lëshoi mbi shpatullat e Marashit nji barrë e përgjegjësi të madhe si kryetar i familjes. U thyen zemrat e tyne e filluan të kuptojnë se pushteti i ri do të ishte vazhdimi i tragjedisë së Tamarës. Detyrën e kryetarit të familjes Marashi do ta përmbushte si askush tjetër.
I zoti i shtëpisë, në kushtet e atëhershme, duhej të siguronte gjithçka që kërkonte shtëpia e jetesa e familjes. Duhej të shiste prodhimet bujqësore e blegtorale, të siguronte të ardhunat e nevojshme për nevojat familjare dhe të blinte artikujt ushqimorë e gjithçka nevojitej në familje. Vendin kryesor e zinte sigurimi i bukës, meqenëse kushtet klimatike e territoriale të zonës nuk e favorizonin shumë rendimentin e drithërave të bukës.
Marashi dhe asnji nga familja nuk mori pjesë në luftimet e Tamarës. Ata zbatuen urdhërin e bajraktarit të Selcës dhe të babës së tyne, Ndue Ujka. Të vetmit që dolën kundër këtij vendimi qenë Gjekë Selca e Gjergj Lulë Toma.
Megjithëse nuk ishte pjesëmarrës, Marashi i mban mend si askush tjetër ato që realisht kanë ndodhë ato ditë tragjike, kur u derdh gjaku i djemve shqiptarë të pafajshëm, vetëm për plotësimin e ideve absurde të një udhëheqjeje absolutisht të paaftë për drejtimin e vendit, siç e dëshmuen ma vonë edhe vitet pasuese, kur ajo e mjeroi, varfëroi e persekutoi popullin për gjysmë shekulli.
Po sa dhe si e mbaj unë mend Marashin në atë kohë?
.
Marash Merrnaçaj (1928-2019)
Marash Merrnaçaj (1928-2019)
Unë isha fëmijë në shkollën fillore, kur ai vinte në shtëpinë tonë, përveçse ishin kushërinj, shkonin edhe mirë me babën tim, Prendash Zefi. Kujtoj nji herë kur erdhi tek ne. Im vëlla, Noshi, në atë kohë ishte ushtar. Ne do të martonim motrën e madhe, Mrinë. Dita e dasmës po afrohej, ndoshta kishin mbetë ende edhe dy javë. Ne kishim gjithsej dy dhoma shtëpi (në shtëpinë e vjetër të bleme nga kushërini Gjokë Prelë Mirashi). Njena nga dhomat ishte e pashtrueme. Im atë vetëm sa ia qau si hall, tue i thanë se nuk ka kush me e shtrue, mbasi djalin e kam ushtar e të tjerët janë ende fëmijë. E kishte fjalën për mue e vëllanë tim, Nikollën, që ishim ende në moshë të vogël. Marashi, menjiherë, e pyeti:
-A i ke dërrasat për këtë dhomë?
-Po, – iu përgjigj baba.
-E shtroj unë, – u përgjigj Marashi.
Pa vonesë iu shtrue punës. E filloi në mëngjes dhe në darkë e gjithë dhoma ishte e shtrueme në mënyrë perfekte. Me atë shtrim ka vazhdue gjithë kohën ajo dhomë, derisa u ndërtue shtëpia e re, aty ngjitë me të.
Gjatë kohës që drejtoi ekonominë e familjes, brenda nji 10-vjeçari arritën me pasë nji ndër ekonomitë ma stabël në atë zonë, me shumë bagëti të imta, dele, dhi, si dhe lopë, kuaj e bletë. Operacioni i organizimit të arratisjes ishte kryesisht i organizuar prej tij, me ndihmën e vëllezërve të tjerë, Pjetrit e Rrokut. Kujdesi për Nikollën, që vuante në hetuesi për rreth 6 muaj dhe në burg pjesën tjetër, ishte kryesisht punë e Marashit. Ai i kujton të gjitha takimet me të dhe vështirësitë e asaj jete të vrazhdë.
Në Jugosllavi nuk ndenji tue pritë, me jetue me ndihma emigrantësh a dosido, por i hyni punës për prodhimin e gëlqeres,me djegien e furrave të zakonshme, sipas traditës kelmendase. Arriti që të blente tokën dhe të ndërtonte shtëpinë e re e të barazohej në nivel jetese me banorët e atyshëm, shqiptarë apo shkje, çfardo që ishin ata.
Jetesa në Jugosllavinë e atëhershme ishte e pamundun me vazhdue ma gjatë. Nji ditë e thirrën në shërbimet sekrete të Podgoricës dhe i propozuen të vihej në shërbim të tyne. Kjo supozonte hyrje e dalje brenda territorit shqiptar për të marrë e sjellë informata. Ky lloj shërbimi, përveçse ishte i rrezikshëm, mund ta çonte edhe në detyra që ishin në dëm të Atdheut të vet. Këtë detyrë Marashi e kundërshton me forcë, por njëkohësisht e sheh se nuk mund të kishte ma të ardhme në atë shtet. Në këtë mënyrë kërkon me të gjitha forcat ndjekjen e rrugës së largimit dhe emigrimit në Amerikë.
Ardhja në Amerikë ishte nji tjetër rrugë vuejtjesh, por kësaj here disi ma të lehta për përballimin e halleve të jetesës, rritjen e fëmijëve e dërgimin e tyne nëpër shkolla. Po të mendosh vetëm faktin se kishin tre djem e tri vajza, vetëm shpenzimet për libra e çanta shkolle, ishin shumë të larta. Llogarit këtu edhe shpenzimet për ushqime e vethmbathje e nevojat e tjera të përballimit të jetesës. Mbi të gjitha ishte edhe konsumimi i gjithë kohës së Mrisë në shërbim të rritjes së fëmijëve, pa qenë dot ndihmë për ekonominë familjare. Kjo kishte të mirën e vet, por nga ana tjetër Marashi ishte i vetmi krah pune në shtëpi. Në këto kushte, tregon Marashi, kam punue, në shumë raste, edhe në tri punë paralele. Njena ishte paradite, tjetra pasdite dhe, e treta, roje nate në nji bankë aty afër.
.
Zef Naçaj - Forca e Kelmenditi
Zef Naçaj – Forca e Kelmenditi
Kur i mendon këto vështirësi e sakrifica, edhe vetëm me i ndigjue, të duken të zorshme. Siç e kam thanë edhe diku ma sipër, Marashi e sheh rrugën e tij të jetës si nji rrugë shumë të mundimshme, plot vuejtje, aq sa shprehet: Po të më jepnin nji jetë të dytë, me kusht që të baja të njëjtën rrugë, nuk do ta doja.
Besimi në Zot e puna e ndershme e shndërruen këtë njeri në milioner. Marashi shpejt u ba i suksesshëm në shtetin e New Yorkut. Në kohën kur ekonomia kishte ramjet e veta, siç ndodh rëndom në jetën ekonomike me krizat, ai asnjiherë nuk kërkoi me shitë, por gjithmonë me ble. Me këtë logjikë, të shoqnueme edhe me shumë punë, ai ia doli me krijue nji ekonomi stabël për familjen e tij të madhe tashma.
Marashi asht ma i vjetri i mahallës së Mernaçajve dhe asht gjithmonë i pranishëm e i respektuem nga të gjithë si njeri i mirë e i drejtë. Nuk ka aktivitete të ndryshme ku ai të mos jetë prezent dhe të zbukurojë ambientin me humorin e tij brilant.
Kur u kthye në Atdhe për herë të parë pas viteve ‘90, atëherë kur diktatura kishte marrë teposhtën, ishte bashkë me Mrinë. Kishin dalë me e pritë të gjithë në aeroport, miq e kushërinj.
Ishte nji mall i madh, i akumuluem në dekadat e izolimit, që kishte shkaktue edhe ndarjen e padrejtë të familjes së Nikollës nga pjesa tjetër e familjes së madhe të Mernaçajve.
Marashi ndihmoi dhe i kujtoi të gjithë kushrininë e tij që kishin mbetë në Shqipëri me dhurata. Edhe në shtëpinë tonë ka qenë deri me largimin tonë si familje në USA, nji magnetofon që na e dhuroi Marashi e që në atë kohë në vendin tonë kushtonin shumë e kërkoheshin se nuk kishte në tregun vendës, ku mungonte gjithçka.
Kthimi në Atdhe pas plot 31 vjetësh kishte nji ngarkesë të madhe e të randë emocionale për Marashin e Mrinë. E kujtoj atë ardhje. Marashi pritej me shumë mall nga e kunata, Drandja, e shoqja e Nikollës, që në atë kohë ishte ende e fortë. Në këtë rast u krijue mundësia edhe me spjegue gojarisht arsyet e arratisjes aq të shpejtë e të papritun, që u ndodhi atyne në vitin 1959. Nga emocionet që pati, Drandja u paralizue e mbeti ashtu deri në ditët e fundit të jetës së saj.
Marashi ka marrë pjesë në shumë aktivitete të organizueme nga diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, aty nga viti 1988, bashkë me nji grup shqiptarësh shkuen në takimin me Papa Gjon Palin e Dytë dhe me Nanë Terezen në Romë. Këtij takimi iu ba shumë jehonë në shtypin e kohës dhe ishte nji grusht shumë i randë për diktaturën komuniste të mbyllun në bunkerin e saj.
Me të vëllanë, Nikollën, nuk qe e thanë që të takohej ma. Të gjithë bashkë shkuen në varrezat e Shtojit, ku prehej trupi i Nikollës, në nji të ngritun të lehtë të dheut e të nji kryqi të thjeshtë prej druni tek kryet. Tufat e luleve, qe e rrethonin nga të gjitha anët, ishin si nji mesazh i mirësisë së shpirtit të tij, që iku nga kjo botë tue dëshirue takimin me nanën e babën e me vlleznit e tij.
Por koha kishte ba të vetën. Nikolla tashma ishte nda prej tyne. Kur erdha në New York, pashë në oxhakun e shtëpisë së Marashit në Yonkers, se dy qirinj rrinin ndezun ditë e natë. E këta ishin për shpirtin e Nikollës e të Nikës, që në harkun e nji viti, kaluen në amëshim.
.
Lazёr Radi, Mrije, Marash e Paulin Mёrnaçi - New York 27 gusht 1994
Lazёr Radi, Mrije, Marash e Paulin Mёrnaçi
– New York 27 gusht 1994
Në këtë udhëtim Marashi porositi varrin e ri për Nikollën në varrezat e Rrmajit në Shkodër, aty ku janë varret e shumë e shumë figurave patriotike shkodrane që ia kushtuen jetën e tyne çështjes së Atdheut, të shumë shkrimtarëve, muzikantëve e artistëve të mëdhenj që ka nxjerrë Shkodra në shekuj. Herën tjetër, kur erdhi në Shkodër në vitin 1991, Marashi e gjeti të përfunduar varrin e ri të Nikollës. Edhe në këtë rast do të derdheshin shumë lotë. Lotë dhimbjeje nga Marashi e Mria, Pashka e Agia dhe krejt familja e Nikollës, që aq shumë banë për njeriun e tyne gjatë vuejtjeve të tij të pafund.
Marashi ndihmoi në mënyrë të veçantë krejt familjen e Nikollës. Me ndihmën e tij Marku filloi biznesin në Shkodër, tue qenë i suksesshëm në tregëti e në ndërtimin e nji fabrike të re për prodhimin e birrës. Ma vonë Marku emigroi përfundimisht në Amerikë, pasi ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997 penguen vazhdimin e matejshëm të biznesit. Marashi nuk e ka nda asnjiherë Markun nga djemtë e tij, por e ka trajtue gjithnji si të barabartë me ta. Edhe sot e kësaj dite Marku asht pjesë e familjes së tij të madhe. Harmonia në këtë familje i përngjet nji përralle. Marash Mernaçaj u gjet gjithmonë i gatshëm në grupimet e shqiptarëve të diasporës, të kontribuojë me investimet e nevojshme që duheshin ba në Atdhe. Kështu, ai ka investue në ngritjen e lapidarit të Prekë Calit në Tamare dhe të bustit të tij në Shkodër.
Nji ditë e ngacmova të më thoshte diçka për këto ndihma që ai ka dhanë. Ai tregon se ata që kishin marrë iniciativën iu paraqitën dhe u ankuen që ishin mjaft mbrapa me mbledhjen e fondeve. -Unë, – thotë Marashi, – ju dhashë tremijë dollarë dhe ju thashë që të mos trembeshin aspak, por të vazhdonin fushatën e mbledhjes së ndihmave, le të mblidhen sa të mblidhen, mandej ejani prapë te unë se ua plotësoj diferencën.
Ky ishte nji investim i bamë me shpirt për legjendën e Kelmendit, Prekë Cali. Por nuk ka qenë vetëm ky rast. Marashi ka ndihmue në botimin e librave të ndryshëm kushtuar historisë së lavdishme të Kelmendit, si dhe ka dërgue disa herë ndihma e uniforma për nxënësit e shkollës së mesme të Tamares, që sot mban emnin e djalit të tyne, Nikë Mernaçaj, i cili ra tek kthehej nga nji demonstratë e fuqishme në shtetin e Miçiganit kundër emisionit diplomatik shqiptar të atëhershëm.
Sot Marashi asht në pension dhe ndjek me shumë dëshirë zhvillimet pozitive në vendlindje, nëpërmjet kanaleve televizive shqiptare, që shpërndahen në Amerikë.
Ndenja me të asht kënaqësi për cilindo. Shpesh kam pasë rast që kam shkue për me ndejtë nji gjysmë ore e pastaj koha e qëndrimit asht zgjatë me orë të tana tue ndigjue histori e rrëfime të gjalla nga kujtesa e tij e freskët si e nji të riu e të duket sikur ato ngjarje te diftueme prej tij të kishin ndodhë vetëm pak muaj ma parë.
Shtëpia e Mernaçajve asht plot gjithmonë. Djem e vajza, nipa e mbesa, që shkojnë mirë me njeni-tjetrin, vijnë dhe e mbushin plot shtëpinë Marashi e Mria ju gëzohen, kur i shohin të gjithë bashkë. Kjo asht kënaqësia ma e madhe për çdo prind a gjysh, kur sheh brezat e rinj tek rriten e lulëzojnë, duke përparue çdo ditë e ma shumë në tokën e bekueme të Amerikës.
Familjet e krijueme prej bijave të Marashit e të Mrisë, Vera, Lula e Liza, janë gjithnji shembull për të mirë në të gjitha drejtimet e aspektet e jetës. Tre dhëndrra si tre yje, harmonia mes çifteve dhe mes brezave, i zbukuron e i afron ato me familjet e shenjta. Asht vërtetë kënaqësi të kesh fatin dhe mundësinë, siç e kam pasë unë, të njohësh nga afër e të rrish e kalosh kohë me ato familje. Sa herë kam shkue, kam gjetë tek vajzat e Marashit nji ngrohtësi të madhe, si të ishin motrat e mia.
.
Marre nga Libri “Forca e Kelmendit” i Zef Naçajt

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.