back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Lul Çapari, Kapedani Çam i Luaratit – nga Gezim Zilja

Gazeta

Gëzim Zilja - Stërgjyshërit tanë në Epikën Historike
Gëzim Zilja – Stërgjyshërit tanë në Epikën Historike

Lul Çapari, Kapedani Çam i Luaratit

nga Gëzim Zilja

Lul Çapari, ishte nga dera e famshme e Çaparenjve, të fshatit Luarat në kazanë e Margëllëçit. Si luftëtarë të tjerë çamë, qysh në moshë të re, ka qenë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës.
Ja si na vjen portreti i tij i “pikturuar” vetëm në katër vargje:

Ne ulliri në sohor,/ Shkon një trim vetullhollë,
Frin një erë e bin një borë,/ Me martinëzën në dorë.

Sipas disa të dhënave, dera e Çaparenjëve ka qenë e përmendur në Çamëri pasi për një kohë të gjatë mbajti anën e suljotëve kundër pashait të Janinës. Më vonë, në vitin 1847, përfaqësues të çaparenjëve morën pjesë në “Besëlidhjen Shqiptare”. Krerët e “Besëlidhjes i dërguan letër mbretit Otto dhe kryeministrit të Greqisë për ndihmë, që me gjithë premtimet nuk mbrriti kurrë. Letra u firmos nga 89 krerë të Besëlidhjes dhe nga krahina e Çamërisë spikasin emrat e Lul Çaparit, Muhamet Abazit, Muho Pronjos, Zahir Pronjos, Xhafer Demit, Ahmet Dinos, Muharrem Behlulit, Latif Elmazit, Xhate Selfos, etj. Kënga thotë:

Shqipëtarët anembanë,/ U mblodh e fjalën dhanë,
Mbretit s’i japim nizamë./ Të parë Çelo Picarë…

Dhe pastaj gjithë me radhë:

Zenel Gjolekë Kuçjoti,/ Hodo Ali nivicjoti,
Fejzo Çikë i borshjoti….,/ Të gjithë trima me pallë,
Bashkë me Lulë Çaparë,/ Erdhën e zunë Picarë.
Te rrapi me dega tëndë,/ Atje e bënë Kuvendë.

Dhe më tej:

Lumi i Vlorësë nëntëmijë/ Delvina me Çamërinë/ Berati me Toskërinë…

Pas dështimit të “Lidhjes”, Lul Çapari, si shumë kryengritës të tjerë kalon në arrati. Turqit me dredhi e pabesi arritën të kapin një pjesë të madhe të udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1847. Disa prej tyre i eliminuan fizikisht ose i mbyllën në burgjet e errëta të Perandorisë; një pjesë tjetër e falën, duke i vënë nën armë, në luftërat e zhvilluara kundër Greqisë dhe Malit të Zi. Nga ndjekjet e shumta që iu bënë, çdo herë Lul Çapari do të shpëtonte, duke luftuar, derisa rrethohet keq në fshatin e tij Luarat.

Foli një zë kaha mali:/ Të iki Lule Çapari!
Luli mori të rrëpjetë,/ Iu mbush sharkëza me vesë,
Vlleh e vllaha treqind vetë,/ Luli u kërkoj fushekë,/ Ata klenë të pabesë.

Në disa këngë ai thirret Lulo, Lule ose në trajtën e shquar Luleja. Ndoshta bëhet një paralelizmë midis emrit dhe bukurisë fizike që e karakterizonte. Në vargjet e këngës të bëjnë përshtypje fjalë e shprehje të një bukurie të rrallë:

Mirënata morfanjotë/ Keni vënt për mua sonte?

Lul Çapari, me sa shihet, ka arritur në muzg, sapo fillon të erret. Ai nuk thotë mirëmbrëma, shprehje e zakonshme kjo sot, por mirënata, pra mirë se u vjen nata ose: t’u gjejë mirë nata! Dhe më tej:

Ti moj plaka shenicjote,/ Keni vend për mua sonte?
Bujrum Lul Aga zotrote,/ Kemi sonte dhe si sonte!

Jerome - Në tregun e Kairos, Shqiptarët me Fustanellë
Jerome – Në tregun e Kairos, Shqiptarët me Fustanellë

Plaka shenicjote e pret me gjithë zemër dhe i thotë: “Bujrëm”, por fjalët “kemi sonte dhe si sonte” “përkthehen”: kemi sot plot dhe gjithë ditët e tjera janë si kjo e sotmja. Ndërkaq, Lul Çaparin, në ecejaket e tij të pafundme në fshatin e lindjes, ku kishte gruan dhe fëmijët e spiunojnë. Në një situatë të tillë i duhet të marrë një vendim të shpejtë pasi vonesa do të ishte vdekja e tij. Ai veproi, si gjithmonë, pa iu trembur syri.

Lul Çapari ia hipi diçit,/ Çajti mal’e Margëlliçit.
Lulo me nishan në ballë,/ Kur more turtje mejdanë,
Njëqindenjëzetë të ranë,/ Njëqindenjëzetë fushekë,
Bir o Lulo, ç’i dogje vetë!

Nga pas, si gjithmonë, e ndiqte miku i tij i ngushtë, trimi tjetër i Çamërisë, Mehmet Kollovi.

Lul Agai arriu e dolli,/ Pas e pas i ra Kollovi,
Kollovi i Saqe Meçesë, / Pas e pas i ra Lulesë.

Luli i kishte lënë amanet gruan dhe fëmijët shokut të tij. Kur pa që po e ndiqte nga prapa e pyeti dhe pasi mori përgjigje, që i kishte lënë në shtëpi blasfemon:

Ç’i bëre djelt e Lulesë?/ Në shtëpi i lash të zestë!
Lumi i marrtë e zjarri i djektë,/ Se ù s’di ku kam krietë.

Në këto kushte ai i thotë Kollovit të kthehet e të çojë porosinë e fundit tek e ëma:

Në shtëpi ktheu Kollovnë: / Të m’i bësh selam nënesë,
I puth pëqinë e xhubesë,/ Të më ketë djeltë kujdes!

Komandanti turk kishte mundur të kapte rob gruan, nënën dhe fëmijët. I detyruar, Lul Çapari kthehet prapa, mendo t’i dorëzohet komandantit turk Çollak Gegës, me kusht t’i linin të lirë nënën, gruan dhe fëmijët. Me të shkon dhe Haxhi Demi, me shpresën se valiu i Janinës do t’i falë.

U kthe Lulia e rreth i vunë,/ Në Janinë lidhur e shpunë,/
Lulenë që s’trembej kurrë. Kur e panë morfaqotë,/
Palë palë u vanë lotë. Në qafë të Belbestenit,/
I dha selam Haxhi Demit:/ Hajd’ or Haxhi Dem’ të vemi/
Se ftuar na ka sadrazemi Të mir’a të keqe kemi?!

Thuhet se i çuan në Stamboll te Sulltani, ku së bashku me Xhaferr Demin u zhdukën në mënyrë misterioze. Por këngët japin dhe një motërzim tjetër të vdekjes së tij, kur e dërguan në Janinë:

Lul Agai hip shkallatë,/ Xhelati trois pallatë.
Në Janinë lidhur e shpunë,/ Lulenë që s’trembej kurrë.
M’u ne portë e dervenit,/ Ia prenë kokënë si demit.

Në të gjitha këngët epike hasim një qëndrim të ashpër për tradhtinë e tradhtarët, qoftë dhe vendi i lindjes, si në këtë rast.

Ra mjegulla e zuri fshanë,/ Atë fshanë Luaranë.
Luarat këmbë mos mbetë/ Se zunë Lulinë e shkretë!

Sigurisht që Luarati nuk u shua dhe këtë këngë Lul Çaparit, ia ngritën vetë luaratasit. “Luarat këmb mos mbetë” është një mallkim i çastit, që ka të bëjë më shumë pendesën dhe keqardhjen, që nuk mundën ta shpëtonin dot birin e tyre në rrethanat e krijuara. Është si ajo shprehja, që përdoret edhe sot për një njeri të afërm, të cilin e kemi lënduar pa dashur nga nxitimi ose nga pamundësia për të qenë të pranishëm, është si shprehjet vetqortuese: “Më hëngërt mortja!” ose “M’u thaftë dora!”, “Më plaçin sytë!”
Marrë nga libri “Stërgjyshërit tanë në epikën historike”

Marrë nga Muri i FB Gëzim Zilja, 2 tetor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.