Luigj Filaj, biri i Kosovës, kompozitor i këngëve patriotike… – nga Pertefe Leka

0
13
Pertefe Leka, shtator 2018
Pertefe Leka, shtator 2018

Luigj Filaj, biri i Kosovës,

kompozitor i këngëve patriotike…

nga Pertefe Leka

Në ditët e para të shpalljes së lirisë së Kosovës, ringjallet një figurë e shquar e kombit tonë, kompozitori i talentuar, mësuesi patriot, Luigj Filaj.
Pavarësia e Kosovës u harmonizue natyrshëm me 100-Vjetorin e lindjes (21.06.1899) të këtij biri të denjë të Kosovës martire. Respekti e krenaria për këte mjeshtër të madh, nuk është vetëm në fushën e muzikës e të arsimit, por edhe për vlerat përparimtare në jetën politike e shoqërore.
I riu Filaj, i lindur në Janjevë të Prishtinës, i mori mësimet e para në Shkodër. Shkodra ishte qyteti i ëndrrave të të riut; qyteti i kulturës së vjetër dhe djep i muzikës shqiptare.
Kur u themelua shoqëria “Vllaznia”, një shoqëri kulturore-artistike (1919-1922) dhe u shfaq komedia “Dy shërbëtorët” e Goldonit, përkthye e përshtatë nga Hilë Mosi, në mes të akteve, luante pjesë të zgjedhura, i riu Luigj Filaj.
Aty mori shtytjen për t’u shkolluar në Vjenë, në vendin e muzikës Evropiane. Ai studioi për kompozicion e piano, por për arsye jetese, krahas studimeve punoi në fabrikën e njohur të pianove “August Foster”, ku u specializue si mjeshtër për akordimin e pianove. Besoj, se të gjithë ata që kanë trashëguar piano nga e kaluara, duhet të kenë provuar dorën e mjeshtrit të madh, siç e pohonte edhe artistja e nderuar, Marie Kraja.
.
Luigj Filaj te Radio Tirana
Luigj Filaj te Radio Tirana
Më 1922, u kthye në Shqipëri, ku u caktue mësues muzike në Shkollën Normale të Elbasanit (shkollë pedagogjike e hapur më 1909, me nxënës nga gjithë Shqipëria, gjysma e të cilëve ishin nga Kosova e Çamëria). Me 1925, u detyrua të ndërpresë punën, pasi kishte marrë pjesë në Kryengritjen e Qershorit me 1924, së bashku me nxënës dhe mësues të tjerë të Normales. Ky pushim nga puna s’e dekurajoi. Ai punoi në Korçë (1925-27) si shoqërues në piano i filmave pa zë në kinematë e këtij qyteti. “Gazeta Korça”, 11.5.1927 shkruante: “Informohemi se shoqëria “Djelmuria Korçare” gjatë këtij viti dha disa shfaqje të shoqëruara me muzikë nga pianisti Luigj Filaj, i cili kishte studiuar në Austri. Luigj Filaj ishte themelues i bandës së Durrësit, aranzhues i veprave për bandë dhe themelues i teknikave të akordimit të pianove”. Në një intervistë të Prof. Milto Vako, titulluar “Muzika jonë është kryevepër…” ndër të tjera kishte evidentuar, banden muzikore të Pogradecit: “Kur isha fëmijë, më tërhiqte shumë, banda e Luigj Filaj dhe unë shkoja vazhdimisht te kjo bandë në Pogradec”.
Prof. Filaj shërbente edhe si përkthyes. “Një herë, kur ai punonte në Korçë, shoqëronte si përkthyes një oficer anglez, që kishte ardhur si instruktor i xhandarmarisë. (shkruan Fatos Baxhaku,” Një copëz nga Prehistoria e Reformës në Drejtësi”)
Studenti i parimeve perëndimore nuk mund të pajtohej me procesin e ngadaltë të emancipimit të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, prandaj u bashkua me brezin e poetëve kritikë duke shprehur pikëpamjet e tija në prozë e poezi, për një shoqëri sa më demokratike e përendimore.
Ky qëndrim kritik ndaj shoqërisë së kohës e ballafaqon me largimin e dytë, atë të internimit. Kjo maratonë lëvizjesh nga një qytet në tjetrin nuk e dekorajuan, përkundrazi, ishin një shkollë dhe një përvojë e vyer për Filajn, në shërbim të njerëzve. Ai vuri aftësitë dhe talentin e mrekullueshëm si instrumentist e kompozitor, për të edukuar brezin e ri me ndjenja të larta atdhetare.
Nga Durrësi, Berati… vinin mesazhe të punës së pakursyer për organizimin e grupeve të veglave frymore, të cilat mbanin të gjallë krenarinë kombëtare dhe emrin shqiptar. Me energji të pashtershme Prof. Filaj nuk humbiste një çast pune për t’i shërbyer emancipimit të shoqërisë shqiptare, e cila kishte nevojë për njerëz të edukuar. Aty ku vlente më shumë muzika, fanfara, kënga patriotike, aty ishte, i palodhuri Filaj. Aty ku fjala zgjonte emocionet për t’u shkëputur nga mentalitetet e vjetra të trashëguara, aty lindte proza e poezia nga artisti Filaj. Edhe pse nuk kishte përputhje mendimesh në praktikat e politikanëve të kohës, Ai nuk kërkoi të shërbente gjetiu, se falë dhuntive natyrore dhe vullnetit të hekurt, ai kudo mund të fitonte famën si artist, por preferoi të shërbente aty ku muzika do t’i vlente popullit të tij.
Kur ishte mësues në shkollën Teknike të Tiranës (nga viti 1931) u vlerësua për organizimin e koncertit të madh koral dhe instrumental dhënë në këte shkollë: “Urojmë pianistin Luigj Filaj, i cili që në fillim e deri në fund ekzekutoi mjeshtërisht gjithë pjesët që u luajtën”, shkruante gazeta “Laboremus”
Krijimi i grupit të mandolinave me vajzat e strehës vorfnore, nga Prof. Filaj gjeti një terren të përshtatshëm, nga organizimi që kishte bërë miku i tij, drejtori i Jetimores, shkodrani Sheuqet Muka, ( Sh. M. kishte hapur reparte pune për djemtë dhe për vajzat e jetimorës dhe kishte organizuar orkestrën me vegla të ndryshme muzikore për të zhvilluar veprimtari të ndryshme kulturore) Ky bashkëpunim shpirtëror me jetimët, e rriti akoma më shumë vlerën e konsideratën e Prof. Filajt si humanist shqiptar i përkushtuar siç e pohon edhe një nga vajzat e kësaj shkolle, Sabie Balla Shijaku, në kujtimet e saj.
Emancipimi i vajzës shqiptare ishte imperativ i kohës. Këtë e thekson më mirë fjala e Artistës së Popullit, Marie Kraja (Paluca) e cila ndër të tjera thotë: “Me Prof. Filajn im atë ka kenë koleg në Normalen e Elbasanit. Pas transferimit të babës tim në Shkodër, miqësia e tyre vazhdoi, bile u bë edhe më e fortë.
Një ditë Prof. Luigji erdhi dhe na vizitoi në Shkodër. Unë isha 12-13 vjeçe dhe rastësisht po këndoja nëpër shtëpi. Atij si muzikant ia tërhoqi vëmendjen zëri im, kështu, Ai u bë ndër nxitësit e tjerë i mendimit që im atë të më dërgonte të studioja për muzikë. Herë pas here vinte të më kontrollonte pianon time dhe në fund më shoqëronte me ndonjë romancë të Shubertit. Ai ka qenë njeri me temperament të zjarrtë e kurajo të cilën e tregoi ndër disa shkrime të tijat. E ruaj kujtimin e tij me respekt e mirënjohje”.
.
Luigj Filaj - Koncert Instrumental
Luigj Filaj – Koncert Instrumental
Si pianist, Ai bashkëpunoi dhe shoqëroi në piano në disa koncerte këngëtarët profesionistë si Tefta Tashko, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu etj.
Një kontribut me vlerë për shkollat shqiptare ishte metodika “Mësimi i muzikës për shkollat e mesme” botuar me 1935. Ky libër didaktik, plotësoi një boshllëk në edukimin muzikor të nxënësve shqiptarë në të gjitha nivelet, pasi aty përfshiheshin zhvillimet artistike muzikore botërore. Në vitin 1943, doli në dritë përmbledhja e botimeve satirike “Dajë Jaku”. Autori aty, shfaqi talentin edhe si mjeshtër i fjalës, ku me kurajo qytetare kritikon të metat e shoqërisë së kohës, për një shoqëri të kulturuar dhe në progres.
Lufta Nac-Çli. e gjeti në pozita revolucionare siç pohonte vetë: “Unë jam me të gjitha forcat për Luftën Nac-Çli.” Ky fakt dhe të tjera deklarata të shkruara, faktojnë ndihmesën që ka dhënë Prof. Filaj për çështjen e çlirimit të Shqipërisë nga okupatori.
Fill pas çlirimit, zgjidhet delegat në Kongresin e Parë të Arsimtarëve që u mbajt në Korçën e sapoçliruar, ku shkoi nga Tirana në këmbë së bashku me delegatet e tjerë.
Pas çlirimit, punoi si mësues në Liceun Artistik “Jordan Misja” prej ku dolën kuadrot e para të muzikës si Robert Radoja, Gj. Pekmezi, H. Mikopuli, etj. Të cilët përfituan nga përvoja dhe metoda e avancuar e profesorit të tyre.
Duke pasë një ndërgjegje të lartë qytetare, Prof. Filaj nuk u shkëput asnjëherë nga muzika patriotike. Kështu vijnë me radhë kompozimet, tabloja muzikore, opereta e parë për fëmijë “Lavdi Atdheut” e realizuar nga fëmijët e Pallatit të Pionierve të Tiranës, e cila pati jehonë të madhe në vend. Kënga “Lavdi Partizanit” e kënduar nga Hysen Pelinku të ngjallte shumë emocion, për ata që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut. Për orkestrën frymore kompozoi një potpuri këngësh patriotike. Shumë i dëgjuar u bë: “Valsi i Rinisë”.
Ndër krijimet më të goditura që edhe sot mbart vlera aktuale është “Kënga e Djepit” të cilën e kanë interpretuar me profesionalizëm të Lartë Marie Kraja, Edit Mihali, etj. Është kënga që u kushtohet zemrave të pastra fëminore, atyre që duhet t’u buzëqesh e ardhmja.
Në tërësi figura e të nderuarit Luigj Filaj del e kompletuar, jo vetëm si profesionist në fushën e muzikës, por edhe si aktivist shoqëror dhe njeri me virtyte të rralla siç pohon Artistja e Popullit, Dhora Leka “Prof. Filaj, siç e thërrisnim ne artistët e rinj, ka qenë shembull i shkëlqyer i gatishmërisë dhe përkushtimit kurajoz dhe me shpirt të madh. Nuk e harroj kurrë gjestin e tij kur sapo kisha dalë nga burgu, Ai më takoi dhe më përshëndeti përzemërsisht, kur të tjerët më kthenin krahët…”
Vazhdimësinë muzikore të Prof. Filaj e vazhdoi e bija, Violeta, zonja e gazetarit të mirënjohur Vangjush Gambeta, mësuese, pianiste dhe kompozitore e njohur për fëmijë. Grupi i krijuar prej saj “Dorela” ekzekutonte pjesë nga opereta për fëmijë “Lavdi Atdheut” në përkujtim të Atit të saj të shtrejtë, sidomos në kohën e luftës në Kosovë, duke i bërë jehonë trimërisë dhe qëndresës shqiptare që po përleshesh me bishën më të egër të Ballkanit. Duke e ndjerë trashëgiminë familjare dhe emrin e dëgjuar të babait, ajo kompozoi këngën “Në emër të fëmijëve, Kosova e lirë.” Kështu ajo plotësoi më mirë lidhjen e familjes Filaj me Atdheun, me Kosovën, me traditën patriotike. Pata fatin ta njoh nga afër, Violetën, kur punonim të dyja në shkollën Anglo-Shqiptare Fenix. Ishte koha më e tmerrshme e ngjarjeve të Kosovës. Kur gjithë qytetet shqiptare hapën dyert për të pritur vëllezërit e tyre të larguar me forcë nga terroristët Serb, Violeta me grupin “Dorela” shkonte çadër më çadër, ku argëtonin fëmijët kosovarë të tmerruar, dëshmitarë të masakrave. Njëkohësisht, atje dërgonim ndihma, që ne, së bashku me prindërit e fëmijëve në shkollë, i paketonim për fëmijët kosovarë, inisiativë e bamirëses angleze Sherley, e cila ishte edhe themeluese e asaj shkolle. E frymëzuar nga këto ngjarje, Violeta përmblodhi këngët për fëmijë në një libër, të cilin botuesit e TOENA-as ia bënë dhuratë mirënjohje për mësuesen e vajzës së tyre. Por fati nuk deshi që Violeta ta gëzonte Kosovën e çliruar, sapo mori në dorë librin e botuar, një sëmundje e papritur ia rrëmbeu jetën.
Prof. Filaj dhe vajza e tij e talentuar, Violeta, kanë lënë një emër shumë të mirë, jo vetëm si mësues të devotshëm, por edhe si aktivistë shoqëror të palodhur për progresin e rinisë shqiptare. Në prag të vitit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, kompozimet e tyre, me këngë patriotike duhet të jenë në repertorin festiv të shkollave nga mësuesit dhe nga prindërit.
Le të ushtojë kudo në trojet shqiptare e në diasporë, fanfara me potpuri të kompozuara nga i Madhi, Luigj Filaj, së bashku me këngën e vjetër të atëdhetarëve kryengritës që i bashkon Shqiptarët, “Për Memëdhenë, për Mëmëdhenë/ Vraponi burra se s’ka me prite…”
 
 

Related Images:

Artikulli paraprakParadoks gjuhësor dhe letrar nga Behar Gjoka
Artikulli tjetërDhjetori i studentëve te 2018, dhe kujtimi i studentëve 28 viteve të shkuara… – reflektim nga Jozef Radi
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.