back to top
21.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Lufta për Lidership në PD – dhe betejat për të nesërmen! refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2015
Jozef Radi 2015

Lufta për Lidership në PD – dhe betejat për të nesërmen!

refleksion nga Jozef Radi

PD lindi si rebelim, si fryma opozitare e një diktature të gjatë dhe të egër, dhe si e tillë misioni i saj ishte dhe duhej të mbetej historik: mishërimi më i lartë i Opozitës!
Të kesh guxim dhe energji të bësh Opozitën është magji e politikës, sepse krahas mbylljes së shtigjeve të së Keqes së pushtetit, i krijon vetës alternativën pozitive të pushtetit ku kalimi nga një dorë në tjetrën duhet të ishte nga më pak e mira drejt së mirës, ose nga e keqja drejt më pak së keqes, gjithnji me synim: të Mirën! Kështu lindi PD-ja: një front i gjerë opozitar, kur shpresa pothuaj kishte humbur; dhe lavdia e saj do të mbetej nëse do t’i qëndronte kësaj fryme edhe me shpirt nëpër dhëmbë!!
Nji parti 50 vjeçare, që e kishte kthyer pushtetin në mjetin dhe qëllimin më të tmerrshëm të dhunës, nuk mund të mposhtej ndryshe, veçse me një front të fuqishëm opozitar! Prandaj shfaqja e PD-së ngrohu shumë zemra, (me gjithë pakënaqësitë që e shoqëruan rrugës). Në ditët e saj më të lavdishme ajo ishte partia e Shpresës së Madhe! Po edhe në ditët e rrëzimeve të veta, kur humbi mjaft nga shkëlqimi i Shpresës së Madhe, mbeti gjithnji brenda vetes ashtu “frangar non flektar”!!
PD-ja u ngjiz si konglomerat shtresash sociale, (nganjëherë edhe ekstreme), sepse vetëm si e tillë ajo mund të përfaqësonte krejt spektrin e opozitës së një gjysëm shekulli diktaturë, vetëm si e tillë, ajo mund të paraqitej edhe parti pushteti! Një model ndryshe nga ai ekzistues… (ajo u mundua mjaft, të ishte e tillë). Edhe në pushtet, ajo shpesh u përpoq të kënaqte krahas interesave të grupeve të vogla, edhe interesat e kundërshtarëve të saj, aq sa u ra në sy edhe flamurtarëve të saj të paepur, gjithnji duke u justifikuar se: “Ne nuk jemi si ata!”, apo shprehja e famëshme elektorale se: “Me ne fitojnë të gjithë…!” Pra, PD-ja kësaj llogjike i ka mëshuar, shpesh edhe në dëm të vetes, pse politika e njeh edhe kët sjellje! Kjo gjë, me kohë e zbehu mjaft mbështetjen e grupeve sociale – baza e saj. Lideri i saj Historik, vërtet erdhi nga radhët e partisë 50 vjeçare, po qe mjaft përbashkues, dhe me kompromiset që realizoi, krijoi ekuilibre të paqes sociale, ku mundësia e një konfrontimi komunizëm-antkomunizëm, shpesh e pranishme në jetën politike, herë pas here preku caqe që mund të kishin sjellë pasoja jo fort të këndshme! Megjithatë, gjykuar nga lartësitë e së sotmes, mund të thuhet se koha qeverisëse midis Pushtet-Opozitës është e përgjysmët, kështu çdo gisht i zgjatur përgjegjësie është gisht turpi, i cilitdo që rreket t’ia drejtojë tjetrit!
Mbas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, PD ndodhet në ditët më të errëta të pikiatës së saj. Nisur nga marrëveshja parazgjedhore e 19 majit, ajo s’është më as parti pushteti, e as parti opozite! Ajo nuk është më as parti Shprese dhe as parti Interesash, nuk është më as front i shtresave të shumta sociale që e kanë mbështetur historikisht dhe as ndonjë grupim interesash okulte të papërcaktuara, nuk ka as një lidër karizmatik që bind dhe tërheq po as një grupim intelektual solid! Sot PD është në rrezik jo veç për veten e saj, po për krejt shoqërinë shqiptare! Sepse ajo që dikur ishte frymë morale, sot është shndërruar në një pellg vegjetimi, ku krejt natyrshëm mund të riciklohen humbësit dhe dështuesit si fitues e qëndrestarë!! Pra, në këtë situatë nuk fillon thjesht tragjedia e saj si PD, po tragjedia e krejt opozitarizmit shqiptar!
.
Selia e Partise Demokratike
Selia e Partise Demokratike

Edhe në ditët më të errëta të diktaturës komuniste, opozitarizmi shqiptar ka qenë pjesa më me dritë dhe më e lavdishme e ndërgjegjes kombëtare! Shembujt e së përditshmes së dokumentuar dëshmojnë se ishin të shumtë ata të cilët s’u pajtuan kurrë me të Keqen, qëpësonte vendi i tyre dhe se klithma e tyre vazhdon të mbërrijë fuqishëm deri në ditët tona. Edhe si humbësa, opozitarët e diktaturës e ruajtën si sytë e ballit sythin e shpresës dhe moralin kombëtar të qëndresës! Sot PD-ja nuk ka një lexim të qartë mbi veten dhe nji kuptim largpamës mbi frymën që ajo përfaqëson. Pikërisht ky fakt përbën krizën më të thellë të saj, e cila jo vetëm po lexohet së prapthi, po edhe po keqpërdorohet prej gjithë atyre që duhet ta mbronin këtë pasuri kombëtare të popullit shqiptar, me gjakun e tyre!

Duke qenë se PD-ja e dikurshme është identifikuar me Liderin e saj Historik, historia e saj ruajti në themel cilësitë thelbësore të këtij lideri, (identifikimi i Liderit me Partinë dhe anasjelltas); PD-ja e sotme kërkon ta përsërisë këtë llogjikë, tashmë jo fort funksionale (simbas meje, PD-ja e sotme kurrsesi s’mund ta pretendojë diçka të tillë). Pikërisht kjo paralele midis Liderash zbulon edhe krizën e thellë të PD-së dhe Liderit të saj të Ri!
Lideri i Ri, nuk pat bërë nji opozitë të dukshme me qeverisjen katërvjeçare. Mbas 90 ditësh në Çadër, ai u fut në një kompromis të ngutshëm (ende jo fort të qarta rrethanat dhe marrëveshja) me kreun e ekzekutivit. Nëse do ta krahasonim kët veprim, është fort i ngjajshëm politikisht me Qeverinë e Stabilitetit, kur Lideri Historik i PD-së, e bojkotoj grackën politike duke iu nisur një përshkallëzimi ngritës drejt fitores, që kulmoi me 22 marsin e vitit 1992: Majën më lartë elektorale të PD-së! Edhe Lideri i Sotëm u gjend në një grackë të përafërt kompromisi, që mbaroi me një “qepalla”, e cila mund ta shndërronte në çdo çast fitimtar, mbasi ai e mbështeti kreun e ekzekutivit në një operacion jo fort të lehtë, ku duket se u nda qartë cili do ishte Njishi dhe cili Dyshi! (pra shapi dhe sheqeri). Kjo nuk ishte çështje e ndonjë favorizimi apo marrjes së pushtetit nga opozita, thjesht një status quo e re, ku edhe humbësi mund të vlerësohej si fitimtar, nëse i bashkangjitej pushtetit, po edhe nëse mbetej humbës, fakti që në parti s’kishte asnjë rival kërcënues, (edhe në rastin më të keq të humbjes), Partia i mbetej si një dopiogjashtë në dorë!!
Pra, u la të besohet se PD-ja s’e pretendonte pushtetin, po më shumë interesohej për vendin e dytë, dhe mbajtja me çdo kusht e Partisë nga Lideri i Sotëm. Ky lider mund të quhet fitues, nëse kompromiset vijuese mund t’i ofrojnë pushtet, dhe gëzon të drejtën ta drejtojë PD në shpërfillje të sirenave të pakënaqura brenda Partisë! Por problemi simbas meje është gjetkë!
Shqetësimi i madh shtrohet, kush do të jetë opozita e shpresës dhe shpirti opozitar në kët vend që ka nji histori të dhimbshme me elozhe ndaj diktaturës!? Sepse PD-ja si opozitë me Liderin e Sotëm të kompromisit, nuk ka legjitimitetin moral të opozitës përbashkuese! (apo kush pyet për moral këndj pari!!) Pikërisht këtu nis beteja e madhe e atyre që kërkojne ta rikthejnë misionin thelbësor të PD-së – opozitën heroike dhe stoike!!
Historikisht PD-ja lindi si front anti PPSH! Sado truke dhe prapaskena t’i jenë luajtur mbas shpine, shpirti i bazës së saj ka qenë i tillë dhe besoj se i tillë do të mbetet deri në shuarjen e saj! Është e vërtetë gjithashtu, se midis bazës së PD-së dhe pjesës elitare të saj, s’ka pasur ndonjë përsosmëri harmonie, por megjithatë ka qenë gjithnji në këmbë shpirti opozitar!! Unë guxoj të them se PD nuk ka qenë kurrë Parti! PD-ja ka qenë front i paorganizuar rrymash dhe mendësish, shpesh edhe të trajtuara djallëzisht! Por ama ka qenë! Sot s’më le përshtypje se ky front është sërish, dhe këtu nis problemi Madhor i saj!
.
Partia Demokratike _ Lideri Historik dhe Lideri i Ri
Partia Demokratike _ Lideri Historik dhe Lideri i Ri

Sikur qysh në fillimet e saj, ajo të kishte funksionuar si front i gjerë dhe real, sot në PD do të kishim: seksionin e pronarëve të sekuestruar, seksionin e komunistëve të zhgënjyer nga regjimi, seksionin e intelektualëve të lirë, seksionin e njerëzve me dosje, seksionin e atyre që përpunonin dosje, seksionin e Ballit dhe socialdemokratëve, seksionin e Legalistëve dhe ekstremistëve, seksionin e pronarëve të tokave dhe ish kulakëve, seksionin e ish të përndjekurve dhe nacionalistëve, seksionin e intelektualëve të rinj, seksionin e emigracionit të vjetër e të ri, seksionin e tregtarëve të rinj dhe investitorëve, e të tjerë! Pra kjo bashkësi gjigande e së djathtës, e gjitha bashkë në përfaqësimet e veta do ta bënte PD-në, sa të respektuar në qeverisje po aq luftarake në opozitë… Dhe Shqipëria do të qe shfaqur kahera një vend perëndimor! Por, kjo tashmë s’ka ndodhur, dhe vështirë që ky zhgënjim i sotëm të mund ta sjellë kët gjë! Lideri i Sotëm ka të gjitha gjasat të jetë kryetar i një mase amorfe që vërtet mund ta ketë emrin PD, por kjo do të jetë një parti amfibe, që kur i duhet mund të dalë në sterè dhe kur të urdhërohet mund të jetojë në ujra (të turbullta)! Si e tillë, Lideri i Sotëm është më i përshtatëshmi i kësaj fryme që po ndjehet brenda Partisë që ai e rikërkon!

Shto edhe faktin se asnjë rival i deritanishëm s’ka karizëm të mjaftueshme për një betejë leale që “t’i marrë partinë”, apo të tjerë që mund të kishin punuar e ndërtuar strategji të mirfillta, që nëse një ditë rrota e PD-së do të vërtitej ndryshe, ata t’i kishin alternativat gati!
Lideri i saj Historik, kam bindjen se nuk ndjehet fort në pasion t’i ngarkojë vetes pesha (po edhe gjynahe) të reja, kur dihet se mulliri i vërtitur prej tij e ka dëshiruar kët grurë, që sot ndër sofra e shtrojmë si bukë! Megjithatë sot Shqipërisë i duhet riformatuar urgjentisht Opozita! Një frymë përbashkuese e krejt asaj pakënaqësie që mund të rritet si rezultat i këtij plotpushteti të grumbulluar në një dorë të vetme! Një operacion i tillë kërkon kohë, frymë dhe vizionarë! Kokfortësia e fakteve na lejon të themi se ne s’kemi fort respekt për kohën (27 vite posdiktaturë shkuan), fryma kaherë është e shkapërderdhur kafeneve dhe llogjeve politike, kurse vizionarëve këtyre anëve u është harruar kahera duhma…
Prandaj, beteja më e madhe sot nuk duhet të ishte kush po e mban apo kush po e lëshon PD-në, por a mund të themelohet apo rithemelohet një Frymë e Re që të na e afrojë atë çka duhej te ishte PD-ja!
Shpresa e Madhe e Lirisë së këtij vendi, që e kërcënon diktatura!
4 korrik 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.