back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Letra – nga Artan Gjyzel Hasani

Gazeta

Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani

Letra –

tregim nga Artan Gjyzel Hasani

(sipas nje ngjarjeje te jetuar)

Ata ishin dy vëllezër. Jetonin aq larg njëri tjetrit. Ai mes telave të dukshëm e të padukshëm të diktaturës. Tjetri përtej oqeanit në një kontinent të largët. Dy vëllezër. I Këtushmi dhe I Përtejshmi. I kish ndarë lufta dhe ajo që pasoi. I shkruanin letra njëri-tjetrit. Letra që nuk arrinin kurrë. Ato kalonin oqeanin lehtësisht, por si gjithnjë ngecnin në kufi. Jo në atë kufirin e dukshëm me tela me gjemba, por në atë tjetrin, të padukshmin, në zyrat e Çensurës ku kontrolloheshin jo vetëm rreshtat e fjalët e shkruara të letrave që vinin nga përtej telave, por edhe pjesët e bardha mes tyre ku mund të depërtonte një nënkuptim apo nëntekst. Dhe në vendin e rrethuar me tela me gjemba sigurisht asgjë nuk mund të depërtonte.
Një dite I Këtushmi mori një letër nga vëllai i përtej oqeanit. Ishte letra e parë. Aty shkruhej: “I dashur vëlla, e vetmja krijesë e dashur e imja në këtë botë, në letër kam futur një qime floku. Nëse kur ta hapësh do gjesh qimen brenda zarfit dmth që letra ime nuk ështe hapur dhe lexuar nga hafijet përgjuese të Çensurës dhe paskëtaj mund të vazhdojmë t’i shkruajmë njëri-tjetrit pa frikë se ndonjë rresht i letrave tona mund të të çoje ty në burgun e tyre.”
I Këtushmi e kish gjetur qimen e flokëve të të vëllait në zarfin e sapomarrë. Ishte lumturuar. Siç dukej hafijet e Çensurës nuk i kontrollonin letrat që vinin nga përtej telave me gjemba. Me nxitim i shkruajti letrën e përgjigjes vëllait: “Vëlla i dashur, e gjeta qimen brenda zarfit. Mund të më shkruash pa frikë.” Por i përtejshmi nuk shkruajti më. As të nesërmen. As muajin tjetër. As vitin tjetër. Asnjehërë.
I Këtushmi u ndje i braktisur dhe i harruar nga tjetri. Kështu kaluan vitet. Shumë vite. U plakën të dy. Ai andej. Ky këndej. Dikur telat me gjemba u rrëzuan. U takuan pas shumë viteve heshtje. Ai e priti në aeroport të përtejshmin. E njohën njeri- tjetrin nga thinjat dhe nga malli që kishin në sy. U puthën. U përqafuan. “Vëlla, si nuk më shkruajte më? Kaq e kaq vjet e kam pritur me padurim letrën tënde. Të shkruajta që e gjeta qimen në zarf.” I Përtejshmi kish bërë një frymëmarrje të thellë dhe e kish shikuar në sy. “Unë në të vërtetë nuk kisha futur qime brenda zarfit…Ndaj nuk të shkrova më…”
©artangjyzelhasani

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.