Letërsia shqipe dhe pandemia – Intervistë me studiuesin e letërsisë dhe shkrimtarin Behar Gjoka

0
12
Studiuesi Behar Gjoka
Studiuesi Behar Gjoka

Letërsia shqipe dhe pandemia

Intervistë me studiuesin e letërsisë Behar Gjoka

Izolimi social prej pandemisë së koronavirusit ka ndikuar të gjitha sferat e jetës, por dhe të krijimtarisë. Në mediet audiovizuale por dhe ato sociale disa krijues janë shprehur se qëndrimi në izolim u ka shtuar krijimtarinë, që mezi presin ta publikojnë. Si u përballën krijuesit e letrave shqipe me pandeminë dhe pasojat e saj.
Studiuesi i njohur i letërsisë dhe shkrimtari Behar Gjoka në Radio Ejani shtjelloi këtë temë, përmes përvojës së tij personale, por dhe vëzhgimit të krijimtarisë në tërësi.
.
Penda e Letersise
Penda e Letersise
 
CMG: Pandemia ka goditur shoqërinë në tërësi, por dhe veprimtaritë, ndër të cilat dhe krijimtarinë. Cili është vlerësimi juaj si studiues si dhe shkrimtar për ndikimin e izolimit social tek krijuesit?
Behar Gjoka: Kjo erdhi si rrufetë, por jo në qiell të hapur. Erdhi në një qiell gri, të mjegullt sepse shoqëria njerëzore kishte bërë shumëçka dhe nuk po kuptonte se në këtë planet nuk është Zoti, nuk është sundimtari, por është një nga elementet përbamës të planetit. Pandemia po ta përshkruash me një fjalë është e pamjaftueshme, është nga ato raste që ka shokuar të gjithë botën dhe shokimi është sa shëndetësor, aq psikologjik dhe shpirtëror. Në një fare mënyre është një lloj ngërçi që zbuloi papërgatitjen e individit, por edhe të shoqërisë njerëzore përballë një fatkeqësie të përmasave të tilla.
Në kuptimin real të fjalës, çdo distancim social dhe fizik krijon një mur në të cilin ne nuk jemi më ata që ishim. Kjo situate ka dy anë të medaljes. Nga njera anë është heqja e komunikimit dhe nga ana tjetër është një shans për t’u thelluar në hemisferat e shpirtit të vetvetes. Në kuptimin që ne duhet të përballemi, sepse ne nuk mund të fshihemi prapa gishtit, meqë ndodhi kjo të presim një zgjidhje magjike. Jo, nuk ka zgjidhje magjike, por ka të jetuar intensivisht për të rregulluar shëndetin dhe për të hyrë në raport me shumëçka për kthimin e jetës në normalitet.
 
CMG: Virtualiteti, zhvillimi i panaireve online, promovimi i veprave letrare dhe autorëve permes teknologjisë po krijon një model të ri të zhvillimit të arteve në tërësi. A janë të përgatitur krijuesit për këtë model?
Behar Gjoka: Kishte kohë që diçka diskutohej në mjediset e artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve lidhur me letërsinë në letër dhe letërsinë virtuale. Si çdo e re pritet me një lloj reaksioni dhe tani që ndodhemi në detyrimin që duhet të bëjmë atë që të tjerët ka kohë që e bëjnë dhe përballë kësaj situate ne ishim të papërgatitur. Sepse gjithmonë qenia reagon ndaj të resë në shumë mënyra. Ka që e përqafojnë atë, por ka që nuk e duan. Në fakt, marrëdhënia me librin në mjediset tona ka qenë klasike, me librin në letër. Tani ka tentativa për të ndryshuar mentalitet lidhur me këtë marrëdhënie, por ai që e prodhon librin, domethënë shtëpitë botuese janë te ai mentalitet, po kështu dhe autori i letrave shqipe, ende gjallon në këtë situim.
Pra mungesa e një kulture komunikimi për këtë situatë ka bërë që ne të hyjmë ose formalisht, ose me një përrua ndërgjegjeje ku shumëkush e shpall veten poet kombëtar, apo planetar dhe të një situate ku mendohet se letërsia është shumë e thjeshtë, shumë e kollajshme. E gjitha kjo në një fare mënyre është në kurriz të letërsisë, sepse jo çdo klithmë e jo çdo “marrëzi” shënon estetikën. Në këtë kuptim kjo pati anën “pozitive” që detyroi ata që do merren me letërsi, ata që do të shkruajnë letërsi, ata që do të botojnë, pra shtëpitë botuese, por dhe lexuesit të ndryshojnë mentalitet në marrëdhënie me letërsinë. Edhe në virtualitet janë germat, shkronjat është uni poetik në poezi, rrëfimi në prozë, apo dialogu në dramaturgji që na çon te teksti.
Natyrisht kjo do të kërkojë një sprovë ku shumëkush ka shumë për të bërë. Unë ka kohë që komunikoj dhe në virtualitet edhe me letër. Virtualiteti është një hapësirë që tashmë duhet shfrytëzuar sepse kjo të kujton momentin kur u kalua libri në letër. Ishte një revolucion, përmbysi shumëçka. Ndërsa tani jemi para një revolucioni tjetër, i cili na ka gjetur jo shumë të përgatitur. Nëse informacioni të informon, libri të formon në fushën ku ti ke dëshirën, aspiratën dhe idealin që të bëhesh dikushi në jetë.
 
CMG: Ju përveçse studjues jeni dhe shkrimtar. Si e keni përjetuar pandeminë një vjeçare ? A ju ka ndikuar në krijimtarie.
Behar Gjoka: Arratia në lexim ka qenë pjesë e normalitetit, ndërsa pjesa e shkrimit kreativ është diçka që izolimi në kuptimin fizik nuk ta mundëson. Sepse është një situate tjetër, “një urdhër nga lart”, një frymë që askush nuk e posedon dhe vjen pa të marrë leje. Në këtë kuptim unë në këtë periudhë jam marrë më shumë me sistemime leximesh dhe kam pasur nëpër duar një tekst për Petro Markon, për të gjitha tekstet e tij. Këto janë të një natyre, siç kam bërë për Pjetër Budin, Mitrush Kutelin, për Kasem Trebeshinën, Kadarenë e Camajn, të një dhënie të mendimit tim për sa i përket krijimtarisë, si lexim tekstesh.
Nga leximet, nga shkrimi dhe nga përpjekja për të dhënë ndonjë mendim kam kuptuar se të marrësh përsipër shpjegimin e letërsisë është gati e pamundur, sepse letërsia zbulohet në lexim dhe në rilexim. Këtë vit kam dorëzuar për botim diçka nga krijimtaria ime, është fjala për romanin “Qyteti i hienave”, një tekst që e kisha hedhur dorën e pare në 2010, në 2015 dorën e dytë, dhe të tretën në periudhën e pandemisë. Më kanë thënë që do të dale nga shtypi dhe si tekst është një dialog me kohën, me gjithçka që ne jetojmë. Unë nuk mendoj se atdheu shpirtëror, siç është letërsia, kërkon të rregullojë botën apo ta përmbysë atë. Jo, të dëshmojë ekzistencën e pjesës shpirtërore. Në këtë periudhë jam marë dhe me përgatitjen për botim të numrit special të revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, që është numri 10, që ka në vëmendje vetëm veprimtarinë letrare të Petro Markos, pasojë e një konference që është bërë para një viti.
Pandemia na dha shansin që njerëzimi nuk duhet ta humbasë busullën orientuese, sepse poeti do të jetë poet dhe letërsia është pjesa shpirtërore që na jep shansin për të kuptuar se ka gjithmonë dritë në fund të tunelit, i cili është brenda nesh.
.
Intervistoi Eda Merepeza, 2021-02-10

Related Images:

Artikulli paraprakDëshmia rrëqethëse e Leze Ndrejajt nga kampi i Tepelenës – një Letër kujtese nga Leze Ndrejaj Koçeku
Artikulli tjetërNjë foto e rrallë e Migjenit në seminarin e Manastirit
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.