back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

“Letër e padërguar” e Mitrush Kutelit – nga Behar Gjoka

Gazeta

Behar Gjoka gjatë një Ligjërimi në Universitetin "Luigj Gurakuqi"
Behar Gjoka gjatë një Ligjërimi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”

“Letër e padërguar” e Mitrush Kutelit

nga Behar Gjoka

Askush nuk e di se kur u shkrua kjo kartë, fort e çudiçme, në të gjitha pikëpamjet. Madje, është kaq enigëm, sa nuk dinë të thonë se nga cila adresë është nisur, e qysh erdhi e ra në duart e mia, kjo copë letre, e rrallë në mundësitë ekzistenciale, që të niset nga bota e përtejme. Megjithatë, që ta ngasë llafen gjer ku mban, ende më ushtojnë veshët nga ulurimat e lajmësit edhe më të çuditçëm, që më erdhi befas, e me vu ndë mendime të fella. Karta, shkruar e zeza në të bardhë, po duket se mbart një mesazh, jo të zakonshëm, që me kënaqësi po e ndaj me ju të shtrenjtët e mi… Mbaj mend, si në mjegullë se lexova ndoca rreshta, që më janë ngulur gozhdë nër tru… Nga bota e amshimit, po marrë guximin që t’ju shkruaj, me shpresën e madhe se do mirëkuptohem, ndryshe nga koha tjetër, në gjallje, kur vetëm me keqkuptuan, madje më vorruan së gjalli. Pa një e dy, nga fellësia e shpritit ju kërkoj ndjesë. Sefte, për të shprehur mallin që kam, po ju nis një përshëndetje, sa malet e Kosovës e fushat e Shqipërisë, shoqëruar me uratën e madhe që të keni mbrothësi. Mora pendën në duar, për të shprehur një dëshirë, për të thënë nja dy fjalë, që po ma përvëlojnë xhanë. Dua të llafosemi, si dikur, kur jesha në mesin tuaj. Arsyeja e fortë, që të prish qetësinë dhe të shkruaj, për ndokënd është absurde. Për të tjerët, mentarë të mbaruar, e gjithnjë hesapeqëruar, mbase është gjë e vogël, dhe diç ma tepër një shkak për t’u gajasur… Lexonjësi i shtrenjtë, bre mik e vëlla, dua që ta dish, se kur flitet për vitin letrar, gëzonem e mbushem me lumturi, që nuk rrëfenet dot me fjalë.
Eh, dikur, u rokanisa dhe hodha ca mendime ndë kartë… Më mburoj nga mendja dhe zemra, që edhe ne, të shkronjave shqipe, të kemi një dritësore, me emrin viti letrar, ku të përmblidhen të mbërrimet e shkronjësore të gjuhës shqipe… Eh, shkoj e vate ajo kohë… Që ta ngas llafe, pak më tej, e të mos bënet baltovinë, u gëzova pa masë, që idenë time, përmbi livadhin e letrave, e paskëshin përlindur dhe rokanisur ndë shekullin e ri. Anipse e morën modelin, pa imzën time, sërish u gëzova, e madje nuk më la rend të mejtonem ma tej se si janë ligjtë për këso punërash… Nuk e mora hiç për të madhe, që ma shpërfillën e shkelnë të drejtën e autorit… Se dihet, jemi në mbretërinë e moskurrit, ku gëlojnë gjarpërinjtë… Për këtë situatë, të mjerë dhe absurde, ka vlerë të veçantë thënia e Oskar Wilde: Gjithmonë falini armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë… Një urrejtje e marrë, e verbër, që nuk ka mendje që ta shpjegojë, një betejë asgjesuese, brenda llojit, që dikur më la pa mend, e tani më dishëpron pa masë. Ama, ta thomi në mesin tonë, më kaploj shqetësimi, m’u farmakos shpirti, kur dëgjova e lëçita me sytë e mi, se dritësorja e viteve letrare, qenkësh shndërruar në bunker beteje.

Mitrush Kuteli... në Pogradecin e tij
Mitrush Kuteli… në Pogradecin e tij

Prej aty hidheshin shigjeta të helmatisura mbi të tjerët, sidomos mbi ata që nuk këndonin hasanara për vullambajtësit e vitrave letrare… E, ku i dihet, o njeri i mirë, që nga vullambajtës, bënesh vulhumbur. Jo bre, unë nuk jesha përjashtues as mendjembyllur… E keqja më e madhe, ngasa dëgjova, është fakti se vullambajtësit, përpos të tjerash, këtë punën e letërsisë e kanë ngatërruar me pushtetin… Ta kanë kthyer në shkallore ku hedhin vallenë e pushtetit, për t’u duk si VIP-a. Prej aty, fiu kërcekërkanë ndë kolltukun ministror a deputetor… Fjala e pushtetit dhe pushteti i fjalës nuk bien në ujdi… Pushteti, siç tregon koha, e përthanë vlerën estetike… Letërsia, si rregull i pashkruar, e shprangos njeriun nga errësira, jo vetëm e pushtetit, po edhe nga ligësitë, që e kanë folenë nër shpritrat e vegjël…
Ju lë uratën, kur nuk keni me vete dashurinë për gjuhën dhe letërsinë shqipe, mos zhgarravisni broçkulla, me arabecka e strumbulecka, se si e qysh nuk paskërka letërsi! Ju që nuk zhgrapni një shkronjë a një varg, lëreni betejën e nxjerrjes së syve, e vrasjes së shpirtit, e përdhunimit të letërsisë, merruni me ngjitjen në majat e pushtetit, ose merruni me tregti bananesh (ku fle rehat kokaina) se iu del hesapi më i qëruar. E pati thënë Kroçe, se do vijë një kohë e pakohë, kur njeriu, kushdoqoftë, të shihet si pengesë për t’u kapërcyer, sidomos kjo do të jetë me e thekur në punërat e letërsisë… Ma bëni kabull nëse u zgjata dhe ju mërzita, ju që nuk keni patur mundësi të zini vend te Vitet letrare, edhe për ju që keni dalur në krye për çdo vit, si fitimtar të çmimeve, dhe rrëmbyes projektesh, madje edhe për ata që nuk kanë lindur, e mëmat e tyre, ëndërrojnë që të bënen shkrimtar, e të shihen në pasqyrën letrare… Kaq për sonte dhe gjithë motën!
Një dashamir i letërsisë.

Marre nga Muri i FB Behar Gjoka, 23 shkurt 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.