back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

“Laramanët” – Bashkëpuntorë të Sigurimit ne Diasporë… Përse Vallë? nga Lok Limthi

Gazeta

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

“Laramanët” –

Bashkëpuntorë të Sigurimit ne Diasporë… Përse Vallë?

nga Lok Limthi

A s’kanë veshë për me ndigjue?
A nuk kanë sy për me pamë?
Qi rrin kob-i tu ‘i përgjue
E k’ta, koten pa ia damë!…

Kur i pyesim, na përgjegjen me mburrje:-“Jemi largue nga Shqipníja për shkak të regjimit komunist. Njeriu, nuk mund të jetoje aty, ku sundon regjimi i kuq. Jeta aty, asht nji mizerje e papërshkrueshëme në çdo pikëpamje…”
Flet të drejtën. Përshkrimin e ka të shkurtë; por, të plotë. Vërtetë, kështu qëndron çashtja. Pikërisht për kët arsye, ata, qi janë largue nga Shqipníja, kanë pasun fatin me gëzue nji pritje të mirë në botën e lirë demokratike. Ave, nji pjesë, âsht vendosun në vende mâ të bukura t’Europës. Nji pjesë, në Lindjen e Mesme dhe nji pjesë tjetër mjaft e madhe, âsht vendosun në kontinentin e Amerikës. Kemi do shqiptarë edhe n‘Australi, në Zelandën e Re dhe në vende tjera. Mirëpo, disa, qi nuk kanë karakter, ose, mâ mirë t’a thomi shqip, nuk kanë asnji fije burrëní, ia kanë nisun me u bâ më laramana. Ata, në nji anë kritikojnë komunizmin dhe, n’anë tjetër, me dije, ose pa dije, bâhen vegla e agjentave komunista. Âsht çudí e madhe me ‘ta. Iu përgënjeshtron hunda gojën. Dhe sjellja e tyne, na kujton fjalën e urtë popullore: “Qenit të larëm pullat, s‘i hiqen…”Nuk duhet të habitemi se, dikuer, mund t‘iu kërsasë alltija në brez.

***
Qè njizetenandë vjet, Shqipníja, âsht ngujue mbrenda katër mureve me ç‘ka. Nuk lê zog me fluturue as për të hymë, as për të dalun. Rrallë se mund të shkoje kush si turist në Shqipní. Edhe në qoftë se shkon ndokush, mâ para do të kaloje nëpër njiqind sita hetimore dhe, mandej, do t’i lëshohet ajo e shkreta vizë. Turisti, qoftë i tedelsís shqiptare, ose jo, kur të veje në Shqipní, duhet me vumë rripat mû si kali i karrocës së bashkís n’anë të syve dhe mos me vrejtun as djathtas, as majtas. Duhet të shkojë atje, ku të jetë i lejuem dhe i udhzuem prej Sigurimit. Sigurimi, e ngrehë për kapistre, sikurse ngrehë, udhtari, kalin e rraqeve. Kështu trajtohet në Shqipnín komuniste, turisti.

***
Pse t’a zgjatim kaq tepër kët muhabet?! Jo turisti, qi âsht i huej; por, as shqiptari nenshtetas, qi jeton aty, nuk mundet me bredhun kudo për të pamë vendin e vet. Asht nji fatkeqsi kjo, qi nuk mund të besohet aq kollaj.Tash, pyesim: “Ata, qi bâhen vegla e agjentave komunista në botën e lirë, a nuk kanë sy për me pamë?”.Tue kalue vaporat nëpër Bosfor, udhtarë nga vendet komuniste, janë hjedhun në shkulmin e valëve të detit, për të shpëtue nga sketerri komunist i Leninit. Nja pesë a gjashtë prej tyne, janë shqiptarë, të cillët i njofim personalisht. Tash, pyesim: “Përse vallë, ata, përqafuen vullnetarisht nji rrezik kaq të madh, tue u hjedhun në detë? Ata, qi bâhen vegël e agjentave komunista, përse nuk e lodhin menden e tyne për të kërkue shkakun? “Gjermanija Lindore, ndërtoi nji mur të maaadh dhe dau pjesën e Berlinit, qi kishte në dorë vetë, prej asaj të Berlinit Perendimor, qi ndodhet në dorë t’aleatëve. Kët mur, qi mâ vonë u pagzue ‘Muri i Turpit’, e thuri me tela e me gemba. Nuk mjaftuen, këto…. po, për çdo dhetë metre vûni dhe nji rojë t’armatosun. E me gjithë këtê, po hikin njerz vazhdimisht, tue pranue rrezikun e vdekjes.
Përse vallë?Ata, qi bâhen vegël e agjentave komunista, përse nuk e lodhin pak kokën e tyne për të kuptue ndryshimin medis komunizmit e demokracís së lirë? Ose janë të marrë e nuk kuptojnë gjâ; ose janë tradhëtarë t‘idealeve njerzore dhe si të tillë, duhet të përbuzen botënisht. Ndryshe, nuk mund të zgjidhet ky dhâ!…
L. L.
(Marrë nga Lajmtari i të Mërguemit, Viti IV, Nr.8, Dhjetor 1973)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.