back to top
14.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Kur ndërtohej rruga e Kelmendit – nga Vigjilent Xhaferaj

Gazeta

Rruga e Kelmendit - Leqet e Hotit
Rruga e Kelmendit – Leqet e Hotit

Kur ndërtohej rruga e Kelmendit

nga Vigjilent Xhaferaj

Dalja jashtë shtetit ishte një ëndërr e largët për ne shqiptarët.
Jashtë bota ishte e trazuar, njeriu nuk kishte siguri as për ekonominë dhe as për jetën.
Kapitalizmi i egër e shndërronte njeriun në një skllav të kapitalit, ku polarizimi ishte i skajshëm, ku njerëzit nuk kishin lumturi. “Njeriu për njeriun është ujk” – ishte shprehja latine që i përshtatej imperializmit, “kapitalizmit që jep shpirt!” Ne mirë, të lumtur në varfërinë tonë socialiste!
Kalova për herë të parë kufirin shtetëror në tetor 2000, kur shkova në Kosovë dhe po atë muaj fluturova për në Bukuresht, ku vajza jonë do të studjonte gjatë 7 viteve. Por le të kthehemi prapa në kohë.
Në 1 korrik të vitit 1968, ne gjimnazista, na ngarkuan nëpër kamiona, si të ishim thasë patatesh, me drejtimin Malësi e Madhe! Më vonë përsëri udhëtova me lloj-lloj mjetesh transporti, mbi karroceri të hapura, dimër e verë edhe mbi drutë e zjarrit.
Por, ai udhëtim për mua ishte “epik”. Ishte një papërgjegjshmëri e organizatorëve që ne fëmijë, pothuaj adoleshentë, udhëtonim në ato kushte, në karroceri të hapura kamionësh transporti, prej dhjetra orësh,pa asnjë masë sigurije.
Zoti na ruajti… Po, nejse! M’u kujtua thënia e Shvejkut: “Na hypën nëpër vagona. Në çdo vagon dhjetë kuaj, ose 42 ushtarë!” Në aksion, për një muaj e gjysëm në ndërtimin e rrugës që do të lidhte Vermoshin me Shkodrën.

Nikç - Kelmend
Nikç – Kelmend

Nata e parë na zuri në fshatin Bajzë ku na shpërndanë në shtëpitë e fshatarëve. Në mëngjes mbi karroceri dhe udhëtim drejt kufirit. Para “Leqeve të Hotit”, për herë të parë pashë me sy nga afër klonin e famshëm dhe të frikshëm. Gardhi i lartë prej telash me gjëmba dhe shtyllat që e mbanin, të krijonte një trazim në shpirt, si një ndjenjë frike. Në pjesën e sipërme, fije horizontale telash me gjëmba dhe izolatorë porcelani për korrentin. Kufiri ishte i sigurt. As miza dhe jo më armiku, nuk futej dot. I kisha parë këto pamje vetëm në filma me kampet e përqëndrimit nazist.
Menduam se ky ishte kufiri dhe se tej klonit ishte “tokë e huaj”.
Por jo. Aty ku rruga përshkonte klonin u hap një portë dy kanatshe, prej të njejtit material, ku ne kaluam. Toka jashtë klonit ishte përsëri e jona.
U habita, sepse ne bregdetasit kujtonim se kloni ishte kufiri. Ai gardh telash vdekjeprurës “për armiqtë”, e zvogëlonte edhe më tepër sipërfaqen e “lirë” të Shqipërisë. Kishte fshatra të tërë shqiptarësh jashtë klonit, që duhej të kalonin nëpër atë portë me “leje të posaçme”. Për të tjerët ishte “zonë e ndaluar”. Kufiri shënohej nga piramidat në lartësinë e maleve. Ne prej aty udhëtuam në këmbë nëpër gjarpërueshen e “Leqeve të Hotit”. Zbritja e thiktë prej qindra metrash, të merrte frymën. Në Luginën e Cemit, hypëm nëpër Zisat e ushtrisë e cila edhe kryente punimet. Kaluam Tamarën dhe mbrritëm mbasdite në Selcë. Ishte një luginë e jashtëzakonshme. Male dhe shkëmbinj të thiktë mbyllnin dy anët e luginës. Një bukuri mahnitse, që të merrte frymën. Aty ishte fundi i rrugës së makinës. Prej Selce, pasi na dhanë sejcilit nga një çerek buke dhe një copë të madhe djathi kaçkavall, na thanë se mund të bujtnim aty në çadrat e kampit të vjetër të aksionistëve.
Një grup prej nesh me në krye të ndjerin Nuri Borshi, mësuesin tonë të fizikës, vazhduam udhëtimin monopatit, drejt destinacionit për vendasit (na thanë) duheshin rreth 2-3 orë deri në kamp. Ishte 2 korrik, koha ishte e bukur, qielli shkëlqente nga yjet dhe nata që po binte në një vend të panjohur dhe mungesa e orientimit në lidhje me pikat e horizontit, e bënte udhëtimin tonë në një vend të panjohur, të mistershëm. Qetësia prishej vetëm nga gurgullima e lumit Cem dhe nga “zërat e natës” në një vend malor. Udhë pa udhë, në njëshkolonë, rreth 20 vetë, vazhduam rrugën, duke folur e qeshur. Ishim të rinj, 16-17 vjeçarë dhe për ne kjo ishte një lojë,një aventurë,e cila do të mbetej e paharruar për tërë jetën. Ishim një moshë kur besonim “se çdo gjë që fluturon, hahet!”
Kur mbrritëm në Qafën e Perdelecit, ku ishte vendosur “kampi”, mesnata kishte kaluar. Kampi ishte i heshtur. Na pritën disa ushtarë dhe na sistemuan në fjetoret e ndërtuara me gardh të thurur druri të mbuluara nga mushama të zeza, si ato të makinave. Edhe shtretërit, po ashtu ishin ndërtuar nga lesa druri. Drita nuk kishte, por të paktën kishte hënë. Furnizimi me korrent bëhej nga një gjenerator. Nata ishte e ftohtë, por ne fjetëm si të vdekur. Pjesa tjetër mbrriti para mesditës.
U nisëm nga Vlora në datën 1 dhe mbrritëm në kamp në datën 3 korrik 1968. Udhëtuam gjatë dy ditëve për të mbrritur atje ku do të jetonim dhe punonim deri më 15 gusht: në ndërtimin e rrugës së Malësisë së Madhe. Ishin ditë të paharrueshme në njëprej vendeve më të bukur të malsisë sonë, disa kilometra larg Vermoshit, diku fare pranë kufirit.
Peisazhi ishte mahnitës, uji i ftohtë brisk dhe ditët të bukura plot diell. Kur vizitova në 2005 , “Muzeun e Fshatit” në Bukuresht, kasollet e ndërtuara krejt prej druri, me çatitë e larta e të pjerrta, më kujtuan shtëpitë e drunjta të Lëpushës e Selcës. Mirë do të ishte që edhe ne ta kishim një muze të tillë. Do ishte shumë i dobishëm për fëmijët dhe të rinjtë, për të ditur evolucionin apo rrugën nga kemi ardhur, nga shpellat e kasollet, deri tek qiell gërvishtësit.

Marre nga Muri i FB i Vigjilent Xhaferrajt, 5 janar 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.