back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kur ligji i Hamurabit e kthen të sotmen në kohën e barbarisë – nga Prend Buzhala – Poezia “Ligji i Hamurabit” e Edi Shukriut

Gazeta

Edi Shukriu (1950-2023)
Edi Shukriu (1950-2023)

Me 17 janar u nda nga jeta Edi Shukriu, e cila ka qenë akademike edhe poete.
Kam pasë rast disa herë të shkruaj për krijimtarinë e saj.
Dramën e saj “Lkeni i Hasit” para luftës, gjatë viteve ’90,
e patëm përgatitë për skenë me të rinjtë e fshatit Dobërdol (Klinë)
dhe qe shfaqur në kishën e fshatit. Këtu, në shenjë homazhi,
po e ripublikoj një lexim timin letrar për një poezi të saj.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Pushoftë në paqe!

Prend Ndue Buzhala
Prend Ndue Buzhala

Kur ligji i Hamurabit e kthen të sotmen në kohën e barbarisë

nga Prend Buzhala

(Lexime poetike – Poezia “Ligji i Hamurabit” e Edi Shukriut)

Të gjithë librat poetikë të Edi Shukriut “Sonte zemra ime feston” (1972), “Gjakimi” (1979), “Syri i natës” (1986), “Nënqielli” (1990), Përjetësi, Dukagjini (2001 ), Ungëshimë (2014), mandej dramat “Kthimi i Euridikës” (1987), dhe “Lkêni i Hasit” (1992) përbëjnë një projekt letrar të shkrimit e të gjakimit, duke e ngërthyer, pra, edhe gjakimin e shkrimit. Cvetan Todorov raportin në mes të gjërave dhe të fjalëve në letërsi e përfytyronte si Analogon të gjakimit, karshi objektit të këtij gjakimi. Ndërsa Edi Shukriu, duke kërkuar vazhdimisht aso lënde kozmogonike e metafizike, aso arkeologjie poetike, aso përmbajtjesh jetësore e aso përmbajtjesh të antropologjisë poetike; pra gjerësi të atillë artistike; arrin të na japë sinteza të bukura poetike: sintezën e thënies poetike e të bukurisë së shprehjes me atë të refleksionit e të meditimeve personale.

1.
Poezia “Ligji i Hamurabit”, e shkruar në kohët e rënda të durimit në vitet ’90, e shqipton atë kod gjuhësor të tekstit poetik, kur hapësirat e pandemoniumit mitologjik e historik, folësi lirik i zbret në kohën tonë. Është koha kur forcat që përplasen me njëra tjetrën, për drejtësi apo për pushtime, për interesa apo për aventura – shkelin gjithnjë mbi njeriun: njerëzimi sikur është futur në rrugë të pakrye, përderisa peshojën për drejtësi ia beson Hyjneshës së Interesit, kurse Drejtësia rri në gjunjë, duke kërkuar lëmoshë (këtë e thotë te një poezi tjetër, me titullin “Peshoja” dhe e bart, me konotacione të ngjashme përmbajtjesore, te poezia në lexim).
Në fushën e dijeve të historisë së të drejtës dhe shtetit, përmendet edhe Ligji i Hamurabit, rreth 10 shekuj para Epokës së Re. Hamurabi ishte mbreti i gjashtë i Babilonisë, më saktësisht, i Dinastisë së Parë Babilonase, nga 1792 e deri më 1750 para Epokës së Re. Ai është i njohur për kodifikimin e ligjeve të përmbledhura në Kodin e Hamurabit. Janë ndër kodet (kanunet a kushtetutat) e para botërore në histori. Ligji përshkohet nga shkeljet: “çdo shkelje kishte dënimin që i takon.” Shkeljet e çonin njeriun në vdekje ose në sakatim ishte simbol i kohës së tij si ligjdhënës, kur gjykatësit e zyrtarët i takonin mbretit, ai shndërrohet edhe në simbol të zgjerimit (pushtimit) të territoreve të të tjerëve. Në kohët moderne, ai merret si simbol i tiranisë dhe shtypës i revoltave. Thuhet, argumentueshëm, se prej tij u morën dy postulate të tjera: e para, “…ligji i shkruar nga Mbreti ka Frymëzim Hyjnor” (fjalë e zbritur nga perënditë) dhe, e dyta, “te ky Kod e kanë burimin filozofia ‘Sy për sy, dhëmb për dhëmb’” (“Ligji i Shpagimit”, shih edhe disa Libra të Shenjtë të religjioneve monoteiste, përpos krishterimit, që e thotë të kundërtën). Kësisoj, edhe poezia nis me një paratekst, që shpërbën si nyje tekstuale e ndërkomunikimit tekstor me shkrimin lirik:

Neni 226: Nëse kirurgu… e shlyen damkën nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të Zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ia prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226 të Ligjit të Hamurabit

Këto nene, t’i përkujtojnë ato shqiptimet e terrorit gjyqësor serb kundër njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur nga askush. Dhe, këtë “drejtësi” pushtuesi e arsyetonte në emër të ligjit! “Forma më e keqe e padrejtësisë është drejtësia e pretenduar” – thotë Platoni. Ishte koha kur individi i shkrirë në nacion, më nuk mund të ishte neutral, por t’i thoshte një jo të madhe Serbisë. Kishte edhe të tillë, “neutralë”, a “të pavarur”, por në situata të tilla, ti do të jesh në anën e padrejtësisë dhe armikut. Te padrejtësia s’ka neutralitet. I shtypuri s’ka si ta vlerësojë këtë neutralitet. Mund ta vlerësojë si vepër “të ndershme” sunduesi (ashtu siç i quante “shqiptarët e ndershëm” ata që ishin luajalë ndaj regjimit kriminal). E çka i mbetet poetes të thotë, kur e përkujton atë Ligj me pasojat vdekjeprurëse?

Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar

përpjekja për afrim e zgjim edhe te pala tjetër, e fqiut serb, që kishte shtypur e kolonizuar toka në të kaluarën, ishte e pamundur.
Shumë të këqija janë bërë në emër të këtij neni famëkeq!
Dëbimet ishin drakonike, njerëzit ishin të pafuqishëm ndaj kësaj dhune. Por te këta njerëz ishte diçka e si e drejtë e shenjtë, që nuk mund të mposhtej, që nuk mund t’ua rrëmbente asnjë ligj: të drejtën për të mos u pajtuar me këtë dhunë dhe për të protestuar (“se damkën e mjerimit/ tentova ta bëj të kaluar”). E pra, pse njerëzit protestonin kundër këtij mjerimi me damkë, dënoheshin! Paralelizmi tekstor Ligj i Hamurabit – ligj millosheviqian, korrespondojnë semantikisht e poetikisht me atë kohë të egër. Është alegori ndaj secilit regjim dhune policore.
Padrejtësia me ligje terrori dhe dhuna, ishin lakuriq. Kishin dalë në sipërfaqe hapur. padrejtësi bëhet në secilën kohë, por kur ajo shumëzohet, kur shtrin kthetrat e veta, atëherë e shndërron ligjin në vegël dhune, kriminaliteti e pabesie, shpifjeje që ligjëron e mbron fakte të paqena. Masat serbe, deri dje fqinj të mirë me shqiptarët, bënin sehir. Të rrallë ishin ndër ta zërat mospajtues. “Ai që pranon të keqen pa protestuar kundër tij, me të vërtetë po bashkëpunon me të” do të thoshte Martin Luther King.

Edi Shukriu - Syri i Natës
Edi Shukriu – Syri i Natës

2.
Ndërsa njerëzit e thjeshtë, shqiptarët e shtypur, s’kishin ngritur besimin e tyre monumental, se duhet luftuar për drejtësinë dhe lirinë, për demokracinë dhe pavarësinë. Te kjo poezi, nga njësia poetike te tjetra, përmenden gjymtimi e sakatimi. Ato shkojnë duke e shkallëzuar tensionin e përjetimit dramatik të dhunmës e të rezistencës ndaj saj:

Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djeshme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen

Faktografia e kohës, faktografia hamurabiane dhe ajo e së drejtës serbe të shtypjes, shndërrohen në faktografi poetike, sipas asaj lektyrës artistike të Bertold Brehtit që zhvesh tekstin nga metaforat dhe e shndërron në poezi objektiviste. Në realitet të objektivuar në poezi.
Kush është qenie e gjymtuar këtu?
Është ky folës lirik?
Folësi lirik këtu ligjëron në veten e parë e që është personifikim i njeriut shqiptar të asaj kohe etiketimesh e dënimesh të hekurta. Ky folës lirik e ka idealin e tij veprues për ta ndryshuar gjendjen e tij, historinë, për ta mbajtur shpresën gjallë, sado që viktimizohet e martirizohet (“se këngën e zogjve/ desha nga e nesërmja/ ta sjell në të sotmen”).
Rezistenca, fillimisht, niste si qëndresë paqësore, për kërkesën aq të virgjër e njerëzore, për atë që ëndërron, lirinë (“desha nga e nesërmja/ ta sjell në të sotmen”).
Porse, dihej: paqe me një kohë varfërie, padrejtësie, pabarazie, shtypjeje, nuk mund të ketë; paqja është vetëm iluzion aty ku shkelen nga sunduesit e të fuqishmit ata që ishin të dobët e të pafajshëm. Në këtë mënyrë, teksti vë në spikamë pafajësinë, kërkesat e dëshirat e dëlira për barazi e liri. Dhe njerëzit s’kishin se çka të zgjidhnin: skllavërimin me anë të shtypjes apo rezistimin, duke u gjymtuar! Frika ishte thyer, çlirimi i brendshëm kishte ndodhur, zinxhirët e shpirtit ishin këputur. Ata, zinxhirët fizikë, ishin të trashë, që mbroheshin me tanke e aeroplanë, me bomba e makina autoburgjesh.
Dhe, kur njeriu vepronte kundër kësaj pamjeje e këtij realiteti të ligjit hamurabian, e ndiente veten se shpreh nderimin më të madh pikërisht ndaj Ligjit të Drejtë që i këput këta zinxhirë. Njerëzit ishin në këmbë. Poezia, e publikuar asokohe, vetëm sa i bënte jehonë asaj rezistence.

Më vranë në mëngjesin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Zëvendësi mi i robit?

Pas sakatimit vjen vrasja hamurabiane, e kohës së sistemit primitiv. barbar. Është kjo figurë e polisemisë biblike, ku asociacioni na çon te shkrimi biblik i kryqëzimit të Jezusit me Barabanë.
Dhe në emër të këtij çlirimi e të këtyre idealeve, të kësaj shprese, njerëzit duronin. Më askush nuk kishte iluzione se do të bëhej mirë me këtë shtet burg popujsh.
Te kjo figurë arketipore identifikohet mbrojtja e jetës, shëmbëllehet mbështetja ekzistenciale – jetësore, kurse semiologjia letrare e Edit i shenjëzon drejtësinë si ideal kundër dhunës dhe shqiptojnë lartësimin etik e shpirtëror të jetës, të ringjalljes së saj, si e feniksit nga hiri i vet.

3.
Nortrop Fraj konsideron se ndonjëri nga krijuesit mund të thotë diçka më shumë se sa strukturat intersubjektive. Duke qenë mediator i shenjave më të thella të historisë, mitologjisë dhe hapësirave ekzistenciale të qenies njerëzore, poetja është edhe mediatore e logosit shoqëror. Së këndejmi, edhe Edi Shukriu arrin ta tejkalojë poetikën e artit poetik si Tehne apo si mjeshtëri aristoteliane, duke arritur ta shprehë logos-in e praxis-it shqiptar, dhe nga fryma e praxis-it të kësaj kohe arrin t’i nxjerrë kuptimet më të thella humaniste, këtë esencë të mundësive të pakufishme të lirisë:

Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni.

Pra, kjo është ajo vlera e patjetërsueshme, pas të cilës njerëzimi përgjaket e therorizohet, duke e kërkuar amshueshëm, si te miti antik i labirintit, rrugëdaljen për tek qëllimi, drejtësia a liria. A kishin ideal paramilitarët e pushtuesit se për çka po luftonin e për çka po përgjakeshin? “Të mjerët”, thotë folësja lirike, a thua s’e dinin që shqiptari e kishte ngritur në mit qëndresën? Miti i vëllazërim-bashkimit ishte shembur për tokë nga padrejtësia që e ngritën në kult vetë regjimi serb. Padrejtësia mund të shkëmbehet vetëm me barazinë mbi principe të lirisë e të drejtësisë. E, po i ngushtove rrathët e drejtësisë në rrathë të dhunës hamurabiane, atëherë vetvetiu ngushtohen edhe hapësirat e lirisë.
Përsëri Edi do të na shpjerë drejt fenomenologjisë të së fshehtës. Për ta gjetur veten përjetësisht.

Edi Shukriu (22 tetor 1950 - 17 janar 2023)
Edi Shukriu (22 tetor 1950 – 17 janar 2023)

Ligji i Hamurabit – nga Edi Shukriu

Neni 226: Nëse kirurgu… e shlyen damkën nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
Në mbështetje të nenit 226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djehsme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Më vranë në mëngjezin e sotëm
dhe në mbështetje të nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas tyre
me një rob tjetër
Të mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni.

Marre nga KultPlus.com (20 prill 2020)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.