back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kujtime Rrokullisëse – nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone
Gentiana Kone

Kujtime Rrokullisëse

nga Gentiana Kone

Nëse ishujt bardhorë nuk do të ishin shfaqur papritmas nën flatrat e metalta të shpendit fluturues, Ana G. nuk do ta dinte që ajo bashkë me 17 udhëtarët e tjerë, tashmë ndodheshin në ajër. Atë mesditë agu kishte ardhur me hapa të ngadaltë dhe lodhja e gjymtyrëve nga nata e kaluar nëpër ëndrra të makthta, ia kishte shtuar plogështinë. Për fatin e saj të mirë nisja ishte në orët e para të pasdites. Mendimi që do fluturonte sërish, i dha zemër.
Buzëqeshi. Një udhëtim për diku, ku dikush e priste, ishte përherë një shkas ngazëllimi dhe grimca më e lumtur që kish ndjerë kur për të parën herë kishte fluturuar, i shfaqej sërish vezulluese në dritarezën elipsore të avionit.
“Kështu u ndikan zoqtë në liri!”, pati menduar herën e parë, teksa toka ku kishte lindur ishte zhdukur pas me shpejtësi dhe vetëm hapësira e ujtë e Adriatikut i kishte mbetur në kujtesë si gjurmë kaltërore. I biri, 5-vjeçar, kishte folur gjatë gjithë atij udhëtimi dhe mungesa e pikëpresjeve në fjalitë e tij, e kishte bërë të kuptonte se sa i lumtur ndihej.
Gjenerata e katërt, mendoi papritmas. E katërta që iku… më mirë kështu! “Larg, sa më larg!” trokëlliti mes kërcimeve guri që hodhi pas shpine, kur kishte mbyllur portën e shtëpisë dhe çelësin e kishte shkuar në zinxhirin e argjëndtë që mbante në qafë. Ai udhëtim i parë kishte qenë i gjatë, gati pa fund. Jashtë avionit qielli ishte shndërruar në një hapësirë të grizhdë, që nga çasti në çast pritej të breshnonte mbi botën poshtë reve. Me sytë mbuluar nga qepallat, shikonte imazhet e parcelave që poshtë reve shtriheshin, toka që gjatë netëve të bardha në ëndërr i ishin shfaqur.
E dinte që avioni po kalonte mbi vendin ku e gjyshja, nuse e re, kishte shijuar muajin e mjaltit. Vetëm një libret në rozë të lehtë antike dhe disa libra të zverdhur nga koha kishin mbetur si kujtim i atyre ditëve të lumtura, ku netët ishin të mbushura me tinguj ledhatues të butë, kadifeje. Nuk ishte vetëm muzika që e kishte bërë edhe atë të dashurohej me atë vend. Por dhe gjuha, ajo gjuhë e tingëllueshme, ku gëzimi kërcente me galop të hijshëm e fisnik, kishte qenë sirena e parë që e kishte lënë pa fjalë. Ajo gjuhë, flakëz e ndrojtur e qiririt të shpresës, që kishte vazhduar të digjej ngadalë për vite e vite të terrta.
.
Fitnete Merlika Kërçiku
Fitnete Merlika Kërçiku
Stinët ndërroheshin e asgjë nuk ndryshonte në qytetin e mbushur me kopshtije, ku dikur kishte mbretëruar paqja. Sahati i ndërtuar me florinjtë e tregtarëve të qytetit binte me të njëjtin kumbim, si vite më parë, por bamëmirësit ishin kallur në dhè, një e nga një, a thua se sahati kishte nevojë për kurbanë të tjerë gjaku të pafajshëm, për të vazhduar jetesën e vet. Dimrave që përherë e më të acartë bëheshin, përtej akullit që dritaret mbulonte, ajo ëndërronte tokën e largët, ku njerëzia fliste me gjuhën e zogjve. Librat e të gjyshes me ato piktura të florinjta, ku germa e parë e çdo kapitulli hapte madhërisht siparin magjik, me shtatin e saj më të lartë se të tjerat, kishte mësuar t’i lexonte që e vogël dhe kjo e bënte të lumtur. E gjyshja kishte ikur tepër herët në mbretërinë e Hadit. Dhimbja për të shoqin dhe të vëllezërit e kish tretur pa rreshtur. Kujtoi dhe të gjyshin, atë burrë, zërin e të cilit kurrë s’e kishte dëgjuar.
Sa muaj a vite i ishin dashur vallë, për të arritur në tokën ku Zonja e gurtë e Lirisë i priste edhe ata që si ai, pa atdhe kishin mbetur?
Në foton e vetme të bërë përtej detit, ai kishte dalë i ulur me shpinë nga aparati. Një dritëz e drojtur linte të dukej paksa një pjesë të profilit të rregullt e të mendueshëm, teksa vështrimi dhe pjesa tjetër e fytyrës gjendej e tëra në hije. Mbi tavolinën e shkrimit dukej një vazo fajance me tre trëndafila të bardhë në të. Tre lule, për tre bijat e tij, mbetur në qytetin që e kishte dash aq shumë e që nuk do ta shihte më kurrë.
Po Fiti, mëma e tyre, si ishte dhe a e kujtonte vallë? Një dhimbje therëse e përshkonte të tërin, kur fytyra e saj e ëmbël i shfaqej papritur, teksa e shikonte me ata sy të butë, të mençur e plot dritë. Ishte ajo që iu lut të iknin të gjithë, edhe pse ende lehonë nga fëmija e tretë. Udhët e Europës ishin mbushur me gërmadha lufte, që lëshonin ende tym dhe për këtë ai nuk kishte ndigju ta merrte me vete.
“Merr Ditën atëherë, të kesh nji tandin pranë vedit!”, i ishte lut sërish e shoqja, duke i zgjat dorën e fëmijës së parë, që pas një muaji mbushte 5 vjeç. Ai e kishte përqafu, duke e puth i përlotur, me premtimin pëshpëritës se së shpejti do të shiheshin, shpejt, shumë shpejt, sapo aleatët të zbarkonin.
Vitet kaluan në jerm për të dy, teksa ai priste të zgjohej nga përçartja, ku ethja e kuqe i kishte infiltruar. Shumë rrallë vinin letra me pak rreshta të shkruara nga të bijat; arrinin dorazi falë trimnisë së ndonjë miku të hershëm. Përmes shkronjave të lakuara, mundohej t’i përfytyronte ato që të mitura i kishte lënë dhe tani në zonjusha ishin shndërruar. Ikja e parakohshme e Fitit ja bani edhe më të fortë lakimin e supeve, që barrën e ndarjes për së gjalli dukshëm tregonin. E ndoqi nga pas disa vite më vonë e kur mbylli sytë, nji nur paqtor, i fisëm i kishte rënë. Atë shkëlqim e kishte pas në rini, kur mësim jepte në shkollën e djemve në qytetin e tij dhe Fitin e kishte taku për herë të parë…
Prekja e lehtë me dorë e stuardesës e përmendi Ana G. nga përhumbja. Avioni po niste uljen në qytetin që e priste i zhytyr nën një diell ledhatues. Me të dalë, fshiu një gjurmë loti të mbetur në cepin e syut dhe me hapa të shpejtë u afrua drejt krahëve të dashura, që e prisnin për ta mbështjellë në një përqafim, ku do të rrinte ngrohtë për disa kohë.
.
Foto – Gjyshja ime nga mëma, Fitnete Merlika Kërçiku
.
© GK marrë nga Muri i Fb i Gentiana Kones, 27 tetor 2020
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.