back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Kshtu e tha… Astrit Cani

Gazeta

Astrit Cani
Astrit Cani

Kshtu e tha… Astrit Cani (refleksion)

***

Pothuejse të gjithë ata që njof,
mundohen me ma mbushë mendjen
se t’kenit shqiptar
asht e metë e jemja qysh në ngjizje.
Thue se sikur t’mos isha lindë shqiptar
do kisha ba shumë ma tepër karrierë.
A thue se karriera asht qëllimi i nji jete.
Kujtojnë se t’kenit shqipe
t’ban medoemos pjesë të vorbullës e të keqes shqiptare
me qendër në Tiranë e Prishtinë.
Mendojnë se e keqja asht vetë populli shqiptar.
Kjo asht ndër mahitë ma t’realizueme prej neobolshevizmit
që na sundon nëpërmjet hidrës në pushtet.
E keqja asht gjithmonë policentrike,
por e mira nji qendër ka.
Sikundër edhe populli ka nji qendër,
dhe kjo asht gjuha e tij.
Zakonisht kush flet kshtu ka interesa politike,
shkurt synon ndoj karrige.
Por kush ka udhtue e din
se pavarsisht se i kemi të tanë kundër,
asht bekim me kenë burrë e shqiptar.
Kudo që kam kenë,
më ka shndritë ftyra kur kam thanë jam shqiptar,
dhe kam ditë me i njoftë kush janë miqtë e mi
bash ndër ata që nuk janë nxi,
e nuk kanë reagu si të pickuem nga gjarpni.
T’kenit shqiptar
më ka kursye pafundsisht shum kohë,
kam ditë me i dallue fill ata që i besojnë aparencave,
kam ditë me i lanë mesveti frikacakët,
kam mujtë me zbërthye
kodet komunikative të identiteteve të tjera,
pa u identifikue kurrë krejtsisht me asnjenin,
as edhe me vetë kodin tem.
T’kenit shqiptar më ka dhanë çilsin e nji magjie
që vetëm gjuha jonë e ka,
që t’jep guximin me veprue
ma parë se çdo mendim n’gjuhë tjetër
dhe n’asnji vend të botës,
n’asnji kontekst nuk më ka lanë
pa kët mburojë natyrore
që asht krenaria jonë e përbindshme.
Thjesht Shqipnia asht tepër e vogël
me mbajtë mbrenda aq shum shqiptar.
10 shtator 2014

Prekal 2014
Prekal 2014

***

Kur flas për privilegjin e t’kenit shqiptar,
nuk e kam me retorikën boshe të t’kenit shqiptar
në kuptimin nacional të fjalës,
por në kuptimin gjuhësor.
Sikur ta kishin shtetin komb
do t’ishte puna krejt ndryshe.
Por ne nuk kemi as shtetin as kombin.
Kemi dy gjysmë shtete dhe dy gjysmë kombe.
I vetmi fenomen mbarëkombtar
që duket i konsoliduem,
asht korrupsioni.
Vetëm në kët shpërfaqje patologjike,
duken të kapërcyem kufijtë shqiptaro-shqiptarë.
Por, përpos këtij opinionizmi të randomtë politik,
ia vlen me shënue, nji gja epoka.
Sot ne shqiptarët jemi njerzit ma receptivë të kohës.
Ktu ia vlen me u ndalë e me investue.
Kur na duket se të gjithë kanë shkrue për ne,
sikur krejt kryeveprat e letërsisë (në kuptimin e gjanë),
janë shkrue posaçe për ne,
kjo s’do t’thotë se ne po vetsugjestionohemi,
si i dashuruemi kur shef dashninë e vet
e i duket sikur ajo ka sy veç për te.
Kur mendojmë se Dante e Dostojevskij,
e Kafka e McCarthy kanë shkrue për ne,
don me thanë se ne jemi në zenitin e perceptimit.
Ky çast nuk duhet lanë me shkue dam.
Ky asht nji moment receptiv, por nuk asht pasiv.
Në u laftë me kenë veç pasiv,
ka me u kthye në patologjik.
Duhet tash me kenë edhe krijues.
Me marrë, kur i thonë, stafetën.
Pavarsisht korruptimit të elitave,
shqiptarët edhe vetëm me vetbesim ia dalin.
12 shtator 2014

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.