back to top
32.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Kroacia çmend Ballkanin… ose Mrekullia kroate që çmend Botën… – nga Adriatik Riza Dosti

Gazeta

11 korrik 2018 - Modriç dhe Deliç mbas fitores ndaj Anglise
11 korrik 2018 – Modriç dhe Deliç mbas fitores ndaj Anglise

Kroacia çmend Ballkanin,

ose Mrekullia kroate që çmend Botën…!

nga Adriatik Riza Dosti

Ohhhh Zot, sa shumë vuajtje për kroatët për të prekur finalen e ëndërruar… atë finale për të cilën 20 vjet më parë, tek mundeshin në gjysëmfinale nga Franca 2-1 (Thuram 47 ‘ dhe 70 ‘ e Shuker 46’) e asaj France që më pas u bë Kampione e Botës… mjeshtrat e mëdhenj të futbollit të vendit të vogël ballkanik: Shuker, Boban, Jarni, Prosinecki, Biliç, Asanoviç etj (kujtoj që për arsye dëmtimi ju mungoi në këtë botëror një kryemjeshtër si Alen Boksiç]… dhe trajneri i tyre i famshëm Mirosllav Bllazheviç patën derdhur aq shumë lot dëshpërimi…
Croatia -vs- England - 11 july 2018
Croatia -vs- England – 11 july 2018
Dhe jam mëse i sigurt se pas gati 130 minutave lojë kur turku Çakir, fërshëlleu për përfundimin e saj jo vetëm ”Luzhniki” i Moskës që nga 81 mijë vende që e ka kapacitetin maksimal sot ne Angli – Kroaci mbajti mbi shpinë plot 78 mijë shikues… por e gjithë Kroacia ka shpërthyer në festë… po, po në një festë të pazakontë futbolli, por edhe krenarie kombëtare mëse të përligjur…
Dhe Zagrebi, Spliti, Zadari, Rijeka, Osijeku, Shibeniku etj… do të jenë përmbytur nga birra… e qielli kroat do të jetë përflakur prej fishekzjarreve që kremtojnë suksesin…
Dhe kanë të drejtën morale e legjitime të festojnë çmendurisht kroatët, sepse një ekipi në një botëror i duhen 6 ndeshje teknikisht për të mbërritur tek finalja, ata që tani pa e luajtur finalen kanë zhvilluar plot 7 të tilla… një më shumë se edhe vetë Franca, të cilën e presin në finalen e madhe të 15 korrikut po në këtë stadium ku nxorrën jashtë edhe Anglinë…
Tre ndeshje me shtesë për Kroacinë (rasti i katërt në historinë e botërorëve tek barazon kësisoj ironikisht Anglinë e 1990, që kacafytej asokohe me Belgjikën, Gjermaninë e Kamerunin, por edhe vetë Belgjikën e 1986 kundër Spanjës, B.S dhe Francës… dy kualifikime përmes penalltive drithëruese… 4 fitore, 2 barazime, golaverazhin 12-5; katër skuadra europiane të nxjerra jashtë Botërorit… dhe 90 minuta extra loje… dhe më në fund… ja mbërriti atje ku donte dhe ku ëndërronte…
Po tre ndeshje me shtesë, por përfshirë edhe finalen ka luajtur edhe Argjentina me 2014, kundër Zvicrës, Holandës e Gjermanisë…
E para skuadër ballkanike në finalën e një botërori dhe Trofeu i Artë… duket se “all ready…” nuk vjen me era barut siç ironizohet shpesh Gadishulli ynë… por vjen më shumë se kurrë era sukses.. dhe kjo falë Kroacisë, ndaj: “Hvalla lepo Hrvatska…!”
E kishin ëndërruar më parë edhe ish Jugosllavia me 1930, e 1962… Bullgaria me 1994, vetë Kroacia me 1998… e me pas edhe Turqia me 2002… por nuk kishin shkuar dot më larg se vendi i 3 ose edhe i katërt dhe vetëm kaq…
E tash kjo Kroaci e madhe e që heronjtë e saj të një trajneri që në CV e tij ka edhe një faqe historie prej Dinamos së Tiranës e që quhet Zllatko Daliç… ka nderin t’ju prezantohet me Subashiç, Vrsjalko, Perisiç, Mandzukiç, Modriç, Rakitiç, Vida, Rebiç, Kramariç, Lovren, Badelj, Çorluka, Kovaçiç, Striniç, Pivariç, Brozoviç, etj… një ekip 100 përqind puro kroat, pa asnjë të huaj brenda e pa asnjë lloj modeli shkartisje si Gjermania, Franca, Anglia, Belgjika e kushdo tjetër… pra, me bukur prishet!
E tash kjo lloj Kroacie, ka po kaq të drejtë të kërkojë shpagim prej asaj France që e pat mundur asisoj 20 vjet me parë…
E nuk e di pse më sjell ndërmend kjo Kroaci e vogël atë Uruguaj po aq të vogël sa vetë ajo… kur më 1930 e 1950 do të çudiste botën e futbollit tek shpallej Kampione e Botës…
.
Kroacia - Botërori - Rusi 2018
Kroacia – Botërori – Rusi 2018
Kjo Kroaci e sotme, vështirë të ndalet, sepse ka shpirtin e sakrificës, frymën e jashtëzakonëshme të grupit, talentin plus mjeshtërinë, djersën e punën, karakterin brilant e mbi të gjitha respektin sublim për fanellën që simbolizon krenarinë, dinjitetin, karakterin e personalitetin e kombit dhe popullit të vet… dhe këtu të tjerët janë ende shumë larg saj…!
Ndaj dhe kjo Kroaci e ve Ballkanin ”në siklet të madh” tek e bën të ëndërrojë me sy hapur… se një ekip prej tij mund të jetë Kampioni i madh i Botës… të paktën le të vazhdojë kjo ëndërr kaq e bukur, deri në mbrëmjen e së dielës së 15 korrikut 2018… pastaj le të bëhet ç’të bëhet…
Dhe ”si pa dashur” po kjo Kroaci tek e ka mundur Anglinë në gjysemfinale e tek ia ka prerë përfundimisht shpresat se mund të ripërsëriste suksesin e 1966 pas plot 52 vjetësh… e ka përplasur atë kokë më kokë në një tjetër ndeshje kundër Belgjikës.. (të shtunën me 14 korrik për vendet 3-4, do të luajnë sërish Angli- Belgjikë)… ku kjo e fundit e pat mundur ne Grupin G ne Kalinigrad 1-0 me 28 qershor… me gol të shqiptaro-belgut Adnan Januzaj!
E nuk e di pse… sinqerisht tek shihja ndeshjen… më vinte keq që të humbiste e të privohej nga finalja qoftë Anglia qoftë Kroacia… një ndjenjë që më pat ndodhur shumë e shumë vite përpara kur në futbollin shqiptar ndesheshin Tirona e Vllaznia e tek sillja radhazi ndërmend yjet e të dyja atyre ekipeve tona “Djepe të futbollit” shqiptar… e që sërish nuk doja të humbiste as Tafaj, Halili, Frashëri, Kasmi, Mema, Bytyçi, Bukoviku, Ishka, Hyka, Xhaçka, Kazanxhiu, Dhales, Çela, etj, por as edhe Ndoja, Rragami, Bizi, Zhega, Çapaliku, Lekaj, Basha, Koçobashi, Duraj, Hoxha, Rakiqi… etj etj…
.
Barkas - për gëzimin e madh te finales
Barkas – për gëzimin e madh te finales
Pune nostalgjie… por më parë kisha me thënë: ndjenja respekti për Mjeshtra të vërtetë futbolli… e për futboll burrash!
Dhe kur Trippier shënoi atë supergol tipik anglez që në të 5 minutë, nga një goditje dënimi… besova absolutisht se fundi i kësaj ndeshje do të ishte sa dramatik po aq edhe spektakolar… dhe nuk u gabova aspak!
Një harkim artistik i Vrsjalkos ne të 68… i jep mundësinë Perisiç që t’i barazojë shifrat ne 1-1… e pas kësaj anglezët i shpëton fati kur sërish kërcënon Perisic… e topin e tij drejt rrjetës e ndal vetëm shtylla, e në vijim në fushë shfaqet edhe nervozizmi ballkanas… i provokuar më parë nga britanikët… nejse, disi i justifikuar, sepse të luash tre ndeshje radhazi me shtesë loje, në harkun kohor të 10 diteve… (1 korrik: 1-1 me Danimarkë..3-2 penallti/; 7 korrik: 2-2 me Rusinë e 4-3 penallti e tash me 11 korrik 1-1 me Anglinë e 2-1 në shtesë loje), nuk është aspak e lehtë e aspak komode për çdo lloj ekipi cilido qoftë ai… apo jo?!
E në shtesë ka ndodhur mrekullia vetë… më parë Vrsjalko në të 105′, i ka shpëtuar ballkanasit nga pësimi i një goli të sigurt tek ka hequr me kokë mbi vijën fatale një top që po i drejtohej rrjetës së Subashiçit… në të 105, Mandzukiç ka drithëruar anglezët e i ka paralajmëruar se Po… unë dua të jem heroi i kësaj mbrëmje…
.
Festa Kroate... e mbrritjes në Finale të Botërorit 2018
Festa Kroate… e mbrritjes në Finale të Botërorit 2018
Dhe pa kaluar 4 minuta… po ai Mario Mandzukiç ka shënuar duke lënë të shtangur që nga Pickford… e Kanë në fushë e deri tek Sauthgate… në pankinë… Kroacia ka përmbysur gjithçka në favor të vet dhe fiton 2-1… lodhja dhe lotët më në fund ja vlejnë sa më s’ka!!
Kroatët shpërthejnë në festë e lot bashkë… Kanë prekur ëndërren magjike: Finalen e 15 korrikut, që luhet po në këtë stadium ku larguan Anglinë favorite…
E tash, për herë të parë në finale plot surpriza e të papritura, për herë të parë në historinë 88 vjeçare të botërorëve një finale transalpino-ballkanike: Francë – Kroaci… e ku duket se ashtu siç nisi, ashtu edhe do të përfundojë ky botëror që vështirë se do të mund të fshihet kollaj nga kujtesa e çdokujt që e ndoqi atë…
11 korrik 2018
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.