back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Komano-vllahët në Eposin e Kreshnikëve nga Ndoc Selimi

Gazeta

Ndoc Selimi ne Prizren
Ndoc Selimi ne Prizren
I dashtun Jozef,
A mund t’u besdis edhe me tre artikuj të kësaj natyre si
“Komano-Vllahtë në Eposin e Kreshnikëve” ,
“Prania e Komanëve në trojet shqiptare
dhe në formacionet luftarake të Skënderbeut”
si dhe “Helena e Uroshit dhe kishat katolike bregadrinase”.
Këtë të parën po ua nis menjëherë.
Nqs nuk bën, as mos u ban merak.
Ju uroj punë të mbarë dhe një ditë sa ma të mirë.
 

Komano-vllahët në Eposin e Kreshnikëve

nga Ndoc Selimi

Për gjurmët e komanëve në trojet veriore të Ilirisë që nga Bosnja, Kotorri deri në veri të Shqipërisë, na e përshkruan eposi i kreshnikëve e kryesisht kënga e 22-të me titull “Muji e Jevrenija” në përmbledhjen e librit “Visaret e Kombit”, (botimi II, fq. 170). Sipas komentit që i bëjnë kësaj përmbledhje autorët e “Visarëve të Kombit“ At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti thuhet se Krajli ngujon të bijën, Jevreninë në një dhomë e vendos ta martojë me “gumanat e zinj“, mbasi ajo kishte zënë dashuri me Sokol Halilin me fe muslimane. Vajza i shkruan letër me gjakun e fytyrës të vëllajt të Halilit, Mujos, duke i treguar vendimin kobzi që kishte marrë i ati për ta martuar me gumana.
 
Atëherë foli Gjeto Basho Muja:
-Na po biem ndër gumana të zez,
e po i presim tridhetë gumana,
e po e veshim veshën gumanisht,
e po i msojmë gjokat tartarisht,
e po i shtijmë shpatat kryqalisht,
e po i shtimë shapkat në krye,
Para orokut Krajlit që po i shkojmë
edhe nusen na po e marrim.
Por një plak i urtë u thotë:
-Fort po tutem se Krajli na njeh
e na shtje meshë për me çue,
e na shtje uratë për me thanë.
Ne ata nuk mund t’i bajmë!
e na bien qirin n’ travezë,
Lik për mjet qirin me ja kputë,
Kurrkund flakën qirit me ia luejt,
Jasht gumanash kurrkush nuk mundet.
 .
Muji dhe Halili - nga Ismail Lulani
Muji dhe Halili – nga Ismail Lulani

Por Arnaut Osmani (me origjinë ilire) i garanton që të mos tremben se “të gjitha do t’i bajmë“ dhe pasi i mësuan këto doke shkojnë te mbreti për t’i marrë vajzën, por Krajl Kapedani i vë në provë. Agët muslimanë bëjnë kryq e thonë uratë tamam sikur të ishin gumanë. Arnaut Osmani “lik për mjeti qirin e ka kputë e kërkund flakën qiri se ka lujt’ e Krajli po kujton se janë vërtetë gumana. Të nesërmen kanë marrë çikën, por Krajli habitet kur sheh se krushqit nuk marrin “drumin e gumanëve“, por drumin (rrugën) për në Jutbinë. Pastaj Mujo i tregon hilen që kishin bërë duke u sajuar si gumana.

 
-Udha e mbarë, Krajli u ka thanë,
Miq për zemër ju sot u paça xanë,
Por me gojë, se hallall s’jau kam ba.
 
Studiuesi rumuno-hungarez Istvan Schùtz, përkthyes dhe njohës i mirë i gjuhës shqipe, ka meritën që zbulon i pari se “gumanat e zinj“ nuk janë “igumenë“ (kryetarë manastiresh ortodoksë), sipas shpjegimit që i ka dhënë Profesor Qemal Haxhihasani në vitin 1966, por popullsi komane të ngulitura në Cetinë, Kotorr, Komàn të Malit Zi, Shqipëri, etj. Për vërtetimin e kësaj teze argumentet janë të mjaftueshme. “Gumanat“ nuk mund të jenë “Igumenë”, sepse janë të zeshkët, e para, dhe e dyta, zor se mund të gjendeshin tridhjetë priftërinj ortodoksë për t’u vrarë në një kohë kaq të shkurtë. Priftërinjtë igumenë nuk quheshin tartarë në popull: “T’i mësojmë gjokat tartarisht” dhe nuk mbanin shpatë: “T’i shtimë shpatat kryqalisht”. Komanët, sipas gravurave që paraqesin atë kohë, dalloheshin për shpatat e vendosura në rripin e mesit të kryqëzuara përpara, për kësulat karakteristike dhe si akrobatë të zotë sa kalonin “gjashtë kuaj njëherësh”. Komanët u konvertuan në fenë katolike para se ata vetë të shtriheshin më në perëndim, para se të thurej kjo këngë e para se të vinin turqit. Ata u konvertuan në katolikë më 1227, kur ishin akoma nën protektoriatin e mbreterisë së Hungarisë dhe Papa Gregorio IX, emroi ipeshkvin Milkovensis të komanëve. Autori i kësaj ballade është shumë i përpiktë. Ai i ka parë me sy komanët dhe u ka bërë një përshkrim të saktë atyre, sa nuk i kanë shpëtuar as hollësitë, siç është shapka, shpata, besimi, lëkura, arti i luftës etj. Janë disa shkrime që flasin në kahje të Profesor Haxhihasanit duke argumentuar se “Krajli donte tua jepte vajzën igumenëve për ta bërë kollogjere e jo për ta martuar”. Po ta lexojmë balladën me kujdes, Krajli thotë: “çikën teme ua paça dhanë, sot dy javë vaden me ua lanë…” Pra përmendet “vade”, që është përdorë dhe përdoret në të gjithë malësinë si dita e ndarë e nuses, është data fikse që vajza ndërron shtëpi dhe vijnë krushqit me dasmorë për ta marrë. Kur ndahet vadja, është shumë zor apo e pamundur që të ndërrohet dita. “Vade” është fjalë që ka hyrë në leksikun e gjuhës shqipe dhe vjen nga latinishtja “andare” që do të thotë në paskajorën tonë gege “me shkue“, me u nisë nuse. Krajli, duke qenë edhe sllav, nuk i thotë “orok” sllavisht, se kjo fjalë u takon luftëtarëve, duelit e takimeve të rëndësishme, por përdor pikërisht fjalën vade “sot dy javë vaden me jau lanë”. Jevrenija, në letrën që i shkruan Mujos, jep dëshminë e pamohueshme përsa i takon këtij debati:
 
“Në nji odë baba më ka ngujue
Don me më dhanë ndër gumana të zez
sot dy javë nuse kam me shkue…”
 
Pra vajza thotë vetë se “nuse kam me shkue”, kështu që nuk ka nevojë për tjetër koment. Askush nuk mund ta ngarkojë me faj Profesorin e nderuar Haxhihasani, i cili zgjodhi një rrugë shpjegimi të butë, pa duartrokitje, por edhe pa kritikën e rreptë letrare të kohës.
Malsori i Legjendës - nga Ndue Pepa
Malsori i Legjendës – nga Ndue Pepa

Një tjetër baladë po te “Eposi i Kreshnikëve” është ajo e Lule Frangut me origjinë gogë që diku del si Gogë Llatini, pra vllaho-komane. Mënyra se si nënvleftësohet edhe në balladë tregon opinionin e pergjithshëm që kishte ekzistuar qysh në atë kohë për popullsinë vllaho-komane, nënvleftësim që vazhdon edhe sot e kësaj dite, por realiteti është plotësisht i kundërt. Le ta shikojmë me kujdes baladën.

Lule Frangu është me banim ne Shkodër dhe në debat me Ago Ago Turkun bëjnë bast se kush e kishte gjogun (kalin) më të fortë. Të dy lavdrojnë gjogat e vet e:
 
Paska folun Lula, ai Gogë – Llatini:
“Un e kam njatë gjogun e bardhë,
Kurkund shoqin, Ago, nuk ia dij
As n’Turk, bre trima, as n’Kaurr,
Veç në pastë ai Gjeto Basho Muji;
Për nji ditë ktu e n’Vlonë ai m’çon e m’bien”
 
Me këto fjalë të Lule Frangut vihet edhe basti, i cili përfshinte shtëpi, pasuri, dajlana, dugajë, por edhe grua e djalë. Lule Frangu i tregon nuses re se ç’budallëk kishte bërë, por ajo duke qenë mbesa e Gjeto Basho Mujit dhe e bija e Zukut trim, i jep forcë dhe i thotë se do ta fitosh bastin. Kështu niset trimi Lule të nesërmen në mjes për në Vlorë. Gjogu i tij fluturon dhe me ndihmën edhe të zanave arrinë në Vlorë brenda paradites. Merr kontakt me të parët e Vlorës, u kërkon vulat si dëshmi dhe nis rrugën për në Shkodër. Ago Ago Turku kur shikon se Lule u kthye brenda ditës i shkon në shtëpi dhe i bie ndër gjunj. Lule Frangu kur e shikon ashtu në gjunjtë e tij, ka burrërinë dhe ia falë bastin duke bërë gjestin më fisnik dhe duke u rreshtuar kështu në legjendë së bashku me heronjtë e tjerë të Eposit Kreshnikëve.
Kështu prania e Vllaho-komane-gogë në trojet shqiptare, zë fill qysh në kohërat shumë të hershme që si periudhë mund t’i afrohet viteve 1250 e këndej kur, për mendimin tim, janë thurë këto këngë.
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.