back to top
16.5 C
Tirana
E hënë, 27 Maj, 2024

Kartolina – tregim i jetuar nga Tajar Kokalari

Gazeta

Tajar Kokalari
Tajar Kokalari

Kartolina

tregim i jetuar nga Tajar Kokalari

1.
Ajo që dua të tregoj, lidhet me një nga shokët e mi të maturës. Ai ishte nja dy-tre vjet më i madh se unë në moshë. Që nxënës ishte anëtar o kandidat partie, në mësime as ngrohtë e as ftohtë, në shoqëri nuk zinte ndonjë vend të veçantë. Kishte ardhur nga fshati dhe reflektonte në sjellje disa tipare fshatari, por jo për keq.
Kur mbaruam shkollën e mesme ai shkoi student në Institutin Pedagogjik për gjuhë-letërsi, kurse unë fillova punën në shkollën e mesme “Musa Fratari” në Këlcyrë.

Kishin kaluar dy dekada e gjysëm, shoku im për të cilin ju tregoj u bë sekretar i partisë në rreth, unë vazhdoja mësues, por kisha përfunduar ndërkohe Universitetin e Tiranës dhe punoja në arsimin e lartë. Bashkë me një shok tjetër i shkuam në zyrë sekretarit për ta uruar. Na priti shumë mirë, madje na qerasi me kafe në klubin e aparatit, siç quhej atëhere Komiteti i Partisë.
-Dëgjo,- më tha, – mos ki merak për asgjë, më ke mua për çdo problem, bile po të duash dil mëngjeseve, ta pimë kafen bashkë e të na shohin dhe të tjerët.
Ai e kishte zakon të dilte herët, pothuaj një orë para fillimit të orarit zyrtar.
Propozimi i tij me kujtoi një anekdotë të Ali Pashë Tepelenës. Një burri të moshuar që i kishte ndenjur pranë familjes së Pashait në mungesë të tij i propozoi t’i plotësonte çdo gjë që do të kërkonte, duke i ofruar toka e pasuri, por ai i kërkoi Pashait vetëm një favor, t’i pëshpëriste diçka në vesh çdo të xhuma kur qe ditë pazari dhe mblidheshin njerëz nga gjithë pashallëku.
-Shoku Th. ju falenderoj për sa më thatë, por unë kam 20 vjet që punoj e eci me këmbët e mia. Nuk jam rrëzuar deri më sot dhe s’kam për t’u rrëzuar. Erdhëm vetëm të të urojmë punë të mbarë…
Prej pesë vitesh isha punonjës në Filialet e arsimit të lartë. Vitin e fundit 1976, filialet u bashkuan me Institutin e Lartë Pedagogjik. Në këtë kolektiv kishte filluar lufta për pushtet, disa sulmonin drejtorin dhe organizatën bazë, këta nga ana e tyre sulmonin kundërshtarët. Unë isha indiferent karshi kësaj lufte veç mundohesha të isha i drejtë…
Por në këtë situatë viktima u bëra unë. Njëra pale më konsideronte kundërshtar, tjetra përkrahës, ose simpatizant. O Zot! S’merrja vesh ç’po ndodhte… megjithate qëndrova i palëkundur në pozicionin tim, edhe pse drejtori V. B. më bëri oferta joshëse. Për të ndjekur dhe zgjidhur konfliktin e krijuar u angazhua seriozisht Komiteti i Partise dhe personalisht shoku im i klasës, sekretari. Nga gjithë ajo rrëmujë e pësova unë. Drejtori më nxorri të tepërt në organikë, e për rrjedhojë nuk mund të qëndroja më në Institut. Vend pune tjetër nuk m’u ofrua. Për dy muaj nuk më dhanë rroge. Komiteti Ekzekutiv më përcillte në Komitetin e Partisë, ky në Seksionin e Arsimit. “Shoku” që kishte për detyrë të më sqaronte, pas krahëve më prishte punë. Përfundimisht më emëruan në shkollën e mesme të Libohovës ku u paraqita menjëherë.

Pamje e Gjirokastres
Pamje e Gjirokastres

Ishin ditët e fundit të vitit. Pranë sobës, në sallën e mësuesve bisedoja me kapterrin, përgjegjesin e armatimit të shkollës. Për 24 orë isha dezhurn dhe s’mund të largohesha. Kishte nja-dy orë që kishte filluar bora. Gjithandej vendi ishte zbardhur. Bexheti, kështu e quanin kapterrin, burrë rreth të pesëdhjetave, lab, i shkurtër, i shëndoshë me humor të këndshëm po më tregonte disa histori zbavitëse…
-Dëgjo, – më tha, – duke e ndërprerë bisedën, – se tani m’u kujtua, kam marrë disa kartolina që t’i dërgoj për Vitin e Ri. Po deshe unë t’i flas e ti m’i shkruaj, se unë e kam shkrimin si këmbët e pulës. Kur të marrin kartolinat do të thonë: Kur u bë Bexheti të shkruajë kaq bukur!
-Pranoj, – i thashë, – por me një kusht, që të më japësh edhe mua një kartolinë, si shpërblim për punën që do të bëj.
-Po ti kujt do t’ia dërgosh kartolinën? – më pyeti Bexheti
-Do t’ia dërgoj shokut Th.
Bexhua e njihte shokun tim të klasës, sekretarin e Partisë të rrethit, që aktualisht kishte marrë detyrën e pedagogut të lëndeve marksiste-leniniste në Institutin e Lartë Pedagogjik.
-Dëgjo Bexhon, ç’të duhet, pse do t’i hapesh telashe kokës?
Unë, o Bexhet nuk do ta shaj, do ta uroj.
Do ta urosh thua ti, por nuk i njeh ata, edhe po t’u thuash “shëndet”, të thonë “plaç”.
Nuk e dëgjova Bexhetin. Me shkrim të bukur e të qartë e mbusha kartolinën qoshe më qoshe dhe e nënshkrova më emër e mbiemër të plotë. Së bashku me kartolinat për miqtë e Bexhetit e hodhëm në postë.
Libohova është një qytezë e vogël, me disa dyqane të vjetra e disa të pakta të ndërtuara vitet e fundit. Në godinën që ende quhet “Sarajet e Beut” ishin zyrat e administratës lokale, ku punonte edhe Barba, nëpunës i gjendjes civile e njëkohësisht sekretar i partisë për Libohovën.
-Të doja një çikë, – me thirri Barba nga ballkoni.
-Për një kafe jam nisur, nëse ke kohë, eja.
-Porosite se erdha, – ma ktheu ai.
Barba ishte një burrë babaxhan, rreth të gjashtëdhjetave, i drejtë, i shëndetshëm, me bark pak të kërcyer, gjithmonë buzagaz dhe kur qeshte, sytë që i mbante gjithmonë gjysëm të mbyllur i mbylleshin fare nga shëndeti. Barbës i pëlqente muhabeti, por edhe rakia, prandaj bashkë me kafet porosita dhe nga një dopio raki.
-More, e di si është puna, – bëri një pauzë sikur do të mendonte diçka dhe vazhdoi – më ka ardhur një letër, jo letër mo, jo. Më ka ardhur një relacion për ty, seç thotë për një kartolinë, o ku di unë se cë. Kush ua zë veshin, por kërkojnë që të analizohet në organizatë dhe t’u kthejmë përgjigje. Pa thuajmë si është puna dhe mbase gjejmë një rrugëdalje.
E kuptova menjëherë përse që puna dhe m’u kujtua Bexheti: ”Ç’të duhet, pse do t’i hapësh telashe kokës?” Duke përfituar nga dashamirësia e Barbës iu luta ta lexoja relacionin dhe ai pranoi.
Në relacion thuhej se unë i paskesha dërguar shokut Th. një kartolinë në të cilën tallesha dhe e ironizoja atë si person, që kishte qenë pak kohë më parë sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit, aktualisht anëtar i Plenumit dhe pedagog i lëndëve Marksiste Leniniste, gjithashtu se ironizoja me Institutin e Lartë Pedagogjik, veprën më të madhe arsimore të ngritur nga Partia, se shfaqje të tilla kisha manifestuar dhe herë të tjera dhe se fundi kërkohej që pasi të analizohej në organizatë qëndrimi im të merreshin masa e të njoftohej…
E falenderova Barbën dhe i kërkova që po të kishte mundësi, të mos e shtronte në organizatë këtë problem dhe për dy-tre ditë sa të sqarohej çeshtja dhe pastaj le të “vepronin sipas rregullave”. Barba pranoi.
Përsëri m’u kujtua Bexheti. Ç’më duhej mua të “uroja” shokun e klasës. Megjithatë syri s’ma bëri terr. Isha i përgatitur për mbrojtje. Në shtëpi në koleksionin tim modest gjeta disa kartolina e letra që shoku im ish sekretar i partisë së rrethit, anëtar i plenumit të partisë dhe pedagog i lëndeve marksiste-leniniste, m’i dërgonte dikur si mësues fshati, ndërsa punoja pedagog në Filialet e Universitetit. Për të formuluar urimin tim kisha përdorur terminologjinë e përdorur prej tij në kartolinat që më kishte dërguar. Veçova tre kartolina, respektivisht të viteve 1955, 1964, 1972, që përmbanin të perifrazuar në pjesë atë që kisha shkruar unë. I vendosa me kujdes në xhepin e xhaketës, për t’i përdorur kur të paraqitej nevoja.
Diten që pasoi, sapo kisha shkuar në shkollë, nga Komiteti i Partisë njoftuan drejtorinë që të lija mësimin dhe brenda orës 12.00 të paraqitesha tek sekretari i partisë të rrethit për një problem më shumë rëndësi. Lashë mësimin dhe u nisa.
Pas një përshëndetje kortezie, sekretari hapi sirtarin e tavolinës dhe më dha në dorë kartolinën që kisha shkruar unë.
-Ju e keni shkruar këtë?
-Pa diskutim unë, është shkrimi im dhe emri im i plotë, – u përgjigja ftohtë duke shfaqur dhe një ndjenjë befasie.
-Po pse e keni shkruar këtë, cili ka qënë qëllimi?
-Ai qëllim që ka çdo njeri që bën urime për Vitin e Ri. I kam dërguar një kartoline urimi shokut Th. e jo Komitetit të Partisë. Habitem që e shikoj në dorën tuaj.
-Eshtë në dorën time se ti je tallur e ke ironizuar një kuadër parte dhe jo vetëm kaq, por edhe institucionin më të Lartë që ka ngritur partia për edukimin e brezit të ri.
Edhe pse isha i parapërgatitur e ndjeva “dimrin”. Ajo kartolinë ishte marrë shumë seriozisht.
-Nuk mund të përgjigjem, – i thashë, – dua pak kohë të mendohem për këtë.
-Mirë, dilni, mendohuni dhe ejani prapë.
Shkova në lokalin më mirë të qyetit, mora një kafe dhe një pije dhe qëndrova aq sa të krijoja bindjen se kisha shkuar deri në shtëpi. U ktheva në Komitetin e Partisë dhe sërish u gjenda para sekretarit.
-E, u mendove? Çfarë do të na thuash?
Pa folur, futa dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe lëshova në tavolinë kartolinën e vitit 1955.
-Besoj se e njihni shkrimin dhe firmën e shokut Th.?
Po ashtu veprova dhe për dy kartolinat e tjera, duke i renditur sipas viteve 1955,1964,1972 dhe në krah kartolinën time të vitit 1976. Sekretari, në rolin e ekspertit, po i lexonte dhe kryente ekspertizën. Mendueshëm i kalonte kartolinat nëpër duar e së fundi tha: Qartë… po pse i mban këto? Ç’të duhen?
-Siç e shihni më hyn në punë. Por veç kësaj, ndofta një ditë shokut tonë Th. mund t’i ngrihet ndonjë muze dhe unë do të kem se çfarë të vendos si shok dhe mik që e kam.
-Mirë, mund të shkosh, – tha sekretari prerë.
-Po kartolinat?
-Do t’i lini këtu. E kemi porosi nga Sekretari i Parë.
Ndjeva një kënaqësi të brendshme që edhe “Primo Segretario” do të merrej me mua dhe kartolinat e mia.
Kaluan disa ditë. Në Libohovë përsëri Barba me thirri nga ballkoni i “Sarajeve të Beut”.
-Pritëm se e kam unë radhën për të qerasur.
U ulem tek klubi i vogël në krah të rrapit shumëshekullor, që i kishin ngelur vetëm degët e kryqëzuara si të salduara dhe aty-këtu çerdhet bosh që do të mbusheshin sërish me zogj kur të vinte pranvera. Porositëm siç e donte zakoni nga një dopio dhe kafe.
-E more vesh, ajo punë mbaroi. Me lajmëruan nga Komiteti. Ai shoku yt me drejtorin ta hodhën një gur, por ç’e do, u ra në kokën e tyre.

* * *
Erdhën përsëri ditet e fundvitit. Rri e bisedoj me Bexhetin pranë sobës. Nuk harroj t’i dërgoj edhe një herë urime për Vitin e Ri shokut tim të klasës, ish-sekretarit të partisë, anëtarit të plenumit, pedagogu të lëndeve marksiste-leniniste në Institutin e Lartë Pedagogjik.

Tajar Kokalari - Libri "Memorie, mbresa dhe shënime"
Tajar Kokalari – Libri “Memorie, mbresa dhe shënime”

* * *
Kanë kaluar dy dekada të tjera nga kjo histori. Unë dhe shoku Th. kemi dalë në pension, banojmë afër me njeri-tjetrin. Më saktë ai banon në rezidencën shtetërore që ngritën në bahçen tonë për Sekretarin e Parë të Partisë dhe Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, të privatizuar në vitet ’90 për vetëm 40 mijë lekë të vjetra, ose 4 mijë lekë të reja. Sa herë që ndeshemi ballë për ballë unë i them “tungjatjeta”. Ai buzëqesh, përshëndet me kokë e ngre dorën, ose ai më thotë “tungjatjeta”, unë tund koken.
Gjirokastër, 15 nëntor 1995

Nga libri “Memorie, mbresa dhe shënime”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.