back to top
18.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kam te puna… – nga Edison Ypi

Gazeta

Edison Ypi
Edison Ypi

Kam te puna…

nga Edison Ypi

Kam te puna gjithçka që lypset për të ndrequr biçikletën, sobën, rubinetën, këpucët; çelsa, kaçavida, llamarina, çekiça, sholla, lëkura, ngjitëse, gozhda, thumba.
Kam te puna materialet dhe veglat që më duhen për të bërë një skaldabanjë; dy tuba çeliku kooncentrikë mes të cilëve nxehet uji nga poshtë me vajguri. Kur ndizet skaldabanja gjëmon si tank, ulërin si sirenë. Le të ulurijë si të dojë kryevepra inxhinierike e higjenës shtëpiake të Shqipërisë diktatoriale. Uji i ngrohtë zhulin ma heq, morra nuk më lë të zë.
Kam te puna makineri metalprerëse ardhur nga Kina; torno, frezë, tranxhë, saldatriçe. I shfrytëzoj si ma do kokrra e qefit gjithato makina. Riparoj, bëj, madje dhe shpik gjëra me të ik menia, gjëra që s’më duhen, pa asnjë shkak, kot, me u gjin Kola n’pun.
Kam te puna tuba bakri, tuba hekuri, pllaka alumini, vida dhe dado nga më të ndryshmet për të ndërtuar antena dhe kanoçe për veten dhe për miqtë për të parë televizione borgjezo revizioniste.
Kam, jo te puna ime, te puna e një miku në Vlorë në Pashaliman, te nëndetset, zhivë për ta futur brenda tubave të bakrit që ta shoh sa më mirë në televizor propagandën kapitaliste me të gjitha variacionet e saja djallëzore.
Kam te puna mundësinë të kqyr dhe të kënaqem me galerinë e surretërve më të skëterrshëm të rracës njerëzore që i prodhoi diktatura shqiptare; vrasësit e filmave, intrigantët e dramave, spiunat e romaneve, iriqët e nëntokës, zhabat e kënetave, nëpërkat e moçaleve, gjarpërinjtë e ferrave.
Kam te puna mensë ku mund të pi kafe çikoreje, të ha çorbë me yndyrë derri që e sjellin me bidona, revani kake, ëmbëlsirë balte.
Kam te puna një sekretar partie që me ja shtyp kokën pas muri, e ka pak.
Kam te puna një Drejtor që me ja ça fytin me biçak, i bën nder.
Kam te puna nja katër a pesë llapaqena që hiqen për “çuna të mirë”, fërshëllejnë melodira, flasin për kanconeta, bëjnë sikur ndjekin modën, por janë spiuna.
.
Shoqëri e turmëzuar...
Shoqëri e turmëzuar…
Kam te puna mbledhjen e kolektivit ku të njëjtit edepsëzë ngrihen e flasin, për partinë, vigjilencën, bllokadën, rëndësinë e parimeve, kritikat e drejta, autokritikat e thella, shpallin tejkalimin e planit, përcaktojnë objektivat, numurojnë sukseset, paralajmërojnë rreziqet.
Kam te puna një goc që vetëm pse ësht e bukur dhe mundohet të vishet me stil, i thonë kurvë.
Kam te puna ca gra që mbidhen çdo mëngjez rreth furrnellës, thekin bukën, zjejnë kafe me xhezve, shohin fatin te llumi i filxhanit, tregojnë ëndërrën që panë mbrëmë, pyesin njëratjetrën çfarë ndjell ajo ëndërr. Ka mes atyre grave edhe komuniste, edhe spiune, që denoncojnë për çdo gjë, por për llum kafeje dhe ëndërra – kurrë.
Kam te puna një mik që më thotë: Edhe në Epokën e Gurit në krye të kopesë zgjidhnin atë që e hidhte sa më larg shigjetën, vriste sa më tepër egërsira kur dilnin për gjah, bënte sa më tepër zhgarravina mbi shkëmb brenda shpellës, ndërsa rrugeçërit e sotëm vënë në krye atë më të paaftin, më të ligun, më zemërziun, më shpirtqenin.
Kam te puna një Mike që nuk dëgjon mirë nga veshët së cilës babai i tha; Mos i opero, nuk po thonë asgjë.
Kam te puna një nofullshtrembër të vrërët që ka qënë qitës i skuadrës së pushkatimit të cilit nga koha kur pushkatonte i ka mbetur mbi ballë një rreth i vogël i errët.
Kam te puna një besimtar musliman që falet dhe mban Ramazan. Për planet pesëvjeçare, garat, objektivat, parakalimet, brohoritjet, s’i rruhet fare.
Kam te puna ca ndyrësira që besimtarin e urtë e tallin dhe e kërcënojnë se do ta denoncojnë, por nuk e kanë bërë kurrë.
Kam te puna një ish-prift që nuk dihet si ja arrin të ruajë një masë respekti te të gjithë, edhe te komunistat dhe spiunat.
Kam te puna një goc aq tërheqëse sa është bërë dashnorja imagjinare e të gjithëve.
Kam te puna Zërin e Popullit që na e lexon çdo mëngjez një halabak.
Kam te puna një mik me të cilin flasim fshehtas për filmin që pamë mbrëmë në një televizion të huaj, për intervistën që dha para një jave një politikan perëndimor ku përmendi shkarazi Shqipërinë dhe Kosovën.
Kam te puna një mik me të cilin qeshim me Zërin e Amerikës që me dhjetra vite nuk tha asgjë, as ngushëlluese, sepse ka qënë dhe është peng i Sigurimit.
Kam te puna disa legena, që kur të shembet diktatura do bëhen demokrata…
.
Marrë nga muri i Fb i Edison Ypit, 4 shkurt 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.