back to top
16.5 C
Tirana
E diel, 2 Qershor, 2024

Kalimi nga e majta në të majtë! Opinion Çelo Hoxha

Gazeta

Çelo Hoxha 2013
Çelo Hoxha 2013

Kalimi nga e majta në të majtë! Opinion Çelo Hoxha

Në gusht 1942, Komiteti Provizor i Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) e shpërndau degën e Gjirokastrës, sepse kishte rrëshqitur majtas. Trajtimi i konceptit “i/e majtë” si diçka e keqe nga një parti komuniste, e cila më vonë krijoi një profil të qartë stalinist, mund ta gajasë qytetarin e sotshëm shqiptar, i cili ka një kuptim tjetër për të majtën, ekstremi i së cilës është stalinizmi. Mirëpo, organi më i lartë i PKSH-së e kishte seriozisht akuzën dhe, për pasojë, e shpërndau qarkorin e Gjirokastrës. Tre muaj më vonë, komunistët e Gjirokastrës i shkruan KP (në një letër të nënshkruar në këtë formë “ish-qarkori i Gjirokastrës”) për veprimtarinë e tyre qysh prej shpërbërjes së degës: kishin vrarë 11 persona dhe kishin plagosur 5, me qëllim “për t’a dominuar gjithë krahinën t’onë të gjerë”. Me pak fjalë, gjatë kësaj periudhe të shkurtër kishin zhvilluar një aktivitet terrorist të ngjeshur dhe, bazuar në rehabilitimin politik që përfituan, kishin punuar fort për të qëndruar “djathtas”: duke vrarë në mënyrë origjinale. Sjellja e majtë, sipas PKSH-së, ishte imitimi i punës së qarkoreve nga njëri-tjetri. Për shembull, nëse qarkori i Tepelenës kryente një atentat ndaj kryetarit të bashkisë dhe, pas tyre, edhe qarkori i Gjirokastrës kryente të njëjtën gjë me kryetarin e bashkisë së tyre, atëherë komunistët e Gjirokastrës kishin rrëshqitur majtas. Mund të duket qesharak si përkufizim, por ky ishte niveli i formimit politik të njerëzve që dominuan politikën shqiptare për gati gjysmë shekulli.
Ky lloj vulgariteti teorik pak a shumë e ka shoqëruar politikën shqiptare dhe në çerekshekullin e fundit, kur kanë filluar të përdoren më shpesh konceptet “e majtë” dhe “e djathtë”. Më 8 dhjetor 1990, në konviktet e studentëve në Tiranë (zonë e njohur si Qyteti Studenti) nisi një protestë modeste, e cila katër ditë më vonë çoi në lejimin e pluralizmit dhe krijimin e një partie të dytë (PD), e cila u pozicionua – të paktën teorikisht – djathtas. Për gjysmë shekulli politika kishte qenë monopol i PKSH-së, kurse “të djathtët” kishin në dispozicion të organizoheshin 4 ditë. Partia e re, e cila do të rivalizonte një parti me pushtet gjysmëshekullor, kishte aq kohë sa nuk mjafton as për të përgatitur bagazhet e një udhëtimi familjar. Duke gjykuar veprat e saj, PD-në mund ta shfajësojmë vetëm sepse themeluesit e saj ishin po aq të izoluar sa edhe pjesa tjetër e popullsisë dhe, kur përgatit bagazhet e udhëtimit, një i burgosur nuk mund të fusë në çantë më shumë sende se ç’ka në qeli. (Gjithashtu, duhet pasur parasysh, që sendet që gjenden në qeli janë aty me lejen e xhelatit dhe që ai nuk lejon aty sende të rrezikshme për pushtetin e tij.)
Liria që shqiptarët fituan më 1990, ishte më shumë rezultat i dështimit të formës tjetër të menaxhimit politik të shoqërisë: kontrollit absolut. Midis shumë gjërave që PD-së iu desh të bënte, kur erdhi në pushtet, tre janë, mendoj unë, më kryesoret:
1)dënim i qartë i krimeve komunizmit;
2)zgjidhja e drejtë e rikthimit të pronës dhe
3)ndërtimi i një shteti ligjor (ose hedhja e bazave të para).
Më 1992 shumë autorë krimesh e dëshmitarë të periudhës së diktaturës ishin ende gjallë, por asnjëri prej tyre nuk u dënua. Dënimi mund të fillonte që nga krimet e luftës (1941-1944) e deri te vrasjet në kufi (1990). Propozimet për një gjë të tillë kanë qenë të shumta. Mjafton të hapësh gazetën e të persekutuarve politikë. Këtu është fjala për dënim penal, jo politik, megjithëse PD-ja nuk bëri as të dytin. Në politikën e Tiranës ka ende politikanë të lartë (deputetë ose kryetarë partish) që kanë qenë ministra në qeveritë e diktaturës. Në gjykata, prokurori, polici, ushtri, shërbime informative ka ende funksionarë të lartë të këtyre institucioneve që nga koha e diktaturës. Gjyqi që iu bë disa ish-byroistëve vetëm sa e bëri qesharake çështjen, sepse asnjëri nuk u dënua për krime, por për abuzime financiare. Përgjatë viteve PD-ja gjithmonë ka bërë lojë të dyfishtë me çështjen e dënimit të krimeve të komunizmi, duke u bërë e pabesueshme dhe duke e zhvlerësuar kauzën.

Themelimi i Partise Demokratike
Themelimi i Partise Demokratike

Mënyra si u trajtua prona më 1991, tregoi realisht kush e kishte pushtetin në Shqipëri dhe çfarë përfaqësonin partitë politike në skenë. PD-ja dhe PS-ja bashkëpunuan dhe miratuan një ligj (ligji 7501), i cili nuk kishte asnjë ndryshim nga ligji komunist për reformën agrare, i miratuar më 1945. Me reformën agrare komunistët synonin asgjësimin e pronarëve të mëdhenj dhe të mesëm të tokës. Në fazën e dytë, me politikën e kolektivizimit, regjimi komunist i shpronësoi de facto dhe pronarët e dalë nga reforma agrare, duke e kaluar tokën nën kontrollin e një grupi të vogël njerëzish (Byroja Politike). Nëse do të kishte ekzistuar një parti e djathtë, do të kishte mbrojtur pikëpamjen se reforma agrare, e çdo forme qoftë, është grabitje e tokës. Toka kalon nga pronari te ziliqari, përmes parlamentit, të cilët, në shkëmbim, e kthejnë grupin e ziliqarëve në elektorat të përhershëm. Kush ka respekt për pronën e tij, duhet të ketë respekt edhe për të tjetrit, pavarësisht sasisë që ka në zotërim. Veç kësaj, reforma agrare rezulton të jetë ndëshkim për një grup të caktuar njerëzish në histori, se askush nuk ka kërkuar më vonë të bëhet një reformë e re agrare, për të rirregulluar balancat e barazisë, të cilat janë prishur nga shitblerjet e tokës që kanë ndodhur gjatë dy dekadave dhe ky cikël të përsëritej periodikisht.
Loja me tokën është e rrezikshme, sepse mund të ndiqet për gjithë llojet e pronave. Atyre që kanë dy shtëpi mund t’u merret njëra dhe t’u jepet atyre që s’kanë asnjë. Dhe, kjo logjikë nuk mbaron këtu: atyre që e kanë shtëpinë 100 m2 e lartë mund t’u merret gjysma dhe të kthehet në shtëpi për të pastrehët. Nëse PD-ja do të ishte sjellë si parti e djathtë (edhe e qendrës së djathtë, siç e mban veten), atëherë ajo do të kishte këmbëngulur që prona të ishte kthyer te pronari, siç ishte në gjendjen para vendosjes së regjimit komunist. Ndryshimet demografike që kishin ndodhur gjatë 46 vjetëve do të ishin zgjidhur më lehtë mes pronarëve të vjetër të pronës dhe zaptuesve, sesa zaptuesit të bëheshin pronarë dhe shteti të merrej me kompensimin e pronarëve, duke e devijuar krejtësisht procesin nga gjykatat.
Kalimi nga një shoqëri absolutisht e kontrolluar në një shoqëri të lirë nuk ishte punë lehtë, por mënyra si PD-ja i bëri gjërat nuk ka shumë për t’u krenuar në ndërtimin e shtetit ligjor. Pavarësisht vakuumit ligjor që mund të ekzistonte, disa veprime kriminale, në përmasa të mëdha, mund të ishin ndaluar. Liberalizimi i lëvizjes ishte një domosdoshmëri, por zaptimi i tokave nëpër qytete dhe ndërtimet pa leje të emigrantëve janë përgjegjësi e qeverisë. Pasi e lanë këtë krim të zhvillohej në përmasa të mëdha, zgjidhja që ofroi politika, pa marrë asnjë përgjegjësi faji, ishte legalizimi. Dhe, kjo e futi vendin në kaos. Qeveritë treguan preferenca në luftën ndaj krimit. Në formulimin oruellian: gjithë krimet ishin të dënueshme, por disa ishin më të dënueshme se të tjerat. Zaptimi i pronës dhe ndërtimet pa leje nuk u konsideruan as krim…
Korrupsioni, abuzimet elektorale, trafiqet e ndryshe, të cilat kanë lulëzuar gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri, e kanë burimin pikërisht te qëndrimi konfuz i PD-së ndaj tre çështjeve të përmendura më lart: mosdënimi i krimeve të komunizmit, grabitja e tokës përmes reformës agrare dhe pasiviteti në krijimin e shtetit ligjor. Dhe, sot, pasi ka dalë sërish në opozitë, kur PD-ja sulmon enverizmin në rritje, prishjen e pronës së ligjshme me tritol nga qeveria, trafikun e drogës nga toka e nga ajri ose të gjitha llojet e trafiqeve, ajo nuk ngjall asnjë grimë besueshmërie. Veç komunizmit, tashmë asaj i duhet të ndahet qartësisht edhe e nga e shkuara e saj, sepse tashmë ajo ka rrëshqitur majtas e parë jo nga këndvështrim i djathtë, por edhe duke u bazuar në përkufizimin e PKSH-së për të majtën, të cilin e kemi cituar në fillim: sepse ka bërë ato gjëra që një grup tjetër politik (PS ose PKSH) do të kishin dashur t’i bënin.

Marre nga http://shenja.mk 13 qershor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.