back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jeronim De Rada – personalitet i botës arbëresh nga Denisa Tare

Gazeta

Jeronim De Rada (1814-1903)
Jeronim De Rada (1814-1903)

Jeronim De Rada

personalitet i botës arbëresh

nga Denisa Tare

Abstrakt: Jeronim De Rada ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare si një figurë komplekse e letërsisë shqipe, si një personalitet poliedrik. Ishte arbërësh nga Makia, natyra e egër dhe e bukur e së cilës, plot ullishta dhe vreshta, të kujton fshatrat tona jugore. De Rada njihet si një figurë e madhe në opinionin publik evropian. Ai njihet jo vetëm si shkrimtar me një kulturë të gjerë po njëkohësisht si lëvrues i palodhur i gjuhës shqipe e si personalitet politik, publicist me një dinjitet kombëtar. De Rada punoi shumë për përforcimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve të cilët vuanin në atdheun e të parëve prej katër shekujsh, nën zgjedhën e rëndë të osmanëve. Ai njëkohësisht punoi për lulëzimin e e letërsisë shqiptare me frymë kombëtare dhe popullore. Me veprimtarinë e gjerë dhe me talentin e tij poetik, De Rada ndikoi në krijimin e një plejade të tërë poetësh, veprat e të cilëve hynë në fondin e artë të letërsisës shqiptare. Krahas veprimtarisë letrare, De Rada u mor dhe me veprimtari shkencore duke përpunuar një varg punimesh gjuhësore rreth shqipes, shkruar në italisht dhe botuar në shumë organe të shtypit të kohës ose në libra të posaçëm…
De Rada nisi të merret me gazetari që në moshë të re, që në vitet e para të krijimtarisë së tij letrare, qe mbrojtës i flaktë i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, për këtë arsye rimerr pozitën e tij si gazetar për t’iu bërë thirrje botës se shqiptarët do të luftoninpër të fituar të drejtat e popullit shqiptar si dhe pavarësinë dhe bashkimin kombëtar.
De Rada e nisi veprimtarinë publicistike nga viti ’40 i shek XIX si bashkëpunëtor dhe drejtues në shtyp, duke patur në qendër të vëmendjes së tij çështjen shqiptare dhe të kaluarën historike të popullit. Kjo e nxit që të botojë dhe një ndër përkohëshmet më të dëgjuara të kohës “Fiamuri Arbërit” apo “La Bandiera Albanese”. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën fillimi i shtypit shqiptar; njëkohësisht. Ai përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar që ka një histori, një gjuhë dhe tradita të forta, e cila mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarësinë.
Pavarsisht vështirësive që lidheshin me ngjarjet në Itali, De Rada e çoi më tej punën në fushën e shtypit, duke mos qëndruar larg luftës së popullit shqiptar për liri kombëtare. Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarsinë e tij. De Rada merr përsipër të organizojë dy Kongrese Linguistike Arbëreshe, një më 1895, dhe një në 1897.
Në vitet e fundit të jetës De Rada ishte prapë mësues i shqipes në Kolegjin e Shën Adrianit.
Jeta e De Radës shuhet më 28 shkurt 1903.
Mendimi i tij i fundit dhe fjalëte tij të fundit ishin për Shqipërinë dhe fatin e hidhur të arbëreshëve.
.
Denisa Tare
Denisa Tare

Jeta dhe veprimtaria letrare e Jeronim De Radës

 “Emri yt o atdhetar i ndjerë
Kurrë mos t’u harroft jo një herë
Se pate dashuri për Atdhenë
Aqë sa pak janë që mund ta kenë”1
Asdren
 
Jeronim De Rada ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare si një figurë komplekse e letërsisë shqipe, si një personalitet poliedrik. Ishte arbërësh nga Makia, natyra e egër dhe e bukur e së cilës, plot ullishta dhe vreshta, të kujton fshatrat tona jugore.
Nga ky fshat kanë dalë figura të shquara që kanë kontribuar në favor të çështjes kombëtare shqiptare, si Francesk Avati, Jeronim De Rada, Zef De Rada (i biri i poetit), Kamil De Rada (vëllai i poetit), Francesk De Rada (nipi i poetit), Domeniko Antonio Markeze, Mikele Markiono etj.2
Shtëpia e De Radajve dallohet nga godinat e tjera të fshatit. Ajo ka një portë të madhe hyrje me formë harku. Mbi të qëndron stema e familjes së poetit, e cila ka banuar këtu prej shekujsh.
Në këtë shtëpi, të zhveshur, në këtë fshat të humbur pa rrugë dhe pa lidhje postare, kaloi jetën e vet, punoi dhe luftoi De Rada, i cili fitoi admirimin e gjithë e gjithë shkrimtarëve të mëdhenj evropinanë. Këtu De Rada në këtë oaz të tij të vogël ai krijoi galerinë e tij të figurave të mëdha heroike me Skënderbeun në krye, që përshkojnë veprën e tij epike. Shtëpia ku banoi De Rada në Maqë, ka qënë dikur e Markanojvet. Më pas këtë banesë e trashëgoi e ëma e poetit, e cila rridhte nga dy familje të vjetra, Avati dhe Sqiljizi.
Stërgjyshërit e babait të poetit rridhnin nga Pjetër Anton Rada nga Shqipëria, për të cilin në Arkivin e Venedikut të vitit 1300 ndodhet një kontratë shitblerjeje.3 De Rada ka lindur në gjirin e një familjeje arbëreshe me tradita të lashta atdhedashurie. Familja e Radajve ka qenë mbrojtëse e këtyre traditave, mbrojtëse e të drejtave të arbëreshëve dhe armike e kujdo që mundohej t’i merrte nëpër këmbë këto të drejta dhe t’i çkombëtarizonte arbëreshët. Paraardhësit e De Radës i shohim të militojnë në rradhët e Republikës së Napolit në vitin 1799, dhe pastaj në atë të Karbunarëve4 dhe të Italisë së Re5 të Mazzinit. Ata morën pjesë në këto lëvizje revolucionare, të cilat luftoni kundër tiranisë, dhe obskurantizmit, për çlirimin e përparimin e popujve. Jeronimi ishte djali i priftit Mikel De Rada, i cili i dha mësimet e para. Ai ishte profesor i greqishtes së vjetër dhe latinishtes në kolegjin e Shën Adrianit. Në prill të 1822, kur ishte vetëm tëtë vjeç, De Rada hyri në Kolegjin arbëresh Shën Mitër Koronës.
Kenget e Milosaos - Jeronim de Rada
Kenget e Milosaos – Jeronim de Rada

Kolegji i Shën Mitër Koronës ishte tempulli dijes dhe qe gjatë periudhës së Rilindjes6 vatër e patriotizmit, saqë në revolucionin e 1848, nga ky kolegj morën pjesë nxënës dhe mësues të tij.

Edhe në lëvizjen revolucionare të 1860, italo-shqiptarët ishin në linjë të parë në rradhët e këmishëkuqëve të Garibaldit. “Kolegji – do të shkruajë më vonë De Rada – u hap si derë e madhe drite të ëmbel dhe të re për të gjitha shtëpitë arbëreshe… Aty do të fillojë të shkruhej gjuha shqipe… Ishte ky agimi i ri i ditës sonë, megjithëse pak i largët… Në këtë kolegj u shpjegoheshin nxënësve, së pari, vetitë e bukura të heronjve të tokës së Greqisë dhe të Romës, që ndryshuan botën me bëmat e tyre të mëdha… Kolegji – thekson De Rada – ka qënë gjithnjë vatër lirie dhe dritë për ne”.7 Ai ishte një institut fetar që kushte si qëllim të arsimonte të rinjtë shqiptarë, të cilët merrnin leksione në fushën e letërsisë, shkencës, teologjisë dhe drejtime të tjera. Kur doli nga kolegji, De Rada kishte marrë një pregatitje mjaft të thellë.8 Doli nga kolegji në vitin 1833, në moshën 18-vjeçare siç citon ai “i mburrur me të kaluarën dhe pa kurrfarë synimi për të ardhmen…” S’ka dyshim se përveç talentit, leximet e shumta shërbyen në formimin letrar të poetit të ardhshëm. Ashtu si çdo poet tjetër, edhe De Rada e ndjeu të nevojshme të lexojë dhe studiojë poetët dhe poezinë botrore, të zgjerojë përherë e më mirë aftësitë e talentin e tij, të zgjerojë horizontin e tij kulturoro-estetik. Krahas talentit letrar pjesmarrjes më vonë në jetën politike dhe publicistike De Raën e ndoqi pas gjithnjë hija e të jatit. Kjo vihet re që në vogëli në letrat dërguar të jatit ku i sqaronte me detaje jetën e tij në kolegj. Siç u tregua më lart i jati tij ishte profesor i latinishtes dhe greqishtes krahas kësaj pjesmarrës në lëvizjen maxiniste. I jati tij kërkonte që i biri të ecte drejt, të vazhdonte studimet dhe të ecte në gjurmët e tij. Raporti me nënën ishte më i ngushtë por shumë shpejt ai e humbet atë në moshë të vogël kur ende ishte nxënës në kolegjin San Demetrio… Po atë vit (1832) ai shkroi poemën me temë historike, që frymëzohej nga mërgimi i arbëreshëve në kohën e Skënderbeut, me titullin “Odiseu”. Më vonë, i ati e dërgon të kryejë studimet juridike në Napoli.9
Më 1 dhjetor 1834, De Rada gjendet në Napoli ku u dërgua siç u citua me lart me dëshirën e të atit. Për shtatëdhjetë vjet me rradhë, që nga viti 1832 e derisa vdiq, më 28 shkurt 1903, ai hartoi mbi 30 vepra të ndryshme, në shqip dhe në italisht, me karakter letrar, folklorik, estetik, sociologjik, publicistik. De Rada iu kushtua dy idealeve kryesore: Atdheut dhe artit. Ai i kushtoi gjithë jetën e tij poezisë dhe atdheut. Megjithëse në kushte të vështira politike, shoqërore, ekonomike dhe familjare ai ruajti përherë, kthjellsinë mendore të poetit dhe thellsinë e sintezës së dijetarit dhe lëvruarit të gjuhës.10
De Rada punoi shumë për përforcimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, të cilët vuanin në atdheun e të parëve prej katër shekujsh, nën zgjedhën e rëndë të osmanëve. Ai njëkohësisht punoi për lulëzimin e e letërsisë shqiptare me frymë kombëtare dhe popullore. Merita e tij qëndron në faktin se i gjendur në brendësi të komunitetit arbëresh që kishin emigruar në Itali në shekullin e XV, ai krijoi në shekullin e XIX, një poezi me tipare thellësisht kombëtare, me cilsi të larta artistike. Përmes kësaj poezie De Rada arriti jo vetëm që të zgjojë ndjenjat kombëtare të atdhetarëve të tij, por ajo shërbeu edhe për të zgjuar opinionin publik të Evropës për çështjet e kombit shqiptar, qenien e të cilës disa shtete e mohonin me vetëdashje. Krahas veprimtarisë letrare, De Rada u mor dhe me veprimtari shkencore duke përpunuar një varg punimesh gjuhësore rreth shqipes, shkruar në italisht dhe botuar në shumë organe të shtypit të kohës ose në libra të posaçëm. De Rada i kushtoi shumë kujdes çështjes së prejardhjes së gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve.
Ai luajti një rol të rëndësishëm dhe në historinë e shkollave shqipe duke botuar dhe redaktuar shumë tekste shkollore. Në këto tekste përfshihen mjaft programe mësimore, abetare, antologji, gramatika, fjalorë, konferenca pedagogjike, libra për letërsinë popullore, botime të posaçme për historinë e institucioneve arsimore ndër arbëreshët e Italisë, kërkesa për themelimin e katedrës së gjuhës shqipe dhe shkolla në gjuhën shqipe. Këtë fakt e dëshmojnë dhe letërkëmbimet e ndryshme midis De Radës dhe pesonaliteteve të huaja arbëreshe dhe shqiptare. Ndër të cilat janë letrat shkruar nga Dora d’Istria De Radës. Këto letra janë me rëndësi sepse hedhin dritë mbi veprimtarnë pozitive të saj nga ana tjetër sjellin të dhëna për historiografinë e periudhës së Rilindjes.Veprimtaria e dendur shkollore atdhetare e De Radës, në lidhje me shkollat shqipe dhe me arsimin tonë kombëtar luajtën një rol me rëndësi në krijimin e një opinioni publik të huaj në favor të çeshtjes shqipare.11
Pas publikimit të veprës së parë në 1833, “Odise” aktiviteti i tij letrar dhe publicistik nuk u ndërpre, por vazhdoi më tej me të tjera vepra letrare dhe botime publicistike. Më 1836, ai botoi veprën e tij të parë të plotë, poemën “Këngët e Milosaos”, me temë të dyfshtë: atdheu dhe dashuria. Poema spikati për bukuri dhe freski, pritet me mjaft ngrohtësi nga kritika dhe publiku, dhe vlerësohet më vonë madje dhe jashtë Italisë.
Tre vjet më vonë, boton një tjetër vepër që ngjason me të parën nga tema dhe problematikat, por kjo vepër ka më tepër qartësi mendimi dhe ngjyrë më të theksuar historike. Vepra “Serafina Topia” botohet në vitin 1840. Kjo vepër ribotohet sërisht në 1843 dhe për herë të tretë e riboton në vitin 1898, në fund të jetës së tij nën një titull të ri “Një pasqyrë jete njerzore”.
Poeti iu përkushtua dhe mbledhjes së këngëve popullore. Ai botoi përmbledhjen e parë me këngë popullore arbëreshe, “Rapsodie di un poema albaneze” në vitin 1866. Më vonë, De Rada e riboton në gazetën e vet “Fiamuri i Arbrit” me titull “Rapsodi kombëtare”. Edhe “Milosaon” si dhe “Serafinën”, poeti i ribotoi dy herë. Vepra e jetës së De Radës ishte poema e madhe “Skënderbeu i Pafan”, të cilën e botoi në dymbëdhjetë libra. Nga këto u botuan vetëm pesë. Poema epike kishte në qendër Skëndërbeun dhe heronj të tjerë, heroikë dhe legjendarë.13
Krahas botime të lartpërmendura, De Rada ka botuar dhe vepra me karakter autobiografik, të cilat meritojnë vëmendje të veçantë. Përmendim
1)Autograf botuar në 1885,
2)Autobiologjia, në katër pjesë (1898-1899),
dhe Testamenti poetik (1902).14 Njohja e krijimtarisë së tij letrare, veprimtarisë shkencore, publicistike, politike dhe arsimore na bën që ta njohim më nga afër figurën e De Radës.
Në vitet pasuese, De Rada tërhiqet pak nga punimet e veprave të mëdha duke u lokalizuar drejt botimeve në gazeta dhe revista të kohës. Shumë artikuj ai i shkroi në të përkohëshmen “Viagiatore”15 të Domeniko Mauros, ku ai shprehu hapur qëllimet dhe idealet e tij patriotike dhe revolucionare. Qëllime të cilat u mundua t’ia trasmetonte lexuesit arbëresh të Kalabrisë. Sipas tij arbëreshët duhet të organizoheshin në një kryengritje të përbashkët kundër regjimit shtypës së Mbretit të Napolit. Në vitin 1850 ai botoi një përmbledhje me katër poema me titull “Rrëfimet e Arbrit”, më pas novelën “Diana” dhe një tragjedi “Numidët”.16
Tragjedinë “Numidët” poeti e hartoi, së pari në shqip, në dialektin arbëresh, pastaj e përktheu vetë në prozë në italisht, ashtu siç veproi me të gjitha veprat e tij gjatë gjithë jetës së vet.
Vepra “Rrëfime të Arbrit” u prit mjaft mirë dhe ngrohtë nga arbëreshët e Italisë. Poema “Rrëfime të Arbrit”, përbëhet prej katër këngësh, ndërlidhet dhe përshkohet nga ideja kryesore që ishte bashkimi i shqiptarëve të shpërndarë dhe lufta e tyre për çlirimin e atdheut. Vepra madhore e Jeronim De Radës, për të cilën punoi afro gjysëm shekulli, është “Skënderbeu i Pafan”. Poema është krijuar nga poeti, brenda një periudhe 42 vjeçare, që nga 1837 deri në 1879. De Rada publikoi nga “Skëndërbeu Pafan” nga seria e 12 librave vetëm 5 libra. Synimi i shkrimit të kësaj vepre ishte dashuria e madhe për atdheun e të parëve, Shqipërinë. Përmes kësaj poeme të rëndësishme ai u përpoq të ngrejë lart vlerat e gjuhës shqipe dhe traditave shqiptare duke pasqyruar shpirtin patriotik dhe heroik të popullit shqiptar.17 Kjo vepër thekson De Rada është shkruar me qëllim që të përgatisë zgjimin e ndërgjegjes kombëtare; rilindjen e kulturës shqiptare, besimin për të ardhmen e lumtur të ditës së çlirimit. Figura e Skënderbeut dhe epoka e tij u bënë frymëzim për gjithë letërsinë shqipe. De Rada ia kushtoi këtë vepër jo bëmave të Skënderbeut, por emrit të tij, heroit kombëtar, heroit të të gjithë shqiptarëve. Te figura e Skëndërbeut ai shihte simbolin e ringjalljes shqiptare.18
Gjithë botën poetike të De Radës e përshkon ndjenja e dashurisë për atdheun.”19 Kontributi i De Radës shihet dhe në lëmin folkloristik. Të gjitha materialet folklorike i përktheu edhe në italisht dhe i botoi në revistën “Fiamuri i Arbrit”. Në këtë mënyrë i jepte mundësinë e një frymëmarrje tjetër, krijimtarisë së popullit së vet. Ai i mblodhi përrallat nga gratë dhe plakat e fshatit të tij dhe të fshatrave përreth. Në vitin 1896, De Rada, do të nxjerrë në botim Antologgia Albanese, ku ndër të tjera mes tyre gjejmë disa përralla,20 të cilat ashtu siç shkruhet në nëntitull (përgjithësisht si në të gjithë punimet e studiuesve arbëreshë, apo të atyre që punuan me arbëreshët) janë të përkthyera edhe në gjuhën italiane. Në parathënie, ai do të shprehet: “I lëshojmë vendin e parë përrallave që vijnë nga lashtësia e kohërave, duke sjellë gjurmët e shpirtit të pavdekshëm të popullit, gojët e të cilit kanë bërë që të transmetohen e të tingëllojnë deri në ditët tona.21
Përrallat janë përkthyer, besnikërisht, edhe në gjuhën italiane. Kështu, De Rada dha një kontribut të rëndësishëm e të padiskutueshëm në të gjithë artin dhe kulturën shqiptare. Si i ri liberal, ai qe angazhuar në jetën politike dhe qe pjesëmarrës në revolucionin e po atij viti, i cili kërkonte të përshtaste Mbretërinë e Napolit ideve të revolucionit francez të korrikut të 1848. Pas dështimit të revolucionit ai u burgos së bashku me shumë të rinj të tjerë arbëreshë dhe s’u lejua të largohet nga fshati tij, Maki. Ky internim i parë do të bëhej shkak edhe për mbylljen e gazetës së tij dhe së parës në historinë e saponisur të shtypit shqiptar. Që nga ajo kohë e deri në 1861, askush nuk do të dëgjonte më për De Radën. Dihet vetëm se jetoi në Maki, po nuk dihen impenjimet e tij. Ne vitet e mëvonëshe, ai iu kushtua tërësisht çështjes shqiptare. Vendosi korespondencë me shumë personalitete politike dhe avokatë të çështjes shqiptare. Njohu dhe bashkëpunoi ngushtë me disa emra të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitin e parë të rikthimit në qytet botoi veprën “Parimet e estetikës”, tre vjet më vonë veprën “Lashtësia e Kombit Shqiptar” dhe në 1866 “Rapsodia e një poeme arbëreshe”.
.
Fiamuri i Arbërit - Monument i De Radës
Fiamuri i Arbërit – Monument i De Radës

2.Veprimtaria politike dhe publicistike e De Radës

De Rada njihet si një figurë e madhe në opinionin publik europian. Ai njihet jo vetëm si shkrimtar me një kulturë të gjerë, po njëkohësisht si lëvrues i palodhur i gjuhës shqipe e si personalitet politik, publicist me një dinjitet kombëtar. Studiues të dëgjuar të kohës si Nikolla Tomazeo, Cezare Kantu, Herman Boholc, Dora D’Istria, Anton Simagoi, Gustav Majer e mjaft të tjerë janë shprehur për të, duke e quajtur pionier i shtypit shqiptar.22
De Rada nisi të meret me gazetari që në moshë të re, që në vitet e para të krijimtarisë së tij letrare.
Më 1 korrik 1842, Jeronimi bëhet korrespondent i Ankarasë në Napoli.23 Më 1878, De Rada ngriti zërin në mbështetje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke protestuar me forcë kundër cënimit të tërësisë tokësore të Shqipërisë. Ai ishte mbrojtës i flaktë i lirisë dhe pavarsisë së Shqipërisë, për këtë arsye rimerr pozitën e tij si gazetar për t’ju bërë thirrje botës se shqiptarët do të luftonin për të fituar të drejtat e popullit të tyre si dhe për pavarsi dhe bashkim kombëtar. Kjo e nxiti të botojë dhe të përkohëshmen më të dëgjuar të kohës: “Fiamuri i Arbrit” o “La Bandiera Albanese”.24 Titulli i revistës qe mjaft kuptimplotë për t’i treguar Evropës se ky flamur asnjëhërë nuk do qe përkulur e as do të përkulej. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën fillimi i shtypit shqiptar njëkohësisht De Rada, përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar që ka një histori, një gjuhë dhe tradita të forta, përmes ë cilave mund të aspironte pa frikë për lirinë dhe pavarsinë.25
Kjo revistë u themelua në 20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro. Duke filluar nga 20 shtatori 1885, e përkohëshmja vazhdoi të botohet në Kozencë. Prej saj dolën 31 numra. Në këtë revistë bashkëpunuan shqiptarë dhe arbëreshë të ndryshëm si (Dara i Ri dhe Mitkoja).26 De Rada e shfrytëzoi këtë të përkohëshme për një mision fisnik për të pasqyruar me të gjitha format dëshirën e tij dhe të shqiptarëve të kudondodhur në botë për të siguruar pavarsinë e Shqipërisë. Për sa kohë qarkulloi kjo revistë u prit me shumë ngrohtësi nga arbëreshët. Arbëreshi G. B. Kadikamo i drejtohej më këto fjalë inkurajuese themeluesit të saj, Jeronim De Radës: “Me ndërmarrjen tuaj fisnike ne të rinjtë arbëreshë presim, në çdo çast, të tingëllojë kambana e kryengritjes kombëtare në Shqipërinë tonë, sepse dëshirojmë të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut për të mirën e atdheut tonë të dashur!”
Përgëzime De Rada për themelimin e “Fiamurit të Arbrit” merr dhe nga Dora D’Istria. Ja si e përgëzon ajo De Radën në një ndër letërkëmbimet e tyre të shumta.
Dora d'Istria - Elena Gjika (1828-1888)
Dora d’Istria – Elena Gjika (1828-1888)

Firence, 5 shtator 1883

Zotëri,
Po matesha t’ju shkruaja se me sa kënaqësi e kam marrë numrin e parë të “Fiamuri i Arbrit” dhe se nëpërmjet letrës tuaj mësova që edhe të tjerë veç meje e kanë vlerësuar drejt fletoren tuaj patriotike dhe i kanë çmuar siç duhet përpjekjet tuaja fisnike. Mesa duket që në fillim dhe numri i pajtimeve është i kënaqshëm. Dua të besoj se Flamuri i Shqiptarëve ka për të marshuar triumfues dhe ka për t’u ngritur një ditë mbi majat e Shkodrës, fitimtar dhe udhëheqës i të mirash. Besoni zotëri se askush më shumë se unë nuk e uron këtë gjë dhe kini mirësinë të pranoni të falat e mia vllazërore.27
Dora D’Istria.
Fiamuri i Arberit
Fiamuri i Arberit

 Më 15 janar të 1844, në artikullin me titull “E përkohëshme botërore”, De Rada shkruan: “Ndjejmë gëzim t’ju njoftojmë se Flamuri ynë, i sapolindur, ka nisur të bëhet një e përkohëshme botërore. Duke u kërkuar në Francë, në Gjermani, në Austri, prej saj, tashmë, shkojnë 12 kopje në Amerikë, 3 në Azi, 12 në Rumani, 35 në Turqi, 11 në Greqi, 50 në Egjipt…”28 Të njëjtën fakt e konfirmon dhe Oreste Camilo Mondalari në veprën e tij, i cili thekson se e përkohëshmja u prit mjaft mirë në Evropë dhe kishte abonentë njerëz të shquar të letërsisë, kulturës, shkencës dhe politikës. Rreth 300 abonentë në Itali, Franë, Gjermani, Austri, Hungari, Greqi, Turqi, Rumani, Egjipt, Shqipëri, ShBA, Argjentinë, Azi, etj.29

Në 5 qershor 1884, revista “Melusine” e Parisit, një nga të përkohëshmet më të përmendura të Evropës, nën titullin “Organ Kombëtar”
Ja si e recensonte “Fiamurin e Arbrit”: “Në një koloni shqiptare të Italisë del fletorja e zotni De Radës”. Ajo është një organ kombëtar, jo vetëm i ngulmimeve arbëreshe të Italisë, por dhe i Shqipërisë së mirfilltë, që sot është ende nën turkun”. Revista nga numri në numër tërhiqte me vete mjaft lexues dhe studiues nga më të ndryshmit: arbëreshë, shqiptarë dhe të huaj.
Më maj 1885, Tomazzo Kanifero shënonte se “Fiamuri i Arbrit”, është një botim që pritet me interes nga një skaj i Evropës në tjetrin”. Kjo revistë u jepte një vend të dobishëm krijimeve letrare, sidomos atyre të të rinjve arbëreshë. Aty u botuan tri aktet e para të dramës “Ermira”30 të Santorit. Megjithatë kjo revistë nuk pati jetë të gjatë, qoftë për mungesë fondesh financiare, qoftë për arsye të pengesave që i nxirrte çensura turke, madje dhe ajo greke megjithatë dobia e saj për çështjen shqiptare qe e madhe. Pengesat nisën të shkaktoheshin njëkohsisht si nga politika antishqiptare e Turqisë, edhe ajo e Austrisë, Italisë, Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi. Përdoreshin lloj-lloj mënyrash dhe formash për të penguar botimin, shpërndarjen, shftytëzimin e së përkohëshmes. Por sërisht Dora D”Istria e këshillonte të ishte i duruar.
Në letrën e 18 prillit të 1844, ajo i shkruante: “Kam parë me dëshpërim letrën tuaj, se ju kanë dalë telashe për botimin e një vepre aq të dobishme: si “Fiamuri i Arbrit”. Është për të ardhur keq, që shpeshherë hasim pengesa në punë që përpiqemi t’i bëjmë vetëm me devotshmëri dhe dashuri. Por durimi është i domosdoshëm dhe ne duhet të jemi gjithnjë këmbëngulës për të marshuar përpara”.31
Pavarsisht përpjekjeve për ta mbajtuar në jetë këtë të përkohëshme De Rada nuk ia arriti qëllimit. Sidoqoftë e përkohëshmja “Fiamuri i Arbrit” qe një flamur dhe një flakë e gjallë atdhedashurie e një shqiptarizmi të kulluar. Në këtë organ De Rada shtroi me forcë çështjen politike të kombit duke mbrojtur të drejtat e popullit tonë, duke e bërë të njohur çështjen shqiptare në Evropë. Kjo revistë i dha të kuptojë diplomacisë europiane se në bregun lindor të Adriatikut kishte lindur një çështje tjetër, çështja shqiptare. Nëpërmjet kësaj të përkohëshme De Rada krijoi mardhënie mes arbëreshëve të Italisë dhe arbëreshëve të Shqipërisë si dhe atyre që gjenden në vise të huaja, si Turqi, Egjipt, Greqi, Rumani etj…
Kjo revistë luftoi me patriotizmin më të madh pushtuesit osman si dhe synimet e huaja në vendin tonë. Ai demaskoi qëllimet e shovinistëve fqinj në Ballkan, serbë, malazezë, grekë, si dhe politikën ekspansioniste italiane dhe austriake. Mund të thuhet se “Fiamuri i Arbrit” është i vetmi organ i parë i shtyit periodik shqiptar që bashkoi inteligjencën shqiptare të asaj kohë, të shpërndarë në katër anët e botës.
Në faqet e kësaj reviste De Rada mbrojti me zjarr para opinionit evropian çështjen e ekzistencës së kombit shqiptar, duke provuar se shqiptarët kishin një gjuhë të tyre, një histori të tyren të lashtë, letërsinë, folklorin dhe shtypin periodik.32
“Flamuri i Arbrit” u bë me të vërtetë flamur e trumbetë që thërriste shqiptarët për çlirimin e mëmëdheut. “Suksesi i rezistencës – thoshte studiuesi i mirënjohur Mikele Markiano – i detyrohej, në dy fusha të ndryshme, dy arsyeve po aq të ndryshme; idesë së kombësisë shqipatare, që për herë të parë u formulua nga De Rada si një kërkesë drejtësie drejtuar diplomacisë evropiane, dhe përhapjes së letërsisë shqiptare…”33
Me gjithë dëshirën e madhe mbas katër vitesh lufte dhe përpjekjesh të mundimshe, hidhërimesh e mërzitjesh të shumta, për arsye ekonomike dhe nga censura të mëdha u shua flaka e “Fiamurit të Arbrit”. Duke i munguar dhe përkrahja e pajtimtarëve De Rada u detyrua të mbyllë redaksinë e revistës. Lidhur me shkaqet e mbylljes së saj flet vetë De Rada në një letër që i dërgon Gustav Majerit. Ja çfarë i shkruan atdhetari i shquar këtij albanologu:
“Fiamuri i Arbrit” pushoi së qarkulluari pas numrit të shtatë të vitit të tretë. Më erdhi keq sepse u ndërpre botimi i dramës së Anton Sartorit dhe sepse pushoi një dëshmitar tjetër i thjeshtë dhe i vërtetë i qënies sonë në mërgimin e trashëguar. Por ç’ti bësh? Mua më mbeti një kredi e humbur prej 2400 lireta, nga pajtimtarë detyrues të vonuar. Nuk pata më nga të miat për t’i përdorur si paradhënie. I zënë ngushtë nga huadhënësit kam shitur me humbje grigjën. Dhe tash tri javë më kot po përpiqem të shes një copë tokë…”34
Sidoqoftë e përkohëshmja “Fiamuri i Arbrit” hyri në historinë e shtypit shqiptar si revista e parë letraro-politike. Ajo bëri shërbime të mëdha për njohjen e Shqipërisë në opinionin publik evropian, si vend i një populli të lashtë e me tradita, që ruajti me krenari tiparet e tij të veçanta, duke qëndruar me armë në dorë për të fituar lirinë dhe pavarsinë kombëtare. Në plan të parë në këtë revistë vihet ana politike e pastaj ajo letrare. Ndonëse qe e njohur si e përkohëshme letraro-politike, ana politike zë një vend më të gjerë në të. Kjo ndodh nga që çështja shqiptare në atë kohë ngjall një interes të veçantë në opinionin publik evropian. Në artikujt e kësaj të përkohëshme shihet forca goditëse kundër prapaskenave dhe planeve të shteteve fqinje. Të cilët përpiqeshin në të gjitha mënyrat ta copëtonin Shqipërinë. Ajo përçoi, jo vetëm zërin e popullit shqiptar e arbëresh, por ndihmoi në afrimin e lidhjeve ndërmjet tyre si popuj të cilët kishin një gjuhë të përbashkët, por diti të bëjë për vete shumë lexues të huaj, të cilët shprehnin ndjenjën e nderimit dhe dashurisë ndaj popullit shqiptar.35
Vitet e fundit të jetës së De Radës ndonse të shoqëruara nga varfëria dhe vetmia nuk e shterruan vrullin krijues të shkrimtarit të madh. Ai botoi dy librat e fundit të “Skënderbeu i Pafan” dhe vepra të ndryshme historike, gjuhësore, letrare si “Pellazgë e shqiptarë”, “Konferenca mbi gjuhën shqipe” (1894), një pjesë jetëshkrimi me titull “Autobiologjia”, ripërpunon veprën “Numidët” me subjekt nga luftrat e Romës me Kartagjenën.
Në këtë kohë poeti ripërpunon rrënjësisht “Këngët e Serafina Topisë” dhe kurorëzimin e punës vet të gjatë krijuese me botimin e poemës nën titullin e ri “Një pasqyrë e jetës njerëzore” (1908).
Gjithashtu De Rada merr përsipër të organizojë dy kongrese linguistike gjuhësore arbëreshe, një më 1895 dhe një në 1897. Në vitet e fundit të jetës De Rada ishte prap mësues i shqipes në Kolegjin e Shën Adrianit. Pesë muaj pas vdekjes, më 1902, De Rada boton veprën e vet të fundit “Testamenti Politik”. Po atë vit botohet nga kritiku i shquar, Mikel Markianoi, dhe kushëriri i tij, një monografi për jetën dhe veprimtarinë e De Radës. Jeta e De Radës shuhet më 28 shkurt 1903.36 Mendimi i tij i fundit dhe fjalëte tij të fundit ishin për Shqipërinë dhe fatin e hidhur të arbëreshëve.
.
Flamuri i Arberit (broshura)
Flamuri i Arberit (broshura)

Konkluzione

Jeronim De Rada ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare si një figurë komplekse e letërsisë shqipe, si një personalitet poliedrik. De Rada ka lindur në gjirin e një familjeje arbëreshe me tradita të lashta atdhedashurie. Familja e Radajve ka qenë mbrojtëse e këtyre traditave, mbrojtëse e të drejtave të arbëreshëve dhe armike e kujdo që mundohej t’i merrte nëpër këmbë këto të drejta dhe t’i shkombëtarizonte arbëreshët. Krahas veprimtarisë letrare, De Rada u mor dhe me veprimtari shkencore duke përpunuar një varg punimesh gjuhësore rreth shqipes, shkruar në italisht dhe botuar në shumë organe të shtypit të kohës ose në libra të posaçëm… De Rada nisi të merret me gazetari që në moshë të re, që në vitet e para të krijimtarisë së tij letrare. Ai ishte mbrojtës i flaktë i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, për këtë arsye rimerr pozitën e tij si gazetar për t’ju bërë thirrje botës se shqiptarët do të luftoninpër të fituar të drejtat e popullit tyre si për pavarësi edhe për bashkimin kombëtar. Kjo e nxit që të botojë dhe një ndër përkohëshmet më të dëgjuara të kohës “Fiamuri i Arbrit” dhe “L’Albanese d’Italia”.37 Përmes këtyre revistave mujore, De Rada i bëri të njohur Evropës se ekziston nëj popull shqiptar që ka një histori, një gjuhë dhe tradita të forta e cila mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarsinë. Ai luajti një rol të rëndësishëm dhe në historinë e shkollave shqipe duke botuar dhe redaktuar shumë tekste shkollore. Në këto tekste përfshihen mjaft programe mësimore, abetare, antologji, gramatika, fjalorë, konferenca pedagogjike, libra për letërsinë popullore, botime të posaçme për historinë e institucioneve arsimore ndër arbëreshët e Italisë, kërkesa për themelimin e katedrës së gjuhës shqipe dhe shkolla në gjuhën shqipe. Kontributi i De Radës shihet dhe në lëmin folkloristik. Të gjitha materialet folklorike i përktheu edhe në italisht dhe i botoi në revistën “Fiamuri i Arbrit”. Në këtë mënyrë i jepte mundësinë e një frymëmarrje tjetër, krijimtarisë së popullit së vet. Arbëreshi G. B. Kadikamo i drejtohej më këto fjalë vlersuese, Jeronim De Radës: “Me ndërmarrjen tuaj fisnike ne të rinjtë arbëreshë presim, në çdo çast, të tingëllojë kambana e kryengritjes kombëtare në Shqipërinë tonë, sepse dëshirojmë të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut për të mirën e atdheut tonë të dashur!” Jeta e De Radës do të shuhej, por mendimi i tij i fundit dhe fjalët e tij të fundit ishin për Shqipërinë dhe fatin e arbëreshëve.
.
Figura të Rilindjes Kombëtare
Figura të Rilindjes Kombëtare

Bibliografia

1.Kol Kamsi, Shqiptarët e Italisë, Shkodër, 1938
2.G. De Rada, Autobiologjia, Cosenza, 1898, f.3
3.Oreste Camilo Mondalari, Girolomo De Rada precursore della Nuova Albania, Archivo Storico dei Reduci di Guerra, Roma, 1939,f.15
4.M.Marchiano, L’Albania e l’opera di Girolomo De Rada, Trani, 19, f.23
5.E. Demetrio, vep e cit, f.12
6.Franco Bulgari, Girolomo De Rada e la literatura albanese, “Rasegnia di studi albanesi” nr.2, fq13, Roma 1963, Atti del 3 Convegnio di Studi Albanesi, Cozenza, 23-24 novembre 1963, Edizione Italba.
7.Shefqet Pllana, Gjurmime albanologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, 14 – 1984, Prishtinë, 1985
8.Girolamo Rada, Antologia albanese, Tradotta fedelmente in italiano, Napoli, 1896,f. 3
9.Oreste Camilo Mondalari, Girolomo De Rada precursore della Nuova Albania, Roma, Archivio storicho dei reduci di guerra, 1939
10.Jup Kastrati, Jeronim De Rada, (Jeta dhe Veprat), 8 nëntori, 1987 .
11.Michele Marchiano, L’Albania nell opera di Girolomo De Rada, Trani, V.Vechi, 1902,
12.Klara Kodra, Erdhi dita e Arbrit (me rastin e 100 vjetorit të Jeronim De Radës), Erik, 2000
13.Intervistë e V. Minishit, me rastin e 250-vjetorit të kolegjit të Shën-Adrianit, gazeta “Drita”, 22 janar 1983.
.
Dr. Denisa Tare
Department of Political and Legal Sciences
Universitety “Aleksandër Moisiu” Durrës
E-mail:deni_tare@yahoo.com
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.